Asambleja e Notit zgjedh president Agim Çirakun

472
Sigal

Kreu i ri i Federatës fitoi me një rezultat të thellë 19-2 ndaj rivalit të tij, Stefan Pinguli

Agim Çiraku është presidenti i ri i Federatës Shqiptare të Notit, pas zgjedhjeve që ka kryer komuniteti i këtij sporti, dje pasdite, në ambientet e Kompleksit “Dinamo”. Përfaqësuesit e 21 klubeve, pikërisht të mandatuarit e Tiranës, Partizanit, Studentit, Teutës, Flamurtarit, Butrintit, Vllaznisë, Shoqatës Tornado, Shoqatës “Uillson”, Shoqatës “Sporteve të Ujit”, Akademisë së notit “Te Stela”, Shoqatës Iliria, Shoqatës së Veteranëve, Shoqatës “Sport Not-Vlorë”, Shoqatës “Jon”, Shoqatës “Vlora Not-Sport”, Shoqatës “Saranda”, Shoqatës “Tradita”, Shoqatës “Teuta Swimming”, Shoqatës “Alb-Not Swimming” dhe Shoqatës “Alb-Sport”, jo vetëm që kanë votuar me bindjen e tyre, por dhe në qetësi të plotë i kanë dhënë besimin e plotë Agim Çirakut për t’i drejtuar ata në katër vitet e ardhshme. Madje dhe rezultati i zgjedhjeve për president, që duket se e ka rilindur sportin shqiptar të ujit, pas shtatë vjetësh, ka qenë i atillë si fitorja aq së në mënyrë figurative mund të krahasohet me triumfin spektakolar të së majtës më 23 qershor. Nëse më 23 qershor, koalicioni i “Aleancës për Shqipërinë Europiane” ka fituar 84-56 ndaj “Aleancën për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim”, Çiraku ka fituar ndaj Stefan Pingulit, 19-2, duke e kthyer zgjedhjet e djeshme në notin shqiptar në një formalitet të plotë, që mori vulën dhe të përfaqësuesit të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, shefit të sportit cilësor, Arjan Konomi, por dhe kryetarit të Komisionit Teknik në Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani.

 Arsyet që e çuan notin drejt zgjedhjeve

 Zyrtarisht, edhe në auditorin ku u zhvilluan dje zgjedhjet për president të Federatës Shqiptare të Notit, si nga sekretarja e përgjithshme e këtij institucioni, Suela Haxhia, ashtu dhe nga zëvëndëspresidenti Eduard Mehmeti, është thënë që gjithçka ka ardhur pas dorëheqjes së ish-presidentit, Feim Alliu, që në zgjedhjet e 7 nëntorit të vitit të kaluar pat fituar 10-8 në balotazhin me presidentin e sotëm. Por, ka qenë Agim Çiraku, i cili i është drejtuar Këshillit të Arbitrazhit Sportiv në KOKSH, që ka kërkuar parregullsinë e zgjedhjeve, gjë që është miratuar. Mirëpo me shumë vështirësi është gjetur data e këtyre zgjedhjeve, ndonëse më parë është thënë që Alliu ka dhënë dorëheqjen, sepse ishte në konflikt interesi, duke qenë president i shoqatës “Teuta-Swimming”.

Pak fjalë dhe votim i shpejtë

 “Si kandidati për president Agim Çiraku, ashtu dhe Stefan Pinguli, me ju kanë bërë një fushatë të gjerë, duke shpalosur platformën e tyre për të qenë në krye të Federatës Shqiptare të Notit”, ka thënë sekretarja e përgjithshme e Federatës Shqiptare të Notit, Suela Haxhija. Mirëpo, në momentin që komisioni i përbërë nga Durim Shehu, Ilir Demollari dhe Pavli Kici po bënin gati materialet e votimit, përfaqësuesi i Stefan Pingulit – ishte i vëllai i dërguar me prokurë, sepse kandidati për president nuk është paraqitur – ka kërkuar që të shpalosë edhe një herë platformën. Por pjesëmarrësit në Asamble nuk e lejuan, me argumentin se duhet të ishte vetë kandidati për president, ndonëse i vëllai është munduar t’i sqarojë delegatët që janë bashkëpronarë dhe veprohet edhe kështu. Gjithsesi me një votim të shpejtë e të qetë, Çiraku është zgjedhur president i notit shqiptar me rezultatin 19-2.

  Premtimi i Çirakut:

“Do të jem President i të gjithëve”

  Agim Çiraku, presidenti i Federatës Shqiptare të Notit, në fjalën e tij të shkurtër pas zgjedhjeve ka premtuar se do të jetë i të gjithëve. “Ju falënderoj të gjithëve për këtë zgjedhje time në krye të Federatës Shqiptare të Notit. Falënderoj edhe paraardhësin tim, Feim Alliu dhe të gjithë ata që kanë dhënë në vite kontribute për notin.

Do të jem President i të gjithëve. Që do të thotë i trajnerëve, sportistëve, prindërve dhe gjithë atyre që përbëjnë komunitetin e notit. Suksese dhe shpresojmë që të gjithë së bashku të bëjmë më të mirën në këtë pjesë të mandatit tim në krye të Federatës Shqiptare të Notit”, ka thënë Agim Çiraku pas përfundimit të votimeve, kur ka fituar ndaj rivalit të tij Stefan Pinguli, thellësisht 19-2.

 Anxhaku: “Suksese Çiraku!”

 Gjatë procesit të votimit ka qenë i pranishëm dhe një tjetër anëtar i Komitetit Drejtues të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, si Skënder Anxhaku. “Përgëzimi dhe suksese Çiraku”, ishte urimi i presidentit të Çiklizmit.

 Bezhani: “Zgjedhje model!!”

 Kryetarit i Komisionit Teknik në Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani, e vlerësoi notë pozitive votimin për presidentin e ri t Notit. “Këto zgjedhje treguan më së miri vullneti e komunitetit të notit. Ishin model”.