Barça-Real, dueli i gjigantëvë

592
Sigal

Reali i Madridit ka fituar katër nga pesë përballjet ndaj Barcelonës, në Superkupën e Spanjës

Të enjten do të luhet finalja e parë e Superkupës së Spanjës, ku kampioni i Spanjës, Reali i Madridi, do të përballet me Barcelonë, fituesen e Kupës së Mbretit. Takimi i parë do të luhet në Barcelonë. Reali i Madridit dominon ndaj Barcelonës, në precendentët e klasikeve të Superkupës. Takimi i parë daton në vitin 1988. Reali i Madridit luante si kampion i Spanjës, duke fituar 2-0 në “Santiago Bernabeu”, falë golave të Mishel dhe Hygo Sançezit. Në ndeshjen e kthimit në “Kamp Nou”, Barcelona fitoi 2-1. Në vitin 1990, Reali i fitoi të dyja ndeshjet: 1-0 dhe 4-1, rezultati i dytë i arritur në Barcelonë. Dueli i radhës është në vitin 1993, Reali i Madridit, si kampion i Spanjës dhe fitues i Kupës së Mbretit, fitoi 3-1 dhe barazoi 1-1. Përplasja vazhdoi dhe në vitin 1997, me Realin që humbi takimin e parë 2-1, por fitoi të dytin 4-1, duke e çuar trofeun në Madrid. Për herë të fundit, Reali dhe Barcelona e kanë diskutuar finalen në vitin 2011. Barazim 2-2 në Madrid, dhe fitore 3-2 e Barcelonës në “Kamp Nou”. Për të shënuar është gjesti i trajnerit të Realit të Madridit, Zhoze Murinjo, i cili i futi gishtin në sy, Tito Vilanovës, atëherë ndihmës i Pep Guardiolës, ndërsa sot trajneri i Barcelonës. Barcelona është ekipi që e ka fituar më shumë Superkupën e Spanjës: 10 herë (1983, 1991, 1992, 1994, 1996, 2005, 2006, 2009, 2010, 2011), ndërkohë që e ka humbur atë 7 herë. Nga ana e tij, Reali i Madridit e ka fituar 8 herë (1988, 1989, 1990, 1993, 1997, 2001, 2003, 2008) dhe e ka humbur finalen katër herë. Reali e nisi sezonin e ri me një barazim 1-1 me Valencian, në shtëpi, kurse Barcelona shkatërroi 5-1 Real Sociedadin, me Lionel Mesin, që realizoi dy gola. Barcelona prezantoi zyrtarisht blerjen e re, Alex Song. “Jam shumë i kënaqur që të jem lojtar i Barçës. Është një nder i madh për mua dhe familjen time. Dua të them, se ky është një rast i madh që të jepet vetëm një herë në jetë”. Song ndezi edhe më shumë “El Klasiko”-n: “Mesi është lojtari më i mirë në botë, ka një talent impresionues dhe një futbollist i madh. Unë jam shumë i kënaqur që do të luaj me të”. Song tha se ndihet i emocionuar që do të luajë kundër Realit të Madridit. “Është një ndeshje me rivalitet të madh, shumë e rëndësishme për Barçën dhe emocion në mënyrë të veçantë. Do të doja të luaja, nëse trajneri do ta shihte të arsyeshme”. Pepe do të mungojë për Realin në superpërplasjen me Barcelonën.