Astrit Guri: Mbreti i ajrit, mbrojtësi skraparas golashënues

236
Në gurëthemelin e sportit dhe veçmas të futbollit, të një rrethi, sikur Skrapari, ajo e familjes Guri është një nga më themeloret dhe brenda kësaj dinastie futbolli, ajo e Astritit është nga më të spikaturat.Të flasësh për një futbollist, me vlera përtej atij lokal në një gazetë prestigjoze dhe kombëtare është më shumë se e vështirë sepse duhet të tërheqësh jo vetëm nostalgjikët skraparas, por t’u tregosh bashkombasve se duhet të jenë krenar për një talent dhe vlerë futbolli, që sistemi i asaj kohe e lokalizoi për t’ia falur emocionet e magjisë, vetëm futbollit të “5 Shtatorit”. Ndërsa për mua kjo “vështirësi” kalon më tutje se krahas kujdesit për të mos u ndikuar nga patriotizmi krahinor edhe miqësia me këtë familje, ma çojnë më tej ngarkesën “neopotike”. Gjithsesi ju siguroj se të shkruash për Astritin e kundërta është më afër se ky “rrezik”. Përpos pozicionit të njëjtë në fushën e blertë, ngjashmërisë fizike me Rrapo Tahon e Flamurtarit, pse jo e tillë ka qenë edhe ajo futbollistike, ndërsa po të mos e tepërojmë hollandezi Frank Rajkard është një sozi identike. Ky është Astrit Guri në fizionomi, por jo vetëm. Në CV e karrierrës shënon edhe aktivizimin me ekipin e Partizanit të kohës së Ocellit. Ishte plejada që nxori këta talente apo talentet e bënë këtë plejadë kaq mbresëlënëse!? Kuptoj që një lexues i ftohtë do të pyes : – Po ku paska qenë ky futboll me plejadë dhe talente që nuk e paskemi ditur?! Normalisht futbolli ka për matës të suksesit, trofetë, por askush nuk mund ta mohojë se ka edhe një matës tjetër, kënaqësinë që të dhuron kur luan bukur E përsa i përket trofeut statistikor, “5 Shtatori” ka shkuar deri në tentativë të një të tilli, por gjithsesi është trofefitues moral tek publiku i dhjetra “trofeve” të tillë. Edhe Hollanda në vitet 78-82 nuk ishte fituese zyrtare e botërorëve por e tillë ishte tek e gjithë bota, për koicidencë edhe “5 Shtatori” i këtyre viteve nuk u ngjit dot në elitë, por elitarë ishte tek të gjitha qytetet ku luajti futboll. Karrierra e Astritit do të datonte në nisje diku nga vitet 1972, atëher kur ezmeri kaçurrels, midis dy alternativave do të zgjidhte të ishte artist i futbollit, përpara artistit të artit. Futbolli ka fituar në milimentrat e fundit të finishit, madje Astriti, ka “abuzuar” sepse edhe pse e kishte ndarë mendjen për t’u bërë futbollistë, gjatë kësaj kohe ka konkuruar dhe fituar konkursin për kanto, në shkollën “J. Misja” në Tiranë. Kjo e tejkalonte llogjikën e kohës…! Nuk besoj që të kishte ndonjë nga bashkohësit të zgjidhte këtë “aventurë”, madje nuk di ndonjë rast të ngjashëm në Skrapar, por jo vetëm, të sakrifikonte për futbollin përpara arsimimit por edhe sot Astriti mendon se ka bërë atë që ishte vetja. I sigurt thotë se kështu do vepronte sërishmi, por tani “loja mbaroi”, kjo nuk quhet sakrificë sepse futbolli është shkëputur nga arti dhe është dukshëm më i mirë. Paraqitja e shkëlqyer nëpër spartakiada do tërhiqte vëmendjen e legjendës së trainimit M. Baze, i cili nuk u mendua dy herë për ta asimiluar direkt tek “big”-ët. 

Debutimi i ftubollistit
“Dita e parë” nuk do ishte “1 shtatori” por i tillë do të ishte data 8 e këtij muaji, atëherë kur 15 vjeçari do të shënonte deputimin e parë të një karrierre që do ndalonte 20 vjet më pas. “Ylli Kuq”-“5 Shtatori” do të ishte sipari zyrtar i takimeve të një rruge kaq të gjatë. Në fillesa do të shërbente si mbrojtës i majtë, por fiziku, përkushtimi, serioziteti dhe talenti do t’a gradonte shumë shpejt duke e stampuar në qendër të mbrojtjes, apo sikur quhet në gjuhën futbollistike “stopper”. Modestësisht Astriti ia dedikon suksesin e karrierrës në përgjithësi çunave (grupit), por veçmas përmend bashklojtarët e repartit mbrojtjes në përgjithësi dhe “gjuha i shkon” aty tek ata të “familjes” së tij, mbrojtësat e qendrës. Të qenit stopper, thotë Astriti, është rol shumë specifik, këtu përpara se të jesh komplomentar me qendërmbrojtësin, duhet të jesh shok i mirë si brenda edhe jashtë loje, sepse edhe gabimet mund të jenë të tilla që t’i ngec shoku, por faji ngelet tjetër. Çdo gabim është ndëshkim, sepse ke mbrapa vetëm portierin. Ka qenë edhe fati im që kam patur në mbështetje futbollistë që,përtej të të qenit të njerëzishëmshëm ishin mësues dhe profesionista të jashtzakonshëm. Të luaje me futbollistë të nivelit si Sabri Dyli, Fatos Hasko, Leonard Bakalli, Resmi Idërshai, Albert Musai, Hazis Çeco, Kiço Mile etj, do të thoshte të ishe më shumë se komod. Kam një bindje, që jo se repartet e tjera nuk kanë qenë cilësore, por reparti mbrojtës ndër vite ka qenë me elementë të gjetur dhe cilësorë. Kështu plejada e portierëvë Bregu, Bega, Zeneli, Musabelliu, Naço, madje edhe ministri i sotëm i Drejtësisë Nasip Naço kanë qenë një shkollë e “nivelit master” portierësh. Edhe pse koha na ndëshkojë se luajtëm atëherë kur futbolli ishte pasion dhe kënaqësi sërish ndihem krenar se kemi bërë më të mirën duke luajtur ndershëm dhe duke ju dhuruar të vetmen kënaqësi bashkëqytetarëve tanë në një situatë kur futbolli ishte i vetmi “zbutje dhimbjeje”. Koha e gjatë në karrierrë më ka dhënë mundësinë të luajë që nga Koprëncka, Bregu, Satka deri tek plejada më e re Tusha, Ago, Hasanago, Hajdini, Nano, Cerri, Çeço, Jaupi, Bregu, Basho, Tare, Lamçe etj,që e them pa frikë se nëse do të luanin sot do të ishin nga më cilësorët e çdo ekipi elitar. Nëse do të kthehemi pas ajo që do theksoja është se duke patur një trainer si Muharrem Baze pothuaj të gjithë futbollistët jabanxhinjë kur janë afruar tek “5 Shtatori” kanë qenë të nivelit të zakonshëm, por kur janë larguar janë “rritur profesionalisht” aq shumë sa kanë qenë lidera ku kanë luajtur. Këtu mund të përmend që nga Mullaliu (Besa) deri tek Lito (Lokomotiva), Pelinxhi (Partizani), Gega (Beslidhja), Shurdhi (Traktori) dhe Arapi (Besa). 

Tundimi nga trukimet
Në këtë kohë trukimesh, gjigandi i mbrojtjes nuk lë pa përmendur edhe një nga ato rastet, që nuk ka ku të shkojë më aktual. Diku në kampionatin e viteve ‘80 një “përfaqësi” e ekipit të Kastriotit i shkon në shtëpi dhe në këmbim të fitores i dhuron 40 000 lekë, nuk e di por edhe tani kjo sasi lekësh të tundon. Dy herë janë refuzuar krutanët dhe si për ironi ky takim ka përfunduar 2:0 me të dy golat të shënuar nga Astriti. Të qenit mbrojtës dhe golashënues është një nga raste e rralla që ndodh jo vetëm në futbollin tonë, por edhe më tutje, e pra këtë e kemi këtu, protagonist të shkrimit tonë “Mbrojtësi fluturues” sikur e thërrisnin në atë kohë shënon në karrierrën e tij pothuaj një konstante prej 6 golash të shënuar në çdo kampionat, çka do të thotë se në bilanc është më shumë se e një sulmuesi normal, por ajo që e bënë më të veçantë është se pothuaj të gjitha golat i ka shënuar me kokë dhe kryesisht me topa të ardhur nga kornia. Si kudo në futboll, takimet derbi kanë patur ngarkesën e vetë të pashmangshme. Të tilla ishin edhe ndeshjet kur “5 Shtatori” luante me Poliçanin e Petraq Savës, ose Partizani B, sikur thirrej nga prania e lojtarëve të shumtë të Partizanit, “Tomorrin” apo “24 Majin”. – Kanë qenë emocione të papërshkueshme – tregon Astriti, – si mund të harrohen ato ndeshje kur nga Çorovoda niseshin qindra tifozë duke ecur në këmbë 60 km në ditë vetëm për të na mbështetur.më Poliçanin , apo akoma më shumë km për në Përmet. Golat janë si fëmijët dhe nuk i diferencon dot, por goli që kam shënuar me “24 Majin” në shtator të 1975 ka mbetur në mendjen e karrierrës time. Ka qenë një situatë kur ndodheshim në humbje dhe të mendoje se në stadiumin e Përmetit kishte më shumë tifoza miq se sa vendas ishte një “borxh” i madh për ata njerëz që përpos se të pangrënë kishin berë 45km dhe duhej të bënin në kthim edhe kaq, por…në dëshpërim. Nga një top i ardhur nga kornia, nuk e di as sot nga më erdhi ajo forcë, por edhe pse i markuar fort, kam shënuar me kokë duke ju shmangur dhe u shkëputur më shumë se gjysëm metra mbi kundërshtarët. Duke dalë jashtë modesisë më kujtohet që topi ka shkuar “predhë” në rrjetë, ka qenë një gol që kishte vetëm meritë dhe jo të fajshëm, patjetër ishte fuqia e zotit që dha drejtësi duke më dhënë aq shumë kërcim. Nuk kishte më bukur sa përmetarët shtangën. Një emocion i jashtëzakonshëm. Më kujtohet si tani se jemi kthyer në këmbë me tifozat për në Skrapar. 
Pengjet e futbollistit
Por në një karrierë kaq të gjatë edhe “pengjet” janë pjesë e lojës emocionale, Ashtu sikur veçon golin e “jetës”, ashtu shënon në memorie padrejtësinë e mos daljes në kategorinë e parë, kur niveli e tejkalonte atë të kundërshtarëve. Nga takimet që janë “çimentuar” në memorien e karrierrës futbollistike, takimi “31 Korriku” – “5 Shtatori” ka qenë nga më mbreslënësit . – Ka qenë ekipi më i mirë i të gjitha kohërave. – tregon Astriti. Ishim në vend të dytë (Dajti ishte i pari nuk dilte) dhe na duhej fitorja që të dilnim në kategorinë e I. Kurrë më parë nuk kishte ndodhur që për tifozë të faturoheshin autobuza, 3 të tillë u vunë në dispozicion të tifozëve. Nuk besoj edhe tani që aq shumë tifozë kishin gjetur mundësinë për të qenë prezentë deri në Burrelin e largët, në atë takim historik për ne. Nëse fitonim ishim automatikisht në kategorinë e Parë, ndryshe humbja jonë dhe fitorja e “24 Majit” që ishte një pikë posht nesh na e mohonte këtë rast (fitorja jepte 2 pik, barazimi 1 pikë). Mendoj se dikush ka luajtur në favor të Përmetit, që Burreli të na bënte atë qëndresë. Theksoj se 31 Korriku, kishte ekip shumë të mirë. Kemi luftuar si heronj gjithë lojën, atëher kur gjithçka kishte mbaruar ka qenë P. Sava që në atë kohë luante më Burrelin që na ka ndëshkuar me atë gol në të 94’. Nuk mund të kishte hidhërim më të madh. A thua ra qielli në tokë! Në këtë karrierrë sa një jetë e tërë Astriti tregon se ekipet që i kishim si “bukë me djath” ishin Himara dhe Delvina. Nëpër fushat e tyre rendin e “siguronin” vetëm dy policë, kështu që nga hera na është dashur të luanim edhe kundër tifozerive respektive që jo rrallë na futeshin në fushë, për tolerancë dhe për të qenë paqësorë me tifozerinë barazimin e lëshonim në fund, ndërsa për “mace të zezë” kemi patur ekipet e Punëtorit të Patosit dhe Butrintit të Sarandës Por në radhët e ekipit të “5 Shtatorit” ndoshta në kontribut më të pakët, por jo më pak të rëndësishëm kanë dhënë edhe pinjollët e kësaj familjejes duke filluar që nga qendërmbrojtësi i mirënjohur vëllai i madh Fetah Guri, me të cilin Astriti ka një numër të madh ndeshjes të të luajturit bashkë në qendër të mbrojtjes apo vëllai më i vogël sulmuesi Arbeni, për të mos harruarr një nga pinjollët e kësaj familjeje sikur portieri i disa viteve me Kukësin dhe më vonë me “5 Shtatorin” miku im i ndjerë Lefter Guri. Për prolog Astriti u bënë një thirrje autoriteteve lokale, deputetëve, biznesmenëve që rrethi nuk i ka të paktë, por edhe gjithë skraparasve kudo që janë të kontribuojnë sa të mundin për të ringritur një traditë që vlerat nuk i kishte vetem lokale. Nuk e meriton ai popull aq futbolldashës të shpërblehet me këtë nivel futbolli.