Sigal

Barcelona dhe Inter do të ndeshen ditën e sotme, në atë që premton të jetë sfida më e bukur e raundit të tretë të Ligës së Kampionëve. Këto dy ekipe do të përballen për herë të parë me njëri tjetrin që prej asaj sfide të famshme gjysmë finale në Çampionsin e vitit 2010. Në atë përballje triumfues u shpallën italianët, të cilët në fund arritën dhe të ngrinin trofeun në finale. Dy kryesueset e Grupit B të Champions League do të përballen mbrëmjen e sotme në “Camp Nou”, me Inter që do të kërkojë të përfitojë nga mungesa e Leo Messi-t për të marrë fitoren e parë në fushën e katalanasve që nga janari i 1970-ës, e arritur në Kupën UEFA. Argjentinasi do të jetë padyshim një mungesë e madhe si për Barçën, ashtu edhe për spektaklin në fushën e blertë.

Zikaltërit nga ana tjetër, po kalojnë një formë magjike me 7 fitore radhazi në të gjitha kompeticionet, dhe për më tepër ndodhen me moralin më të lartë se kurrë, falë suksesit në “derbin” me Milanin fundjavën e kaluar. Trajneri Spaleti do të jetë pa Naingolan, i cili u dëmtua në “derbi”, ndërsa në dyshim është edhe kroati, Ivan Perisiç. Barcelona ka fituar tri ndeshjet e fundit që ka luajtur në shtëpi kundër Inter pa pësuar gol dhe ka humbur vetëm një nga gjashtë ndeshjet e fundit direkte me zikaltrit (3 fitore, 2 barazime, 1 humbje). Inter i ka fituar tri ndeshjet e fundit të Champions League me rezultatin 2-1. Për sa i takon takimeve të luajtura larg shtëpisë në të gjitha kompeticionet, Inter ka fituar katër të fundit dhe do të synojë të marrë të pestën radhazi për herën e parë që nga nëntori i 2012-ës.