Astrit Greva: “Ju tregoj basketbollistin Edi Rama”

2401
Sigal

Ish-trajneri i Kombëtares: “Kam luajtur me të atin, skulptorin Kristaq Rama. Edi, një lider i lindur skuadre”

Astrit Greva, “Trajner i Merituar” dhe “Mjeshtër i Merituar i Sportit”, është një nga legjendat e basketbollit shqiptar. Ka stërvitur disa nga emrat më të mëdhenj të “koshit”, duke filluar nga Muhamet Përmeti, Njazi Lleshi, Petrit Murzaku, Agim Fagu, Kushtrim Zaçe, Kastriot Mushi, Gazmend Çaçi, Robert Kuqo, Pjerin Bushati, Artan Terihati, teksa ka qenë trajneri i Partizanit, në barazimin historik 73-73 me kampionin e Italisë, Oransoda, më 18 dhjetor 1968, ndaj një skuadre që mbërriti në Shqipëri me dy lojtarë amerikanë, njëri prej tyre i NBA-së. Me një përvojë gati më shumë se 50-vjeçare, ai ka pasur në ekipin kombëtar edhe basketbollistin Edi Rama, sot kryetar të Partisë Socialiste. Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Telegraf”, Greva tregon për basketbollistët e familjes Rama, duke filluar nga i ati i tyre, “Skulptori i Popullit” Kristaq Rama, me të cilin ka luajtur si kundërshtar, por dhe vëllezërit Edi dhe Olsi Rama, që të dy lojtarë të Dinamos dhe të ekipit Kombëtar. “Edi ishte në basketbollist i mirë, i domosdoshëm për çdo skuadër, kjo dhe për shkak të fizikut të fuqishëm. Nëse do të ishte i kushtuar plotësisht basketbollit, ai do të ishte një ndër lojtarët më të mirë në Shqipëri, por ai studionte për pikturë, çka ishte dhe pasioni i tij i madh. Gjithsesi, ajo që unë mund të them, për aq kohë sa e kam stërvitur atë me ekipin Kombëtar, apo kur skuadra ime Partizani ka luajtur kundër Partizanit, Edi ishte një lider i lindur skuadre dhe njeri i batutave. Të gjithë e donin”, – tha Greva për “Telegraf”. Astrit Greva (sot, 77 vjeç) është trajner i 27 titujve kampionë në basketboll, 25 me meshkujt dhe dy me femrat, një rekord në Shqipëri. Ai ka qenë për shumë vite edhe trajneri i ekipit Kombëtar të meshkujve, teksa ka drejtuar edhe Ilir Beqjen, kandidatin e Partisë Socialiste, por dhe Auron Taren, deputetin e Parlamentit aktual.

– Zoti Greva, ju keni qenë një trajnerët më jetëgjatë të basketbollit shqiptare, qysh kur e nisët karrierën në vitin 1958 me Partizanin, duke e shndërruar atë në një skuadër të padiskutueshme trofesh, por dhe të respektuar në arenën ndërkombëtare. 25 trofe me meshkujt dhe 2 me femrat, janë një pasuri e madhe për çdo trajner. Ju keni punuar me disa nga emrat më të mëdhenj të basketbollit shqiptar, nga legjenda Agim Fagu e deri te Gazmend Çaçi, ashtu sikundër keni qenë edhe trajneri i Ekipit Kombëtar. Një nga lojtarët tuaj ka qenë edhe Edi Rama, kryetari i Partisë Socialiste, njëherësh edhe kreu i koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Europiane“ dhe kandidat për kryeministër në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. Si e mbani mend Edin si basketbollist?

– Edi ka qenë lojtar i Dinamos, ndërsa unë kam punuar me të kur ai u bë pjesëtar i ekipit Kombëtar, në vitet 1984-1989. Ka qenë një basketbollist shumë i fuqishëm, kjo dhe për shkak të fizikut të tij të jashtëzakonshëm. Nga ata që janë të domosdoshëm për një ekip, për të pasur sukses. Për ne trajnerët, që kërkojmë rezultate Edi ishte tipi i lojtarit për të cilin gjithmonë ke nevojë. I fuqishëm në mbulimin e rreptë të kundërshtarëve, në bllokimin e zonave, por dhe në kapjen e topave të rikthyer nga tabela. Mund të mos ishte shume produktiv në sulm, si Gazmend Çaçi apo Kushtrim Zaçe, por gjatësia e tij dhe kondicioni fizik ishte arma plus e Edit. Në atë kohë, pra flas për fillimin e viteve 1980, nuk ishte shumë e zakonshme djemtë me shtatlartësinë e tij. Kapte shumë topa në tabelë, duke kontribuar direkt si në nisjen apo vazhdimin e sulmeve të shpejtë, të cilat i finalizonin lojtarët e tjerë.

– Rama dallohet tani për temperamentin e tij dinamik dhe rrezatimin e një energjie të pashtershme. Si ka qenë djaloshi Edi?

– Mund të them se kishte një kontrast, nga Edi në fushë dhe jashtë tij. Nëse në parket ishte tepër impulsiv, e ndonjëherë edhe agresiv, për shkak të mbulimeve të rrepta që u bënte kundërshtarëve, jashtë fushe ai ishte tepër miqësor, madje mbahej si njeriu i batutave të forta dhe të mençura. E donin jashtë mase dhe e respektonin në skuadër, madje kur mungonte ndonjëherë, të paktën siç më ka thënë edhe trajneri i tij Feti Borova, ndihej mungesa e tij. Edi ishte rritur në një prej familjeve të shquara në Tiranë, tepër i ditur për moshën e tij, ndoshta edhe për shkak se vazhdonte studimet për pikturë dhe ishte në kontakt me një elitën intelektuale të vendit.

– Ka pasur një rivalitet midis Partizanit dhe dy skuadrave të tjera të kryeqytetit, Tiranës dhe Dinamos. Sa të nxehta ishin ndeshjet?

– Ndeshjet midis Partizanit, Dinamos, Tiranës, por edhe Vllaznisë, ishte nga më fortat, pasi midis tyre diskutohej edhe titulli kampion. Spikaste Partizani, pasi kishte traditë më të mirë dhe ka fituar radhazi shumë kampionate. Dinamo ishte me lojtarë shumë të mirë dhe konkurrues. Edi Rama ishte njëri prej tyre, ishte lojtar i pesëshes së parë, një nga lojtarët më të mirë të Dinamos së viteve 1980. Edi e merrte shumë seriozisht çdo ndeshje, madje kjo e bënte ndonjëherë edhe të merrte gabime personale, duke e plotësuar numrin pesë para përfundimit të takimit. Gjithsesi, ata që e kanë parë duke luajtur e mbajnë mend si një sportist me shumë grintë dhe të fuqishëm, që jepte dhe pikën e fundit të energjisë së tij.

– Edi Rama ka luajtur gjashtë ndeshje ndërkombëtare, një me Gjermaninë (1984) dhe një me Turqinë (1985), për eliminatoret e Botërorit, kur skuadra drejtohej nga Feti Borova, si dhe me Gjermaninë, Turqinë, Skocinë dhe Poloninë, kur ekipi Kombëtar drejtohej nga ju, për eliminatoret e Europianit. Si i kujtoni ndeshjet në Osnabryk të Gjermanisë, në vitin 1989?

– Edi në ndeshjet që, u aktivizua tregoi anën më të spikatur të lojës së tij, lojtar i fuqishëm në lojë, kontribuues jo pak i rëndësishëm, por më dihet të pranoj se, bënte edhe faulle në ndërhyrje, pasi e tillë është dhe loja e basketbollit, ku veprimet dhe veprimet janë me të qindrat e sekondës. Gjithsesi, ruaj përshtypje të mirë për të, edhe si basketbollist, edhe si njeri.

– Edhe Olsi Rama, vëllai i Edit, ka qenë një basketbollist…

– Ai luajti më pak. Edhe Olsi ishte me Dinamon, por nuk mund të them se ishte më i mirë se Edi. Gjithsesi, edhe Olsi u bë pjesë e ekipit Kombëtar, në eliminatoret e Europianit 1994, që u zhvilluan në Hungari, e ku bënin pjesë Hungaria, Shqipëria, Rumania dhe Finlanda. Trajner ishte Bujar Shehu.

– Pse dy vëllezërit Rama ishin kaq të pasionuar pas basketbollit, a ka të bëjë kjo me ndonjë traditë familjare?

– Besoj se, po. Pasi dhe i ati i tyre, skulptori Kristaq Rama, ka luajtur basketboll. Madje unë kam luajtur me të. Kristaqi ishte një njeri i jashtëzakonshëm, një burrë i mrekullueshëm. Tepër xhentil. Në atë kohë luante me Lokomotivën e Durrësin dhe më pas me Tiranën. Bëhet fjalë për vitet 1956-1957. Gjithsesi, mesa mbaj mend, Kristaqi këmbëngulte shumë që, Edi t’i kushtohej më shumë pikturës, që ishte dhe një pasion i madh i tij. Sipas asaj që, më ka thënë kolegu im te Dinamo, i nderuari Feti Borova, Edi dhe Olsi bënin mungesa në stërvitje, çka lidhej edhe me studimet e tyre.

– Profesor, një tjetër basketbollist, i përfshirë gjerësisht në politikë është edhe Ilir Beqja, ish-deputet dhe një nga kandidatët kryesorë të PS-së në Qarkun e Durrësit. Si e mbani mend atë?

 – Iliri ishte një basketbollist i mirë. Një djalë i gjatë, shumë punëtor, por dhe tepër i qetë. Djali i një profesori shumë të njohur, Hamid Beqjes, rrezatonte shumë nga kultura familjare. Edhe Iliri e meritoi thirrjen në ekipin Kombëtar, në eliminatoret e Europianit, ndeshjet e të cilit u zhvilluan në Gjermani. Pra, i kisha që të dy në ekip, si Edi Ramën, ashtu edhe Ilir Beqjen.

– A ka pasur ndonjë politikan tjetër që, ka luajtur basketboll?

– Po, ka qenë Auron Tare. E kam pasur te Partizani. Ishte me të dhëna të mira, por fati i tij i keq ishte se përkoi me një brez shumë të mirë basketbollistësh, duke filluar me Gazmend Çaçin, Enis Teriatin, Artan Kuqo,  kështu që nuk mundi të spikaste dhe të vazhdonte gjatë. Një tjetër basketbollisti ka qenë Niko Faber, i cili më pas ka qenë dhe deputet.

 Trajneri i “Banko Di Roma”: “Ky djalë duket shumë revolucionar në mendime, në të ardhmen patjetër do të bëhet dikush”

 Idetë e pazakonta të Edi Ramës dhe profecia e italianit Biankini

 Gjatë një ndeshje ndërkombëtare me ekipin italian “Banko di Roma”, në vitin 1983, trajneri Valerio Biankini, më të cilin ishim bërë miq, pasi ishte hera e tretë që Partizani dhe unë si trajner luanim kundër tij, erdhi i shoqëruar nga Edi Rama, i cili bëri përkthyesin e italianit. Unë isha së bashku me Aleksandër Dherin, ndihmësin tim. “Është përkthyesi im, – tha Biankini, – një njohës perfekt i italishtes”. Pas ndeshjes, Biankini e ftoi Grevën për një kafe, por Astriti kishte disa impenjime të ngutshme, dhe ra dakord të takoheshin të nesërmen në mëngjes. “Ne u takuam dikur rreth orës 10, pasi ekipi italian duhet të ishte në aeroport në orën diku në orën 11. Kur e pashë trajnerin Biankini me sytë e përgjumur dhe të skuqur, mendova se mos ishte sëmurë, por e vërteta ishte ndryshe. ‘Kemi ndenjur pa gjumë deri në orën 4 të mëngjesit, – më tha ai. – Jam kënaqur pa masë me batutat e Edi Ramës. Ore, – shtoi ai, – a e di që ky ka disa ide të çuditshme, që s’besoj se shkojnë shumë me politikën që ndjek vendi juaj. Janë shumë revolucionare. Jam i bindur se, në të ardhmen ai do të bëhet një njëri i madh’. Në fakt, Edi, me aq sa e kam njohur njihej për mendimet e tij, për lirinë e tij. Më kujtohet se, kur para dy vitesh unë martova vajzën time në Milano, i ftuar në dasmë ishte edhe trajneri Valerio Biankini, i cili ndërkohë ishte shpallur një nga 100 njerëzit më të shquar të Italisë të shekullit të kaluar. Biankini ishte në të njëjtën tavolinë me djalin tim, Albin, i cili është gjyqtar ndërkombëtar basketbolli. E kujtuam sërish Edi Ramën. I thashë se, ai djalë tani ishte bërë një njerëzit më të rëndësishëm në Shqipëri, një politikan i suksesshëm dhe Kryetar i Partisë Socialiste. “E pra, – tha më mburrje Biankini, – a nuk të thashë atëherë që, ai do të bëhej dikush. E kam ndjekur gjithë karrierën politike të tij, pasi ka bërë bujë si Kryetar i Bashkisë dhe në Itali”. Valerio Bankini, 69 vjeç, ka fituar tre kampionate në Itali me tre skuada të ndryshme,  dy Kupa të Kampioneve të Europës, një Kupë të Kupave të Europës dhe një Kupë Interontinentale. Biankini ka drejtuar ekipin Kombëtar të Italisë, në Botërorin e Madridit (1986) dhe Europianin e Athinës (1987).

 SKEDAT E NDESHJEVE

NDËRKOMBËTARE TË EDI RAMËS

  TURNEU KUALIFIKUES PËR KAMPIONATIN BOTËROR

Paderborn, 21.11.1984

RF Gjermane–Shqipëri 89-80

Shqipëria: Ilir Trebicka, Robert Kuqo, Gazmend Çaçi, Arjan Kolani, Bujar beriolli, Sabri Rustemi, Pjerin Bushati, Sokol Bellova, Fatmir Cuka, EDI RAMA. Trajner: Feti Borova

 Stamboll, 14.02.1985

Turqi–Shqipëri 70-60

Shqipëria: Ilir Trebicka, Robert Kuqo, Gazmend Çaçi, Arjan Kolani, Pjerin Bushati, Sokol Bellova, Edgar Prifti, EDI RAMA, Artan Terihati, Skënder Gjondeda. Trajner: Feti Borova

 TURNE KUALIFIKUES PËR KAMPIONATIN EUROPIAN

Osnabruck, 12-15.05.1989

Shqipëri – Skoci 101-82

Poloni – Shqipëri 103-85

RF Gjermane – Shqipëri 103-73

Turqi – Shqipëri 106-88

Shqipëria: Gazmend Çaçi, Fatmir Cuka, Korab Llazani, Sabri Rustemi, Artan Kuqo, Aleksandër Damo, Astrit Zaganjori, EDI RAMA, Pirro Papa, Arjan Baçova, Ilir Beqja. Trajner: Astrit Greva

Presidenti i Federatës Botërore te Basketbollit, Uilliam Xhons: “Sot pashë se, basketbolli modern luhet dhe në Tiranë”

  Barazimi me kampionen e Italisë tronditi Europën

  Viti 1968. Partizani debuton në Kupën e Kampionëve të Europës ndaj një gjigandi kontinental si Oransoda e Kantusë. Më 18 dhjetor është ndeshje e kthimit. 5 000 vetë ishin në pallatin e sportit “Partizani” (sot “Asllan Rusi”), midis tyre Presidenti i FIBA-s (Federata Botërore e Basketbollit), Uilliam Xhons. Numri 1 i basketbollit botëror zbriti shkallët dhe takoi heroin shqiptar të ndeshjes, Agim Fagun, që kishte shënuar 48 pikë në takimin e mbyllur në barazim 73-73. Xhons e uroi  djaloshin 21-vjeçar duke i vendosur në gjoks edhe medaljen me flamurin e FIBA-s. “Kjo medalje e FIBA-s i jepet vetëm lojtarëve shumë të dalluar, – tha Xhonsi, –  për mua është një nder dhe kënaqësi e madhe që ju uroj për lojën e shkëlqyer që zhvilluat gjatë gjithë ndeshjes”. Dhe vlerësoni: Oransoda kishte dy amerikanë, Lyn dhe Bërxhes, i pari 2.07 metrosh dhe i dyti 2.02. Kishte lojtarin e kombëtares së Italisë, Rekalkatin, të vetmin italian në fushë si dhe dy argjentinas. Trajner i superskuadrës ishte serbi i famshëm, më pas president i FIBA-s, Borisllav Stankoviç. Përballë tyre një skuadër me moshë mesatare ndoshta 21-vjeçare. Agim Fagu ishte 21 vjeç, Vladimir Çuçi 20, Astrit Hutka 19, Edmond Moja 22, Guxim Bekteshi 19, Spartak Boshnjaku 18. Bashkë me ta luanin edhe Dodan Përmeti, Nikolin Pali, Agim Lahi, Vladimir Gjini, Besnik Pëllumbi dhe Kujtim Kasmi. Më i madhi i të gjithëve ishte Agim Lahi, i vitlindjes 1943, pra 25 vjeç. Skuadra e re dhe e kuqe drejtohej nga dy trajnerët Astrit Greva dhe Njazi Lleshi. Astrit Greva kujton se, pas ndeshjes me italianët, Partizani u quajt skuadra e djemve me këmbë të forta, sepse ne kishim përgatitje shumë të lartë fizike dhe atletike si dhe kërcyeshmëri tepër të lartë. Agim Fagu u përzgjodh në 5-shen më të mirë të Europës për atë vit dhe duhej të luante në formacionin e Europës kundër skuadrës kampione të kontinentit, siç ka qenë traditë. Dy sezone më pas 1970-1971), Partizani pati rastin që të luante në turin e dytë me kampionen e Spanjës, pasi skuadra turke ITU (Istanbul Teknik Universitesi) nuk mund të luante për shkak të epidemisë së kolerës që kishte rënë në Stamboll.

Basketbollistët amerikanë dhe Petrit Dumja

 Klubi italian Oransoda kishte dy amerikanë, Lyn dhe Bërxhes, i pari 2.07 metrosh dhe i dyti 2.02, çka krijoi një shqetësim jo të vogël për autoritetet shqiptare të kohës. Problemi parimor u diskutua deri në nivelin e Byrosë Politike. Pengesa kryesore ishte prania tek Oransoda e dy amerikanëve, të cilët nuk mund të hynin në Shqipëri, meqë nuk ekzistonin marrëdhënie diplomatike mes shqiptarëve dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Ish-gjenerali Petrit Dume (më pas i pushkatuar) vendosi të ndërhynte për të lejuar amerikanët dhe ashtu u bë. Astrit Greva mban mend një rast tjetër, të skuadrës zvicerane (ndoshta Vevej) që kishte edhe ajo amerikanë dhe që u detyrua të priste 4 orë në aeroport derisa një tjetër figurë e pushkatuar e regjimit, Feçor Shehu, të ndërhynte për t’i lejuar të vazhdonin drejt kryeqytetit shqiptar.

 “Yjet e Partizanit tim, nga Fagu te Çaçi”

 Astrit Greva ka drejtuat disa nga yjet më të shquar të Partizanit, për të cilët ai nuk e fsheh kurrë nostalgjinë:

“I madhi Agim Fagu kishte shumë autoritet. Është fat i madh për një trajner të stërvitë dhe të ketë në ekip për 13 vjet, aq sa e pata unë, një lojtar si Agim Fagun. Fat por dhe shumë e vështirë. Kushtrim Zaçe ishte shumë i talentuar. Korrekt dhe me sedër të jashtëzakonshme në lojë. Ishte me shumë peshë në skuadër. Kastriot Mushi shkëlqeu pas largimit të Agim Fagut duke merituar edhe shiritin e kapitenit të skuadrës. Rezultativ dhe shumë i talentuar ky lojtar. Robert Kuqo në sajë të vullnetit, bindjes, përkushtimit mundi të kapi gjithçka. Gazmend Çaçi, lojtar qendre i talentuar, me përgatitje fizike të shkëlqyer. Dallonte në shpejtësi dhe kërcim”.

  Trajner largpamës 21-vjeçar

 Astrit Greva u caktua trajneri i Partizanit, kur ai ende s’i kishte mbushur 21 vjeç, pas ikjes së Naim Pilkut për studime në Bashkimin Sovjetik. Me gjakftohtësi dhe largpamësi ai ndërtoi një skuadër fituese, duke i dhënë titullin tri herë rresht Partizanit.

 Plejada e shquar e koshit

 Greva ndërtoi plejadën më të shquar të basketbollit tonë si, Agim Fagu, Edmond Moja, Guxim Bekteshi, Besnik Pëllumbi, Dodan Përmeti që për nëntë vjet rresht nuk e ulën nga podiumi i nderit ekipin dhe bënë paraqitje dinjitoze në aktivitetet ndërkombëtare.

 Basketbolli modern i kuq

 Astriti projektoi një skuadër të zhdërvjellët, shpirt gare, rezultativ. Presidenti i Federatës Botërore të Basketbollit, Xhons, deklaroi pas takimit me Oransodën e Italisë (73:73 në Tiranë), se “u zbulua basketbolli modern në Tiranë”.

 Libri i artë i kampionëve

 Partizani vazhdoi dominimin në “Librin e Artë” të kampionëve në Shqipëri, me brezin tjetër të shquar të koshit, me emra të tillë të spikatur si: Kushtrim Zaçe, Kastriot Mushi, Gazmend Çaçi, Edgar Prifti, Robert Kuqo, Pjerin Bushati, etj..