“Baba Aliu”, shentori i sportit

582
Sigal

 I jepet lamtumira Ali Kastratit/ Flasin, Ismet Bellova, Isa Tare, Ilir Lame, Ahmet Golemi, Rrahman Perllaku

Dje ju dha lamtumira e fundit sportistit, trajnerit, masazherit, fizioterapistit dhe njeriut të rrallë, Ali Kastrati. Arkivoli me trupin e tij u vendos në hollin e TOB prej orës 11-00 deri në orën 13-00 ku dhe u nis për në banesën e fundit. Në homazhet që u zhvilluan në TOB u vu re një pjesëmarrje e jashtëzakonshme, pasi ashtu ishte dhe ai, njeri i jashtzakonshëm, sportist  dhe masazher i pazëvëndësueshëm.  Ishin me dhjetra kurora me lule që rrethuan arkivolin ku binte në sy kurorat e panumërta nga klube sportive, nga shoqata sportive por dhe nga sportistë të veçantë. “Baba Aliu” siç i thërrasin dhe sot të gjithë sportistët  iku mes dhimbjes së thellë që la pas tek familjarët, miqtë, sportistët dhe shumë të njohurve të tij në të katër anët e vendit.

 Ahmet Golemi

 Njohja ime me Profesor Ali Kastratin ka qenë rastësi.  Dhe rastësia është nj kategori filozofike  që quhet  mbreti i botës.  Jam njohur në shtëpinë e pionierit në mëso gaboj ka qenë shtator i vitit  1950 ku unë u regjistrova në klasën e boksit. Ai ishte njeriu që më veshi për herë të parë dorezat e boksit.  Ai më preku me dorë në mënyrë të shenjtëruar dhe pastaj më bekoi për rrugën që po merrja në këtë sport të rëndë dhe të bukur.  Pra më bekoi për nj rrugë të gjatë , interesante që u bë jeta ime e dytë. Ai më ka dhënë shumë në jetë, por dhe unë nëpërmjet cilësive, vetive që ndoshta i kisha të trashëguara, për një sport delikat justifikova gjithçka. Ali Kastrati ishte dhe mbetet figurë historike, ai si  qenie njerëzore ka mbajtur një peshë të madhe fizike morale, dhe psikologjike.  Ai mbetet protagonisti i rrallë shqiptar në tre sporte të rënda siç ishin në boks, në mundje dhe në ngritje peshe.  Ka qenë vetë sportist dhe pastaj trajner. Boksi e tërhoqi më shumë dhe ai përgatiste me dhjetëra boksierë. Unë  figurën e tij si boksier dhe trajner të boksit do ta përkufizoj me dy fjalë “Ikona e dorezave të boksit”. Unë ndihem krenar që kam pas nderin ta kem pas trajner në kohën  kur ai ishte trajner i “Partizanit” dhe nën drejtimin e tij dola dy herë kampion.  Pastaj ai ishte dhe trajner i ekipit kombëtar të boksit.  Ne u shpallëm në anketën e gazetës Sporti në 15 figurat historike të ringut shqiptar me Todi Jankun, Ali Kastratin, unë etj…Por më shumë më ka lidhur jeta jashtë sportit, sepse ai ishte një njeri shumë i respektueshëm, i dashur, i afrueshëm, por ai si masazhator dhe fizioterapist ngelet njeriu që ka ndihmuar mijëra e mijëra njerëz. Ka ndihmuar dhe balerinët e baletit apo kërcimtarë. Ishte i gjendur kudo që kërkohej si fizioterapist edhe kur e kërkonin në lagje apo në shoqëri. Neve krenoheshim sepse ai ishte dhe mbetet si një qenie olimpike. Ai ishte nj familjar i mrekullueshëm dhe sot më duket sikur ai na ka mbledhur se si të diskutojmë për sportin e boksit.

  Ismet Bellova

Unë jam rrit me Ali Kastratin  që të vegjël, në mëhallën e dibranëve të famshëm këtu në Tiranë. Kemi qenë me shtëpi afër dhe afër dhe hynim e dilnim me nejri tjetrin. Ai si më i madh më mbante gjithmonë pranë. Ai ishte njeri i  thjeshtë, i dashur, i sinqertë, shpirtmadh.  Ndërsa meritat e tij në sportet e rënda është i pazëvendësueshëm. Gjoksi i tij si sportist ishte mbushur me medalje sa asnjë tjetër.  Fitoret tij  në boks, mundje, ngritje peshe janë të jashtëzakonshme.  Ai për mua mbetet babai i sporteve të rënda. Jo vetëm si sportist por edhe si trajner. Njeri me merita të jashtëzakoshme që i ka shokët  e rrallë në botën e sportit. Por për mua meritat më të mëdha ai i ka në vlerat njerëzore, sepse duke  qenë një fizioterapist i klasit të parë në Shqipëri, me shpirtin e tij, me duart e tij të arta ka shëruar mijëra njerëz jo vetëm në botën e sportit por edhe njerëz të thjeshtë të paralizuar, njerëz me probleme. Mbetet një njeri human i një lloji të veçantë. Me ikjen e Aliut ne humbëm shumë, sepse ai mbetet i patjetërsueshëm, si boksier, mundës, peshëngritës, si trajner, fizioterapist. Komuniteti i sportit humbi njeriun më të devotshëm.

  Ilir Lame (ish futbollist i Kombëtares)

Baba Aliu siç i thoshim ne për shpirtin e tij bujar  dhe për moshën, mbetet njeri i rrallë.  Nuk ka sportist në Shqipëri që si sportist të mos ketë kaluar në dorën e tij. Për çdo problem masazhi jo vetëm ne të klubit “Partizani” por edhe të gjithë sportistët e tjerë shkonin tek ai. Ai ishte nj sportist i paarrirë ndrysa si fizioterapist mbetet më uniku. Kaq të kompletuar unë skam parë njeri në jetë. Mbaj mend që pata një këputje ligamenti. Ishte mes javë dhe po bënim nj ndeshje miqësore me shkollën e Bashkuar. Në mes të ndeshjes pata këtë këputje. Me vrap erdhi “Baba Aliu”.  Duart e tij ishin magji. Ishte vitit 1981. këmba ime u bë dhe më mirë si më parë. Se si i lëvizte duart, se si manovronte, më dukej vetja se isha në duart e nj shenjtori.

 Isa Tare (sportist)

 Vdekja e Ali Kastratit është nj humbje e madhe për sportin shqiptar. Me Ali  Kastartin jam njohur që në vitin 1958 kur kam  filluar stërvitjen me shkollën ushtarake “Skënderbej”. Baba Aliu erdhi dhe na bënte përzgjedhjen për boks. Ne kishim dëgjuar shumë për të dhe të qenit e tij në këtë përzgjedhje na emocionoi.  Ai ishte  që më futi në gjak boksin. Mënyra se si an foli na mahniti. Pastaj erdhën ditët e stërvitjes ku ai na mësonte, na ndihmonte, i papërtuar, gjithmonë i qeshur, korrekt, njeri me vlera të veçanta. Ai mbetet babai i të gjithë sporteve të rënda.  Ai e ktheu klubin “Partizani” në nj klub model në tre sportet e rënda, në mundje, në boks dhe në peshëngritje.  Pastaj si fizioterapist dhe masaxher ai mbetet i rangut botëror. S’ka sportist që se ka ndjerë dorën e tij, fjalën e tij të ëmbël. Ai mbetet një njeri i paarritshëm, njeri me vlera të padiskutueshme. Fjala e tij të e ngrohtë të jepte vrull.  Unë mbaj që në një kampionat në Shkodër, nuk më futën në  ndeshje pasi isha i vogël në moshë, por kisha trup të madh. Sa keq më erdhi. Por fjala e Ali Kastratit më ngrohu. Mbaj mend se në atë kampionat na vdiq në ring një Skënderbegas. Shkodra i bëri një varrim madhështor.  Lidhjet e mia  me të pas kësaj dite ishin shumë të ngushta. Ai më ka ndihmuar në çdo hap të sukseseve të mia.

 Rrahman Përllaku (ish-Zëvëndësministër i Mbrojtjes)

 Aliun e kam pasur 11 vjet në vartësi kur kam qenë Zëvendësministër i Mbrojtjes.  Unë e njihja që në fillimet e tij si sportist dhe kam ngel i befasuar nga përgatitja e tij. Pstaj e njoha dhe si njeri.  Duke qenë se ai ishte i ekipit të “Partizanit” sigurisht ai ka qenë nën vëmendjen time por edhe të udhëheqësve të Ministrisë. Aliu ka qenë sportist në tre disiplina por për ne ishte dhe një njeri i pakrahasueshëm, Sa e sa herë ai na ka ndihmuar për fizioterapi apo masazhe. Duart e tij ishin flori. Kur na vritej një sportist ne shqetësoheshim të gjithë. Por kishim një prapavijë të sigurt. Menjëherë ndërhynte Ali Kastrati dhe nis ai sportist në kushte normale do të donte 10 ditë të rehabilitohej, Ali e sillte në formë për tre ditë.  I bënte sportistët të mos e ndjenin dhimbjen. Në kujtesën time ai ekziston si njeri i shenjtë që mund të quhej dhe baba i sportistëve, por dhe nëna nga ana humane, për ti bërë njerëzit të mos vuajnë. Unë e kam ruajtur që athere shoqërinë me të pasi ishim dhe vërsnik, dy vjet më i madh jam unë. Edhe kur isha në burg, edhe pas burgimit shoqëria ime me të ishte po ajo e fortë dhe me shumë respekt.