Bashkim Aliraj/ Trajner nuk je , por bëhesh me punë e përvojë të gjatë

559
Sigal

Natyrisht që njeriu me vullnet të fortë e këmbëngulje mund të arrijë gjithçka, por trajner i mirë është vështirë që të bëhesh. Duket si detyrë e thjeshtë por në fakt nuk është ashtu.  Mendoj se trajneri, në radhë të parë duhet të ketë një vizion të gjerë për punën dhe të dallohet për aftësitë e tija tekniko-profesionale. Trajner i mirë nuk mund të bëhesh, nëse nuk e njeh e nuk e kupton sportin. Ai duhet të njohë mirë anatominë, fiziologjinë, biomekanikën, të njohë dhe psikologjinë, sportin në përgjithësi dhe atë specifik në veçanti etj. Para se gjithash, trajneri duhet të jetë një edukator i vërtetë. Në not ne kemi njerëz që kanë punuar për një kohë të gjatë dhe kanë dhënë rezultate shumë të mira, ndonëse kanë punuar në kushte shumë të vështira. Disa prej tyre, sot nuk jetojnë më. Të gjithë për punën që kanë bërë meritojnë nderim e respekt të veçantë. Të tillë janë S.Tufa, K.Afezolli, K.Bekerdheli, A.Ismailati, P.Caslli, Sh.Mehmeti, S.Koca, E.Mamaci, Th.Papa, A.Kadena, I.Kreshpa, E.Gripshi, S.Poda, E.Murriqi, T.Velo etj.  Në përgjithësi trajnerë janë afruar persona që janë marrë me not dhe që e duan këtë sport. Një pjesë e tyre kanë mbaruar dhe  I.K.F  “V. Kushi”, sot Akademia e Sporteve. Edhe pse nuk kanë pasur specialitet për notin ata kanë punuar si trajnerë në bazë të njohurive të fituara dhe përvojës së tyre. Sot ka mjaft kuadro fizkulture që kanë ekipe noti dhe kanë arritur rezultate të mira si S.Mema, E.Vasi, Sh.Damini, S.Shendi, K.Likaj, B,Aliraj etj. Por ka dhe trajnerë të tjerë në not që kanë specialitete të tjera dhe janë bërë të mirë. Shembull për këtë kemi  Z. A. Ismailati, D.Bregu, A.Fetisha, Sh.Hoxha, E.Muriqi, B.Didati etj. E përmenda këtë për të vërtetuar e kundërshtuar pikëpamjen që ekziston ndonjëherë, se për tu bërë trajner i mirë duhet të kesh mbaruar I..K..F  “Vojo Kushi “ ose Akademinë e Sporteve.  Kjo nuk është e vërtetë dhe nuk është e thënë. Përvoja ka vërtetuar se edhe në sporte të tjera ka pasur mjaft prej tyre, në profile të ndryshme që janë bërë trajnerë shumë të mirë, si në basketboll, volejboll, atletikë, gjimnastikë etj. Unë mendoj se bazën, çdo gjë e ka tek puna dhe pasioni. Nëse trajneri punon mirë, sistematikisht, është kërkues dhe këmbëngulës ai do të arrijë rezultate të larta. Trajneri i mirë në stërvitje karakterizohet nga vullneti e  vendosmëria, nga njohuritë shkencore që ka.  Ai punon me objektiva e synime konkrete.  Planifikon drejt stërvitjen dhe sipas periudhave të stërvitjes ai ndërton punën. Sa më mirë që ta bëjë këtë, aq më mirë është. Por në praktikë është vërtetuar se ka akoma trajnerë që punojnë dobët, shpesh bëjnë punë formale. Niveli dhe cilësia e stërvitjes është e ulët. Punojnë me hope dhe në mënyrë të njëanshme. Sado i aftë që të jesh si trajner, po punove me hope nuk arrin kurrë rezultate të larta, po e le stërvitjen, ajo të lë. Ka raste që disa trajnerë mburren vetëm me të kaluarën e tyre, duke lënë pas dore punën konkrete me notarët. Niveli dhe cilësia e dobët e stërvitjes bëhen shkak për rezultate të ulëta. Kjo u duk edhe në kampionatin kombëtar të të rinjve e të rriturve që u zhvillua këtë vit në Tiranë, në muajin shtator 2014, ku disa ekipe klubesh me traditë, nuk u përfaqësuan fare ose erdhën me një apo dy notarë dhe këta të papërgatitur siç duhet, si Vllaznia , Flamurtari për djem dhe disa shoqata të tjera. Ekipi i Pogradecit ka vite që nuk përfaqësohet në veprimtaritë Kombëtare të notit. Më parë, me trajnerin T. Velo, ky ekip kishte rezultate të mira dhe notarë në ekipin Kombëtar. Ka edhe klube të tjera si Dinamo me ish-trajner E. Gripshi që kanë pasur notarë shumë të mirë, Lushnja që kanë vite që nuk marrin pjesë më. Kjo gjendje mendoj se ngarkon me përgjegjësi në radhë të parë klubet sportive, bashkitë e qyteteve dhe trajnerët e tyre.  Për kualifikimin e trajnerëve mendoj se Federata e notit duhet të bëjë më shumë. Ajo nuk duhet t’ia lërë spontanitetit këtë gjë. Në mënyrë të vazhdueshme, ajo duhet të kualifikojë trajnerët brenda dhe jashtë vendit, sidomos ata të rinjtë, dhe ti njohë me të rejat e shkencës e teknikës në not. Federata e notit e ka për detyrë që t’iu japë licencë atyre trajnerëve që kanë përvojë pune 5 – 6 ose 10 vjet në not dhe sipas aftësive dhe rezultateve të arritura me notarët, të bëjë dhe kategorizimin e tyre. Kjo do të përmirësojë dhe nivelin e kualifikimin e trajnerëve. Sot kërkohet me të drejtë që drejtorët e shkollave të kenë licencë si drejtues, kurse në not ose sporte të tjera ka mjaft raste që disa prej tyre punojnë pa to. Kjo nuk është e drejtë dhe ngarkon me përgjegjësi Federatën. Edhe këtë vit, në kampionatin botëror që zhvillohet në Katar, në muajin dhjetor, shkon si trajner një që nuk ka fare kategori  e licencë sportive. Kohët e fundit është shqetësues fakti që disa prindër i çojnë fëmijët e tyre për tu stërvitur tek trajnerët e mirë dhe mbas një apo dy vitesh i heqin e fillojnë ti stërvitin vetë, pra “vetëshpallen” trajnerë dhe kur e shikojnë që nuk ia dalin dot, i rikthejnë përsëri tek ish-trajnerët e tyre ose tek trajnerë të tjerë.  Kjo është e dëmshme dhe humbje kohe për notarin.

Trajner i mirë nuk mund të bëhet çdo njeri, kërkohet punë e madhe dhe përvojë e gjatë. Mund të kesh aftësi dhe nivelin e duhur, por në rast se nuk ke vullnet e dëshirë për të punuar, nuk arrin asgjë. Mendoj se në ekip fjalën e fundit e thotë trajneri dhe ai nuk duhet që të lejojë njerëz të tjerë që të futen në punën e tij. Ka pasur raste që notari është larguar nga gara sepse nuk ka qenë i qetë e ka pasur presione nga prindi ose një i afërm i tij. Notari duhet të mbahet gjithmonë afër, edhe kur nuk arrin rezultate të mira. Çdo gjë ka kohën e vet. Dhe fryti që të piqet duhet që ti vijë koha, sepse po të ishte ashtu siç mendojnë disa ,do të bëheshin të gjithë fëmijët kampionë e rekordmenë të vendit. Por sporti do durim.  Para 37-38 vitesh kur kisha vajzat si trajner, kishte specialistë që më thoshin: “ti lodhesh kot me notaren V. Bejo, ajo është e vogël me trup dhe nuk bëhet”. – Po i thashë një shoku njëherë: “është e vogël me trup, por ka zemër të madhe. E vërteta është që më vonë ajo u bë kampione dhe rekordmene e vendit. Vasilika kishte vullnet të madh. Për arritjen e rezultateve të larta në sport, influencojnë dhe faktorë të tjerë siç janë regjimi, gjendja psikologjike dhe baza materiale për stërvitje e notarëve. Këto duhet të kihen mirë parasysh. Kriter kryesor për vlerësimin e trajnerit mendoj se duhet të jetë puna, rezultatet e arritura me notarët dhe gjendja aktuale që ka në ekip. Arsimi i lartë, gjuhë e huaj, përvoja e gjatë në punë janë të dhëna që plotësojnë më mirë figurën e trajnerit. Por shikojmë që vitet e fundit Federata ju ka dhënë kategorinë e parë si trajner ose janë caktuar në ekipet kombëtare disa që nuk e meritojnë e që nuk kanë pasur rezultate të mira. Unë mendoj se sfida sot midis trajnerëve dhe Federatës së notit nuk është e nuk duhet të jetë se kush duhet të shkojë jashtë shtetit në ekipin Kombëtar ( sepse kjo është detyra më e thjeshtë që bëhet në bazë të rezultateve teknike), por është puna për të arritur rezultate të nivelit të lartë që të matemi denjësisht me botën dhe për ta vendosur sportin e notit në pararojë të të gjitha sporteve, si një sport mjaft i rëndësishëm e i bukur për rininë. Dhe qeveria në këtë drejtim duhet të ndihmojë më shumë, sidomos për infrastrukturën në këtë sport.

Po cilat janë disa nga cilësitë kryesore të trajnerit të notit. 

1. Të jetë i vendosur e këmbëngulës, atë që thotë trajneri duhet ta bëjë. Që në planifikimin e stërvitjes, atë që e planifikon ta realizojë në praktikë. Nuk mund ti lërë gjërat në mes të rrugës në stërvitje. Pa realizuar ngarkesën nuk mund të largohesh nga stërvitja. Ana tjetër është cilësia e saj.

2. Trajneri duhet të ketë objektiva e synime konkrete për çdo notar se ku do të arrijë. Dhe në këtë drejtim, ai programon se çfarë do të bëjë e si do të stërvitet. Objektivat e trajnerit duhet të jenë afatshkurtra, të mesme e të gjata.

3. Trajneri duhet të rrisë bashkëpunimin midis notarëve e prindërve. Ai me notarët duhet të jetë i dashur e i sinqertë. Po e deshe notarin ai të do. Me notarin duhet të jesh i hapur, atë çfarë ke t’ia thuash, sidomos në drejtim të teknikës e stërvitjes. Duhet të jesh korrekt e i vëmendshëm. Gjërat që duken të vogla në stërvitje të mos i nënvlerësosh. Asnjëherë notarin nuk duhet ta shash e ta ofendosh.

4. Rruga e sportit është e gjatë dhe e vështirë. Ajo i përngjan asaj majës së thepisur, që sa më lart të ngrihesh, aq më e vështirë bëhet ngjitja. Pra sporti do durim. Nuk duhet ngutur. Trajneri nuk duhet të nxitohet sidomos me fëmijët. Rezultati duhet të vijë me punë sistematike dhe në mënyrë të natyrshme.

* Trajner i merituar “Vlorë”