Asnjë dyshim për gjermanët, Milot Rashica në formacionin e javës

406
Sigal

Iu desh një vit për të bindur edhe më skeptikët, por tashmë Milot Rashica po lë gjithnjë e më shumë shenjë në radhët e Verder Bremen, duke treguar se kërkon me të drejtë një rol protagonisti me fanellën e kësaj skuadre. Mesfushori ofensiv i përfaqësues së Kosovës dha provat e talentit të tij në fundjavë, me dy gola të shkëlqyer të shënuar në kampionat ndaj Augsburgut.

Ndaj për gjermanët nuk kishte asnjë dyshim që Rashica e meritonte një vend në formacionin më të mirë të kampionatit për këtë javë në Bundesligë. Kësisoj, dy ndër faqet më prestigjioze të internetit gjermane, “Kicker” dhe “Transfermarkt”, e kanë përzgjedhur futbollistin në rreshtimin e tyre ideal.

Rachica vendoset përkrah disa prej emrave më të njohur të kampionatit gjerman, si Grifo, Havertz, Sanço, Brandt apo edhe Levandovski në këto dy rreshtime. Kjo javë është e para në të cilën “Kicker” përzgjidhte futbollistin e Kosovës, ndërsa për “Transfermarkt”, kjo ishte hera e dytë ku ai bëhej pjesë e formacionit ideal.