Bashkim Aliraj/ Sidni Hoxha, notari më i mirë i kohërave: Rezultati 50 sek 50

628
Historia e notit shqiptar njeh shumë raste që në garën e 100 m stil të lirë, notarë të talentuar si K. Karamuço, J. Hondro, S. Shyti kanë mbajtur rekordin kombëtar disa vite, por shembulli dhe përvoja e notarit më të mirë të kohërave Sidni Hoxha është e veçantë dhe e mrekullueshme. Për herë të parë në vendin tonë në garat e Kupës së Republikës në 21-22 korrik 2015 në Tiranë, 100 m në stil i lirë u bë 50 sek e 50 nga Sidni. Për mua gara e 100 m në not në stil të lirë mbetet gara më e bukur dhe emblematike. Po të shikoje Sidnin ishte një kënaqësi e vërtetë, një mrekulli. Ai që në start që reagoi pak me vonesë si për të thënë: “nisuni se erdha” ose “ mos kini merak se u kapa”, notoi në mënyrë të shkëlqyer. Ajo që është për t’u theksuar dhe për t’u marrë shembull ishte ritmi i notimit, lirshmëria, teknina e notimit e shkëlqyer, koordinimi i lëvizjeve etj. Dhe fizikisht Sidni dukej mjaft mirë. Në fund të garës koha e regjistruar 50 sek 50 ishte një rezultat shumë i mirë, i shkëlqyer. Me këtë kohë Sidni kap normën olimpike që është i vetmi notar. Është një kënaqësi e veçantë. Të gjithë u habitëm, u shtangëm për një moment por u entuziazmuam sepse ja që erdhi koha, në vendin tonë të kemi notarë të tillë, të nivelit të lartë. Sidni kohën më të mirë në garën e 100 m në stil e lirë e ka 50 sek 007, që u arrit vitin e kaluar në Berlin në kampionatin europian. Ai stërvitet në SHBA, por meritë për këtë ka dhe babai i tij Sh. Hoxha që është dhe trajner i tij dhe që në muajt e verës këtu e stërvit vetë. Mendoj se Sidni i ka të gjitha mundësitë që në kampionatin botëror që do të zhvillohet në 2 gusht 2015 në Kazan të Rusisë, të arrijë në garën e 100 m stil i lirë dhe kohën 48:70 ose 48:80, me pak sforcim dhe me pak fat. Ne të gjithë i urojmë që të arrijë rezultate sa më të mira, që të nderojë veten dhe Shqipërinë. Por nga kjo garë ne duhet që të nxjerrim disa mësime, sidomos ne trajnerët për punën tonë në të ardhmen. 
E para: zgjedhja e elementit. Duhet të punojmë më shumë me elementët shtatlartë. Me ta duhet të lodhemi më tepër. Këtë tregon dhe përvoja europiane dhe botërore. S. Hoxha është i gjatë 1.94 cm. Ka mjaft notarë të tillë në botë dhe Europë, ndoshta dhe më të gjatë nga 1.98 ose 2 metra. Por natyrisht kjo nuk do të thotë që ne të braktisim elementë të tjerë shumë të mirë që janë nga 1.85 apo 1.86, siç është notari i Rusisë Mozorov. Por tendenca duhet të jetë shtat lartësia. 
Së dyti: Stërvitja për lirshmëri. Në asnjë mënyrë nuk duhet sforcuar notarët, sidomos fëmijët dhe para të rinjtë. Por nga përvoja që kemi vazhdohet që të këmbëngulet për rezultatin teknik. Shikojmë që fëmijët e vegjël hidhen në gara të vështira 400, 800 m stil i lirë ose 200 m delfin etj (pa mbushur moshën 10-11 vjeç). Ritmit të notimit, teknikës së të notuarit pak rëndësi i kushtohet. Nëse fëmijët do të sforcohen në stërvitje ata do ta kenë të vështire dhe të zgjaten, megjithëse shtat lartësia ka të bëjë më shumë dhe me origjinën dhe me trashëgiminë. Por dhe stërvitja e mirë influencon në këtë drejtim. Ka disa fëmijë 11,12 apo 13 vjeçar që edhe pse thyejnë rekorde kombëtare ose dalin kampion, përsëri duhet thënë se notojnë keq. 
Së treti: Duhet që të nxisim e stimulojmë notarët tanë sa më shumë që rezultatet të jenë sa më të mira. Por në këtë e pranojmë teorikisht, por kur vjen puna në praktikë nuk e zbatojmë. Rast tipik është ai i notares A. Kashari, një notare me të dhëna të mrekullueshme dhe rezultate shumë të mira që e ka lënë notin 20 vjeçe dhe asnjeri nuk do t’ia dijë për të. Por si ky raste ka dhe të tjerë. Disa prej notarëve shkojnë në Itali dhe Greqi dhe nuk përfshihen prapë në ekipet kombëtare të tyre sepse dhe niveli i rezultateve është i ulët. Fatkeqësisht notarët tanë edhe pse dalin kampion me të rinj apo të rritur ose thyejnë rekorde kombëtare, ata nuk shpërblehen akoma. Kjo nuk është e drejtë sepse është djersa dhe mundi i tyre.
Trainer i Merituar, Shoqata Jon Vlorë
Sigal