Artan Bano: Me Kukësin, premiera e parë në “Roza Haxhiu”, për t’u fituar

Nga Agron KAJA

KATEGORIA SUPERIORE/ Ja si e ka përgatitur trajneri skuadrën e Lushnjës, për ndeshjen e javës së 5-të me kampionët

Nesër nisin ndeshjet e Kategorisë Superiore, dhe java e pestë e saj sjell takime interesante. Kështu vlerësohet edhe ai i Lushnjes, ku vendasit presin Kukësin, Kampionin në fuqi të kësaj kategorie. Në katër javët e para, Lushnja ka arritur vetëm 2 barazime dhe renditet në vendin e 9-të, ndërkohë që Kukësi me 7 pikë renditet në vendin e dytë. Për situatën e skuadrës lushnjare në prag të kësaj sfide, për gazetën “Telegraf”, trajneri Artan Bano deklaroi se ai e ka përgatitur skuadrën në të gjithë treguesit, vetëm për ta fituar. “Natyrisht që Kukësi nuk është më një skuadër e radhës, por si një kampione në fuqi, nga ana jonë ka marrë vlerësimin maksimal. Do të jetë një ndeshje e fortë, por nuk do ta quaja të vështirë për tu kaluar pozitivisht nga ana jonë”, kështu theksoi fillimisht në deklarimin e tij trajneri i Lushnjes, i cili vlerësoi edhe faktin se, kjo ndeshje do të luhet në stadiumin e qytetit të tyre. “Për arsye objektive, ne kemi luajtur në transfertë dy ndeshje, dhe përfitoj të falënderoj si drejtuesit e futbollit fierak, ashtu edhe tifozerinë e këtij qyteti, të cilët kanë qenë prezentë në ndeshjet me Vllazninë në javën e parë, dhe me Kamzën në javën e tretë. Tashmë ne e mbyllëm këtë transfertë të detyruar, dhe me Kukësin rikthehemi në stadiumin tonë. Ky është një moment pozitiv për skuadrën tonë, sepse tifozeria lushnjare është shumë e afërt me skuadrën, dhe realisht këtu në “Roza Haxhiu” ajobëhet “Lojtari i 12-të” për ne. Prandaj ne e kemi vlerësuar këtë moment, duke e mendoar faktor plus në arritjen e synimit për fitore”. Në këtë përballjen trajneri i Lushnjes nuk merr shumë parasysh mungesat që Kukësi i ka bërë publike, pasi sipas tij, ata kanë në përbërjen e tyre edhe lojtarë të tjerë cilësorë. Te Kukësi do të mungojë mbrojtësi Shameti, ndërkohë që priten të rikuperohen edhe Bakaj me Zeqirin. “Për mua si trajner i Lushnjes, rëndësi ka që ekipin tim e kam të plotë për këtë përballje me Kukësin, dhe mungesat e tyre nuk na japin ndonjë lehtësi. Sepse Kukësi ka në përbërje të tjerë futbollistë cilësorë, ndaj detyra jonë është që ta përballojmë me sukses në favorin tonë, me ata që Kukësi do të hedhë në fushën e lojës”. Lushnja u rikthye në Kategorinë Superiore pas pesë sezonesh në Kategorinë e Parë, ndërsa me Kukësin kjo është ndeshja e 6-të, ku në 5 ndeshje, kuksianët kanë arritur 3 fitore, lushnjarët 1, dhe 1 ndeshje ka dalë në barazim.

Tashmë ne e mbyllëm këtë transfertë të detyruar, dhe me Kukësin rikthehemi në stadiumin tonë. Ky është një moment pozitiv për skuadrën tonë, sepse tifozeria lushnjare është shumë e afërt me skuadrën, dhe realisht këtu në “Roza Haxhiu” ajo bëhet “Lojtari i 12-të” për ne 

2 barazime
Në katër ndeshjet e luajtura në Kategorinë Superiore, Lushnja ka humbur 2 ndeshje, ka barazuar 2 të tjerat me shifrat 0-0: me Kamzën dhe Partizanin 

Ndeshjet-Java e pestë
Datë 12 tetor 2017 
Luftëtari-Kamza 14:00
Lushnja-Kukësi 14:00
Skënderbeu-Laçi 17:00
Vllaznia-Flamurtari 17:00
Teuta-Partizani 17:00

RENDITJA
Skuadrat Nd P
1.Skënderbeu 4 10
2.Kukësi 4 7
3.Flamurtari 4 7 
4.Teuta 4 7
5.Laçi 4 6
6.Luftëtari 4 5
7.Vllaznia 4 4
8.Kamza 4 3
9.Lushnja 4 2
10.Partizani 4 2

Qetësohen te Kukësi, rikthehet Bakaj, Shameti e Zeqiri jashtë
Gjatë ditës së djeshme, skuadra e Kukësit ka vazhduar përgatitjet për ndeshjen ndaj Lushnjës në transfertë, ndërkohë që në javën e fundit situata e dëmtimeve ka qenë e ndërlikuar në skuadër. Shameti, Bakaj, Zeqiri e Hallaçi kanë shfaqur probleme dëmtimesh, por më e ndërlikuar duket situata për mbrojtësin Shameti. Stafi mjekësor ka bërë me dije, se ai e ka të pamundur të luajë në ndeshjen me Lushnjën, ndoshta edhe ndaj Teutës. Në dyshim aktivizimi është edhe mesfushori Zeqiri, pasi dëmtimi që ai ka pësuar ka dalë më i rëndë nga sa parashikohej. Lajmi i mirë ishte, se dje Bakaj ka dalë në stërvitje, dhe është gati për ndeshjen e së enjtes në Lushnje.