Autogoli i Lorik Canës, ndër pesë më të bukurit e 2012-s

489
Sigal

Mbrojtësi shqiptar i Lacios shënoi në portën e tij në ndeshjen kundër Sienës për Kupën e Italisë

Staticienët dhe specialistët e futbollit nuk merren më vetëm me anketimet për të përcaktuar golat më të bukur, por tani edhe me autogolat më të spikatur. Pikërisht, një autogol i realizuar nga mbrojtësi-mesfushor i Lacios, Lorik Cana, është përfshirë në “Top 5” autogolat më të bukur të vitit futbollistik 2012. Madje, ironikisht disa nga autogolat e realizuar në të gjitha kampionatet në mbarë botën kanë qenë me të vërtetë spekatoklarë, aq sa e ka bërë jo të lehtë përzgjedhjen e tyre. Pikërisht, faqja zvicerane “20 minuten” hartoi edhe listën e pesë autogolave më të bukur.

 5. Mikael Siani dhe Lorik Cana

 Liga 1 franceze ka disa përfaqësues të saj në kampionatin italian. Pikërisht, një dyshe e talentuar e formuar në skuadrat transpalpine luan për Lacion e Romës: Lorik Cana dhe Mikaiel Siani. Të dy ishin bashkautorë dhe bashkëfajtorë në autogolin e realizuar nga Lorik Canë në ndeshjen kundër Sienës së Erjon Bogdanit, një takim i vlefshëm për Kupën e e Italisë. Siani, një ish-lojtar i Bordosë tentoi të largojë një top nga zona, që në mënyrë të pavullnetshme u përplas në gjoksin e ish-lojtarit të Paris Sën Zhermenit, Lorik Canës, dhe përfundoi në rrjetë. Cana ishte tërësisht i pafajshëm, por videoja e autogolit bëri xhiron e botës.

 4. Garet Bejl

 Në një ndeshje kulmore me Totenhemin, Garet Bejli meriton të figurojë në këtë listën speciale. Gjatë një ndeshje kundër Liverpulit, uellsiani ndodhej thjesht në vendin e gabuar, në momentin e gabuar dhe duke kryer një goditje të gabuar: një goditje me kokë kundërs portës së tij, duke lënë të befasuar shokët e skuadrës, trajnerin dhe tifozët. Një top i goditur me shumë art.

 3. Marko Vejinoviç

 Nëse ai do të kishte realizuar një gol të “mirë”, Marko Vejinoviç do të ishte përfshirë në Top 5 për realizimet më të bukura të vitit. Lojtari i Herakles në kampionatin holandez “mashtroi” portierin e tij, kur me një gjuajte të mrekullueshme në formë voleji shënoi një autogol të rrallë në humbjen kundër Groningenit (0-2). Një teknikë e bukur në çdo rast.

 2.  Matias Apelt

 Ndonjëherë të ndjek fati i mirë, por herë tjetër dhe ai keq. Kjo i ndodhi uruguaianit Matias Apelt, gjatë humbjes së skuadrës së rij, Progreso kundër Nacional Mondivideo, në atë rezultat të thellë negativ 1-6. Matias Apelt tregoi ironikisht klasin e tij, duke realizuar kundër portierit të skuadrës së tij, për ta bërë edhe me tragjikomike humbjen. Gjithsesi, autogoli vetëm sa i shtoi pak dozë humori dështimit.

 1. Mirnes Sisiç

 Është ky fituesi i autogolit më të bukur, në listën e hartuar nga zvicerania “20 Minuten”. Sulmuesi slloven i OFI-t të Kretës në kampionatin grek, shënoi një autogol spektakolar, me një precizion aq të saktë, sa nuk do të kishte portier në botë që ta ndalte. Natyrisht, edhe portieri i skuadrës së tij. Një autogol që e shtoi më shumë hidhërimin në humbjen kundër Panionosit.

Gjatë këtij viti futbollistik, korçarët kanë regjistruar 31 fitore në 43 ndeshje

 Skënderbeu, “mbreti” i vitit

 Skënderbeu mbetet skuadra më e fortë e futbollit shqiptar dhe pavarësisht kontestimeve për mënyrën e rezultateve të arritura, statistikat flasin për një superskuadër, që në 2012 ka regjistruar një ecuri fantastike. Që nga ndeshja e parë e këtij viti më 8 shkurt ndaj Pogradecit, korçarët kanë regjistruar 43 ndeshje midis kampionatit, Kupës, Superkupës dhe Champions League. Kampionët kanë një ecuri mbresëlënëse me 31 fitore, 6 barazime dhe po kaq humbje. Nëse këto rezultate do ti llogarisim me vlerën e tre pikëve atëherë Skënderbeu ka grumbulluar në total për vitin 2012, 99 pikë me një mesatare prej 2.3 pikë për ndeshje. Humbjet e Skënderbeut janë të pakta. Dështimi i parë në këtë vit kalendarik erdhi në Vlorë, në sfidën e vlefshme për Kupën e Shqipërisë më 14 mars me një rezultat të pastër 0-3. Pak më shumë se dy javë më pas vjen humbja e vetme në shtëpi për 2012, dhe ishte Teuta që triumfon me një gol të realizuar nga Cota. Nga ky rezultat Skënderbeu reagon me disa fitore radhazi duke triumfuar mbi Lacin, Kastriotin dhe Tiranën. Humbja e tretë vjen sërish në një fushë të nxehtë, në Vlorë më 22 prill me rezultatin minimal 1-0. Megjithatë kjo humbje nuk prishi rrugëtimin e Skënderbeut që mundën të ruanin titullin kampion në përfundim të kampionatit. Por fundi i sezonit sjell një tjetër humbje pasi më 17 maj në Qemal Stafa humbet finalen e Kupës së Shqipërisë të fituar nga Tirana. Rikthimi në fushë është i mirë pasi kampionët marrin fitoren e parë në Champions League ndaj Debrecenit me rezultatin 1-0, një fitore që mund të kishte qenë edhe më e thellë. Por sfida e kthimit dhuron një humbje të hidhur që shoqërohet me eleminim në Hungari me rezultatin 3-0. Humbja e fundit vjen sërish nga Tirana që në finalen e Superkupës triumfon 2-1, duke u bërë kështu i vetmi ekip që mposht Ujqërit e Dëborës dy herë brenda një viti. Impresionuese janë dhe shifrat e golave pasi korcarët kanë shënuar 88 dhe pësuar 35 gola në 2012, duke realizuar një mesatare shënimi prej 2 golash për ndeshje.

 Hasan Lika: “Partizani, jashtë shtetit për fazën përgatitore”

  Partizani do ta zhvillojë fazën përgatitore dimërore jashtë Shqipërisë. Lajmin e konfirmoi koordinatori i merkatos së “demave të kuq”, Hasan Lika. 15 herë kampionët e Shqipërisë synojnë rikthimin pas tre sezonesh mungesë në Kategorinë Superiore, teksa presidenca e “kuqe” nuk do të kursejë asgjë për të realizuar obektivin madhor. Partizani po e shfrytëzo këtë periudhë të fundvitit për të rindërtuar grupin për fazën e dytë të kampionatit. Hasan Lika, koordinatori i merkatos së të kuqve, njëkohësisht anëtar i Bordit drejtues, shpjegon për Sportneës se deri në fundjavë do t’u jepet mundësia shumë futbollistëve të rinj që pretendojnë të veshin fanellën e kuqe, duke pranuar vetëm ata që vërtet mund të japin kontribut për Partizanin. “Po vazhdojnë përgatitjet, sepse jemi në rindërtim të skuadrës. Janë bërë disa ndryshime nga ai ekip që mbylli fazën e parë dhe tashmë po seleksionojmë disa futbollistë që kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të dhënë kontributin për Partizanin. Natyrshëm që do të vazhdojmë stërvitjen edhe këto ditë, e më pas do të nisim minifazën përgatitore të dimrit në ditët e para të janarit, ashtu si gjithë skuadrat e tjera”, tha Lika, i cili konfirmoi gjithashtu se minifazën e janarit Partizani do ta zhvillojë në kushte shumë të mira jashtë Shqipërisë. “Do të shkojmë të stërvitemi jashtë Shqipërisë në kushte sa më të mira. Besoj se do ta kemi ndërtuar pjesën më të mirë të skuadrës deri momentin që do të nisemi për fazë. Deri në fund ta janarit do të ketë një stërvitje të fortë të lojtarëve, në mënyrë që ta përballojnë me sukses fazën e dytë të kampionatit”, pohoi drejtuesi i merkatos së të kuqve. Pozicioni aktual në tabelë si ndërtimi i një skuadre më të fortë sipas Hasan Likës japin garanci për ngjitjen e Partizanit në Superiore. “Partizani bëri një fazë të parë shumë të mirë dhe gjatë këtyre ditëve kemi bërë diçka më të mirë, ku kemi afruar disa lojtarë cilësorë për kampionatin tonë. Partizani i mungon të gjithëve dhe ne shpresojmë që tua realizojmë dëshirën tifozëve që ta rikthejmë skuadrën në Superligë, aty ku i takon”, përfundoi koordinatori i merkatos së “demave të kuq”, Hasan Lika.

 Luftëtari me “armë të reja” në fazën e dytë

 Luftëtari, i rikthyer në Kategorinë Superiore, si kampioni i Kategorisë së Parë, bëri një fazë të parë jo të mirë, duke u renditur në vendin e 12-të (me 11 pikë), pra në zonën e rënies direkt nga kategoria. Mjeshtri i njohur i futbollit gjirokastrit dhe ish-lojtari i Kombëtares shqiptare, Sefedin Braho, aktualisht në rolin Drejtorit Sportiv, bëri një analizë të afazës së parë.

“Menduam të ndërtonim një ekip cilësorë dhe eksperiencë, si Shenaj, Shameti, Beqiri, Licaj dhe dy serbët Miliç dhe Nikoliç. E nisëm mirë duke marë rezultate të kënaqshme, por më pas dëmtimet e shumta të lojtarëve bazë, beri që ekipi të humbasë ekuilibrat e veta. Po punojmë që, në merkaton e janarit të afrojmë futbollistë cilësorë. Kriteri ekonomik nuk do të mungojë në fazën e dytë, pasi Presidenti Flamur Bime dhe donatori Qazim Muho sigurojnë garanci të plot financiare”. Luftëtari pati në drejtim të skuadrës Nevil Deden, por pas vetëdorëheqjes së tiranasit, tashmë bluzinjtë drejtohen nga trajneri Edi Martini. Gjirokastritët do të nisin fazën përgatitore dimërore, më 4 janar.

 24 milionë ndryshojnë “Loro Boriçin”

 Lajme të mira për stadiumin “Loro Boriçi”. Po mendohet ndërhyrja në tribunën qendrore të tij me qëllim bërjen e saj sa më funksionale në mënyrë që në këtë stadium të zhvillohen edhe ndeshjet e kombëtares sonë. Përveç Bashkisë, interes për ta përfunduar atë sipas projektit të ri kanë shfaqur edhe pesë biznesmenët shkodranë që duan të marrin klubin Vllaznia në përdorim. Nëse Bashkia ua beson klubin atyre, ata kanë marrë përsipër rregullimin e kësaj tribune. Nga sa bëhet e ditur, mendohet që grupi prej pesë biznesmenëve ka marrë përsipër të shpenzojë rreth 240 milionë lekë të vjetra për këtë qëllim. Plani është që të prishet krejtësisht pjesa qendrore e tribunës, aty ku janë të vendosura zyrat, ku është tribuna VIP dhe vendi I gazetarëve dhe të ndërtohet një tribunë e re, e mbuluar me rreth 400 vende të ndenjura. Do ketë edhe zyra të reja, një tribunë VIP më të madhe, banjo për këtë pjesë të tribunës sepse ato kanë munguar deri tani dhe përpos tyre, më në fund mund të ketë vende komode për gazetarët.

  Ronaldo, pranë largimit nga Reali

 Oferta e Real Madridit ishte e qartë: zgjatje e kontratës deri në vitin 2018 me një rritje të rrogës deri në nivelin e 15 milionë eurove në sezon. Pavarësisht këtyre shifrave të çmendura Kristiano Ronaldo ka thënë jo, qëllimi tij është ai për të respektuar kontratën aktuale që skadon në vitin 2015, për të kërkuar më pas një tjetër skuadër. Sigurisht në Madrid nuk dëshirojnë ta humbasin me parametër zero dhe në fund të vitit mund të fillohen tratativat për shitjen e lojtarit te Paris Saint Germain ose te Manchester United, ish skuadra e tij. Vendimi i sulmuesit portugez, siç shkruan gazeta madrilene AS, është i parevokueshëm dhe ndjek muaj të shumtë ku janë zhvilluar tratativa impenjative ndërmjet shoqërisë dhe lojtarit.

 Mesi refuzon 30 milionë euro në sezon

 Gazeta madhe katalanase ‘Mundo Deportivo’ ka lëshuar bombën në këtë fund viti: një klub rus kërkonte shërbimet e Leo Mesit dhe ishte i gatshëm për gjithçka. Gazeta katalanase shkruan në artikull, për këtë skuadër ruse, të cilës nuk i përmendet emri, ka ofruar 30 milionë euro në vit, për tre sezone, ndaj fenomenit argjentinas dhe ishte gati të paguante te Barcelona klauzolën e largimit që parashikon një shumë në nivelin e 250 milionë eurove. Pleshti ka dëgjuar propozimin, por e ka refuzuar. Në fakt ka rinovuar kontratën deri në vitin 2018 me blaugranat. Një çmenduri me të gjithë kuptimin e fjalës, ajo e rusëve. Një shenjë dashurie, ajo e Leo Messi, që ka preferuar të vazhdojë te Barcelona.