Bashkim Aliraj*/Të mbështesim më tepër trajnerët tanë të futbollit

493
Sigal

*Shoqata “Jon” , Vlorë

 Me keqardhje konstatohet se kohët e fundit me trajnerët tanë të futbollit disa presidentë dhe kryetarë bashkie sillen keq, duke i shkarkuar ata menjëherë nga detyra dhe në vend të tyre në shumë raste kërkohet të vijnë trajnerë të huaj kroatë, sllovenë maqedonas, italianëe, etj.. Madje po të shikosh dhe rroga që iu ofrohet atyre është shumë e lartë, ndërsa trajnerëve tanë u jepet një pagë mujore, zor se mund të ushqejnë familjet e tyre. Me të drejtë lind pyetja? Përse gjithë kjo fobi (siklet) për trajnerë të huaj në futboll? A nuk kanë qenë trajnerët tanë, si: Loro Boriçi, Myslym Alla, Zini Gjinali, Shyqyri Rreli etj., ata që kanë ngritur peshë zemrat e sportdashësve tanë në veprimtaritë kombëtare e ndërkombëtare të futbollit. Duhet t’u jemi mirënjohës këtyre trajnerëve sepse kane punuar në kushte shumë të vështira. Natyrisht që niveli dhe përgatitja e trajnerëve që kanë mbaruar në perëndim është më e lartë sepse edhe niveli i shkollave është më i mirë dhe eksperienca e tyre është më e madhe. Por, edhe marrja e tyre si trajnerë në ekipet tona duhet parë konkretisht nga gjendja, puna që kanë bërë dhe rezultatet e arritura. Mendoj se, disa trajnerë të huaj mbivlerësohen më shumë se ç’duhet. Ne kemi kuadro e specialistë në futboll shumë të mirë me përvojë dhe një stazh pune të gjatë, por ata nuk vlerësohen sa duhet nga presidentet apo drejtuesit e bashkive. Ne nuk duhet të harrojmë për asnjë moment se në çfarë kushtesh punojnë trajnerët tanë në futboll, atletikë, not, gjimnastikë, etj., dhe në çfarë kushtesh të mira punojnë trajnerët e huaj. Ato janë si nata me ditën. Prandaj duhet të kemi me tepër besim tek specialistët tanë. Unë jam trajner i vjetër në not dhe kur kemi shkuar jashtë shtetit në veprimtaritë ndërkombëtare e kemi biseduar me trajnerë të huaj. Kur kanë marrë vesh se ne stërvitemi në det të hapur ata janë habitur me të vërtetë dhe na kanë përgëzuar për rezultatet e mira qe kemi arritur. Prandaj mendoj se nuk është e drejtë që sapo ekipi humbet një ndeshje apo barazon menjëherë për trajnerin merret mase duke e larguar atë. Për shembulli, te Tirana apo Vllaznia, pavarësisht se në ekip ka elementë të mire, brenda 2-3 vjetësh janë ndërruar 4-5 trajnerë. Çdo trajner ka objektivat e veta kur merr një ekip. Ato janë afatshkurtra, të mesme e te gjata dhe trajneri duhet të lejohet të punojë e jo të jetë në trysni të vazhdueshme : “ose dil kampion ose s’ka!”. Trajneri para se te marri ekipin ai duhet të njohë gjendjen dhe pastaj të vendos për të. Objektivat që duhet të marrë ai duhet të jenë shume realiste dhe konkrete. Sporti nuk bëhet me dëshirë. Dëshira për të dalë kampion ose nënkampion është njëra anë. Ana tjetër janë kushtet, mundësitë e ekipit dhe puna që duhet të bëjë trajneri. Unë mendoj se kur humbet ekipi disa herë kjo nuk është përgjegjësia vetëm e trajnerit, por e gjithë stafit, konkretisht dhe e futbollisteve. Duhet parë një për një dhe rendimenti i futbollisteve në stërvitje e në lojë e pastaj të dalë përgjegjësia. Peshën e përgjegjësisë në ekip duhet ta ndiejnë të gjithë që të ketë sukses. Por, fatkeqësisht në shikojmë që në çdo 2-3 muaj vetëm për trajnerin merren masa ekstreme. Kjo ndodh, pasi disa klube apo ekipe futbolli drejtohen nga njerëz pa horizont e me nivel të ulët. Ata shpesh dhe gjatë ndeshjes sillen si padronë e tifozë jo si njerëz që kanë synime e objektiva të qarta. Presidentët e futbollit duhet të shqetësohen më tepër kur marrin e vendosin në krye të ekipeve një trajner të paaftë , njerëz të tyre, pa përvojën e rezultatet e duhura. Ata para se, të caktojnë trajnerin duhet ta studiojnë që a ja vlen apo jo ky trajner të drejtoje ekipin? A ka eksperiencën dhe përvojën e duhur. Ne rast se po atëherë të vendosin. Shpesh trajnerët dhe presidentët e klubeve nëpër ekipet justifikohen duke thënë: “nuk kemi elementë”, ose “na mungojnë talentet” etj. Shkrimtari i madh francez Viktor Hygo thotë: “Talenti është një shkëndijë, duhet të dimë t’i fryme zjarrit”. Pra mendoj se kryesore është puna, stërvitja sistematike dhe shkencore me elementin. Mund të kesh elemente shumë të mirë në ekip, por në rast se nuk di të punosh , nuk e aktivizon e ta nxitësh atë është vështirë për të arritur rezultate te larta. Mendoj se, në radhë të pare klubet sportive dhe Qeveria duhet të përmirësojnë infrastrukturën në futboll. Që në moshat e vogla (7-8 vjeç) apo (9-10 vjeç ), merren elementet bazë të teknikës apo taktikës në futboll. Por, fatkeqësisht në shikojmë që ekipet tona të fëmijëve, para të rinjve e të rinjve stërviten akoma në ambiente të papërshtatshme ose ne anë të detit. Prandaj, cilësinë sportive në futboll mos ta kërkojmë vetëm tek trajnerët apo në ekipet e të rriturve, por ta kërkojmë në organizimin e mirë, bazën materialë të domosdoshme dhe stimulin qe duhet t’u bëjmë sportistëve të rinj.