Barcelona kampione e Spanjës, Messi simboli i saj

564
Është Lionel Messi simboli i Barcelonës kampione të Spanjës. Skuadra katalanase zyrtarizon titullin numër 23 në Primera Division ku pas një sezoni pa asnjë trofe arrin të triumfojë në La Liga ku ka dominuar gjatë pjesës më të madhe të sezonit. Argjentinasi shënoi golin e fitores në transfertën e vështirë të “Vincente Calderon” ku Barcelona përuli edhe Atleticon e Madridit, duke kurorëzuar një sezon në nivele stratosferike. 
41 gola sezonalë për numrin 10, ndërsa Barcelona numëron vetëm 4 humbje sezonale, 30 fitore dhe 3 barazime me një diferencë të frikshme golash, plot 89. Një festë e paralajmëruar për katalanasit që një javë më parë me barazimin e Realit ndaj Valencias, por tashmë tifozët blaugrana mund të festojnë për një titull që i afron me 9 trofe kampionati më pak se rivalët madrilenë. Ironia e fatit do që të jetë Barcelona e Luis Enriques, ajo që fiton titullin në kryeqytet këtë herë. 
115 gola në total nga tredhëmbëshi i frikshëm i sulmit me Lionel Messin majë diamanti dhe pistonat Neymar e Suarez të cilët arritën të shfaqin një spektakël që i hap derën erës Luis Enrique. Tashmë përpara tyre qëndron finalja e Kupës së Mbretit kundër Athletic Bilbaos dhe ajo e UEFA Champions League përballë Juventusit. Barcelona rikthehet në majën e Spanjës, festa në Katalonjë sapo ka nisur zyrtarisht.
Sigal