Bashkim Aliraj*/ krijojmë klasat sportive

892
Sigal

Shteti ka braktisur sportin. Para viteve 1990, shkollat ishin bazë për masivitetin e cilësinë sportive

*Trajner noti

Të gjithëve na kujtohen ekipet sportive në shkolla: atletikë , gjimnastike, basketboll, volejboll etj. që, bënin përpjekjet më të mëdha për të dalë mirë në kampionatet e shkollave apo spartakiadat. Lufta dhe konkurrenca midis tyre ishte e madhe. Këto aktivitete pëlqeheshin aq shumë nga të rinjtë sa ndonjëherë disa shokë ose shoqe kërkonin me insistim që të merrnin pjesë e për t’u përfaqësuar në to. Shkolla bënte çmos për t’i nderuar e respektuar të rinjtë që merreshin me sport. Ata quheshin krenaria e shkollës sepse shpesh dilnin në fotografi në tabelë të nderit dhe cilësoheshin sportistët më të mirë. Thelbi ishte që, të nxiteshin të rinjtë e të rejat që të merreshin me sport. Dhe e vërteta është që disa prej tyre më vonë përfaqësonin ekipet pranë klubeve sportive. Midis tyre do të përmendja në Vlore emra që u bënë sportistë shumë të mirë, kampionë e rekordmene në shkallë vendi. Disa kanë përfaqësuar vendin në veprimtari ndërkombëtare. Në atletikë: Petrit Rama, Aurora Muço, Afërdita Leskaj, Enver Danaj, Pirro Janina, Xhevahir, Gëzim Meçani, etj..  Në volejboll: Todi Driza, Foto Kola, Ylli Lulushi, Vladimir Sadushi, Vilson Çipi, etj.. Në gjimnastikë : Gani Mezini, Engjëll Gorishti, Kalem Kalemi, Mjergullosh Toto, Andrea Pavli, Arallan Babe, etj.. Në futboll : Mexhit Haxhiu, Nako Saraci, Gëzim Zeqiri, Aristidh Duka, Orhan Xhafa, Koto Zile, Edmond Liçaj, Leonidha e Spirro Curri e shumë, shumë të tjerë. Është e tepërt të zgjatemi por, me bindje themi që shkolla ishte baza e cilësisë sportive. Disa prej tyre gumëzhinin nga aktivitetet. Shto këtu dhe shtëpitë e pionierit që kishte dhe ajo programin e saj të veprimtarive sportive. Në qytetin tonë, në vitet 1985-1986 në shkolla kishte rreth 22 komplekse sportive, 31 fusha volejbolli, 19 fusha basketbolli, rreth 32 gropa kërcimi së gjati dhe 12 palestra për gjimnastikën dhe lojërat sportive. Por duhet të theksojmë se sot mjaft terrene sportive, fusha futbolli, basketbolli janë prishur dhe vendin e tyre e kane zënë godinat shumëkatëshe si në shkollat “Ismail Qemali” , “4 heronjtë”, “Halim Xhelo”, “Naim Frashëri” , “Ali Demi”, etj.. Në mjaft shkolla të tjera mungojnë terrene sportive. Ka disa shkolla private si “Perla” ose “Rruga e Dijes dhe e Shkencës” që, kane bere një pune shumë të mirë për edukimin fizik. Atje ka shume ambiente të bukura e të përshtatshme për nxënësit. Disa prej tyre kane synime që të ndërtojnë dhe pishina 25-metërshe për mësimin e notit tek fëmijët e të rinjtë. Në radhë të parë duhen përgëzuar drejtuesit e tyre. Por, me keqardhje mund të themi se, në disa shkolla si “Aulona”, “Ikea” , “Drita e Dijes” këto ambiente mungojnë dhe aktivitete nuk zhvillohen. Vite të shkuara ishte kënaqësi kur shikoje ekipet e atletikës që, përgatiteshin për të marrë pjese në kampionatet midis shkollave, por tani mund të themi se ka mbi 22 vjet qe në pistën e stadiumit “Flamurtari” nuk zhvillohet asnjë aktivitet për atletikën. Më kujtohet, në vitet 1962-63 atleti i talentuar Çlirim Balluku në pistën tonë vendosi rekordin Kombëtar në garën e vrapimit 100-200 metra. Në atë kohë Vlora kishte një nga pistat më të mira të vendit. Aktivitetet sportive jo vetëm që do të gjallëronin jetën e veprimtari në shkolla, por do të shërbenin si mjet për edukimin dhe kalimin e kohës së lirë në mënyrë të kulturuar. E keqja është që sot disa shkolla të reja kur ngrihen apo Universitete nuk mendojnë fare për ambientet sportive a thua sikur lënda e edukimit fizik nuk ekziston fare. Shikoni një paradoks te madh në qytetin tonë. Kuadro shume të mire me I.K.F “Vojo Kushi”, si Albert Brati që dikur ka qenë dhe një basketbollist shume i mirë me ekipin e Flamurtarit, ka vite që qëndron pa punë dhe lëndën e edukimit fizik në shkollë e japin disa militante të PD-së e që janë me shkollë të mesme. Gjëra të tilla ishte vështirë t’i parafytyroje 20 apo 30 vjet më parë në kohën e monizmit. E keqja është se Ministria e Arsimit e Shkencës, për këto veprime qëndron indiferente. Edhe parulla e saj, për një reforme është thjesht një demagogji apo lojë. Më vjen keq që, ta them por për këto probleme jemi kthyer 20 apo 30 vjet mbrapa dhe kjo jo për nostalgji siç mund të mendoje dikush, por se, ky është realiteti. Shkolla sportive e notit gjatë viteve 1986-87 e më vonë bënte mësim pranë pishinës, ndërsa sot gjendja e saj është e mjeruar sepse mungojnë fondet publike për ta vënë në eficencë. Ekipet zinxhir dhe klasat sportive nëpër shkolla përbënin një bazë të shëndoshë për masivizimin dhe cilësinë sportive. Shumë shpejt në qytetin tonë u ndje sadisfaksioni i tyre. Nga këto klasa dolën elementë që më vonë përfaqësuan vendin në veprimtaritë kombëtare e ndërkombëtare. Disa prej tyre u bënë sportistë në ekipet kombëtare në atletikë, gjimnastikë, futboll, not, basketboll, etj.. Të tillë jane: E. Dumani, V e M. Velaj, A. Ago, E. Xhindi, V. Bejo, V. Brinja, L. Dauti, A. Dhima, S. Kushta, R. Iljadhi, D. Satedini, Gj. Dema, E. Mëhilli , K.Mecani etj.. Dikur vajzat e fshatit Nartë në atletikë përfaqësonin ekipin e Flamurtarit në kampionatin kombëtar. Dhe kjo u arrit në sajë të punës së palodhur të tyre dhe trajnerit te pasionuar Lefter Diamanti. Por, sot këto shkolla e klasa nuk ekzistojnë më. Ato u shkatërruan dhe u shkrinë. Ministria e Arsimit dhe ajo e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve as që do t’ia dijë për to. Ato e kanë braktisur sportin dhe edukimin fizik në shkolla. Në klasën e tretë të shkollës së mesme zhvillohet vetëm një orë mësimi, ndërsa në vitet e katërta ajo nuk bëhet fare. Edhe në universitete, fizkultura dhe sporti nuk bëhen. Kjo tregon për një kuptim jo të drejtë nga ana e Ministrisë së Arsimit e Shkencës. Vetë të rinjtë nuk duhen të pranojnë një gjë të tillë. Në shumë shkolla në Perëndim si: Itali, France, Gjermani, SHBA, etj., fizkultura dhe sporti zënë një vend të rëndësishëm. Atje shume sportisteve të mire u akordohen bursa studimi dhe rroga. Po tek ne a bëhet kjo? Natyrisht, që jo. Ne kemi shume sportistë të mirë si në atletikë, basketboll, not, mundje, etj., që sapo shkojnë në universitet e lënë sportin. Dhe kjo ndodh kur ata janë në kulmin e tyre në moshën 19-20 vjeç. Prandaj, iniciativa që ka marrë Partia Socialiste për një “Rilindje” e ndryshim rrënjësor të sportit duhet të mbështetet nga të gjithë sidomos nga të rinjtë dhe të rejat. Deputeti i saj, Fidel Ylli, është i vetmi që ka folur e ka ngritur problemë më shumë për sportin në këto 22 vjet, pasi ai e do sportin dhe është marrë me të. Sidomos ne kuadrot e edukimit fizik duhet ta mbështetim me force të madhe këtë nismë. Rinia jone mban qëndrim aktiv dhe e do sportin por ajo duhet të tërhiqet, t’i krijohen kushte për t’u marrë rregullisht me të.

Ngritja e terreneve sportive, sallave, ambienteve sportive në shkolla, në kopshte nuk është një luks por një domosdoshmëri që ka të bëjë me edukimin e gjithanshëm të rinise dhe fëmijëve tanë, kalimin e kohës së lire në mënyrë të kulturuar dhe rritjen e rendimentit në mësim e më vonë në punë. Të mos harrojmë se, bazë është cikli i ulët sepse që aty fëmijët tanë marrin shprehitë e nevojshme e të domosdoshme, për t’u bërë sportistë të nivelit të lartë.

Mesfushori kosovar i Norvegjisë: “I shoh si kundërshtarë”

Berisha kundër Shqipërisë: “Po shënova, festoj!”

Valon Berisha do të përjetojë emocione të veçanta, kur Shqipëria të luajë me Norvegjinë, të premten. Mesfushori i talentuar, për fat të keq do të jetë “brenda gardhit” të kundërshtarit tonë në “Uleval”. Mediat norvegjeze nuk mund ta linin pa u shpëtuar rasti për të zbuluar sadopak nga karakteri i shqiptarëve si popull.

Në një çat me tifozët në sitin online të Federatës Norvegjeze të Futbollit, lojtari tha që ka emocione që do të luajë kundër Shqipërisë, por do të synojë të shënojë ndaj kuqezinjve nëse do i jepet mundësia. Berisha luan për Salzburgun në Austri, ndërsa vlerësohet ndër futbollistët më të talentuar në Norvegji. Ai ka lindur në Malmoe të Suedisë në një familje nga Kosova. Berisha ka 8 ndeshje për Norvegjinë, për të cilën debutoi vitin e kaluar. Mundësitë janë që ai të luajë kundër Shqipërisë si titullar. Pyetja e parë ëpr të është se si do të reagojë nëse shënon kundër Shqipërisë. “Reagimi im do të jetë normal. Përfundimisht do të shënoj nëse e kam mundësinë ta bëj, nuk do të lejoj që të më shkojë dëm një rast i mirë”, ka thënë Berisha. Ai është pyetur po ashtu nëse ndien ndonjë lidhje me Shqipërinë para ndeshjes. “Duket që njerëzit rreth meje brengosen më shumë se unë për këtë. Unë fokusohem te luaj pavarësisht kundërshtarit. Por është pak e veçantë, është kundër Shqipërisë”, ka thënë Berisha. “Shpresoj se do të ketë shumë njerëz në stadium. Është një ndeshje e rëndësishme për ne dhe ne vërtet duam ta fitojmë atë. Për këtë ne shpresojmë në një përkrahje të madhe në stadium”. Ndërkohë në një intervistë për “vg.no”, Berisha ka thënë se do të jetë ndjenjë e çuditshme që të luajë me Norvegjinë kundër Shqipërisë. Ai beson se në Shqipëri e dinë mirë se kush është. “Natyrisht që unë e dua vendin tim, por unë luaj për Norvegjinë dhe jap maksimumin për të “, ka thënë Berisha. Ai i ka vlerësuar si “mjaft të mirë” Lorik Canën dhe Erjon Bogdanin, edhe pse tregon se nuk i ka ndjek aq shumë. “Ndihem në formë të mirë dhe nëse fitoj rastin të luaj mendoj se do të bëj ndeshje të mirë”, ka thënë Berisha.

Kapiteni Hangeland: “Do të jetë si një luftë!”

Zv.trajneri i Norvegjisë, Ola By Rise ka thënë që do të jetë e dhimbshme për skuadrën e tij të ndeshet me Shqipërinë. Duke bërë shaka me këtë thënie kapiteni i vendasve, mbrojtësi Hangeland ka thënë që do të jetë më e dhimbshme për Shqipërinë të ndeshet me Norvegjinë. Hangeland, një gjigant për nga statuja ka thënë që mezi e pret të ketë duele fizike me sulmuesit e Shqipërisë. Erjon Bogdani dhe Edgar Çani janë të dy mbi 190 cm të lartë. “Më tingëllon këndshëm. Unë jam i kënaqur kur kam duele, ngjan me një luftë”, tha ai. Mbrojtësi tjetër Demidov, që mund të luajë si titullar përkrah Hangeland ka të njëjtin koncept për duelet me sulmuesit e Shqipërisë. “Unë ndeshem me tipa të tilla çdo fundjavë. E rëndësishme është që të pozicionohesh në mënyrë të zgjuar, nuk është fare problem nëse e bën këtë”, thotë Demidov.

HISTORIA

Minutat fatale që na mohuan mrekullinë!

Shqipëria ishte pranë një mrekullie, të mërkurën e 14 tetorit të vitit 1998 në Oslo, teksa deri në minutën e 82-të kryesonim 0-2 në “Uleval”, pikërisht në stadiumin që do të luajmë edhe të premten. Alban Bushi me golin e tij në të 38’, e mbylli pjesën e parë në 0-1 për Shqipërinë, ndërsa Igli Tare i dyfishoi shifrat në 0-2 në minutën e 52-të. Kampi norvegjez ishte i tëri i shokuar ndërkohë që 17 mijë të pranishmit në “Uleval” nuk u besonin syve. Fati e ndeshjes e ktheu një penallti e paqenë, e akorduar nga gjyqtari austriak Gradbaher, dhe të realizuar Radkal (82’). Gjashtë minuta më pas erdhi dhe goli i barzamit nga ana e Bergut, që fiksuan dhe rezultatin 2-2. Në ndeshjen e kthimit në “Qemal Stafa’ (5 qershor 1999), Norvegjia fitoi 2-1, falë një pakujdesie të mbrojtjes sonë në dhjetë minutat e fundit. Sulmuesi 22-vjeçar norvegjez Stefen Iversen, shënoi një gol të shpejtë në minutën e 3-të duke befasuar Foto Strakoshën, por Shqipëria gjeti forca për të barazuar rezultatin me gjigantin Igli Tare në të 13’. Trajneri Astrit Hafizi freskoi skuadrën duke hedhur në fushë Bellain dhe Duron, por Torre Andre Flo na ndëshkoi në minutën e 83-të, duke fiksuar përfundimisht humbjen e kuqezinjve. Ajo ndeshje u gjykua nga italiani Bacoli. Shqipëria ishte në grup përveç Norvegjisë, edhe me Greqinë, Letoninë, Gjeorgjinë dhe Letoninë. Te vetmen ndeshje që fitoi ishte ajo 2-1 me gjeorgjianët. Në dhjetë ndeshjet eliminatore regjistroi 1 fitore, 4 barazime dhe 5 humbje.

NORVEGJI-SHQIPËRI 2-2

E mërkurë, 14 tetor 1998

Shënues: Rekdal 82’ (p), Berg 88’ / Bushi 38’, Tare 52’

Stadiumi “Uleval”, Oslo, 17 700 shikues

Kualifikueset e Euro 2000

SHQIPËRI-NORVEGJI 1-2

Shënues: Tare 13’/ Iversen 3’, A. Flo 83’

E shtunë, 5 qershor 1999

Stadiumi “Qema Stafa”, Tiranë, 12 mijë shikues

Kualifikueset e Euro 2000

Bogdani, i mbijetuari i vetëm

 Erjon Bogdani është i “mbijetuari” i vetëm nga formacioni fundit shqiptar që, është përballur me Norvegjinë. Golashënuesi më i mirë Kombëtares shqiptare (18 gola) është aktivizuar vetëm dhjetë minutat e fundit, duke zëvendësuar Altin Rrakllin në të 81’, por pa mundur të ndihmojë ekipin për prishur shifrat 2-1 në favor të norvegjezëve të drejtuar nga Semb.

 Tare, dy gola norvegjezëve

Ish-kapiteni i Shqipërisë, Igli Tare, sot drejtor sportiv te Lacio, ka shënuar dy nga tre golat që Shqipëria ka realizuar kundër Norvegjisë, nga një për çdo ndeshje. Shënoi golin e dytë në “Uleval”, që e çoi rezultatin e përkohshëm në 0-2 për Kombëtaren tonë, si dhe golin e barazimit 1-1 në “Qemal Stafa”, me ndeshjen që u mbyll 1-2 për Norvegjinë.

 Përjashtohet Skrapari

Komisioni i Disiplinës në mbledhjen e sotme ka gjobitur ekipin e Tiranës me 300 mijë lekë gjobë për “sjellje të gabuar të spektatorëve duke lëshuar parulla fyese në stadium”, thuhet në njoftim për shtyp të këtij institucioni. Gjatë ndeshjes së fundit në Superligë, sportdashësit e ekipit bardheblu kanë hedhur parulla kundër Federatës Shqiptare të Futbollit. Po kështu në këtë mbledhje u vendos që zëvendëstrajneri i Shkumbinit, Klodian Dervishi, të pezullohet 8 ndeshje në drejtimin e ekipit dhe një gjobë prej 500 mijë lekësh. Ky vendim u morr, pasi sipas Komisionit, drejtuesi i ekipit ka ofenduar zyrtarët e ndeshjes.

Ekipi i Skraparit u përjashtua nga kampionati i Kategorisë së Dytë, për shkak se nuk denjoi të udhëtonte në Ersekë për t’u përballur me Gramozin vendas. Vendimi u mor pasi ishte rast i përsëritur.