“Ballist” Morina “merr frymë”, ekstradimi mund të hidhet poshtë

244
Ai quhet Ismail, dhe është autori i ngritjes së dronit në stadiumin e Beogradit, ku ai flamur i autoktonëve solli më pas atë dhunë, që për nga përmasat i ngjau një shekulli më parë, kryesisht i denjë për sportin e boksit në versione dhune. Nga 14 tetori 2015 e deri më sot, “Ballisti” ka kaluar disa peripeci, në Shqipëri e jashtë saj, ndërsa e fundit ka lidhje me Kroacinë. Sepse ky shtet e ka ndalur Ismail Morinën, në bazë të një urdhër arresti ndërkombëtar që Serbia ka lëshuar për arrestimin e tij. Gjykata e shkallës së parë e qytetit të Dubrovnikut në Kroaci, ka dhënë vendim për ekstradimin e tij në Serbi, por dje ka ardhur edhe një lajm i mirë, pasi gjykatësi kroat Pero Miloglav, në një intervistë për gazetën “Vecrenje Novosti” sqaroi se, ky vendim ka shumë mundësi të hidhet poshtë në instancat më të larta. Gjykata e Lartë e Zagrebit do të japë vendimin përfundimtar, dhe gjykatësi Miloglav deklaron se, mundësitë që kjo gjykatë ta anulojë ekstradimin janë të mëdha. Por, edhe në rast se organi më i lartë gjyqësor në Kroaci e konfirmon dënimin, do të jetë ministri kroat i drejtësisë, Drago Boshnjak, ai që do të vendosë në lidhje me ekstradimin në Serbi.