Barça gati ofertën për Dybala: 90 milionë euro plus Iniesta

646
Me arkat e klubit të mbushura plot, Barcelona po kërkon të gjejë zëvendësuesin ideal të Neymar. Emrat janë të shumë si Angel Di Maria, Philippe Coutinho, Antonie Griezmann apo së fundmi dhe ylli argjentinas i Juventusit, Paulo Dybala.

Argjentinasi i Juves shihet si një alternativë më se e vlefshme për sulmin blaugrana dhe arritja e tij në Barcelonë duket se ka marrë edhe bekimin e Leo Messit, i cili jo në pak raste ka shprehur admirimin e tij për patriotin e lindur në Laguna Larga.

Krerët bardhezi prej kohësh kanë bërë të ditur qëllimin e tyre që të mos e shesin Dybalën, por sipas të përditshmes “Mundo Deportivo”, Josep Maria Bartomeu dhe bashkëpunëtorët e tij nuk janë dorëzuar ende.

Aktualisht sulmuesi i Juventusit vlerësohet rreth 140 milionë euro dhe në Barcelonë po planifikojnë një ofensivë për t’i marrë Allegrit një nga “xhevahiret” më të çmuara të organikës.

Përveç pagesës së një shume prej 140 milionë eurosh nga Barcelona mund të vijë një ofertë që do t’i lëkundte jo pak themelet e “Vinovos”.

Në fakt po sipas “Mundo Deportivo”, Barcelona po mendon edhe një tjetër ofertë, sipas së cilës mund t’i dorëzojë Juves 90 milionë euro, plus kartonin e Andres Iniestës. Spanjolli nuk është më i ri, por pavarësisht 33 viteve të tij mbi shpinë, klasi duket i paprekur nga koha.

Emri i tij bashkë me milionat e shumta do të vinte seriozisht në dilemë qëndrimin e Dybalës në Torino. Për merkaton ka pak më shumë se tri javë kohë dhe gjithçka mund të ndodhë.
Sigal