Bashkim Aliraj/ Rezultatet e mira të fëmijëve në not, nuk janë rast për vetëkënaqësi

587
Sigal

Trajnimi i vazhdueshëm dhe bashkëpunimi mes notarëve dhe trajnerëve rrit nivelin e këtij sporti

Nga data 17-19 tetor 2014, në Sarajevë të Bosnjës, u organizua një takim rajonal ndërkombëtar në not me të gjitha moshat. Përveç vendeve ballkanike, kishte notarë edhe nga Hungaria, Polonia, Rusia etj.  Notari i ekipit “Jon” nga Vlora, B. Danaj në këtë veprimtari mori 3 medalje,1 ari,1 argjendi dhe1 bronzi, duke thyer edhe 3 rekorde kombëtare për moshat 11-12 vjeçare në 50, 100 e 200 m stil i lirë, me kohën 30.01, 1.05.86 dhe 2.23.97. Në këtë aktivitet merrnin pjesë 28 ekipe.  Po kështu rezultate të mira arritën notarët me moshat dhe në aktivitetin e organizuar në datën 24 – 26 tetor në Maqedoni “Nemo Cup”. Ekipi i Tiranës në këto gara fitoi 42 medalje, nga të cilat 10 ari, 14 argjendi dhe 18 bronzi. Për moshat 15-16 vjeçare, spikati notari F. Aleksi që vendosi 6 rekorde kombëtare. Gjithashtu notarja D.Basha që mori 10 medalje. Dhe notarë të tjerë si B. Mahmuti, A.Tusha, J.Selimi, A.Papa, A.Neziri, A.Mara, L.Selimi morën “Medalje Ari”, “Argjendi” dhe “Bronzi”. Sakaq ekipi i Partizanit e filloi siparin me notarët e talentuar të datëlindjes 2006 si A.Vargu që mori 4 medalje ari në 50 m në të gjitha stilet. Notari tjetër, E.Veli, theu 2 rekorde kombëtare për moshat 2000 – 2001 në 50 dhe100 m bretkosë me kohen 35.01 dhe 1.16.03 dhe mori 2 medalje bronzi.  Gjithashtu notarja L. Allaraj, për moshat 2001-2002, theu 3 rekorde kombëtare. Po nuk mund të lëmë pa përmendur dhe notarët për moshat e vogla si E.Çumani, dhe F.Serjani të ekipit S.N.S të Sarandës që morën 3 medalje “Bronzi”. Rezultate të mira në veprimtaritë ndërkombëtare rajonale kanë arritur dhe notarë të tjerë si A.Ngresi, D.Baholli, N.Merizaj, K.Mece, A.Qyqja, A.Kashari etj.. Natyrisht, meritë për këtë kanë në radhë të parë notarët, trajnerët e tyre dhe prindërit që i kanë nxitur e i mbështesin fëmijët në këto gara. Pra, ka një progres sidomos me fëmijët, por nuk mund të themi se kemi përparime shumë të mëdha. Mendoj se rezultatet në not, me të gjitha grup moshat, nuk u përgjigjen nivelit dhe kërkesave të kohës. Ka specialistë e trajnerë që thonë: “Rezultatet me fëmijët i kemi shumë të mira, ndërsa me të rinj e të rritur ato nuk ecin, sepse dhe trajnerët nuk dinë të punojnë. Kjo nuk është e drejtë. Është e vërtetë që me fëmijët janë zënë disa vende nderi e janë marrë dhe medalje, por është kaq e vërtetë se në këto gara nuk kanë marrë pjesë shumë notarë të mirë të tjerë, të vendeve ballkanike si Greqia, Turqia, Bullgaria, Rumania etj. Edhe rezultatet e notarëve tanë në këto gara nuk kanë qenë shumë të mira. P.sh, në garën 100 m stil i lirë, me moshat 11-12 vjeçare jemi 2-3 sekonda larg tyre ose në 200 m stil të lirë, rreth 5-6 sekonda. Në Mal të Zi, në muajin shkurt 2014, në veprimtarinë “Mimoza Cup“ një notar kroat M. Midjevic edhe pse ishte 2 vite më i vogël nga notari jonë në 100 m stil të lirë, ai arriti kohën 54.52 sek. Ne sot nuk kemi asnjë notar me këtë rezultat. Pra, me përjashtim të notarit S.Hoxha që stërvitet në SHBA që konkurron denjësisht në rajon e Europë, notarët e tjerë janë mbrapa. Natyrisht arsyet e të qenurit në këto nivele janë të ndryshme dhe unë do të nënvizoja atë që është më kryesore, mungesën e bazës materiale të notit, pishinave të hapura dhe të mbyllura, për të bërë stërvitje gjatë gjithë vitit, sidomos në disa qytete që kanë traditë notin si Shkodra, Vlora, Saranda, Pogradeci etj. Po për ta shtrirë notin dhe me gjerë në vendin tonë, ato duhet të ndërtohen edhe në qytete të tjera. Unë, konkretisht, me notarët shkoj për stërvitje 2-3 herë në javë nga Vlora në Durrës, brenda ditës dhe 3-4 herë në javë në Llogara. Kjo është një sakrificë sidomos për notarët. Por mendoj se vetëkënaqësia dhe euforia që vihet re duke thënë “jemi shumë mirë”, ose “Triumfatorët”, ose “Fenomeni” për x apo y notar, kur arrin rezultat të mirë mendoj se janë të gabuara. Ato jo vetëm që nuk ndihmojnë për të çuar notin më përpara, por ka raste që pengojnë.  Nga përvoja ime kam vënë re që sapo notari apo notarja arrin një rezultat të mirë, thyen rekordin apo del kampion, fillon t’i shmanget stërvitjes, justifikohet dhe fillon të shfaqë shenja mendjemadhësie dhe egoizmi, do të duket më i mirë se shokët etj.  Ka raste që notari largohet nga stërvitja, nga trajneri i tij, që e ka bërë kampion me pretekstin e ndonjë rroge të mirë nga klubi apo ndonjë federatë e notit. Prandaj në këtë moshë ne duhet të zhvillojmë prirjen për të ecur më përpara që me këto rezultate që kemi arritur, të mos vetëkënaqemi. Kërkohet më shumë punë për të ecur më përpara në not, sidomos nga ne, trajnerët e specialistët. Kur themi shumë punë, jo vetëm në drejtim të ngarkesës e intensitetit në stërvitje, por punës së gjithanshme. Përvoja tregon se nuk punohet siç duhet. Niveli dhe cilësia e stërvitjes, shpesh lënë për të dëshiruar. Disa trajnerë e kanë kthyer stërvitjen në një mjet fitimi. E kemi theksuar dhe herë tjetër se punë cilësore në not me 20-30 veta në stërvitje nuk mund të bëhet. Ky është formalizëm e njëanshmëri. Një nga arsyet që disa trajnerë kohët e fundit kanë pasur rezultate të mira, ka qenë sepse kanë punuar me pak notarë në stërvitje, nga 3 deri në 5 veta. Prandaj është e domosdoshme që të përcaktohet numri i notarëve me rregullore nga federata e Notit, se sa duhet të stërvitë një trajner, me fëmijët, të rinjtë dhe të rriturit. Sot ka ardhur koha që të bëhet stërvitje e notarëve jo vetëm me grupmoshat e garat e caktuara, por edhe sipas stileve. Kjo do të ndihmojë më shumë për rritjen e cilësisë sportive. Me fëmijët duhet të bëhet kujdes më i madh, sepse që aty hidhen themelet e shëndosha. Me ata duhet të caktohen trajnerët më të kualifikuar e më me përvojë. Shpesh trajnerët, në punën me fëmijët, i kapin ethet e garave e kampionatizmit duke lënë pas dore tekniken e notimit e stërvitjen e gjithanshme të tyre. Stërvitja me fëmijët është e vështirë, por e bukur. Ajo kërkon durim dhe vëmendje të madhe. Nuk duhen nënvlerësuar fëmijët me këto mosha në stërvitje. Asnjëherë trajnerët apo klubet sportive me ta nuk duhet që të udhëhiqen nga rezultatet e çastit por të shikojnë më shumë ato të perspektives. Ka mendime nga disa trajnerë që me fëmijët duhet punuar vetëm për tekniken e notimit. Mendoj se kjo nuk është e drejtë sepse përveç teknikës së notimit me fëmijët, nuk duhet lënë pas dore dhe ngarkesa në stërvitje.  Ajo në mënyrë graduale rritet nga 1200,1600,1800, 2000,2400 metër not në ditë e kështu me radhë. Një fjalë e urtë thotë: oreksi vjen duke ngrënë. Nëse heqim dorë nga të notuarit (nga ngarkesa), atëherë krijohet një boshllëk i madh që fëmija më vonë e ka të vështirë të marrë veten e të eci përpara. Notari kur përgatitet mirë dhe ka të dhëna të mira, bën edhe 5000 -6000 m not në ditë. P.sh. notari 12 -vjeçar B.Danaj ka arritur dhe 6000-6500 not në ditë, së bashku me shokun e tij Th.Duni që është 13 vjeç.  Natyrisht, me 2 seanca në ditë. Unë këtë e kam dhe nga përvoja ime me notarët më të mirë të vendit si E.Xhindi, V.Bejo, S.Kamberi, M.Arapi, K.Aliraj, O.Muco, K.Shehaj, B.Selmanaj, R.Lulaj, B.Danaj që kanë qenë e janë bërë kampione me fëmijët e më vonë me të rinj e të rritur. Duhen kapërcyer barrierat dhe pengesat që vihen re me fëmijët që janë të tipit: “Do të na sëmuren” ose “do të na mbeten të shkurtër” etj..  Stërvitja sistematike, graduale asnjëherë nuk i bën dëm notarit. Ajo vjen në mënyrë të natyrshme. Edhe në sport duhet çarë me guxim e kurajë që të kemi rezultate të larta. Me talente në not kërkohet punë e diferencuar. Ne, trajnerët duhet të bëjmë shumë kujdes në të ardhmen për zgjedhjen dhe seleksionimin e elementit siç janë shtat lartësia, kapaciteti vital, aparati i qarkullimit të gjakut etj.. Noti kohët e fundit është futur në kategorinë e sporteve gjigande si basketbolli, volejbolli etj.. Sot mjaft notarë janë mbi 1.93 ose 1.96.  Shembuj për këtë janë francezi F.Manodu që është 1.99 m dhe peshon 99 kg ose fenomeni i SHBA-ve. M.Felps që është 1.93 m dhe peshon 85 kg, nr. i këmbës 49, ose notari i vendit tonë S.Hoxha që është i gjatë 1.94 m, peshon 87 kg, nr i këmbës 46.  Krahas të dhënave fizike që duhet të ketë notari duhet të punojmë shumë edhe për zhvillimin e cilësive fizike siç janë, forca, elasticiteti, shpejtësia etj.  Përgatitjen fizike teorikisht e pranojmë të gjithë, por kur vjen puna në praktikë e nënvlerësojmë ose e neglizhojmë atë. Përgatitja fizike, sidomos për të rinjtë e të rriturit është e domosdoshme. Ajo është kriter bazë për të arritur rezultate të larta. Duhet të jetë e qartë për të gjithë, sidomos për notarët e rinj e të rritur se për t’u matur me Europën dhe Botën kërkohet shumë punë dhe sakrificë. Notarët më të mirë jashtë bëjnë 12,13,14 apo 16 km not në ditë stërvitje, ndoshta dhe më shumë, sidomos ata të garave të gjata, por problem është që t’ju krijojmë kushte e mundësi notarëve tanë për stërvitje. Kjo duhet të zgjidhet sepse ata janë në shkollë e universitet, e cila duhet të sanksionohet me ligj që notarët tanë të kenë mundësi të stërviten 2 herë në ditë dhe të likuidojnë provimet në sezone të caktuara.  Ja çfarë thotë një nga notarët më të mirë të botës në vitet 2000-2001, italiani M.Roselino: “Nuk ka dyshim, se noti është sport shumë i vështirë dhe për ta bërë mirë duhet të kalojnë mjaft kohë, edhe 15 vjet për tu bërë kampion”.

 “Trajner i Merituar”, Vlorë

Komitetit Olimpik Shqiptar vlerëson notin shqiptar

Vazhdimisht janë ngritur probleme, sidomos për ato sporte që janë quajtur “anësore” dhe shpesh kërkesat e shqetësimet e federatave nuk janë marrë parasysh, por këtë vit ka një klimë tjetër. Para disa ditësh, Komiteti Olimpik, me president z.Viron Bezhani mori një vendim që notares A.Kashari ti akordohet një bursë Olimpike. Me këtë bursë, Anxhela do të vazhdojë dhe shkollën e lartë. Ndër sportet e tjera dhe noti, me këtë vendim, po bëhet një sport  i rëndësishëm dhe i preferuar. Kjo tregon edhe njëherë për vlerësimin dhe kujdesin që po tregon Komiteti Olimpik për të gjitha sportet e sidomos për notin. Dhënia e bursës Olimpike, notares A. Kashari, na gëzon të gjithëve, trajnerët, sportdashësit e notarët. Ajo është një notare që i takon dhe që ka kontribuar shumë për notin. Natyrisht që e ngarkon me përgjegjësi dhe obligim më të madh notaren A.Kashari, që të punojë më shumë për të arritur rezultate më të larta. Mendoj se ky vendim për këtë notare dhe sportistë të tjerë, merret në një kohë kur mjaft sportistë kanë humbur besimin tek shteti. Mos interesimi e kujdesi për ta, ka bërë që disa prej tyre të largohen nga vendi ose të lënë sportin. Pra, kjo tregon se edhe në sport po fryn një erë e re, dhe kjo erë është rilindja e sportit tonë. Stadiumi i ri i Elbasanit, pista me tartan e tij, bursat olimpike për sportistët cilësorë, lajmi që morëm për stadiumin e Shkodrës dhe angazhimet e tjera për sportin, po tregojnë se po krijohet një situatë tjetër, ndryshe nga ajo e mëparshme. Edhe njëherë unë, si trajner noti e sportdashës, në emër të ekipit tim falënderoj dhe jam shumë i gëzuar për këtë vendim të Komitetit Olimpik Shqiptar. Ky vendim do të nxisë më shumë sportistët cilësor për të ecur më përpara.