Armando Duka: Tirana e meritoi Superkupën, ka mësuar nga sezoni i kaluar

458
Armando Duka vlerëson Tiranën, ndërsa mendon se tashmë kanë nxjerrë mësimet nga gabimet e sezonit të fundit. Pasi akordoi edhe trofeun e Superkupës, presidenti i FSHF-së në një deklaratë të dhënë për mediat foli për kampionatin që starton të shtunën, por edhe për Kombëtaren.

“Ndeshje e bukur. Tirana e meritoi, sepse luajti më mirë se ekipi tjetër. Pati disa raste. Me sa kuptohet, ka nxjerrë mësime nga edicioni i kaluar dhe tani gjërat po i bën më mirë. Kush punon, merr dhe frytet e punës. Uroj që edhe sezoni i ri të jetë po kaq i mirë. Kam parë që skuadrat janë përgatitur shumë mirë. Uroj që të kemi një kampionat me sa më shumë të ardhura, lojëra të mira, sa më shumë cilësi e lojtarë dhe ‘fair-play’ e në fund spektatorë.

Kam shumë besim se të gjithë këto gjëra do të jenë shumë të arritura, duke parë lëvizjet e lojtarëve dhe atë që kanë bërë klubet deri më sot. Jam i bindur se do të jetë një sezon më i mirë se paraardhësit e tij. Merkato ka qenë shumë e mirë këtë verë. Është investuar më shumë. Në kompleks, klubet tani janë më të organizuara dhe kjo do të bëjë që të kemi një kampionat më të bukur”, theksoi Duka.

Kur pyetet për nisjen me vonesë të kampionatit, ai me shumë diplomaci u përgjigj: “Edhe po ta kishim nisur më herët, do të ishin ankuar të tjerë përse nuk e nisëm më vonë dhe nuk do ta gjenim dot asnjëherë të vërtetë”. Numri një i “qeverisë” së futbollit komentoi edhe Kombëtaren, si dhe organizimin e ndeshjes nga maqedonasit, që ishte shumë herë më e mirë nga serbët.

“Rezultati për mua ishte shumë i kënaqshëm. Brenda objektivave. Një rezultat na konsolidon në vendin e tretë. Mund të kishim marrë më shumë pikë, por edhe mund të kishim ardhur edhe pa pikë. Jemi të kënaqur. Ishte një ndeshje me rrezikshmëri të lartë. Ishte e organizuar shumë mirë dhe ne morëm një pikë ndaj një kundërshtari që luajti më mirë se të gjithë edicionin. Në Maqedoni shkoi shumë më mirë se sa në Serbi. Duhet ta pranoj se organizimi ishte më lart se në Beograd”, përfundoi presidenti.
Sigal