Astrit Hafizi: Në Turqi, ishte një Shqipëri e bukur, por Panuçi të shohë edhe mangësitë

639
Nga Agron KAJA
OPINION/ Ja si vjen fitorja e Shqipërisë në miqësoren me Turqinë, në këndvështrimin e ish-trajnerit të Kombëtares sonë në periudhën 1997-1999
Edhe pse kishte folur në mediet e tjera sportive për fitoren e Kombëtares sonë në Turqi, ish-trajneri i Kombëtares sonë, Astrit Hafizi, dje për gazetën “Telegraf”, e quajti këtë një fitore të bukur, duke sjellë disa veçori të saj. “Është vërtet një fitore e bukur, dhe kjo më kujtoi fitoren që arritëm ndaj Turqisë kur unë drejtoja skuadrën Kombëtare. Por, kjo ka disa të veçanta, sepse ishte fitorja jonë më e thellë ndaj Turqisë, ndërsa atëherë ne nuk ishim aspak favoritë, dhe arritëm një fitore të bujshme. Këtë radhë, unë veçoj edhe faktin tjetër, se Shqipëria luajti pa shumë titullarë”, kështu theksoi fillimisht në deklarimin e tij ish-trajneri i Kombëtares sonë, i cili veç rëndësisë që merr fitorja jashtë fushe, këtë herë gjen vend për të falënderuar edhe trajnerin Panuçi. “Mendoj se janë gjëra shumë pozitive për ne nga kjo miqësore e fituar me Turqinë, sepse në të tilla ndeshje kemi mundësi të verifikojmë formën e lojtarëve, të cilët duan të tregojnë sa vlejnë. Ndaj them se ishte një ndeshje shumë e mirë, dhe deri në momentin kur doli Memushaj me karton të kuq ishim shumë të saktë. Ne u mbrojtëm shumë mirë, edhe pse nuk sulmuam shumë, por shfrytëzuam mirë hapësirat dhe paqartësitë e mbrojtjes turke, me Roshin që ishte perfekt, ashtu si edhe Sadiku. Memushaj na tronditi, por më pas patëm forcë për të shënuar sërish, falë hapësirave të krijuara në fushë”. Në analizën e mëtejshme të tij, Hafizi veçoi Grezdën e Roshin si më të mirët, por edhe mbrojtjen si repartin më të dobët. “Jo vetëm në Turqi, por Grezda kohët e fundit është rritur jashtëzakonisht dhe luan shkëlqyeshëm, me një shpejtësi e siguri të admirueshme. Por edhe Roshi ishte gjithashtu perfekt, ndoshta më i miri në fushë me ato depërtimet e tij, prej të cilëve erdhën edhe dy golat e parë. Ndërsa mbrojtja ishte reparti më i dobët, vetëm aty ne patëm probleme në këtë miqësore, duke i dhënë shumë raste kundërshtarëve. Nëse e rikujtojmë kronikën e lojës, Turqia gjuajti shpesh dhe krijoi shumë raste në portën tonë, dhe këtë trajneri Panuçi besoj që e ka parë me idenë se çfarë duhet rregulluar. Sulmi në këtë ndeshje mbetet si reparti më i mirë”, vazhdoi më pas ish-trajneri i Kombëtares, Astrit Hafizi, të cilit veprimi i Memushajt në kartonin e dytë të verdhë, u duket pa asnjë kuptim. “Në një ndeshje futbolli, çdo lojtari të ri i falen disa gabime, por Memushajt nuk mund ti falet që të marrë dy kartonë të verdhë në atë mënyrë, me topin në mesfushë. Ai gaboi te faulli i parë, por tek i dyti gaboi shumë. Se, po të bënte një faull taktik do ia vlente, por jo faulle të tillë pa asnjë kuptim. Në tërësinë e saj, në këndvështrimin tim, në Turqi ishte një Shqipëri të bukur, ndërsa përpos rezultatit, trajneri Panuçi duhet që ti shohë mirë edhe mangësitë”, mbylli deklarimin e tij Astrit Hafizi, ish-trajneri i Kombëtares sonë në periudhën 29 mars 1997, e deri më 9 tetor 1999. Nën drejtimin e Astrit Hafizit, Kombëtarja jonë ka fituar një miqësore me Turqinë 4-1. Edhe ajo u luajt në stadiumin e Antalias më 21 janar 1998, ku për skuadrën tonë golat u shënuan nga Altin Rraklli në minutën e 15-të e 65-të, nga Alban Bushi në minutën e 67-të, dhe Mahir Halili në minutën e 88-të.
Nëse e rikujtojmë kronikën e lojës, Turqia gjuajti shpesh dhe krijoi shumë raste në portën tonë, dhe këtë trajneri Panuçi besoj që e ka parë me idenë se çfarë duhet rregulluar. Sulmi në këtë ndeshje mbetet si reparti më i mirë

TAKIMET ME TURQINË
Datë 13.12.1970/ Stamboll
Turqi-Shqipëri 2-1
Datë 14.11.1971/ Tiranë
Shqipëri-Turqi 3-0
Datë 27.10.1982/ Izmir
Turqi-Shqipëri 1-0
Datë 11.05.1983/ Tiranë
Shqipëri-Turqi 1-1
Datë 28.03.1985/ Tiranë (M)
Shqipëri-Turqi 0-0
Datë 21.01.1998/ Antalia (M)
Turqi-Shqipëri 1-4
Datë 25.04.2001/ Gazintep (M) 
Turqi-Shqipëri 0-2
Datë 26.03.2005/ Stamboll
Turqi-Shqipëri 2-0
Datë 12.10.2005/ Tiranë
Shqipëri-Turqi 0-1
Datë 13.11.2007/ Antalia (M)
Turqi-Shqipëri 2-3
Sigal