Bashkim Aliraj/ Noti shqiptar në konkurimet ndërkombëtare

524
Njëanshmëria dhe formalizmi shpesh në këtë drejtim ka bërë që të mos arrihen objektivat dhe synimet e duhura. Mendoj se për këto veprimtari të rëndësishme, nuk duhet të kujtohemi 4-5 ditë ose një javë para garave, por në kohë. Çdo veprimtari në not ka objektivat dhe synimet e veta dhe për këtë traineri me notarin punojnë së bashku për të arritur rezultate të mira. Mendoj se federata e notit së bashku me trajnerët që janë caktuar, duhet që në bazë të rezultateve dhe dispozitave më të mira që kanë notarët, të bëjnë zgjedhjen e tyre dhe të fillojnë nga puna sa nuk është vonë. Kjo kohë që ka mbetur të bëhet një përgatitje më intensive dhe serioze. Me vjen keq që e them po ka një prirje nga disa trainerë që thonë: “dale të presim çfarë do të na thonë nga federata” ose “dale të shikojmë se kë do të caktojnë nga notarët në ekipin kombëtar”. Mendoj se kjo nuk është e drejtë. Është vetë traineri ai që duhet të marë këtë insiativë dhe të fillojë nga puna sa më parë për të dalë sa më mirë. Notarët duhet t’i përzgjedhë vetë traineri i ekipit kombëtar, natyrisht më të mirët dhe për këtë duhet që të mbajë përgjegjësi për rezultatet e tyre. Është mirë që me notarët që zgjidhen në ekipin kombëtar të punojë ai trainer që i stërvit vazhdimisht. Kjo dhe nga ana psikologjike e ndihmon notarin meqë ai është mësuar me trainerin e vet. Federata mund të caktojë dhe ndonjë trainer tjetër për ta stimuluar, por ai duhet të jetë trainer i dytë. 
Konkurimi në gara të gjata
Mendoj se do të bëjm gabimin më të madh që të konkurojmë në gara të gjata, si bie fjala në 400 m, 800 m apo 1500 m stil i lirë, ku dihet që rezultatet tona, në krahasim me ato të notarëve të huaj, janë shumë mbrapa. Trajnerët dhe notarët tanë duhet të kenë synim kryesor distancat e shkurtra 50 m,100 m deri në 200 m. Ne nuk mund të konkurojmë me ata për shembull në gara me 400 m, 800 m stil i lirë për vajza dhe 1500 m për meshkuj. Në Europë dhe në botë ka me dhjetëra e qindra vajza që e bëjnë 400 metrshin në stilin e lirë nën 4 min. Pra mendoj se synimi ynë duhet të jenë garat e shkurtra. Sa më shum t’i përmirsojmë ato, aq më mirë do jetë për notarët tanë. Nëse ulet 50 metërshi në stil të lirë nga 25 sek. që e kemi në 24 ose 23 sek, notarët mund të lënë mbrapa 15 apo 20 shtete të tjera. Po kështu edhe në garën e 100 m stil të lirë që e kemi kohën më të mirë 55 sek. Mendoj se edhe në garat e shkurtra nuk është se nuk jemi mbrapa, por diferenca në këto gara me notarët e tjerë është më e vogël. 
Ballafaqimi me të huajt
Po të kemi parasysh që në veprimtarinë kombëtare të fundit që u bë në Itali në datën 15-16 prill, në baterinë e dytë, i pari e bëri 400 metërshin në stil të lirë për meshkuj vetëm 3.47 sek. Pra e imagjinoni se sa mbrapa jemi, afërsisht 50 m mbrapa. Unë mendoj se ne kemi notarë si F. Aleksi, D. Baholli, N. Meziraj që i kanë të gjitha mundësitë për të arritur rezultate më të mira. Por për këtë duhet të mobilizohemi të gjithë që nga federata e notit dhe mos të ia lëmë në dorë vetëm trainerit në ditët e fundit. Këta sportistë kanë nevojë dhe për trajtim ushqimor për të bërë stërvitje sa më të mirë në ekipin kombëtar. Gjithashtu tendenca që vihet re për të marrë pjesë në sa më shumë gara dhe gara të ndryshme, është e gabuar. Po të marrësh pjesë për shembull në garën e 400 m stil të lirë dhe të hidhesh dhe në garën e 200 m bretkosë, kjo jo vetëm që nuk të ndihmon të arrish rezultate të larta por të pengon dhe atje ku ke mundësi më të mira. Ose të hidhesh nga 400 m stil i lirë në 200 m delfin, siç ka ndodhur më përpara me notaren N.Borshi, mendoj se është gabim. Nëse notari është i mirë në 200 m delfin, ai le të përgatitet seriozisht edhe për 50 m e 100 m delfin dhe të mundohet të thyej rekordin kombëtar dhe të arrijë rezultat sa më të lartë. Po të hedhësh një notar nga 400 m stil i lirë në 200 m delfin ose 200 m bretkosë, mendoj se nuk është e drejtë. Këto janë dy gara të kundërta dhe stile të kundërta. Në veprimtaritë europiane dhe botërore nuk bëhen prova, notarët hidhen në ato gara dhe stile që japin më shumë rezultat. 
Profilizimi në garat e shkurtra të notit
Nga përvoja që kemi, ka patur raste që në garat ndërkombëtare notari është grumbulluar për 50 m stil i lirë dhe ka bërë 50 m shpinë ose bretkosë. Ne duhet që t’i specializojmë notarët tanë sidomos kur ata janë të rritur. Ata nuk duhet të hidhen në shum gara dhe shumë stile sepse dhe stërvitja ndryshon. Ajo ndryshon dhe brenda një stili, për shembull notarët e garave të shkurtëra në stili të lirë nuk mund të stërviten njësoi si ata të garave të mesme apo të gjata. Ka raste që në gara të shkurtëra, si psh. notari D. Baholli që është rekordmen në bretkosë, ai bën mirë dhe 100 m në stil të lirë që zuri vendin e parë në muajin prill në kampionatin dimëror. Por këto janë raste të rralla. Megjithatë mendoj se është në dorën e trainerit së bashku me notarin që të vendosin se ku duhet të stërvitet më shumë për të dhënë rezultate më të mira .Nga përvoja ime si trainer është se sa më shumë ta shpërndajmë notarin në gara, sidomos kur ai është i ri apo i rritur, aq më keq është sepse dhe stërvitja është më e vështirë. Specializimi i ngushtë në gara në këto mosha është më i mirë. Edhe në vendin tonë, përvoja ka treguar se psh notari i Flamurtarit të Vlorës S. Shyti e mbajti rekordin e 100 m, 200m, 400 m në stil të lirë mbi 30 vjet ose notari H.Bregu i Dinamos në 50 m dhe 100 m delfin e mbajti këtë rekord po kaq gjatë sa notari S. Shyti. Edhe në garat e 200 m stil i lirë, si për femra dhe meshkuj, nuk kemi notarë që të konkurojnë denjësisht me ata të huajt, sepse rezultatet janë larg por sido që të jetë diferenca midis tyre nuk është shumë e madhe. E përsëris se edhe në garat e shkurtra ne jemi mbrapa, por dua të them që diferenca dhe distance është më e vogël dhe nuk biem shumë në sy. Në radhë të parë kërkohet shumë punë dhe sakrifica. Mendoj se notarët që do të shkojnë në veprimtarinë ndërkombëtare europiane dhe botërore, herë pas here ata duhen të grumbullohen dhe të stërviten në bazë të një program të hartuar nga trajneri. Po të ketë mundësi ata lë bëjnë edhe ndonjë takim rajonal për të parë gjendjen e tyre. Kujdesi dhe vlerësimi për ta duhet të jetë i vazhdueshëm dhe jo vetëm në prag të garave e gjatë veprimtarisë ndërkombëtare.
Trajner i Merituar, Shoqata “Jon”, Vlorë
Sigal