Asambleja e FSHF, Duka: Kombëtarja është simboli i bashkimit të shqiptarëve

480
Dje u mbajt Asambleja e Përgjithshme e FSHF ku u analizua puna e bërë për vitin 2014 dhe gjithashtu u zhvilluan punimet për vitin 2015. kreu i FSHF, Armand Duka foli mbi vitin që u la pas dhe gjithashtu u ndal tek Kombëtarja shqiptare e futbollit, që sipas Dukës përbën krenarinë e shqiptarëve anembanë botës. “Kombëtarja është bërë simbol i bashkimit të shqiptarëve dhe kjo na bën të ndihemi krenarë”. Më tej, Duka u ndal edhe tek financimet e bëra gjatë vitit 2014-ë për çështjen e stadiumeve, ku “Elbasan Arena” shihet si arritja më e madhe dhe rikonstruksionit të këtij stadiumi do t’i vijë nga pas edhe ai i Tiranës që kërkon një investim prej 50 milionë euro gjithashtu edhe stadiumi i “Loro Boriçit” që do të jetë investim i përbashkët Federatë-Qeveri. Duka u ndal edhe tek fenomeni negativ i shitjeve të ndeshjeve, diçka që ka prekur ndjeshëm opinionin sportiv vendas: “FSHF ka mbuluar gjithë territorin me aktivitetet e saj. Jemi dëshmitarë të një prej kampionateve më të bukur në Superiore. Një fenomen negativ janë dyshimet për trukime prandaj duhet t’i themi ndal këtij fenomeni. Kam bindjen se e menaxhuam në mënyrën më të mirë atë që ndodhi në Serbi. Pavarësisht kritikave, ne kemi zbatuar rregullat duke mbrojtur simbolet tona kombëtare”. Gjithashtu Asambleja dha mirënjohje duke ju dhënë titullin “Nderi i Kombit në futboll” të dy legjendave të futbollit shqiptar, Loro Boriçit dhe Panajot Panos.
Sigal