Astrit Maçi: “Futbolli shqiptar po merr nuanca spanjolle”

919
Sigal

 Shefi i Sektorit Teknik në FSHF: “Me licencat ‘UEFA PRO’, trajnerët tanë kanë hyrë Bashkimin Europian”

 Astrit Maçi, Përgjegjësi i Sektorit Teknik të Federatës Shqiptare të Futbollit, tha për gazetën “Telegraf” se, “Kursi i trajnerëve për licencën “UEFA Pro” është niveli më i lartë i “shkollimit” të një trajneri. Kjo bëhet për herë të parë në vendin tonë. Ai theksoi edhe dobinë e lidhjeve të trajningut shqiptar me lektorët më famë italianë, të cilët nga viti 2004 po japin leksione për trajnerët shqiptarë, por së fundi në Shqipëri ka ardhur edhe koordinatori e famshëm të ekipeve kombëtare spanjolle, Hines Menendez. Literatura, mësimdhënia dhe metodologjia është e njëjtë si në Shqipëri ashtu dhe ne Itali. Tutori i Sektorit Teknik të Federatës Shqiptare të Futbollit është Italia, më të cilën FSHF ka nënshkruar edhe një marrëveshje shumëplanëshe bashkëpunimi, të firmosur nga Presidenti Armand Duka dhe homologu i tij italian, Xhankarlo Abate. Në vendin tonë po zhvillohet për herë të parë kursi për pajisjen e trajnerëve me licencën “UEFA PRO”, ndërkohë që rregullisht prej disa vjetësh jepen licenca të nivelit “UEFA C”, “UEFA B” dhe “UEFA A”.

 – Zoti Maçi, Sektori Teknik i Federatës Shqiptare të Futbollit, prej disa muajsh po zhvillon kursin e trajnerëve “UEFA Pro”. Çfarë është ky kurs?

– Kursi i trajnerëve për licencën “UEFA Pro” është niveli më i lartë i “shkollimit” të një trajneri, apo niveli “master”. Kjo bëhet për herë të parë në vendin tonë. Duhet të theksoj një fakt se, këtë kurs trajnimi nuk e kanë filluar ende dhjetë vende të  tjera në Europë, pra që bëjnë pjesë në UEFA. Kjo, dhe për faktin se ka një përiudhë të caktuar kohore nga “UEFA C”, pra niveli më i ulët i licencës për trajner dhe deri tek ai “UEFA Pro”, më i larti. Ne i kemi kaluar të gjitha këto etapa, për të cilën ne punojmë që nga viti 2004.

 – Cilat janë tutorët e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Sektorit Teknik për zhvillimin e këtyre kurseve?

– Janë dy tutorë, nga më të rëndësishmit në Europë dhe në Botë: shkolla e trajnerëve të Koverçanos, në Itali, e përfaqësuar me Dr.Paolo Pianin, dhe drejtori teknik i Shkollës së Trajnerëve Spanjollë dhe koordinatori i ekipeve Kombëtare të Spanjës, Hines Menendez. Të dy kanë ardhur në Shqipëri, të dërguar nga UEFA. Bashkë me ta, në përcaktuam të gjitha detajet dhe programin e kursit të trajnerëve të licencës “UEFA Pro”. Mbledhja, ku dhe u hodhën piketat e kursit u bë, më 3 shtator të vitit të kaluar, ndërsa periudha e parë zgjati deri më 11 shtator.

 – Cili është programi i një kursi, cilin model ndjek Shqipëria?

 – Programet e kurseve janë të unifikuara në të gjithë, pasi dhe programi vjen nga UEFA: numri i orëve, shtrirja në kohë. Ne, në Shqipëri e bëjmë për një vit, por ka vende të tilla si Gjermania, apo ndonjë tjetër që kursin “UEFA Pro” e shtrin në një periudhë gjashtëmujore. Ne e bëjmë sipas modelit italian dhe spanjoll, të cilët shfrytëzojnë gjithë vitin, kryesisht kur grumbullohet ekipi Kombëtare. Kjo me qëllimin, që në atë periudhë trajnerët të mos kenë impenjime për ndeshjen e radhës.

 – Cilët trajnerë morën pjesë në kursin e parë?

 – Meqenëse është dhe kursi i parë “UEFA Pro” që, zhvillohet në Shqipëri, atëherë edhe pjesëmarrja është më ftesë, ashtu siç ka ndodhur edhe në vendet e tjera. Kjo do të thotë që, nuk marrin pjesë vetëm ata që plotësojnë të gjithë kriteret, por dhe ata që punojnë aktualisht në fushë. U ftuan të gjithë trajnerët e Kategorisë Superiore, njëkohësisht edhe trajnerët që merren me ekipet kombëtare.

 – Zoti Maçi, nga cili vit kanë nisur kurset e para për licencat “C” të trajnerëve?

 – Kanë nisur nga viti 2004. Duke i kaluar të gjitha nivelet, pra “C”, “B” dhe “A”, tani ne jemi në nivelin “UEFA Pro”. Kursi është ndarë në disa periudha. Tani jemi te faza e pestë. E radhës fillon në shkurt, nga 4-6 shkurt; faza e gjashtë është programuar më 18-26 mars, ndërsa ajo e shtatë nga 3 qershor deri me 12 qershor. Provimi përfundimtar është më 18 qershor.

 – Ku është fokusuar programi i trajningut?

 – Lektorët e UEFA-s janë të shumtë. Disa japin metodologjinë, pra për ngarkesat fizike, por ka dhe lektorë që japin teknikën dhe taktikën. Ne i bëjmë me shumë kujdes dhe seriozitet kurset. Kush ka shumë eksperiencë si lojtar dhe ka dëshirë mund të përfitojë. Kurset lënë një shenjë të mirë, pasi programet janë të avancuara. Prandaj, ne kemi ofruar lektorë nga shkollat më të mira në botë.

 – Në Shqipëri kanë ardhur shumë lektorë të huaj, kryesisht italianë. Ndërkohë që tani vjen edhe Hines Menendes, i konsideruar edhe si arkitekti i kësaj Spanje, që është kampione e Europës dhe e Botës. A mund të flasim për një nuancë spanjolle në të ardhmen e futbollit shqiptar?

 – Hines Menendez është koordinatori i ekipeve kombëtare spanjolle. Madje, filozofia e tij ka influencuar direkt edhe në triumfin e Spanjës, jo vetëm me ekipin Kombëtar A, por dhe ato të moshave, ku Spanja është kampione e Europës dhe në atë U-17, U-19. Mund ta them se, dhe tek ne mund të ketë ndikim filozofia e tij. Kjo vetëm sesi ndërtohet, jo vetëm nga ana e organizmit, por dhe si punohet direkt në fushë. Menendez ka dhe do të na japë një eksperiencë të madhe, pasi është dhe arkitekti i Spanjës që kemi sot. Menendez ka futur filozofinë e tij të punës nga viti 2000, dhe ka punuar e rritur futbollistë të përmasave botërore, si Kazijas, Ksavi, Iniesta, etj.

 – Në këndvështrimin tuaj, a e ka ngushtuar diferencën futbolli shqiptar me atë europian, në drejtimin e trajnerëve?

 – Unë them se, ne po e bëjmë atë ditë pas dite, përderisa edhe ne po punojmë me programe të unifikuara. Pra, lëndët që ne bëjmë janë të njëjtat: si në Francë, Itali, Gjermani, Angli, Bullgari, Maqedoni, Qipro, por dhe në Shqipëri. Programi udhëhiqet nga UEFA. Gjithsesi, kjo varet sesi punohet në çdo vend. Për këtë, ne në Shqipëri kemi angazhuar njërëzit më të zotë, ndërkohë që vijnë dhe lektorë të shquar nga shkolla e Koverçanos, që askush nuk e vë në dyshim se është shkolla më e avancuar, dhe njëkohësisht po marrim eksperiencë dhe nga futbolli spanjoll, duke ditur që Spanja është në majën e futbollit europian. Të jemi të qartë, ne nuk imitojmë, por mund të përfitojmë shumë.

 – Me zotërimin e licencës “UEFA Pro”, a mund të punojë një trajner shqiptar në Europë?

 – Po, sigurisht. Nuk e ndalon asnjë lloj kriteri. Ne jemi njësoj sikur të ishim anëtarë të Bashkimit Europian, nëse mund ta bëja një krahasim të tillë. Mund të tingëllojë edhe si një utopi, por nëse një klub me emër në Europë apo në Botë i afron mundësi punësimi një trajneri shqiptare, ky nuk ka asnjë pengesë, por zotësia e tij është se a arrin ai tek ajo skuadër. Puna e një trajneri matet nga rezultatet, kjo është njësia matëse. Gjithsesi, emra të tillë si Guardiola te Barcelona, Del Boske te Spanja, Murinjo te Reali i Madridit, apo dhe trajnerët italianë

 – Si mund të realizohet kjo?

Një nga pikat kur është nënshkruar konventa me UEFA-n, për zbatimin e programeve të lira, pra unifikimin e licencave, ka qenë: nëse të gjitha federatat firmosin këtë konventë, atëherë të gjitha federatat europiane janë të detyruara të njohin licencat reciproke. Pra, të gjithë trajnerët shqiptarë kanë të drejtë të stërvitin në të gjitha vendet europiane që aderojnë në UEFA. Shprehimisht, në çdo licencë shkruhet: “Mbajtësi i licencës UEFA është i autorizuar të trajnojë brenda territorit të Federatës Shqiptare të Futbollit, dhe gjithashtu brenda territorit te federatave të tjera që, kanë nënshkruar me UEFA-n”. Kjo është shkruar dhe anglisht.

 – Sa trajnerë ka në Shqipëri?

 – Ne po punojmë të arrijmë, të paktën numrin që ishte para vitit 2000, pra të 1000-1200 trajnerëve. Ne tani po punojmë që licencat e tyre të konvertohen në standardin e UEFA-s, pra “UEFA C”, që është lokale dhe e detyruar për futbollin amator; dhe më pas “UEFA B”, po për sektorin amator. “UEFA A” është për Kategorinë Superiore dhe atë të  Parë, ndërkohë që ajo “UEFA Pro”, mund të stërvitë në Europë. Ne tani kemi rreth 750 trajnerë të licencuar me nivelet e ndryshme të UEFA-s.

  Cili është Astrit Maçi

Përgjegjësi i Sektorit Teknik të Federatës Astrit Maçi është një prej ish-futbollistëve më të njohur ne vend. Ai ka qenë pjesë e Tiranës në vitet 1967-1968 dhe Partizanit në vitet 1973-1977. Në karrierën e tij si trajner ai ka drejtuar edhe ekipet Kombëtare te moshave. Përpara se të emërohej si përgjegjës i Sektorit Teknik në FSHF në vitin 2004, Maçi ka punuar si shef i sektorit te futbollit në shkollën e mesme sportive “Loro Boriçi”.

 Leksione “axurre”

 Qysh nga viti 2004, disa nga lektorët më të mirë italianë u japin leksione trajnerëve apo kandidatëve për trajner në Shqipëri, ku dy të fundit ishin ndër më të shquarit jo vetëm në Itali, por dhe në botë, Franko Ferrari dhe Mario Marela Ferreto. “Ata punojnë prej 30 vjetësh me trajnerët, – tha Maçi për gazetën. – Franko Ferrari është numri një i shkollës së Koverçanos. Ferreri është një docent. Nga viti 2004 e deri më sot kanë ardhur 67 lektorë italianë. Gati e gjitha ajka e lektorëve të Koverçanos ka ardhur në Shqipëri”. Maçi thekson se kurset janë katër javore dhe një trajneri, pavarësisht se merr licencën “UEFA A” apo “UEFA B” ai sa merr njohuri, të cilat duhet t’i kompletojë me literaturë të përditshme. Koverçano konsiderohet si një universitet futbolli. Zyrtarisht ajo ka filluar ne vitin 1947. Në të kanë marrë pjesë trajnerë nga e gjithë bota pasi ishte e vetmja në atë kohë.

 Artan Bushati, trajneri i ri i Vllaznisë

  Artan Bushati është trajneri i ri i Vllaznisë. Ish-trajneri i skuadrës kombëtare U21 do të drejtojë shkodranët për 18 muajt e ardhshëm. Ai zëvendëson në këtë post Shpëtim Duron, i larguar për shkak të paraqitjes së dobët të skuadrës në këtë sezon. Aktualisht Vllaznia ndodhet në vendin e tetë në klasifikimin e Superligës me 17 pikë, 16 pikë më pak se sa Skënderbeu kryesues, ndërkohë që nga Kupa u eliminua nga Shkumbini i Peqinit para fazës së grupeve. Kjo nuk është hera e parë që Bushati drejton një skuadër të Superligës. Më parë ai ka drejtuar skuadrën e Elbasanit me të cilën siguroi titullin e nënkampionit, një vit para se elbasanasit të shpalleshin kampionë. Artan Bushati firmosi kontratën përkatëse me administratorin e Vllaznisë, Fatos Gjyrezi, për një periudhë 18 mujore, pra një sezon e gjysmë. Artan Bushati nuk është një emër i panjohur në futbollin shkodran dhe atë shqiptar. Ai ka qenë vetëm pak kohë trajner i Vllaznisë në sezonin 1999-2000, pastaj ka drejtuar Elbasanin, ka qenë për katër vite anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së dhe pastaj për disa vite ka qenë trajner i ekipit kombëtar Shpresa. Ai pritet të nisë punë menjëherë me skuadrën që nga dita e sotme. Në fakt, në opinionin sportiv shkodran emërimi i një trajneri të tillë pritet mirë ngaqë ai e njeh ambientin dhe gjithçka tjetër. Po ashtu ka edhe aftësitë e duhura për ta ngritur këtë skuadër sërish në nivele të larta, megjithatë kjo duhet parë. Ai e merr Vllazninë në pozita aspak të mira prandaj kjo është një sfidë e vërtetë për të.

 Xherdan Shaqiri: “Do ta bind Pep Guardiolën”

  Pep Guardiola u prezantua si trajneri i Bajernit. Nën urdhrat e ish-teknikut të Barcelonës do të jetë dhe një shqiptar: mesfushori i talentuar Xherdan Shaqiri. Kosovari 21-vjeçar fitoi trofeun “Lojtari i vitit 2012” në Zvicër, por dhe meritoi çmimin special për golin më të bukur. “XS” iu gëzua shumë ardhjes së Pep Guardiolës. Shaqiri është integruar shumë shpejt në gjirin e skuadrës së Bajernit, një ekipi të mbushur me yje. “Xhuxhi” kosovar, vetëm 1,69 metra, është shumë ambicioz dhe punon fort çdo ditë për të merituar një vend në formacionin titullar. Duke filluar nga vera e ardhshme te Bajerni do të vijë Pep Guardiola, një nga trajnerët më të mirë në botë. Në lidhje me bashkëpunimin me ikonën e Barcelonës, Shaqiri u shpreh shumë i gëzuar. “Pasaporta e tij e sukseseve me Barcelonën është fantastike. Unë dëshiroj, natyrisht që, të jem në mendimet e tij dhe të luaj në rol të rëndësishëm në skuadër”.

 UEFA: “Tolerancë zero ndaj trukimit të ndeshjeve”

 UEFA kërkon zero tolerancë ndaj infiltrimit të organizatave kriminale në futboll. Gjatë konferencës që po zhvillohet në Romë mes Institucionit më të lartë të futbollit evropian, FIFA-s dhe Interpolit për fenomenin e trukimit të ndeshjeve, sekretari i përgjithshëm i UEFA-s, Xhani Infantino kërkoi dorë të hekurt dhe bashkëpunim më të ngushtë mes qeverive përkatëse për të mos rrezikuar integritetin e këtij sporti. “Nuk mund të lejojmë që futbolli të njolloset nga kriminelët dhe të gjithë ata që duan të fitojnë para. Infantino shtoi se sistemi “Fraud Detection” monitoron rreth 2 mijë ndeshje të Ligës së Kampioneve dhe Ligës së Europës në sezon dhe mbi 30 mijë ndeshje nga 53 federatat e kontinentit të vjetër. Në fund të fjalës së tij, numri 2 i UEFA-s nënvizoi se një nga prioritetet më të mëdha është aplikimi në legjislacionin e Bashkimit Europian të krimit penal, edhe për rastet e mashtrimit sportiv.