Barcelona nuk kërkon të ndalet me kaq në këtë merkato vere, pasi zyrtarizoi me Arturo Vidal, dëshiron që të sjellë në “Camp Nou edhe Paul Pogba. Ky operacion duket shumë i vështirë, por mediat sportive spanjolle janë të bindur se marrëveshja do të arrihet edhe me francezin shumë shpejt.

Sipas “Mundo Deportivo” plani i klubit katalanas është më se i qartë për të bërë bashkë këta dy mesfushorë, ndaj lëvizjet kanë nisur edhe pritet të bëhen të ditura dhe detajet duke shfrytëzuar edhe situatën e tendosur, Mourinho-Pogba.

Ndërkohë, gjithçka varet nga fakti nëse Manchester United vendosë të shesë apo jo kampionin e botës, por duhet thënë se merkatoja ndryshon orë pas ore dhe kur në mes është agjenti Mino Raiola asgjë nuk është e pamundur.

Duhet thënë se agjenti ka marrëdhënie shumë të mira me drejtuesit e Barcelonës dhe çdo gjë mund të ndikojë në këtë transferim. Megjithatë, Raiola ka pohuar se ëndrra e mesfushorit është të luajë në Barcelonë krah Lionel Messi-t, teksa ka pranuar se operacioni është i komplikuar.

Kujtojmë, që klubit anglez në 2016-ën Pogba i kushtoi plot 120 milionë euro dhe duket vështirë se mund ta shesë, por në Spanjë janë të bindur dhe kanë besim se ai do të bashkohet me Barcelonën.