Armenët nuk pranojnë trukimin, mohojnë akuzat e presidentit të Federatës

459
Vetëm para pak ditësh është dhënë një deklaratë nga presidenti i Federatës Armene, Ruben Hayrapetyan, i cili akuzonte disa nga lojtarët e kombëtares armene për trukimin e ndeshjes me Shqipërinë, saktësisht 3 mbrojtësit e ekipit dhe portierin, se janë paguar për manipulimin e rezultatit. Kjo ishte një zhurme e madhe, e cila u diskutua gjatë, madje u kërkua dhe hetimi nga UEFA për këtë çështje. Menjëherë pas akuzave nga presidenti i Federatës, kanë dalë në lojë lojtarët e Armenisë, të cilët përmes një letre kanë shkruar se, ndeshja e luajtur në Jerevan nuk ka qenë e trukuar dhe se ka qenë një fitore e merituar nga ana e ekipit Shqiptar me rezultatin 3:0. Përpara përgënjeshtrimit të lojtarëve pati dhe kundërshti të tjera, për akuzat e presidentit të Federatës, të cilët nuk e kanë pranuar, duke e cilësuar si gënjeshtër dhe se për këtë duhet të merren masa pasi nuk është e drejtë që gjykohet në këtë mënyre ndërkohë që provat për vërtetimin e kësaj teze kanë qenë zero. Nga ana tjetër, “kundërshtuesit” e kësaj teze të ngritur nga presidenti i Federatës Armene, kanë dalë 9 lojtarë, të cilët nëpërmjet një letre të hapur, të firmosur thuhet se nuk janë përfshirë në asnjë situatë të tillë. Mes futbollistëve, nënshkrues është edhe ylli i Borussia Dortmund, Henrikh Mkhitaryan. “Komentet dhe lajmet rreth ndeshjes me Shqipërinë janë të pavërteta. Ne kemi një besim te çdo lojtar i skuadrës. Të hetosh për një trukim në përfaqësuesen tonë nuk do të sjellë asnjë rezultat”, shkruhet në letrën e përbashkët të lojtarëve armenë, të cilët e kanë kundërshtuar hapur akuzën e ngritur nga Ruben Hayrapetyan. Më tej lojtarët armenë, njëkohësisht dhe nënshkruesit e letrës kanë shtuar se, edhe kur kanë qenë të lënduar i janë përgjigjur ftesës së trajnerit, për të mos dëmtuar ekipin. Shqipëria e fitoi takimin e zhvilluar në Jerevan me rezultatin 3-0, një sukses që e kualifikoi Kombëtaren në Euro 2016. Ja letra e plotë e firmosur nga 9 lojtarët armenë: “Duke pasur parasysh thashethemet e fundit rreth ekipit kombëtar të futbollit, komenteve të presidentit, ne dëshirojmë t’u përgjigjemi disa pikëpyetjeve të ngritura. Së pari, komentet dhe thashethemet mbi ndeshjen ndaj Shqipërisë janë krejtësisht të rreme. Ne jemi plotësisht të sigurt në ekipin tonë dhe çdo lojtar i Armenisë nuk ka bërë dhe do të bëjë kurrë një tradhti të tillë. Ne besojmë se pikëpamjet tona janë të të gjithë lojtarëve të ekipit kombëtar. Ne kemi qenë gjithmonë të përkushtuar personalisht, por edhe ekipi kombëtar ka qenë i përkushtuar. Të gjithë lojtarët kanë bërë gjithçka për të mirën e ekipit. Me ne nuk ka ndodhur dhe s’do të ndodhë që të kemi një jetë të shëndetshme profesionale në klubet tona dhe të shmangim angazhimin në kombëtare, duke iu druajtur lëndimeve. Ne kemi sakrifikuar shëndetin dhe në shumë raste karrierën, duke i shërbyer ekipit kombëtar. Të gjithë lojtarët janë si një familje, marrëdhëniet mes nesh janë të ngrohta dhe miqësore. Ne duam të falënderojmë të gjithë tifozët armenë për respektin e përbashkët në këto 7-10 vjet. Ju gjithmonë duhet ta adhuroni ekipin tonë kombëtar, pavarësisht nga rezultati dhe cilësia e lojës”. Kjo ka qenë letra që ka hedhur poshtë të gjitha zërat se fitorja e Shqipërisë në Jerevan ka qenë e pamerituar.
Shkrimi u botua në gazetën Telegraf të datës 01.12.2015
Sigal