Bashkim ALIRAJ/ Të garojnë për rezultate të larta në not

938
Sigal

Federata e Notit të ngrejë një grup pune që të merret me seleksionimin e elementeve më perspektivë

*Trajner not

Shoqata “Jon”, Vlore

 Edhe pse kushtet e stërvitjes mund të jenë të vështira, kur stërvitet një notar ka një motiv, një synim. Dhe motivi është i qartë: të zërë një vend nderi, të dalë kampion ose të thyejë të rekordin Kombëtar. Kam vite që stërvit dy notarë: njërin në stil  të lire e shpinë; tjetrin ne bretkosë. Rezultatet e tyre nga viti ne vit kane ardhur duke u përmirësuar. Edhe pse notin e kanë filluar pak të mëdhenj në moshë, duhet thënë që ata kane ecuri të mirë. Njëri prej tyre, Aranit Myftaraj, në vitin 2011 me moshat deri 14 vjeç është cilësuar dhe notari më i mirë i vendit, duke marrë dhe Kupën e Federatës Shqiptare të Notit. Vitin e kaluar, në 2012-n në Kampionatin Kombëtar të Të Rinjve, në garën 100 m stil të lirë ai zuri vendin e tretë me kohën 01’02”30. Edhe këtë vit (2013) në Kupën e Republikës në 50 m shpinë ai zuri vendin e dytë. Ndërsa në Kampionatin Kombëtar të të Rinjve e të Rriturve që u zhvillua nga 4 deri 5 shtator 2013, në këtë garë ai doli Kampion Kombëtar për të 2 grupmoshat me kohën 00’32”20 ndërsa Emiljano Myftaraj në 100 m bretkosë me të rinj e të rritur zuri vendin e tretë me kohën 01’21”40.

       Gjithmonë flitet për rezultate të larta që, duhet të arrijë notari e jo ato që ai ka dëshirë. Stërvitja me hope dhe shpesh formale bën që, notari në garë të arrijë rezultate të dobëta, ose para garave të tërhiqet.  Kjo ndodh, sepse ai nuk ka besim në vetvete. Po ta lejosh një notar të bëjë çfarë të dojë , çfarë kë deshire, mendoj se nuk është e drejtë. Për të arritur rezultate të larta në radhë të parë, nevoja duhet të burojë nga brenda tek notari dhe kjo nuk bëhet me detyrim. Këto gjëra duhet të bëhen të qarta që në fillim tek ai. Ai duhet të stërvitet mirë dhe rigorozisht për nivele të larta. Mund ta bësh 100 m stil të lire 01’01 ose 01’02 e të zësh vendin e parë ose të dytë, por mund ta bësh 100 m ne stil të lirë në 01’00 ose nën 1 minuta,  siç ndodhi këtë vit në Kampionatin Kombëtar të të Rriturve  përsëri të klasifikohesh më keq në renditje. Për mendimin tim e rëndësishme është që notari nga viti në vit të ketë progres. Dhe në garat e shkurtra, kur një notar përmirëson rezultatin me 1 ose 2 sekonda tregon që ka ecuri të mirë, apo në 200 m stil të lirë kur ai përmirëson rezultatin 3,4 apo 5 sekonda, tregon që me të është punuar mire. Natyrisht, këtu flitet për notarë të kualifikuar qe kapin kategorinë e parë sportive në not e jo për fillestarë. Mendoj se, nuk duhet që të nxitemi gjithashtu nga mendimi, se çdo vit notari duhet të përmirësojë rezultatin dhe të kalojmë në ekstrem duke fyer ndonjëherë dhe trajnerin. Natyrisht që notari nga viti në vit vjen në rritje në moshe dhe ai bëhet më i pjekur si sportist por, mund të ndodhë që në një garë ose në dy apo gjatë sezonit edhe pse ai mund të jetë stërvitur më shumë e më mirë, përsëri nuk realizon objektivat. Ose ka raste që shënon kohën e vitit të kaluar dhe më keq 3-5 sekonda.

      Mendoj se, gjendja e notarit para garave dhe gjatë tyre ndonjëherë nuk ka të bëjë me stërvitjen se sa me formën sportive.   “Forma sportive në not është më tepër se shkencë, është art, – thotë një nga trajnerët më të mëdhenj të SHBA-ve, Xh. Konsilmen.  Ana emocionale para dhe gjatë garave ka të bëjë shumë sado afër që mund ti qëndrosh notarit dhe përsëri nuk arrihet ajo që kërkohet. Një pagjumësi ose një vakt ushqimi (drekë apo darkë) jo e përshtatshme ka mjaft raste që influencon negativisht tek notari. Vite të shkuara i flisja një notari para garave. Ai ishte 14–15 vjeç. Më shikonte në sy dhe nuk përgjigjej. I thashë: “Përse nuk flet?”. Pas pak, mu përgjigj: “Kam gjyshen shumë të sëmurë, -tha, dhe filloi të qante. Pra, ana emocionale ka të bëjë shumë në garë. Në qoftë se, ajo është frenuese dhe vazhdon gjatë ajo e dëmton notarin. Në periudhën e stërvitjes (të garës) është detyrë e trajnerit që të ndërtojë një program të përshtatshëm e të asimilueshëm për notarin. Është çështje personale pastaj që ka të bëjë me sedrën e tij që ai të bëjë ç’ështe e mundur që gjatë garave të luftojë për të arritur maksimumin. Por, përvoja ka treguar që në ditët e garave disa notarë i konsiderojnë ato si ditë “pushimi” ose e ndjen veten “të lirë” jashtë çdo kontrolli , prishin regjimin e nuk mobilizohen sa duhet për garën.

       Këtë vit, 1-1.5 muaj u kam qëndruar shumë afër notareve duke i stërvitur dhe dy herë në ditë, vetëm të dielën pushim. Disa kanë arritur 7000-7400 m not në ditë. Në garën e 50 m shpinë, Araniti, edhe pse doli kampion, të them të drejtën nuk u kënaqa shumë sepse mundësitë e tij ishin për rezultate më të mira.  Megjithatë, “fitimtari nuk gjykohet” thotë një fjalë e urtë. E përgëzova për fitoren. Dalja kampion kombëtar është një emocion i veçantë. Për këtë ai mori falenderime e urime dhe nga notare e trajner të tjerë duke i thënë: “Bravo të qoftë, të lumtë. Ju s’keni kushte e përsëri fitoni!”. Por, shqetësimin më të madh si trajner e kisha në garën e 100 m stil të lirë që, ai ta bënte më mirë se vitin e kaluar. Pastaj, për mua kjo gare në not është dhe më emblematike. Duke pare dhe rezultatin jo shumë të mirë në 100 m shpinë, i mërzitur në sy të prindit të tij, i thashë: “Noto mirë, fort e bukur që në 50 m e para, sepse kë bërë dhe stërvitje të mirë, ndryshe do të largohesh nga ekipi ose do ta lë unë ekipin”.  Por, dua të shtoj që edhe nxehja për garën 100 m stilit të lirë u bë shumë e mirë. Ata që të gjithë arritën rezultatin më të mirë në garë. Mbas garës 100 m stil i lirë për notarin Aranit Myftaraj nga ana e gjyqtarisë kronometri shënoi kohën 01’00”30, pra një rezultat ky shumë më i mirë se vitin e kaluar, rreth 2 sekonda e 30 të qindtat. Sa mbaroi gara me të qeshur një prind tjetër vjen e më thotë: “U dashka bërë presion këtyre që ta bëjnë mirë garën!”. Mendoj se, disa nga notarët apo prindër duke mos pasur kuptim të drejte për nxehjen e nënvlerësojnë atë. U duket një gjë pa rëndësi dhe e zakonshme, duke sjellë me vonese fëmijët apo notarët në pishinë. Por, në sport po nënvlerësove disa gjëra që duken “të vogla” ose pa rëndësi ato krijojnë probleme të mëdha. Ushtrimet speciale para garave janë të domosdoshme, për të krijuar gjendjen optimale te notari për të arritur rezultate te larta. Ose në rast se, në 50 m stil i lirë që konsiderohet si garë e thjeshtë sepse është e shkurtër, notari reagon me vonesë që në start dhe nuk e bën mirë atë, atëeherëe sado stërvitje të mirë që të ketë bërë nuk mund të pretendojë për rezultate të larta. Po kështu dhe në garën 100 m stil i lire po nuk bëre një start e kthesë të mirë është vështirë që të marrësh suksesin e merituar, natyrisht pa lënë pas dore tempin gjatë notimit dhe finishin. Mendoj se, një apo dy ditë para garave është për notarin e domosdoshme që të stervitet në pishinën ku do të zhvillojë garën. Kjo për t’u ambientuar me ujin dhe vendin për rreth. Gjithashtu ai duhet të ushtroje startet dhe kthesat për të cilat notaret e Vlorës apo ndonjë rrethi tjetër kanë shumë nevojë sepse nuk kanë kushte. Fatkeqësisht, shikojmë disa notarë që nga viti në vit hidhen në gara e stile të ndryshme. Mendoj se, kjo nuk është e drejtë dhe nuk e ndihmon notarin për të arritur maksimumin e tij. Këto janë gara formale sa për të kaluar radhën. Vëmendja e trajnerit duhet të përqendrohet më tepër tek ato gara e stile ku notari jep me shumë, sidomos kur ai ka formuar një stazh sportiv. Ka stile që ndihmojnë shumë njeri-tjetrin. Kjo bën që, edhe rezultatet të jenë të mira. Eksperienca ka treguar se një “krolist” i mirë është bërë më vonë kampion apo rekordmen në shpinë, siç është rasti i notarit të talentuar I.Muço të Sarandës ose E.Lishi të Shkodres. Por, ky ndryshim duhet bërë menjëherë pa humbur kohë. Së fundi, me keqardhje konstatohet që ka mjaft notarë që akoma notojnë keq teknikisht sidomos me femijët e paratërinjve. Unë mendoj se, kjo duhet që të shqetësojë më shumë trajnerët e jo rezultatin. Mirë është që nga Federate e Notit të ngrihet një grup pune nën drejtimin e Këshillit të trajnerëve që të merren masa për seleksionimin dhe evidentimin e elementeve më perspektivë që notojnë miëe e që kanë aftësi të mira fizike. Kjo do të bëjë që noti të eci më mirë në të ardhmen. Deri tani me këta elemente nuk është bërë asnjë punë, asnjë stërvitje 1, 2 apo 3-ditore, e cila do të ndihmonte shumë në shkëmbimin e përvojave dhe nxitjen e fëmijëve.