Artan Mergjyshi: Diferencën në fushë e bëjnë sulmuesit, “Thembra e Akilit” mbeten trajnerët

636
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” ish-futbollisti i Dinamos e Besës, dhe ish-trajner në disa skuadra të Kategorisë Superiore
Në pozicionin e specialistit të futbollit, cili është këndvështrimi juaj për Kategorinë Superiore në këtë periudhë?
Realisht, kemi një situatë pozitivi vit pas viti në Kategorinë Superiore, pasi klubet janë të vetëdijshëm për rivalitetin e vështirësitë që ka kjo kategori në ecurinë e saj gjithëvjetore. Nisur nga këto arsye, por më tepër nga synimet e objektivat që kanë skuadrat në çdo sezon futbollistik, po punohet me seriozitet nga të gjitha skuadrat, ku më shumë spikasin ato që kërkojnë tituj e trofe.

Po në këndvështrimin e një ish-trajneri, si e përshkruani situatën e Superiores sot?
Është një situatë rivalizuese, nga të gjitha skuadrat. Po të isha në një skuadër, do ta ndjeja edhe më shumë këtë impenjim, por sikundër po i shohim organizimin e përgatitjet e të gjitha skuadrave, mendoj se do të ketë garë të fortë, nga bankina në fushën e lojës. Trajnerët duhet të kenë 18-20 lojtarë të gatshëm, sepse kështu skuadra bëhet më efiçente në ecurinë e garës, kryesisht kur synimet janë ambicioze në të dy anët e renditjes.

Dhe si një ish-futbollist, si do ta përshkruani këtë situatë në futbollin tonë elitar?
“Thembra e Akilit” në futboll, është skuadra në sulm, dhe ata që duhet të bëjnë diferencën janë sulmuesit, që tradicionalisht i zgjidhin situatat me golat që shënojnë. Në përgjithësi, futbolli ynë vuan nga elementë të tillë, dhe nga skuadrat kjo mbulohet në tregun e huaj. Ka shumë vështirësi për të gjetur lojtarë të këtij kalibri, edhe pse disa prej tyre kanë qenë shumë të mirë, aktualisht afrikani Soue te Skënderbeu.

Në këtë periudhë, të gjitha skuadrat janë në pikun e fazës përgatitore dhe të merkatos, si po zhvillohen këto dy etapa të kësaj faze përgatitore?
Dihet se faza përgatitore është e rëndësishme për gjithë sezonin. Kushtet janë më të mira jashtë Shqipërisë për të zhvilluar një fazë përgatitore më cilësore, ndërsa merkatua është një domosdoshmëri që imponohet nga synimet që kanë skuadrat. Rëndësi ka që në të dyja këto etapa pune brenda fazës përgatitore, klubet e trajnerët të bëjnë më të mirën me skuadrat e tyre.

Të gjitha skuadrat kanë zhvilluar edhe ndeshje miqësore, si do të ndikojnë ato për përgatitjen e çdo skuadre në këtë fazë?
Ndeshjet miqësore janë të domosdoshme në çdo periudhë përgatitore. Ato kanë vlerë të dyfishtë, ku jo vetëm testohet ana fizike e tekniko-taktike e skuadrës, por edhe elementët e rinj që vijnë zakonisht në periudhë merkatoje. Sipas mundësive që kanë, skuadrat kanë luajtur midis tyre këtu në Shqipëri, madje edhe me skuadra të kategorive inferiore, por edhe me skuadra të huaja ku janë duke u përgatitur. Njëherësh, këto janë pjesë e programit përgatitor që bëjnë skuadrat në këtë fazë.

Edhe dy javë, dhe faza përgatitore merr fund, ndërkohë që merkatua mbyllet në fundin e gushtit, çfarë mund të bëjnë skuadrat në këtë hapësirë kohe?
Drejtuesit e klubeve e trajnerët, duhet ti japin rifiniturën e fundit përgatitjeve, dhe të zbatojnë programe afatshkurta që sa më shpejt skuadrat të vijnë në gjendjen më optimale. Natyrisht që koha sa vjen e limitohet deri në startin e kampionatit, por e rëndësishme është që të gjitha ta nisin mbarë sezonin. Gara do të selektojë edhe synimet e tyre, e këtë sezon mendoj se do të ketë më shumë rivalitet për kreun, mesin e në fundin e renditjes.

Nga skuadrat tona të futbollit, vetëm Skënderbeu vazhdon të luajë në Evropa Ligë, si e mendoni takimin e dytë play-off në Elbasan?
Nuk duhet të çuditem me këtë Skënderbe, dhe për gjithçka që ka arritur duhen thënë fjalët më të mira. Atje punohet me politika pozitive, dhe me një organizim më të fortë dhe besim te vetja, do të ketë sukses në ndeshjen e dytë me Dinamon e Zagrebit. Natyrisht që do të jetë shumë e vështirë, por shanset janë për më tej. Duhet të jenë të kujdesshëm, sepse do të jetë tjetër Dinamo nga ajo e ndeshjes së parë në Zagreb. Duke e vlerësuar veten dhe mos e mbivlerësojnë kundërshtarin, e mendoj një ndeshje të hapur për të dyja skuadrat.

Po Kombëtarja, sa i prek ndjeshmëritë e futbollit të kohës këtu në Shqipëri?
Në çdo situatë, Kombëtarja është kryefjala e futbollit . Dy ndeshjet e radhës, me Litehshteinin e Maqedoninë, janë të ndryshme, por që duan përgatitje ekstra. Në ndeshjen e dytë në Maqedoni, të gjithë në Kombëtare duhet ta kenë të qartë se çfarë i pret, sepse aty nuk do të jetë atmosferë miqësore, në fushë e jashtë saj. Stafi nuk ka njohuri për këtë situatë, por lojtarët duhet ta dinë mirë, dhe motivimi i tyre do ti japë më shumë besim trajnerit e stafit të tij për rezultat pozitiv.
“Thembra e Akilit” në futboll, është skuadra në sulm, dhe ata që duhet të bëjnë diferencën janë sulmuesit, që tradicionalisht i zgjidhin situatat me golat që shënojnë. Në përgjithësi, futbolli ynë vuan nga elementë të tillë, dhe nga skuadrat kjo mbulohet në tregun e huaj
Sigal