Autokritika e Partizanit nis me Lushnjën

516
Sigal

Të kuqtë do të përballen sot me lushnjarët. Në fazën e parë humbën 2-0 në “Roza Haxhiu”

Partizani synon sot (14:00) fitoren ndaj Lushnjës në ndeshjen e hapjes të javës së 19-të të Kategorisë Superiore, jo vetëm për të marrë revanshin pas humbjes 2-0 në fazën e parë në “Roza Haxhiu”, por dhe për të harruar humbjen dramatik në derbin me Tiranën, që e komplikoi jo pak situatën në kampin e kuq, duke sjellë edhe dorëheqjen e ish-trajnerit Hasan Lika. 15 herë kampionët e Shqipërisë ndodhen në vendin e 4-t, por me një fitore në “Qemal Stafa” i kanë të gjitha mundësitë të rikthehen në vendin e dytë, me shpresën për ndonjë hap fals të Teutës në sfidën me Skënderbeun (ditën e hënë, 18:00). Partizani tashmë drejtohet nga portugezi Marcio Sampaios, i cili synon një debutim me fitore. Në “Qemal Stafa”, Partizani mund të konsiderohet një ekip i suksesshëm, pasi në nëntë takime ka regjistruar pesë fitore, tre barazime dhe një humbje me Vllazninë (0-1, më 26 tetor 2013).

Migen Memelli është një prej nëntë futbollistëve të Partizanit që u bë pjesë e skuadrës gjatë merkatos së janarit. Megjithëse, kanë kaluar dy takime nga rifillimi i kampionatit, sulmuesi ende nuk ka debutuar me fanellën e kuqe. Tashmë e ka kaluar dëmtimin dhe është plotësisht gati. Pritet që të jetë në fushë sot ndaj Lushnjës. Kapiteni Alban Hoxha rezulton mungesa e vetme e Partizanit për ndeshjen e së shtunës ndaj Lushnjës. Portieri i të kuqve ka plotësuar numrin tre të kartonëve të verdhë dhe në këtë mënyrë është i skualifikuar. Kurse të gjithë lojtarët e tjerë do të jenë gati për këtë takim. Nga ana saj, Lushnja vjen pas barazimit 0-0 me Kastriotin, me lushnjarët që nuk fitojnë prej pesë ndeshjes, më saktësisht nga fitorja 2-1 me Tiranën, më 30 nëntor 2013. Në ndeshjen e fundit në transfertë, Lushnja humbi thellësisht 6-2 me Teutën në “Niko Dovana”, me të cilën humbi të mërkurën 4-2 në ndeshjen e parë çerekfinale të Kupës së Shqipërisë. Lushnja nuk ka fituar asnjë prej 9 ndeshjeve në transfertë gjatë këtij sezoni, duke regjistruar 1 barazim dhe 8 humbje. Interesant është fakti, se në 32 ndeshjet e fundit midis dy skuadrave, nga sezoni 1999-2000, të dy ekipet kanë një ekuilibër të plotë midis tyre, me nga 12 fitore secila dhe 8 barazime. Shënuesit më të mirë të dy ekipeve këtë sezon janë Renato Hyshmeri e Julian Malo për Partizanin dhe Mikel Canka e Lorenc Trashi për Lushnjën, secili me nga katër gola.

5 fitore

ka arritur Partizani në nëntë ndeshjet e tij në “Qemal Stafa”, duke regjistruar pesë fitore, tre barazime dhe një humbje me Vllazninë

0 fitore

ka regjistruar Lushnja në nëntë ndeshjet në transfertë gjatë këtij viti, duke pasur një bilanc prej tetë humbjesh dhe një barazimi

 

 

 

KATEGORIA SUPERIORE

JAVA XIX

 

Të shtunën, 15.02.2014

Kastrioti-Vllaznia      14:00

Partizani-Lushnja             14:00

Të dielën, 16.02.2014

Flamurtari-Laci          13:00

Besa-Kukësi              13:00

Bylis-Tirana              13:00

Të hënën, 17.02.2014

Teuta-Skënderbeu     18:00

RENDITJA

1     Skënderbeu 18   37

2     Teuta                  18   28

3     Laçi                     18   27

4     Partizani             18   27

5     Kukësi         18   27

6     Besa                    18   25

7     Flamurtari           18   25

8     Bylis                   18   23

9     Vllaznia       18   22

10   Lushnja        18   19

11   Kastrioti             18   18

12   Tirana          18   16

Të hënën, supersfida Teuta-Skënderbeu

 Superpërballja e javës së 19-të është ajo midis Teutës e Skënderbeut, dy ekipeve që ndajnë dy vendet e para, por me korçarët që kryesojnë me +9 pikë. Një fitore e durrsakëve të drejtuar nga italiani Roberto Sorrentino mund të hapë skenarë të rinj sa i përket garës për titull, pasi diferenca do të reduktohej në vetëm gjashtë pikë. Ndeshja do të luhet nën ndriçimin e projektorëve (18:00) dhe pritet të dhurojë një spektakël të vërtetë në fushën e blertë, pasi përballën dy skuadra që kanë dhuruar futbollin më të bukur deri në këtë fazë të kampionatit, duke pasur parasysh edhe kontingjentin e lojtarëve që kanë të dyja skuadrat. Teuta ka në gjirin e saj golashënuesin më të mirë te sezonit, Daniel Xhafajn (10 gola), ndërkohë që, bomberi kroat i Skënderbeut, Pero Pejiç, ka shënuar tre gola në dy ndeshjet e fundit kundër Laçit, për kampionat dhe kupë.

 

Të dyja skuadrat ndodhen në katër vendet e fundit që bien direkt nga kategoria

 Kastrioti-Vllaznia, një sfidë mbijetese

 Kategoria Superiore është futur në një fazë, ku çdo ndeshje luhet për objektiva të rëndësishme, për titullin kampion ose për të mos rënë nga kategoria. Vetë struktura e kampionatit si dhe renditja e përgjithshme bën që të gjitha sfidat të ndiqen me shumë interes. Java e 19-të nis sot me dy ndeshje interesante, Kastrioti – Vllaznia dhe Partizani-Lushnja, rezultatet e të cilave do të jenë përcaktuese për ecurinë e kampionatit. Në Krujë kemi një përballje direkte për luftën për mbijetesë, ku vendasit pas dy barazimeve me Tiranën dhe Lushnjën, kanë vetëm një objektiv, fitoren. Ndryshe nga Kastrioti, Vllaznia mund të kënaqet edhe me një barazim, duke besuar se në sfidat e shtëpisë do të marrë pikët maksimale. Të dielën zbret në fushë Tirana e Gugash Maganit në transfertën e vështirë të Ballshit, me Bylisin që të paktën në fushën e tij mbetet një nga ekipet më të forta të kampionatit. Bardheblutë kërkojnë t’i japin më shumë vlerë suksesit në derbi përballë një kundërshtari direkt për mbijetesë. Pritet me shumë interes edhe reagimi i Kukësit pas largimit të trajnerit Naxhi Shensoj që u zëvendësua nga Sulejman Starova, me shkëndijën e parë që u dha në Kupë ndaj Bylisit në transfertë. Ndaj kavajasve nuk do të jetë aspak e lehtë, pasi formacioni i Artan Mërgjyshit vjen me moralin e lartë pas fitores mbresëlënëse 4-1 në fushën e Flamurtarit. Po të dielën zhvillohet edhe Flamurtari-Laçi, me vlonjatët që do të kërkojnë të shfrytëzojnë lodhjen fizike të kurbinasve ndaj Skënderbeut, për të rikuperuar pikët por edhe moralin e rënë pas disfatës me Besën. Superliga kryesohet nga Skënderbeu me 37 pikë, i ndjekur nga Teuta me 28. në katër vendet e fundit, pra ato që bien direkt nga kategoria për momentin janë Vllaznia, Lushnja, Kastrioti dhe Tirana.

  Kategoria e Parë, sfida interesante

 Apolonia (34 pikë) do ta mbrojë kryesimin e Kategorisë së Parë ndaj një Ade të dukshme më inferiore, në ndeshjen e vlefshme për javën e 17-të. Kjo do të jetë ndeshja e parë që do të luhet nën ndriçimin e projektorëve në “Loni Papuçiu”, pasi takimi do të nisë në orën 17:00. Elbasani i vendit të dytë (33 pikë) do të përballet me Luftëtarin, me gjirokastritët që nuk po bëjnë një sezon të mirë, ndërsa Dinamo (30) do të udhëtojë në Pukë. Tomori (30) do të luajë të dielën ndaj Mamurrasit të vendit të fundit.

KATEGORIA E PARË

JAVA XVII

Sot, 15.04.2014

Tërbuni-Dinamo               14:00

Elbasani-Luftëtari      14:00

Kamza-Shkumbini     14:00

Pogradeci-Burreli             14:00

Himara-Butrinti         14:00

Albpetrol-Veleçiku   14:00

Apolonia-Ada            17:00

Nesër, 16.02.2014

Mamurrasi-Tomori           14:00

RENDITJA

1     Apolonia             16   34

2     Elbasani              16   33

3     Dinamo        16   30

4     Tomori         16   30

5     Tërbuni        16   29

6     Butrinti        16   27

7     Pogradeci            16   25

8     Shkumbini          16   25

9     Burreli         16   17

10   Himara         16   16

11   Ada              16   16

12   Luftëtari              16   15

13   Albpetrol            16   13

14   Veleçiku             16   13

15   Kamza                16   13

16   Mamurrasi          16   9