Bashkëprodhim shqiptar në Frankfurt Od Roshi pason – Ed Kapllani shënon

43

 Sulmuesi durrsak i dha fitoren FSV Frankfurtit dhe u ngjit në kuotën e 40 golave në Bundesligën 2

  Pas dygolëshit në fitoren 2-0 ndaj Ingolshtadtit, fundjavën e kaluar, Edmond Kapllani i dhuroi një tjetër trepikësh më shumë vlerë skuadrës së tij, FSV Frankfurt, në suksesin minimal 1-0 ndaj Erzegebirge Aue, në javën e 4-t të Bundesligës së 2-të në Gjermani. “FSV Frankfurt noton akoma më tej në valën e suksesit. ‘Die Bornehimer’ fituan të dielën kundër Aue-s, falë një bashkëprodhimi shqiptar pak minuta nga fundi i ndeshjes”, – shkruant portali online i radios gjermane “Hessisher Rundfunk”, hr-onlinde.de. Sulmuesi durrsak realizoi në minutën e 87-të, duke zhbllokuar shifrat dhe ngjitur ekipin e tij në vendin e tretë, por ishte mesfushori sulmues, Odise Roshi, ai që i dha pasin e artë, në golin e vetëm të ndeshjes dhe të tretin sezonal të Kapllanit. Kjo ishte fitorja e tretë në rresht e FSV Frankfurtit, që shfaqet kështu një favorite e fortë për t’u ngjitur në Bundesligën e Parë. ‘Gjithçka falë sulmuesit Kapllanit dhe pasimit të bashkatdhetarit të tij shqiptar, Odise Roshit”, – thkeson portali gjermanë në komentin e tij. “Pas 90 minutave kjo ishte një fitore e merituar, pasi ne ishim në sulm gjatë pjesës së dytë dhe ushtruam gjithmonë e më shumë presion. Në fund të ndeshjes ne e shfrytëzuam shansin tonë”, – tha trajneri i FSV Frankfurtit, Beno Mëhleman. Në fakt, fillimi i ndeshjes ishte më i mirë për miqtë, ndërkohë që FSV Frankfurti bëri shumë gabime në pasime. Gjithsesi, Kapllani mund ta kishte kaluar në avantazh skuadrën e tij, por gjuajtja e tij në minutën e 18-të kaloi ngjitur me shtyllën e majtë pingule. Gjujatja e Janik Shtark u ndal nga shtylla e djathtë në minutën e 73-të, duke dhënë sinjalin se goli ishte afër. Dhe sërish Kapllani pranë golit, nga një distancë e afërt. Megjithatë, sulmuesi durrsak korrigjoi gjithçka: në minutën e 87-të, Odise Roshi gjuajti korneja e majtë dhe, Kapllani u mjaftua të godasë me majën e këmbës së djathtë duke e zhytur topin në rrjetë. Për Kapllanin ky ishte goli i 40-të në 116 ndeshje në Bungesligën 2: 26 gola, në 118 ndeshje me Karlsruhen; 5 gola, në 17 ndeshje me Tus Koblencin; 8 gola në 23 ndeshje me Padebornin dhe 3 gola në 4 ndeshje me FSV Frankfurtin. Kapllani ka realizuar 3 gola në Bundesligën 1 me 54 ndeshje me Augsburgun dhe Karslruhen. Me fitoren 1-0, “blu-zinjtë” e Frankfurtit jo vetëm që vazhduan serinë e fitoreve në shtëpi, por gjatë këtij sezoni janë ende të pathyer. Me Erzegebirge në bankinë ishte shqiptari Ronald Gërcaliu.

TITUJT E GAZETAVE GJERMANE

 “Kicker”

“Maja e këmbës së Kapllanit vendos ndeshjen”

 “Hessisher Rundfunk”

“Kapllani shënon në fitoren e vonshme”

 “RP-Online”

“FSV, falë Kapllanit ecën me marsh të plotë”

 “Spox”

“Kapllani është shpëtimtari i Frankfurtit”

 Alban Meha

Padeborni i mesfushorit Alban Meha, të sapo thirrur në Kombëtaren shqiptare për ndeshjet me Qipron dhe Zvicrën, pësoi një humbje 3-1 në shtëpi me Ingolshtadtin, në javën e 4-të të Bundesligës së Dytë gjermane. Meha luajti gjatë gjithë takimit. Ndeshja shkoi në 0-3, përpara se zëvendësuesi Tempe (85’) të shënonte golin e nderit për Padebornin. Fantaziti Meha bëri një lojë të bukur. Pas katër ndeshje, Padeborni ndodhet në vendin e 11-të me katër pikë.

 Jahmir Hyka

Luzerni i Jahmir Hykës vazhdon trendin negativ, duke humbur kësaj radhe në shtëpi, 1-2 me Jang Bojs, në ndeshjen e vlefshme për javën e 8-të të kampionatit maksimal zviceran. Mesfushori i Kombëtares shqiptare luajti si titullar, por u zëvendësua në minutën e 64-t nga Pakar. Ndërkaq, kosovari Hekuran Kryeziu u zëvendësua në minutën e 76-të. Luzerni renditet në vendin e 8-të nga 10 skuadra që ka Superliga zvicerane, duke bërë një sezon të keq.

 Etrit Berisha

Kalmari i portierit të Kombëtares shqiptare, Etrit Berisha, fitoi 2-1 në transfertë me Gaisin, në javën e 21-të të kampionatit suedez. Berisha, që mban në fanellë numrin 99, bëri një paraqitje të pëlqyeshme dhe nuk ishte aspak fajtor në golin e pësuar, kur rezultati ishte 2-0 për Kalmarin. Është interesant fakti se, portieri i Kombëtares sonë ka shënuar dy gola këtë vit, një në kampionat kundër Helsingoburgut, në humbjen 7-2, dhe një në Ligëne e Europës kundër Kliftonville të Irlandës së Veriut.

 Burim Kukeli

Burim Kukeli, “fytyra e re” e Kombëtares shqiptare u kënaq me një barazim pa gola, në supersfidën e kampionatit zviceran, atë midis Bazelit dhe Zyrihut, të vlefshme për javën e 8-të. Kukeli u dallua për lojën e tij, por mundur dot të ndihmojë skuadrën e tij të fitojë duelin e madh. Burimi pritet të pajiset me pasaportën shqiptare, e më pas të debutojë me përfaqësuesen shqiptare për ndeshjet kualifikuese të Botërorit, ato kundër Qipros dhe Zvicrës, gjithmonë nëse De Biazi do ta hedhë në fushë.

 Bekim Balaj, “perandori” i ri i Spartës së Pragës

 Bekim Balaj është ambientuar shumë shpejt jo vetëm me stilin e kryeqytetit çek, por dhe me rrjetat e kundërshtarëve. Sulmuesi shkodran realizoi në minutën e 38-të golin e vetëm të fitores  1-0 të Spartës së Pragës ndaj Hradrec Kaloves, në ndeshjen e vlefshme për javën e të kampionatit çek. Më parë, sulmuesi i Kombëtares U-21 kishte shënuar një gol në fitoren 4-1 në transfertën ndaj Slovackos. Dy gola në katër ndeshje të aktivizuara është një bilanc shumë i mirë për sulmuesin që i dha ish-skuadrës së tij, Tiranës, Kupën dhe Superkupën e Shqipërisë. Bala është ftuar për ndeshjen e Kombëtares U-21, atë kundër Moldavisë, më 6 shtator 2012, në Kishinau.

 Ahmed Januzi e feston me gol ftesën në Kombëtare

 Ahmed Januzi e festoi me gol ftesën e marrë nga trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi, për ndeshjet me Qipron dhe Zvicrën. Sulmuesi kosovar realizoi golin e barazimit 2-2 të Vorskla Poltavës së tij ndaj Dnipro Dniporpetrovskit, teksa më parë skuadra e Dallkut dhe Januzit ishte në dizavantazh 0-2. Januzi shënoi në minutën e 82-të, vetëm tri minuta pasi shoku i tij i ekipit, Evgeni Selin, shkurtoi diferencën në 1-2. Vorskla tani ndodhet në vendin e 11-të, me 8 pikë pas 8 ndeshjesh. Si mbrojtësi Armend Dallku, ashtu dhe sulmuesi Ahmed Januzi, luajtën gjatë gjithë takimit. Për Januzin ky ishte goli i tij i dytë sezonal, pas atij në humbjen 4-1 me Shahtarin.

 Hamdi Salihi shndërrohet në problem në Uashington

 Sulmuesi shkodran po kalon një periudhë të errët me DS Junaitid. Ai nuk ishte grumbulluar në ndeshjen e humbur 1-0 të skuadrës së tij, me Real Salt Lejk, të vlefshme për javën e 27-të të kampionatit amerikan. Sipas asaj që raportoi, gazeta amerikane “Uashington Post”, Hamdiu kishte një tërheqje të lehtë muskulore në kofshë, të pësuar gjatë stërvitjes së fundit. Salihi numëron 18 ndeshje dhe 5 gola me DC Junaitid të Uashingtonit, por vetëm 10 herë e ka nisur si titullar. Rroga e lartë e Salihit, i konsideruar si “Dezinjatid Plejer”, është shndërruar në një çështje në klubin e tij. Salihi është thirrur në Kombëtare, për ndeshjet kundër Qipros dhe Zvicrës.

 FORMULA 1

Batën fiton në Belgjikë

 Fitorja e dytë sezonale për Xhenson Batën në Çmimin e Madh të Belgjikës, pas asaj në Australi. Piloti britanik i MekLarenit regjistroi suksesin e tij të 14-të në karrierë, duke lënë pas kampionin e botës në fuqi, Sebastian Fetel të skuderisë Red Bull dhe Kimi Raikonen me Lotus. Në vend të katërt u rendit Force India me Hulkenberg, e me radhë Ferrari i Masës (5), Red Bulli i Ubeerit (6) dhe Mercedesi i Shumakerit (7). Alonso dhe Hamilton e lanë garën për shkak të incidenteve të provokuara nga piloti Groszhean, në xhiron e parë, në një aksident spektakolar e që detyroi makinën e sigurisë të qendronte katër xhiro në pistë. Në klasifikimin e përgjithshshëm, Alonso (164 pikë) kryeson me 24 pikë më shumë se Feteli, 140. Ueber, i treti me 132 pikë.