Arsen Hoxha: “Gjyqtarët dhe gabimet janë pjesë e lojës”

660
Sigal

Zëvendëskryetari i Komitetit të Arbitrave bën për “Telegraf” një bilanc të punës gjykimit dhe risitë e “xhaketave rozë”

Arsen Hoxha, zëvendëskryetari i Komitetit të Arbitrimit dhe njëherësh edhe kryetari i Komisionit të Vlerësimit dhe Meritës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, në analizën e tij për gazetën “Telegraf” bëri vlerësimet për gjykimin në sezonin futbollistik që sapo u mbyll, duke theksuar se në përgjithësi edicioni ishte pozitiv përsa u përket arbitrimeve, duke veçuar edhe faktin e këndshëm se, për herë të parë në Shqipëri dy gjyqtare femra gjykuan në një ndeshje të Kategorisë Superiore për meshkuj, atë midis Skënderbeut dhe Flamurtarit. Arsen Hoxhën ka qenë arbitër i FIFA-s për një periudhë 18-vjeçare (1973-1991), duke gjykuar mbi 40 ndeshje ndërkombëtare si dhe ka një përvojë 29-vjeçare në fushat e blerta (1962-1991).

– Zoti Hoxha, sezoni futbollistik tashmë ka përfunduar, teksa ka mbetur vetëm finalja e Kupës së Shqipërisë. Duke lënë mënjanë

verdiktet e titullit kampion, ekipeve që do të marrin pjesë në Europë, por dhe të atyre që ranë nga Kategoria, në vlerësimin tuaj, edhe si një eksperti i gjykimit, si ka qenë arbitrimi në të gjitha kompeticionet?

– Sezoni që, sapo përfundoi ishte një edicion i suksesshëm përsa i përket shqiptar. Natyrisht, që mund të kenë ndodhur edhe gabime, por ato kanë qenë brenda kufijve dhe tolerancës së arsyeshme. Ne kemi ndjekur përmes transmetimeve televizive mjaft kampionate të rëndësishme në Europë, atë italian, gjerman, spanjoll apo anglez, apo Ligën e Kampioneve dhe Ligën e Europës, dhe kemi parë se dhe atje ka pasur gabime shumë më të rënda se, ato që kanë bërë arbitrat tanë. E përgjithshmja është që, gjykimi në Shqipëri ka pësuar një rritje të ndjeshme edhe këtë vit.

– Ju theksuat se, ka një rritje të nivelit të gjykimit. Ku e bazoni këtë, pasi ankesa nuk ka munguar?

– Nëse do t’i referohemi periudhës para tre vjetësh, ne kemi pasur mangësi në numrin e nevojshëm të arbitrave dhe niveli i tyre në përgjithësi ishte nën mesataren. Tani, jo vetëm që është rritur numri i arbitrave që mund t’u besosh ndeshje të rëndësishme por, është dyfishuar edhe numri i tyre. Para dy-tre vjetësh ishin vetëm tre-katër arbitra që, mund t’u besoheshin ndeshjet të një përgjegjësie të lartë, gjatë këtij viti kanë përmirësime të ndjeshme gjyqtarë të rinj si Alla, Sino, Koçi, Jubica, Sadiku, veç arbitrave me përvojë si Jemini, Pashaj, Jorgji dhe Meta.

– Në dijeninë tuaj a ka pasur gjyqtarë, që dashur pa dashur me vendime e tij ka ndikuar në rezultatin e ndeshjeve dhe a janë marrë masa kundër tyre?

– Masa kemi marrë, pavarësisht kritikave nga njerëz të painformuar dhe nuk e dinë sesi funksionon Komiteti i Arbitrave, që zbaton vetëm rregulloret e FIFA-s dhe UEFA-s. Në fakt, ne nuk i bëjmë publike dënimet e arbitrave, por kjo nuk do të thotë se nuk janë marrë. Madje mjaft nga punonjësit e FSHF-së nuk i dinë masat që, janë marrë ndaj arbitrave, pasi u bëhen të ditura vetëm arbitrave, Komitetit të Arbitrave, Komisionit të Caktimit të Arbitrave dhe titullarit kryesor të Federatës. Kjo bëhet që, arbitrat të mos sulmohen publikisht.

– Në vendin tonë zhvillohen disa kampionate, përfshirë Superligë, Kategorinë e Parë dhe të Dytë, kampionatet e moshave, por dhe kampionati i femrave. Sa është numri i arbitrave?

– Vetëm gjatë kohës që, është krijuar Komitetit i Arbitrave, pra në dy sezonet e fundit, ne kemi shtuar mbi 100 arbitrave. Në total, janë 408 arbitra. E konsideroj të rëndësishme, edhe krijimin e kolegjiumit të arbitreve femra. Brenda një kohë shumë të shkurtër kemi bërë seminare speciale me to në FSHF, apo në qytetet e tyre, madje arritëm deri aty sa i vendosim të gjykonin edhe në Kategorinë Superiore, në ndeshjen Skënderbeu-Luftëtari, të cilën e konsideroj një publicitet të mirë, jo vetëm në aspektin moral të vajzave që gjykuan, por dhe të gjitha femrat shqiptare që të afrohen dhe të marrin përgjegjësi të tilla, pasi është një punë e këndshme.

– Sa gjyqtare femra ka në Shqipëri?

– Janë rreth 30 gjyqtare. Ato gjykojnë kryesisht në kampionatin e femrave, por dëshira jonë është t’i hedhim edhe në kampionatet e tjera, në rolin e asistenteve apo të arbitrit të katërt. Gjyqtaret femra bëjnë pjesë në kolegjiumet e Tiranës, Durrësit, Elbasanit dhe Shkodrës. Gjyqtaret femra, ndryshe nga ata meshkuj, ende nuk kanë marrë stemën e FIFA-s, pasi nuk janë ende në nivelin e kërkuar, janë ende në atë shkallë që po formohen si arbitra. Ndoshta, do të duhen një apo dy vjet të tjera që, të arrijnë në ato nivele.

– Zoti Hoxha, me lejoni të bëj një pyetje disi “provokative”. Kush gabojnë më pak, gjyqtarët meshkuj apo femra?

– Arbitrimi nuk mund të kuptohet pa gabime. Madje arbitrimi kudo në botë ka një mesatare të saktësisë deri në 85% në vendimet e tyre, pasi ata marrin rreth 60 vendime të rëndësishme në një ndeshje dhe, është e natyrshme që aty të ketë edhe ndonjë vendim të gabuar. Në lidhje me pyetjen tuaj se, kush gabon më shumë, unë do të them femrat, pasi janë më pak të kualifikuara.

– A ka ndikuar masivizimi i futbollit të femrave, përmes gjykimeve nga “xhaketave rozë”, nëse mund të shprehem kështu?

– Futbolli i femrave është shumë i bukur dhe praktikohet shumë në botë dhe në të gjitha moshat. Tek ne nuk ka akademi për futbollin e moshave të femrave. Përsa u përket arbitreve femra, ka tre vjet që është formuar kolegjiumi i tyre, por akoma nuk kanë arritur në atë nivel që t’u besosh ndeshje të rëndësishme. Gjithsesi, jam i bindur se, shumë prej tyre kanë dëshirë dhe do të ngjiten edhe në kategori të tjera.

– Arbitrat shqiptar po gjykojnë në vazhdimësi në Europë. Cilat janë përshtypjet e ndërkombëtarëve?

– Ne kemi pasur arbitra që kanë gjykuar në kompeticionet e ndryshme europiane. Në përgjithësi janë përfaqësuar mirë por, nuk duhet të harrojmë se këtu kemi të bëjmë edhe me çështje mentaliteti të nivelit që ne kemi. Për këtë arsye, akoma gjyqtarëve tanë të FIFA-s nuk u besohen ndeshje të niveleve të larta. Duhet të dalë një talent shumë i mirë që, të rrëzojë disa barriera dhe perceptime për nivelin e futbollit tonë. Ne shpresojmë që, në të ardhmen ta dalin arbitra.

– Zoti Hoxha, cili është niveli i arbitrimit tonë në raport me vendet fqinjë, kryesisht Malin e Zi dhe Maqedoninë?

– Nuk ka ndonjë informacion të detajuar, por mendoj se ne ato ndeshje që ata janë aktivizuar në ndeshje miqësore që janë luajtur në vendin tonë, kam krijuar bindjen se niveli i tyre është i përafërt.

Si merret masa ndaj një arbitri

Arsen Hoxha tha për gazetën se, ka një sërë kriteresh për të marrë masa ndaj një arbitri. “Ajo që ne shikojmë në vendimin e arbitrit, ka të bëjë me faktin se, nëse ky gabim është njerëzor; ky gabim erdhi nga ndonjë pozicion jo i përshtatshëm dhe s’kishte mundësi ta dallonte; erdhi si pasojë e presionit nga faktorë të tjerë; erdhi si pasojë e një dëshire subjektive të tij, por, kur e shikon që ai është një rast fare i pastër që, edhe një arbitër i kualifikimit të ulët do ta dallonte, atëherë ne dalim në konkluzionin se gabimi ka qenë subjektiv dhe ne marrim masa të rënda. Komisioni i Vlerësimit dhe i Meritës shqyrton me kujdes çdo rast të diskutueshëm, duke e parë shumë herë videon. Kur gabimi ka influencuar ka ndikuar në rezultatin e lojës, atëherë ne marrim masa të rënda ndaj gjyqtarit që ka gabuar. Masa minimale, sipas rregullores, është pezullimi për dy javë, ndërsa ajo maksimale është përjashtimi për jetë”.

“Kur gjykoja Dinamon e Bukureshtit para 75 mijë shikuesve”

Arsen Hoxha ka qenë një arbitër i karrierës dhe ndër më të vlerësuarit në Shqipëri, në periudhën që ai gjykoi, me

një përvojë 29-vjeçare në fushat e blerta (1962-1991). Hoxha ka gjykuar mbi 40 ndeshje ndërkombëtare, disa dhe të nivelit të lartë europian. “Në periudhën tonë, pra para viteve 1990, ka pasur disa probleme që, edhe e kanë kufizuar jo vetëm numrin e arbitrave, por dhe numrin e ndeshjeve. Ka pasur një marrëdhënie jo shumë të gjerë midis UEFA-s dhe shtetit shqiptar, pasi ishte ky i fundit që komandonte Federatën e Futbollit, e që nuk kishte këtë pavarësi që ka sot. Kjo na ka penguar shumë, pasi shpesh ne nuk dërgonim gjyqtarë, nuk dërgonim arbitra edhe për shkak të politikës së shtetit tonë, si në rastin e ish-Bashkimit Sovjetik apo Izraelin, të cilat bëheshin barrierë. Gjithsesi, të gjithë arbitrat e kohës sime i kanë përballuar me sukses ndeshjet që kanë gjykuar në Kupën e Kampioneve, Kupën e Kupave apo Kampionatin Ballkanik. Edhe unë kam pasur disa ndeshje të tilla. Si ndeshjen me të rëndësishme mbaj mend Dinamon e Bukureshtit kundër Valerengës së Norvegjisë për Kupën e Kampioneve në vitin 1982, përpara 75 mijë shikuesve. Vlerësimi ka qenë maksimal nga vëzhguesi i UEFA-s. Po numëroj vetëm ndeshjet ku ka pasur disa mijëra shikues: Rumani-Qipro, me rreth 35 mijë shikues në vitin 1983. Kam gjykuar një finale të Kampionatit Ballkanik, midis Ploeshtit të Rumanisë dhe Lokomotivës së Sofjes, ashtu sikundër kam gjykuar Shpresën e Greqisë me atë të Hungarisë, që kush fitonte shkonte në tetëshen e Europës, etj. në Kupën e Kampioneve apo të Kupës së Kupave”, – tha ish-arbitri i FIFA-s, Arsen Hoxha.

Si gjykonim para viteve 1990

Gjyqtarët e sotëm nuk e kanë shumë komode detyrën e tyre, pasi u duhet të përballojë një sërë presionesh të ndryshme. Por, sa të lehtë e ka pasur një gjyqtar i para viteve 1990 detyrën e tij? Hoxha tha: “Futbolli në kohën time ishte shumë masiv, tepër popullor dhe stadiumet mbusheshin plot, lojtarët luanin tepër të mobilizuar për fitore. Kishte ndeshje derbi, sidomos midis tre ekipeve të kryeqytetit, ashtu sikundër ka pasur periudha të ndryshme që kanë ndriçuar edhe ekipet e rretheve si Vllaznia, Flamurtari, Besa, Elbasani, Teuta apo Skënderbeu. I jepnin bukuri futbollit. Mbaj mend që, në shumë qytete biletat shiteshin me autorizim, apo spektatorët vinin tre-katër orë para. Futbolli ishte luftarak, ndërsa lojtarët e ndjenin veten shumë të nderuar kur dilnin në fushë. Në të njëjtën situatë ishte dhe arbitri. Gjyqtarët ishin më të motivuar, më të garantuar, më pak të ngacmuar nga influencat e ndryshme dhe me të mbrojtur. Kur gjykoje një Partizani-Tirana me tepër rivalitet dhe një stadium të mbushur plot, duhet të ishe dhe një psikolog për të drejtuar ndeshjen mirë”.

Komiteti i Arbitrimit

Në këtë komision bëjnë pjesë tre komisione: i Caktimit të Arbitrave, i Vëzhguesve si dhe Komisioni i Meritës dhe Vlerësimit. Të tre komisione përbëhen nga tre persona. Kryetari i Komitetit të Arbitrave është Tahir Kastrati.

 Sistemi elektronik

Delegatët, vëzhguesit e ndeshjeve, gjyqtarët, pra gjithë zyrtarët e ndeshjes do të hedhin online të dhënat mbi ndeshjet, formacionet, zëvendësimet, golat, kartonët, por dhe të gjitha ngjarjet që ndodhin gjatë një takimi.

 Arbitrat e FIFA-s

Shqipëria merr pjesë në Europë me tre arbitra: Lorenc Jemini, Bardhyl Pashaj dhe Enea Jorgji. Janë dhe gjashtë asistentë: Avdo, Barushi, Çokaj, Koka, Preca dhe Tartaraj, si dhe dy vëzhgues të UEFA-s për arbitrat, Plarent Kotherja dhe Sokol Jareci.

Berisha “arratiset” në Azerbajxhan

Bernard Berisha drejt Europës. Besa e Kavajës ka në duar dy oferta për të, një shumë serioze nga Azerbejxhani dhe një tjetër nga Ukraina. Këtë e konfirmoi për gazetën Tribuna futbollisti pejan derisa deklaroi se është i gatshëm të ndërrojë ambient dhe të luaj në Azerbejxhan. “Klubi i Besës ka pranuar dy oferta serioze për mua. Njëra është nga një skuadër e Azerbejxhanit e një tjetër nga Ukraina, por emrat e tyre nuk dua t’i publikoj. Mendoj që ka ardhur koha që të ndërroj ambient. Pasi që oferta e skuadrës nga Azarbejxhani duket më serioze, jam i gatshëm ta sprovoj veten atje”, deklaroi ai. Të kujtojmë që Berisha këtë edicion nën fanellën ‘verdhezi’ të Besës ka shënuar tre gola dhe ka dhuruar tre asistime për bashkëlojtarët.

Dinamo do të kthehet në shtëpi

Projekti i Dinamos për ngjitjen në kategorinë superiore duhet të nisë me rikthimin e saj në ambientet që tashmë janë bërë pronë e Agjencisë së Sporteve. Administratori i bluve, Ismet Saliaj, theksoi se, po bëhen të gjitha përpjekjet që një skuadër me shumë traditë dhe vlera, të strehohet në shtëpinë e saj, nga ku u dëbua më shumë se dy vjet më parë. Sipas Saliajt, nga rrethanat që u krijuan, sigurimi I mbijetesës në superiore duhet konsideruar një arritje e madhe. Sa i përket grupit që mbylli sezonin, administratori I bluve siguroi se mbi 70% e futbollistëve do të qëndrojnë, ndërsa për stafin teknik do të vendoset në ditët në vijim.