Armando Sadiku, “bomberi” i ri i Zyrihut

70

 Sulmuesi elbasanas ka shënuar 53 gola në 80 ndeshje me Lokarnon dhe Luganon në Zvicër

Armando Sadiku transferohet te FC Zyrih i Superligës zvicerane. Sulmuesi i Luganos do të veshë fanellën bardheblu nga janari i vitit 2014. Lajmi është zyrtarizuar nga mediat zvicerane, por dhe nga vetë futbollisti i Kombëtares shqiptare përmes faqes së tij në rrjetin social “Facebook”. FC Zyrih do të jetë klubi i tretë zviceran i Sadikut, pas atyre me Lokarnon dhe Luganon (ku luan aktualisht). FC Zyrihu pozicionohet për momentin në vendin e 9-të, nga dhjetë skuadra që ka “Super League” helvete, me 15 pikë të grumbulluara në 14 ndeshje. Pra, rrezikon rënien një kategori më poshtë, aty ku militonte edhe Sadiku bashkë me Luganon.

MAKINË GOLASHË

“FC Zyrih ka sërish një ‘bomber’, – shkruan portali zviceran “Blick.ch”. “Shqiptari Armando Sadiku vjen me një ‘rekomdanim’ prej 53 golash në 80 ndeshje në Challenge League (kategoria e dytë në Zvicër)”, – thekson gazeta helvete. “24 heures”, gazetë zvicerane, duke konfirmuar këtë transferim, shkruan: “FC Zyrih bën të vetin golashënuesin e “Challenge League”, Armando Sadiku. Shqiptari është pjesë e Luganos që prej vitit të kaluar dhe është përvijuar si “top golashënues”. Sulmuesi elbasanas ka shënuar 5 gola në këtë sezon, njërin me penallti, për llogari të kampionatit, ndërsa ka luajtur 718 minuta lojë në tetë ndeshje. Sezonin e kaluar shënoi 18 gola me Luganon, në 32 ndeshje të aktivizuara.

KUSHTET E KONTRATËS

Në fakt, flitej prej shumë kohësh për një trasnferim të Sadikut, teksa pistat herë shfaqeshin në Itali dhe herë në Gjermani, Rusi apo dhe në Angli. Kontrata e 22-vjeçarit me Luganon skadonte në qershor të vitit 2014, prandaj skuadra modeste vendosi të bënte një hap pas, duke pranuar ofertën e gjigandëve të FC Zyrih për të mos e humbur talentin shqiptar me parametra zero. Sipas kontratës së nënshkruar, përveç parave të mara nga transferimi aktual (shuma nuk është bërë publike për mediat), Lugano do të marrë një përqindje të caktuar nëse FC Zyrih do ta shesë Sadikun një klub tjetër.

“KËPUCA E ARTË”

22-vjeçari Sadiku ka fituar në dy sezonet e fundit të Challenge League “Këpucën e Artë”, duke realizuar 20 me Luganon dhe 19 gola me Lokarnon, klubin e tij të parë në kampionatin zviceran, i transferuar nga Elbasani në janar të vitit 2011. Sadiku ka luajtur në Shqipëri edhe me Sopotin e Librazhdit dhe Gramozin e Ersekës, kur kolonjarët luanin në Kategorinë Superiore.

KOMBËTARJA

Për Kombëtaren shqiptare, Sadiku ka luajtur deri tani nëntë ndeshje duke shënuar një gol kundër Qipros. Aktualisht, sulmuesi është ftuar nga trajneri Xhani De Biazi për ndeshjen miqësore kundër Bjellorusisë, takim që do të luhet të premten (15 tetor) në Antalia të Turqisë. Ky është një lajm pozitiv për sulmuesin e kombëtares së De Biazit, pasi aktivizimi i tij në një klub prestigjioz rrit edhe mundësitë e aktivizimit titullar me kombëtaren kuqezi, pasi dilemat më të mëdha për teknikun italian janë në repartin e avancuar për shkak të alternativave të pakta.

EURO U-21

Sot, Hungari-Shqipëri

 Shqipëria U-21 do të sfidojë sot kundër Hungarisë në stadiumin “Jozsef Bozsik” (17:00), me shpresë se nuk do t’i japë fund serisë prej pesë humbjesh në eliminatoret e Kampionatit Europian 2015. Shqipëria U-21 mban vendin e fundit në grupin 4 që kryesohet nga Spanja. Shpresat e drejtuara nga Skënder Gega i kanë humbur në të pesë ndeshjet që ajo ka zhvilluar në këto eliminatore, gjë që nuk ndodh prej shumë vitesh. Shpresat kanë humbur 2-1 me Hungarinë (në Durrës), 4-1 me Bosnjën (në Zenica), 1-0 me Austrinë (në Vlorë), 4-0 me Spanjën (në Logrono) dhe 1-0 me Bosnjën në Elbasan. Kombëtarja U-21 nuk fiton një ndeshje nga viti 2011.

NDESHJET

14/11/2013

Hungari-Shqipëri 17:00

Bosnjë-Spanjë 20:30

RENDITJA

1 Spanja        4    12

2 Austria       4    9

3 Hungaria      4    6

4 Bosnia        5    6

5 Shqipëria     5    0

EURO U-19

Sot, Sllovaki-Shqipëri

 Kombëtarja U-19 do të luajë sot kundër Sllovakisë, ndeshja e dytë e kuqezinjve të Foto Strakoshës në kuadër të eliminatoreve të Kampionatit Europian 2014 të asaj moshe. Në takimin e parë, Shqipëria humbi 1-0 me Greqinë me një gol të pësuar në minutën e 86-të (nga Dimtris Popoviç). Në ndeshjen tjetër të grupit tonë, Bullgari fitoi 2-1 me Sllovakinë. Pra, si Shqipëria, ashtu dhe Sllovakia synojnë pikët e para në këtë fushatë. Takimi tjetër i grupit tonë është ai midis Bullgarisë vendase dhe Greqisë. Ndeshja e fundit e Kombëtares U-19 është ajo kundër Bullgarisë, më 17 nëntor. Për në “Elite Round” kualifikohen dy vendet e para në grup.

NDESHJET

14/11/2013

Greqi-Bullgari 14:00

Shqipëri-Sllovaki 17:00

RENDITJA

Bullgaria 1    3

Greqia     1    3

Sllovakia  1    0

Shqipëria  1    0

 Rekordmeni i Kombëtares: “Në Itali kam familjen time, por do t’i vlerësoj dhe ofertat jashtë saj”

 Bogdani: “E ardhmja ime flet italisht”

  Erjon Bogdani nuk dëshiron kurrsesi të “varë këpucët në gozhdë”. Sulmuesi shqiptar 36-vjeçar beson se, ai ka ende për t’i dhënë futbollit të luajtur. Bogdani luan prej viti 2000 në Itali, duke qenë kështu futbollisti shqiptar që ka luajtur më gjatë në kampionatet italiane të Serisë A dhe Serisë B. Bogu dha një intervistë për portalin italian “Tuttomercatoëeb.com”, duke folur edhe për të ardhmen e tij. “Unë jam gati për një thirrje të mundshme, jam duke u stërvitur dhe do të pres fundin e dhjetorit për të parë në lidhje me të rejat. Sigurisht, kërkoj një ofertë të pranueshme dhe një projekt të rëndësishëm. Prioritet do të jetë gjithmonë Italia, këtu kam familjen time, por nëse arrin një propozim i mundshëm nga jashtë, sigurisht që do ta shqyrtoja”, – tha Bogeani. Në fakt, mediat italiane kanë bërë të ditur për një interesim të Sienës për Bogdanin, skuadër me të cilin lojtari shqiptar ka luajtur disa herë gjatë karrierës së tij. “Qëndron si hipotezë. Megjithatë, shpresoj që toskanët të diskutojnë një kampionat të mirë dhe të synojnë ngjitjen në Serinë A”, – shtoi Bogu. Sulmuesi veteran foli edhe për sezonin jo të mirë të Kievos, një skuadër që ai ka luajtur në vitin 2007 dhe midis viteve 2008-2010. “Më vjen keq, për situatën që po kalon Kievo. Kam shumë miq në Verona dhe besoj në zgjedhjet që ka bërë klubi. Nga jashtë nuk mund të them shumë, por shpresa ime është që Kievo të arrijë ta ngrihet. Sigurisht, trajneri Korini në të kaluarën ka bërë shumë mirë, qoftë si lojtar dhe qoftë si trajner. Shpresoj që mund ta përsërisë këtë për Kievon”.

 Napoli, Juve e Roma kërkojnë Shaqirin

 Xherdan Shaqiri është në fokusin e tri skuadrave italiane: Napolit, Romës dhe Juventusit. Lajmin e bëri të ditur “Infoticker.ch”. Ylli kosovar i Bajernit të Munihut nuk po gjen shumë hapësirë te kampionët e Gjermanisë dhe Europës, kështu që ekipet italiane kërkojnë shërbimet e 22-vjeçarit. Mesfushori i Kombëtares zvicerane ka një kontratë me Bajernin deri në vitin 2016. Shaqiri i shënoi dy gola Kombëtares, nga një për çdo ndeshje kundër Shqipërisë në eliminatoret e Botërorit “Brazil 2014”. Xherdani vlerësohet si një yll në Zvicër.

 Totenehmi në gjurmët e Valmir Berishës

 Gjiganti i Premier Ligës, Totenhem Hotspur, është gati të paguajë 500 mijë sterlina për të blerë Valmir Berishën, talentin shqiptar që shkëlqeu me kombëtaren suedeze U-17 në Kampionatin Botëror të kësaj moshe. Sulmuesi 17-vjeçar shënoi shtatë gola, duke ndihmuar skuadrën të zinte vendin e tretë, ndërkohë që fitoi “Këpucën e Artë” të kompeticionit. “The Daily Mirror” shkruan se aftësitë e tij kanë bindur “zbuluesit” e klubit anglez. Janë disa emra të mëdhenj klubesh që janë të interesuara për lojtarin e Halmstadit, pasi ka edhe disa të tjerë të mëdhenj në Evropë.