Bashkim Aliraj/Sport i notit nuk dihet se ku po shkon

424
Sigal

Për disa gjera në not jemi mbrapa në krahasim me 40–50 vite të shkuara. Federata e Notit nuk i nxit dhe i stimulon notarët       

 * trajner

Shoqata Jon Vlore

    Në datën 4 prill 2013, Federata e Notit zhvilloi analizën vjetore të vitit 2012. Mirë do të ishte që, kjo analizë të behej para zgjedhjeve të Asamblesë së Përgjithshme, para zgjedhjes së presidentit dhe Komitetit drejtues të Federatës. Megjithatë populli thotë: “Më mirë vonë sesa kurrë”. Duhet theksuar se krahas arritjeve të mira tek disa notarë për të rinj e pionierë, ka akoma të meta e dobësi të theksuara. Në federatë ka paaftësi dhe mungese organizimi në punë. Po cilat janë disa nga sfidat e saj, për të ardhmen?

 Së pari; të përmirësojë metodën e punës, pasi ajo lë për të dëshiruar. Federata duhet të kuptojë se, puna e saj nuk është thjesht që të çojë një apo dy shkresa në bazë (për aktivitetet) , ajo është një çështje teknike por kryesore është që Federata të ndërtojë punën, të ketë një program të qartë se ku do të arrijë. Duhet të përcaktojë drejtimet kryesore, analizat, studimet që do të bëjë, për përmirësimin e bazës materiale dhe adaptimin e përsosjen e programeve të stërvitjes së notarëve, etj.. Pra, ajo duhet të ketë një koncept më të drejtë e të gjerë për punën. Natyrisht që preokupimi kryesor i saj është cilësia në not, për shembull, çfarë synime do të arrijë në një kampionat ballkanik, botëror, europian, etj.. Federata shpesh thotë: “hajde ta bëjmë!” ose “hajde të vendosim!”. Kjo është pjesë e “lojës”, që secili të shprehë “vullnetin” e tij. Por, problem është që trajnerët e specialistët për çështje të ndryshme kanë edhe mendime të ndryshme dhe kjo është e natyrshme. Atëherë, për Federatën është e domosdoshme që, të bëjë seleksionimin e tyre dhe të hartojë një program që të luftojnë të gjithë për ta realizuar që nga qendra e deri në bazë. Pra të mos ia lërë spontanitetin punës duke thënë: “hajde të mblidhemi”. Ish-presidenti i SHBA-ve,  Abraham Linkolni thoshte: “Ujku dhe qengji e kuptojnë në mënyrë të ndryshme fjalën liri”. Por, çfarë të meta ka? Ajo zgjedh vetë Këshillin e Trajnerëve në vend që të mblidhen trajnerët të gjithë e të propozojnë për tre apo pesë shokë më të mirë e me përvojë. Me keqardhje mund të themi se Komiteti i saj Drejtues është kthyer në një shtojcë ose rutinë në vend që të kërkojë llogari dhe drejtoje punën. Komiteti Drejtues duhet të përcaktojë kritere me të drejta për zgjedhjen e seleksionimin e notareve e trajnerëve në ekipin Kombëtar të notit. Kushdo që pajtohet e bashkohet me qëndrimet e Federatës dhe Presidentit i bën një shërbim të keq notit. Ç’mund të presësh nga një president që i premton për të çuar jashtë shtetit herë njërin dhe herë tjetrin trajner. Federata e notit ka nevojë për drejtësi, në rast se do të ketë drejtësi dhe pakënaqësitë do të jenë sa më të vogla.

     Së dyti, veprimtaritë e notit duhet të kenë një shtrirje më të gjerë sepse vetëm kështu noti do të masivizohet dhe rritet më tej cilësia sportive. Më përpara, përveç Durrësit dhe Sarandës, aktivitete organizoheshin në Lushnjë, Elbasan, por tani, për to as që bëhet më fjale. Kemi kërkuar disa here që të bëhen gara në Sarandë dhe na është thënë që është xadra e notit e shkatërruar, ndërsa këtë vit që ajo është rregulluar nga Bashkia e qytetit e përsëri nuk është planifikuar asnjë aktivitet , kampionat apo Kupe Republike, përjashto një maratonë në fillim të muajit shtator. Ose 6-7 vjet të shkuara në Pogradec zhvillohej maratona “Ruvina” në 4 dhe 12 km me të rinj e të rritur, aktivitet ky shumë i bukur por, sa u zgjodh si president z. F.Alliu nuk u organizua më kjo veprimtari. Agron Ruvina nga Bashkia ka marrë titullin “Qytetar nderi”. Vlerësim ky shumë i lartë për një notar. Kemi insistuar që, në muajin gusht të bëhen aktivitete, pasi është më i përshtatshmi sidomos për ne që nuk kemi kushte edhe për stërvitje, por kjo kërkesë nuk është marrë parasysh as këtë vit. Por, përse? Sepse disa notarë dhe trajnerë në këtë muaj shkojnë për “uikend”. Sa çudi e sa për të ardhur keq, në vend që të mendojmë për cilësinë sportive, mendojmë për pushimet e tyre. Mendoj se, është shumë më mire që të bëhen gara nga fundi i muajit gusht sesa në fillim të shtatorit që është dhe fillimi i sezonit të shkollës dhe koha fillon e prishet. Këtë e kemi dhe nga përvoja e gjatë në punë si trajner. Por, për këto e probleme të tjera që kemi ngritur, federata nuk i merr parasysh dhe nuk do t’ia dijë. Ajo e ka përqendruar aktivitetin e notit pothuaj në Tiranë.   P.sh., nga 30 marsi deri në 27 prill pranë birrës “Stela” ka planifikuar pesë aktivitete. I bie afërsisht 1 për çdo 5-6 ditë. A thua se fëmijët e të rinjtë kanë vetëm gara noti dhe jo probleme e detyra të tjera. Edhe kupa “Jani Hondro” që, u bë në 30 mars, mirë që u bë sepse Jani ishte një notar i madh dhe i takon por, do të ishte akoma më mirë që ky aktivitet të zhvillohej në muajin korrik ose gusht, ku të merrnin pjese dhe notarë të tjerë të Vlorës, Sarandës apo ndonjë qytet tjetër. Ky aktivitet 10 vite të shkuara është organizuar në Durrës në muajin korrik.

Se treti; baza materiale e notit është për të ardhur keq. Mjaft pishina janë shkatërruar megjithëse ishin vepra social–kulturore. Pishina në Vlorë është lënë në mëshirë të fatit ku dihet se, për të janë hedhur miliona leke. Shkodra kishte 2 pishina, një të hapur 50-metershe dhe një tjetër 25-metërshe të mbyllur, po tani nuk janë më. Është kjo arsyeja që, sot mjaft ekipe e notarë nuk kanë kushtet për t’u stërvitur dhe nuk shikojnë asnjë rreze drite nga Qeveria se çfarë do të bëhet për bazën materiale. Tani ne det nuk gjen më vend as për t’u larë e jo për t’u stërvitur, sepse ai është “privatizuar” parcela-parcela. Qeveria dhe Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve këto 22 vite për notin nuk ka investuar as pesë lekë. Morëm vesh në analizën vjetore që, këtë vit Ministria i ka dhënë Federatës se Notit, 12 apo 15 milionë lekë për zhvillimin e veprimtarive. Një shumë kjo tepër qesharake, ku 12 milionë lekë në muaj i fiton sot një ministër i Qeverise nga bizneset që ka. Dikush mund të thotë: “që për këtë, federata nuk ka faj”. Dakord, por kur trajnerët shikojnë që ajo përpiqet e lufton atëherë ata do ta mbështesin atë. Po kur ajo hesht ose bën rolin e memecit dhe të shurdhit edhe thotë: “që Ministria na ndihmon”  ose “Ministria na mbështet”, kjo nuk është e drejtë dhe e vërtetë. Me këtë gjendje dhe me këtë bazë materiale që kemi për notin si mund të matemi me botën dhe Europën. Jo shumë larg të shkojmë por, në qytetin e Strugës ka ambiente të hapura për stërvitje shumë të mirë dhe pishinë të mbyllur 25-metërshe ose në Burgas që është 300 apo 400 km larg Sofjes, ka pishina të hapura dhe të mbyllura, ndërsa tek ne, qytetet kryesore, përjashto Durrësin që ka një pishine me ujë deti të hapur, qytete të tjera si Vlora apo Shkodra që janë qytete kryesore nuk kane asnjë pishinë të hapur për stërvitjen e notarëve pale me të mbyllur që s’bëhet fjalë. Për disa gjëra në not e them me keqardhje që, jemi mbrapa në krahasim me 40–50 vite të shkuara. Atëherë notarët e Kategorisë së Parë kishin dhe një trajtim ushqimor 6-7 muaj. Garat zhvilloheshin veç e veç me të rinj e të rritur me eliminatore dhe finale, paradite e mbasdite në 3 dite, ndërsa tani zhvillohen në 2 ditë, pa eliminatore të rinj e të rritur dhe veteranë së bashku. Rrime e pyesim veten: “kështu do të eci noti” ose “dhe sa kohë duhet të vazhdohet të ecet kështu?” .

                                                                                                                                               Së katërti; Federata e Notit nuk i nxit dhe i stimulon notarët. Kjo bën që disa prej tyre dhe të largohen nga noti ose kur shkojnë në Universitet e lënë atë në kulmin e rinisë së tyre. Ka mjaft notarë që, dalin kampionë e thyejnë rekorde kombëtare dhe nuk marrin asnjë shpërblim. Kjo flet për mungese vlerësimi për punën dhe djersen e tyre. Federata e Notit edhe kur fondet janë të vogla duhet të luftojë për të siguruar më tepër e të mos pajtohet me gjendjen. Shpesh thuhet që, “kaq i kemi mundësitë” ose “shteti ka halle të tjera”, por qeveria po të dojë i gjen mundësitë. Ajo harxhon miliona për fushatën për pllakate, banderola, fotoekspozita, etj.. Ndërsa për sportin dhe notin thotë se nuk ka fonde. Edhe themi që s’kemi fonde dhe shpenzojmë duke dërguar ne një veprimtari ndërkombëtare 3-4 shoqërues ose shkojmë kaq larg deri në Dubai, duke e ditur dhe se çfarë niveli kemi në not. Për mendimin tim shumë pak notarë këtu tek ne e justifikojnë me rezultatet e tyre që të marrin pjesë në këto evenimente të rëndësishme . Prandaj më mirë do të ishte që, këto fonde të përdoreshin me shumë për stimulimin e notareve dhe trajnerëve kur arrijnë rezultate të larta sesa te shpenzonin për këto veprimtari. Në muajin shkurt, shkuam në Mal të Zi, në një takim rajonal që u zhvillua atje dhe notarët për çdo garë, tre vendet e para shpërbleheshin me 250, 150 dhe 100 euro. Prandaj Federata e Notit dhe në këtë drejtim duhet të bashkëpunojë me donatorë vendas dhe të huaj dhe jo të justifikohet. Para 15–16 vjetësh kur ishte sekretar federate z.Sadik Mema fondet ishin shumë më të pakta, sa 1/3-ta e këtyre që janë sot por, notarët në garat për të rinj, të rritur dhe pionierë stimuloheshin më pak leke për çdo garë kur dilnin kampion ose thyenin rekordin. Në këtë drejtim mendoj se, dhe vete presidenti i notit duhet që të sponsorizojë, sepse prandaj është zgjedhur. Kjo ndoshta do të sillte një risi dhe në rizgjedhjen e tij mbas 7 vjetësh në krye të federatës. Pavarësisht gjendjes së krijuar, unë kam besim se ky sport në të ardhmen do të dalë nga gjendja dhe do te marrë vendin e merituar nga shteti sepse ai është një sport që e do rinia.