Sigal

Marco Asensio ka thënë se kurrë nuk e ka menduar largimin nga Real Madridi, pas paraqitjes tejet mbresëlënëse në fitoren e jashtëzakonshme të Spanjës ndaj Kroacisë.

Ishte shfaqja e Asensios mbrëmë në Elche, në një ndeshje ai e shënoi një super gol dhe i përgatiti katër të tjera teksa Spanja e shkatërroi finalistin e Kupës së Botës, Kroacinë, duke ia shkaktuar humbjen më të thellë në histori të saj, 6-0, në Ligën e Kombeve, transmeton Express.

Për Asension flitej se do të largohej nga kampioni i Ligës së Kampionëve këtë verë, dhe se destinacioni i tij i mundshëm ishte Liverpooli.

Megjithatë, spanjolli – i cili i ka edhe pesë vite kontratë me Realin – tha para gazetarëve mbrëmë: “Kurrë nuk kam pasur asnjë qëllim për t’u larguar”.

“Ky është sezoni im i tretë, dhe tani mendoj se kam vazhdimësi dhe më shumë ngritje”, shtoi ai.