Bashkim Aliraj:Vllas Opingari, emblema e volejbollit vlonjat

949
Sigal

Profesor Vllasi mbushi para pak ditësh 80 vjeç. Me vajzat e Flamurtarit fitoi kampionatin dhe Kupën në vitin 1965

  *trajner

Shoqata “Jon”, Vlore

Ndeshem vazhdimisht në rrugë me profesor Vllasin. Kujtoj vitet si trajner dhe drejtues i sportit në Vlore dhe nuk mund të rri pa shkruar për të. E pyes dhe ai me buzëqesh me modesti. Vllasi është një ndër kuadrot e parë të sportit në Vlorë ku dëshira për sportin dhe pasioni si trajner bëhen një. Ai punoi për 40 vjet në këtë profesion dhe 25 vjet si trajner me vajzat e Flamurtarit në volejboll. Vllasi u lind dhe u rrit në qytetin e Vlorës. Shkollën fillore dhe 7-vjecare ai e bëri pranë shkollës nr.4. Në moshën 14-15 vjeç ai shkoi në shkollë të mesme në Tiranë për fizkulturë. Ishte ndër tre kuadrot e parë të sportit që filluan studimet në vitin 1948. Sa mbaroi shkollën e mesme u caktua sekretar i shoqatës sportive “Spartaku”. “Në ato vite 1951-52, – thotë Vllasi, – sporti ishte i organizuar në shoqëri. Në Vlorë kishte 3 shoqëri: “Puna”, “Spartaku” dhe “Dinamo”.  “Veprimtaritë, -thotë ai, – organizoheshin në bazë të shoqërive analoge në shkalle kombëtare ndërsa brenda për brenda zhvilloheshin aktivitete midis tyre si basketboll, volejboll, futboll, atletike, mundje, etj.. Me djemtë më të mirë u organizua dhe ekipi i basketbollit të Vlorës ku bënin pjesë V.Opingari, M.Mina, V.Ndini, V.Kedhi, L.Ferra, V.Papingji, etj. Për ato vite Vllasi mban si kujtim edhe disa fotografi shumë të bukura që do të mbeten të paharruara për të. Në vitin 1960 Vllasi mbaroi shkollën e lartë të IKF “Vojo Kushi” në Tiranë. Edhe në këto vite ai ishte ndër tre kuadrot e parë me shkollë të lartë për sportin së bashku me shokët e tij të paharruar L.Kruta dhe M.Kostandini, të cilët nuk jetojnë më. Këta ishin kuadrot si dhe shumë të tjerë si K.Dhrami, E.Kushta, F.Skrame, F.Fisheku, G.Xhuveli, etj. që hodhën themelet e shëndosha për sportin vlonjat. Vllasi sa mbaroi shkollën u caktua inspektor në komitetin e fizkulturës. Ai flet me respekt të madh për L.Krutën si kryetar i sportit, si një organizator dhe njeri i pasionuar në punë. “Landrua, – thotë ai, – ishte i vendosur dhe e donte shume sportin. Edhe M.Kostandini do të dallohej duke punuar disa vjet si shef i klubit ‘Flamurtari’, inspektor dhe trajner i notit”. Por, duket pak si e paimagjinueshme sot që krahas punës shtetërore që merrej me organizimin e aktiviteteve masive midis shkollave ndërmarrjeve e kooperativave, z.Vllasi do ta gjente kohën që të stërviste dhe vajzat ne volejboll pa pagesë. Natyrisht, kjo nuk ishte punë e lehtë në vitet 1961-1962-1963, ku pjesëmarrja në sport e femrës ishte e kufizuar mbasi ekzistonin mjaft koncepte frenuese e nënvlerësuese për to. Por, puna, përpjekjet dhe pasioni i zotit Vllasi Opingari bënë që mjaft vajza të afroheshin në ekipin e volejbollit dhe ta ushtronin atë rregullisht. Ato krahas mësimeve, stërviteshin çdo ditë dy deri në tri orë. Dhe vajzat e përballonin me këmbëngulje çdo gjë. Natyrisht një rol mjaft të madh kishte trajneri si mësues dhe edukator i tyre. Dhe rezultatet e vajzave nuk munguan. Ato në vitin 1965 u shpallën kampione dhe morën kupën në Vlorë. Ishte kupa e pare në histori, si për vajza, ashtu dhe për djem. Vajzat i fituan të gjitha ndeshjet pa asnjë humbje. Nuk ishte e lehtë që, të sfidoje ekipe shumë të mira si 17 Nëntori, me të madhen F.Hoti, V.Verija, etj, ekipin e Vllaznisë, Korçës, Studentit etj. Atë vit vajzat e Flamurtarit i përgëzoi dhe ish-Sekretari i Parë i Komitetit të Partisë z. M.Gjinikasi ku u dha kupën. Gëzimi ishte shumë i madh dhe i paharruar. Vajzat: M.Xanina, Gj.Licaj, U.Kondo, S.Gockaj, V.Thomai, T.Xhelili, V.Curri, Sh.Hyseni, V.Velaj, L.Malaj, M.Elbasani, etj. u sollën vlonjatëve një gëzim të madh dhe të mirëpritur. Disa nga vajzat në atë kohë si M.Xanina, U.Kondo, S.Gockaj dhe L.Bilani do të luanin dhe në ekipin Kombëtar të volejbollit. Por, kërkesat e volejbollit për femra sa vinin dhe po rriteshin çdo ditë. Vllasi besonte në elementin shtatlarte. Disa vajza të Vlorës u larguan nga ekipi dhe shkuan me studime në Tiranë, Gjirokastër, Elbasan, kështu që, trajnerit iu desh që të stërviste vajza të reja me perspektivë dhe shtatlarta. Niveli i volejbollit për femra po rritej nga viti ne vit. Kujtoj në ato vite 75-76 e me vonë ekipin e volejbollit të Dinamos me trajnerin e talentuar K.Tartari, një nga figurat më të shquara të volejbollit shqiptar. Vajzat e Dinamos ishin kampione kombëtare me volejbollisten më të mirë të vendit E.Tase dhe M.Ibrahimi, S.Turdiu. Kështu që,  vajzave të Vlorës ju duhej një punë e përkushtim shume i madh. Ato duke u stërvitur çdo ditë, dhe shpesh dy herë në ditë vunë në jetë virtytet dhe talentin e tyre. Në vitin 1979 ato morrën Kupën e Republikës dhe zunë vendin e tretë në Kampionatin Kombëtar. Një sukses tjetër ky i madh i vajzave të Vlorës ne volejboll po të kemi parasysh nivelin e volejbollit shqiptar në ato vite. Kontributi i vajzave D.Shakaj, N.Cipi, V.Palla, E.Collaku, E.Kapaj, L.Golemi etj. do të mbeten të paharruar. Disa prej tyre si D.Shakaj, N.Çipi, V.Palla, E.Kapaj luanin dhe në ekipet kombëtare të femrave për të rritura dhe të reja. Në vitin 1980 Federata e lojnave e caktoi z.Vllasi trajner në ekipin Kombëtar të të rejave. Në Kampionatin Ballkanik që u zhvillua në Rumani, fitorja me ekipin e Jugosllavisë (sot Serbia) me rezultatin 3-1 me sete e radhiti ekipin tonë Kombëtar në vendin e tretë duke lënë pas dhe ekipin e Turqisë.  Por, kontributi i Vllasit do të ishte shumë i madh dhe në shkollën “Lef Sallata”, si mësues e specialist në zgjedhjen e seleksionimin e elementit në klasa sportive për volejbollin e basketbollin. Këto klasa shume shpejt do të bëheshin burim edhe për furnizimin e ekipeve të “Flamurtarit” dhe ekipit kombëtar me elementë mjaft të mirë. Këto suksese të arritura në sportin e volejbollit puna dhe përkushtimi i z. V.Opingari më shtynë që të bëja një shkrim për profesorin. Ai në 8 maj mbushi festoi 80-vjetorin e ditëlindjes së tij. I uroj një jetë të gjatë. Vitet e z.Vllasi janë një jetë plot kujtime dhe sakrifica. “Kemi punuar shumë,  – thotë z.Vllasi, – dhe s’kemi përfituar asgjë. Një pension 16 mijë lekë është tepër qesharak”. Kujtoj ato vite ku dhe unë isha inspektor në Komitetin e Fizkulturës. Çdo të diel pallati mbushej plot me njerëz që brohorisnin e duartrokisnin vajzat në volejboll dhe basketboll, në volejboll për meshkuj etj. Krijohej një ambient me të vërtetë i mrekullueshëm sidomos kur vajzat fitonin. Aty mblidheshin dhe prindërit që shikonin fëmijët apo mbesat e tyre kur luanin. Ishte një entuziazëm i paparë. Edhe pse kane kaluar 35 vjet ato do të mbeten të paharruara në memorien tonë. Puna e trajnerit të vajzave të volejbollit V.Opingari ka lënë gjurmë të thella dhe të mira, ka lënë respektin dhe edukatën tek vajzat dhe brezat qe do të vijnë pas. Për këto flasin dhe fotografitë që ka profesor Vllasi. Ato vajza që, sot disa janë nëna, pothuaj çdo vit mblidhen bisedojnë dhe kujtojnë vitet e sportit si vite të bukura e plot admirim.  Ja çfarë thotë ish-volejbollistja e tij, sot mësuese e edukimit fizik në shkollën “Ismail Qemali”, Vjollca Palla: “Më bëhet shume qejfi për profesor Vllasin. Atij i takon. Ne pothuaj mblidhemi çdo vit: unë, N.Cipi, D.Shakaj takohemi dhe bisedojmë. Kemi ëndërr që, të bëhemi si profesor Vllasi , mësues dhe trajner i atillë. Ai ishte korrekt dhe i pasionuar për volejbollin. Vllasi, – thotë Vjollca, – është një figurë e nderuar për volejbollin vlonjat”.  V.Opingarit, Federata e Lojërave i ka dhënë titullin “Nderi i Volejbollit Shqiptar”. Gjithashtu në vitin 1993 nga ish-presidenti i vendit Zoti Sali Berisha ai ka marrë titullin “Naim Frashëri” i Klasit të Dytë. Mendoj se, Qeveria apo Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për figura të tilla duhet të mendohet më mirë për t’iu dhënë pse jo dhe një pension të veçantë për rezultatet dhe kontributin e tyre në sport.