Armando Cungu:“Kemi ardhur në Dontesk, për të shkruar historinë”

504
Sigal

Faqe 20

LIGA E EUROPËS/ Sot, Metalurg-Kukësi (18:15). Trajneri i kuskianëve, Armando Cungu, flet para sfidës

Trajneri i Kukësit, Armando Cungu, gjatë një interviste për portalin ukrainas “Football.ua”, e cilësoi “si tepër të vështirë” ndeshjen e sotme kundër Metalurg Donteskut. “Për mua është një nder i madh të jem këtu. Unë besoj se, ne kemi ardhur në Dontesk për të treguar anën tonë më të mirë dhe për të marrë një rezultat të mirë. Ne e shkruam historinë tonë duke kaluar turin e parë, por tani duam të kalojmë në turin tjetër”, – tha trajneri i Kukësit.

 – Zoti Cungu, duke u nisur edhe nga fitorja ndaj Metalurgut në ndeshjen e parë, cilat nga anët e forta të Metalurgut mund të përmendit?

– E dimë se është një ekip shumë i fortë, me lojtarë cilësorë. Para ndeshjes së parë, ne grumbulluam shumë informacion rreth tij. Ne kemi pasur bisedime të gjata me stafin dhe lojtarët. Kukësi mbështetet në futbollin kolektiv. Ekipi ynë është si një familje. Ne dëshironim të tregonim dëshirën tonë për të fituar dhe ta shfaqnim karakterin tonë në fushë. Dhe në e bëmë atë.

– Ju keni tani dy gola avantazh. Në këtë këndvështrim, si do të ndryshojë taktika e skuadrës suaj?

– Ne arritëm rezultat të mirë në ndeshjen e parë por, ne e dimë se ndeshja e ardhshme do të jetë shumë e vështirë. Ne do të përpiqemi ta mbrojmë rezultatin. Unë kam folur me lojtarët për këtë, ju duhet të përgatiteni seriozisht dhe të veproni po kështu në fushë. Javën e kaluar ne e shpenzuam duke u përgatitur për këtë sfidë. Lojtarët e mi do të jenë shumë seriozë në ndeshjen e nesërme (sotme). Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë.

– A keni probleme me futbollistët, a do të jenë të gjithë të gatshëm për ndeshje?

– Vetëm një lojtar nuk do të luajë nesër (sot). Ai ka probleme me gjurin. Dëmtimin e pësoi në fund të pjesës së parë të ndeshjes së parë (bëhet fjalë për argjentinasin Malarkane, autorin e golit të parë). Ai është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne. Megjithatë, unë besoj tek ekipi im. Ne kemi lojtarë të fuqishëm dhe do të tregojmë vlerat tona më të mira në ndeshjen e kthimit.

– Keni planifikuar të luani futboll ofensiv apo mbrojtës?

– Në futboll janë të dyja anët: mbrojtja dhe sulmi. Para së gjithash, ju keni nevojë të mbroni portën, por kur ju kapni topin duhet të sulmosh fort.

– Ju luajtët kundër Sarejevos dhe Metalurg Donteskut. Cili ekip ishte më i vështirë?

– Nëse do t’i shikoja të dyja ndeshjet, do të thosha se më shumë probleme patëm me Sarajevon. Kundër Metalurgut ne shënuam shumë shpejt, por unë jam i bindur se Metalurgu është më i fortë se Sarajevo, por gjithçka varet nga rrethanat.

 Hallaçi: “Kujdes mesfushën!”

 Kapiteni i Kukësit, Rrahman Hallaçi, tha se të gjithë lojtarët duhet të jenë të kujdesshëm në sfidën e dytë kundër Metalurgut. “Dy lojtarët më të rëndësishëm të Mertalurgut ishin dy mesfushorët. Unë do t’u thosha shokëve të ekipit të ishin shumë të kujdesshëm me ta në ndeshjen e kthimit”, – tha Hallaçi gjatë konferencës për shtyp para ndeshjes.

  Kuksianëve u mjafton dhe një humbje 1-0

 Kukësi, një hap larg historisë

 Kukësi do të sfidojë sot Metalurg Donteskun, me synimin për të  mbrojtur rezultatin 2-0 e ndeshjes së parë dhe për të hyrë në historinë e futbollit shqiptar, si ekipi i parë dhe i vetëm që kalon tre tyre në kompeticionet europiane. Edhe pse koeficienti i nënakmpionëve të Shqipërisë në ranglistën e UEFA-s ishte “zero”, ata kanë kaluar deri tani dy ture në Ligën e Europës, duke u bërë ekipi i parë që e arrin këtë pas 26 vjetësh, qysh kur Flamurtari e realizoi atë në vitin 1987. Në turin e parë, Kukësi eliminoi Flora Talinin e Estonisë dhe Sarajevon e Bosnjës në të dytin. Dje në mbrëmje, trajneri Armando Cungu zhvilloi  stërvitjen njohëse me stadiumin ku do të luhet ndeshja, por hodhi edhe piketat e formacionit të ndeshjes, teksa dha edhe një konferencë për shtyp për mediat ukrainase. Kukësit i mjafton edhe një humbje 1-0 në “Metalurh Stadion”, për t’u kualifikuar pasi ndeshjen e parë në “Qemal Stafa” e ka fituar 2-0. Në fakt, ecuria e Kukësit në Ligën e Europës, në aventurën e parë ndërkombëtare të tij është e jashtëzakonshme, pasi në pesë ndeshje nuk ka pësuar asnjë humbje (2 fitore, 3 barazime, golaverazh 7-3, +4). Asnjë skuadër shqiptare nuk e ka pasur këtë ecuri kaq pozitive, kjo e parë në bazë të statistikave. Duke mbetur te Liga e Europës, Metalurg Dontesku konfirmoi trajnerin e ri zyrtar, Sergej Tasheva, ndërsa ndeshjen kundër Kukësit do ta drejtoi tekniku i komanduar Vladimir Poatenko.

ECURIA E KUKËSIT NË EUROPË

LIGA E EUROPËS

Turi i parë

4 korrik 2013

Flora Talin–Kukësi   1-1

11 korrik 2013

Kukësi-Flora Talin   0-0

Turi i dytë

18 korrik 2013

Kukësi-Sarajevo      3-2

25 korrik 2013

Sarajevo-Kukësi      0-0

Turi i tretë

Dje, 1 gusht 2013

Kukësi-Metalurg D.   2-0

Sot, 8 gusht 2013

Metalurg D.-Kukësi   18:15

  Jashçenko: “Të shlyejmë gabimet e Tiranës”

 Ish-trajneri i Metalurg Donteskut, Sergei Jashçenko, dha opinionin e tij në mediat ukrainase në lidhje me ndeshjen e kthimit kundër Kukësit, e vlefshme për turin e tretë të Ligës së Europës. “Në shtëpi ne kemi treguar gjithmonë lojëra të mira. Unë mendoj se, në ndeshjen e parë ne bëmë disa gabime, por në këtë rast ato nuk do të kenë aspak efekt. Me gjithë dorëheqjen e Juri Maksimovit, unë mendoj se ai bëri disa gjëra të mira, por tani është koha të tregojmë se rezultati në ndeshjen e zhvilluar në Tiranë ishte një keqkuptim. E rëndësishme është fakti që, ekipi i Donteskut ka lojtarë me eksperiencë”, – tha Jashçenko për gazetën sportive “Komanda” (Ekipi).

 “Play-off”-i Ligës së Europës

 Shqipëria i ka të gjitha shanset të ketë për herë të parë dy ekipe në fazën “play-off” të Ligës së Europës. Për momentin, këtë objektiv e ka arritur Skënderbeu, që vjen pas eliminimit në turin e tretë të Ligës së Kampioneve (nga Shahkter Karagandy). Nëse Kukësi kualifikohet me Metalurg Donteskun, atëherë do të kemi edhe kuksianët në këtë fazë, por me të veçantën se kanë kaluar tre ture dhe tre ekipe: Flora Talinin (Estoni), Sarajevon (Bosnjë) dhe Metalurg Donteskun (Ukrainë). Kundërshtaret e ekipeve tona do të njihen pas hedhjes së shortit ditën e premte në selinë e UEFA-s. Gjithsesi, ato janë skuadra me emër të madh në Europë, si Totenhemi apo Fiorentina.

  Rasing Genk kërkon Samir Ujkanin

 Portieri i Kombëtares shqiptare, Samir Ujkani, përveç skuadrave italiane kërkohet edhe nga ekipe të tjera evropiane, si ajo e kampionatit belg. Samir Ujkani ende nuk ka vendosur se ku do të luajë stinorin e ardhshëm. Portieri i Palermos në Serie B, do ta ketë të vështirë qëndrimin te kjo skuadër, e cila ka edhe dy opsione për portën, Emiliano Viviano dhe Stefano Sorentino. Pas interesimit nga disa ekipe italiane, për portierin vushtrrias edhe të kombëtares shqiptare kanë shprehur interesim edhe skuadra tjera. “Sipas fjalëve të fundit, ka pasur një interesim të shtuar nga Racing Genk, i cili kërkon portierin për marrëveshje një vjeçare të stinorit 2013/14”, thuhet nga “tuttomercatoëeb”. Ujkani 25 vjeçar, si portier është formuar te Anderlehti, ndërsa më pastaj ishte angazhuar nga Palermo, e cila një kohë e kishte huazuar të Novara dhe pastaj te Kievo, ku luajti 6 muajt e fundit pa bërë asnjë paraqitje.

 Roma interesohet për Amir Abrashin

 Amir Abrashi, lojtari i Grashopersit dhe i Kombëtares shqiptare, është në fokusin e Romës. Lajmin e dha gazeta e madhe sportive italiane, “La Gazzetta Dello Sport”. Mesfushori kosovar i kuqezinjve, vlerësohet shumë nga drejtuesit e klubit verdhekuq, dhe sipas drejtorit sportiv Valter Sabatini, kontaktet me presidencën zviceranë tashmë janë vendosur. Në fakt, në gjurmët e 23-vjeçarit Abrashi janë dhe Lacio, Saduolo dhe Torino. Nëse Abrashi do të bashkohej me Romën, atëherë ai do të ishte lojtari i dytë shqiptar pas Naim Kryeziut, kosovarit që luajti në vitet 1939-1942, duke fituar dhe një kampionat në Itali. Po, kështu do të kemi një derbi Lorik Cana-Amir Abrashi në Lacio-Roma, çka e nxit më shumë fantazinë.

 Ikën Pero Pejiç, Memelli pranë Skënderbeut

 Sulmuesi kroat, Pero Pejiç, është shumë pranë largimit nga Skënderbeut. Edhe pse kundër Shahkter Karagandës fitoi dy penalltitë e shndërruara në gol nga kapiteni Bledi Shkëmbi,

kartoni i kuq i marrë dhjetë minuta nga fillimi i pjesës së dytë la shije të hidhur të drejtuesit e Skënderbeut. Në deklaratat e tyre në media, ata e konsiderojnë 30-vjeçarin kroat si  shkaktarin kryesor për eliminimin nga Liga e Kampioneve. Shenjat e nervozizmit në fushë, por edhe mosmarrëveshjet gjatë fazës përgatitore që kulmuan me largimin për provë në Kinë pa lejen e drejtuesve, kanë çuar në ftohjen e marrëdhënieve. Pozicioni i sulmuesit kroat komprometohet edhe nga zërat e fundit që flasin për një transferim të mundshëm në Korçë të Migen Memellit, i cili u largua nga Flamurtari për shkak të problemeve financiare të skuadrës vlonjate. Transferimi pak ditë më parë në Korçë i Gjergji Muzakës, me të cilin Memelli ka krijuar partneritetin e sulmit te Flamurtari, mund të jetë një element shtesë që mund t’i çojë palët drejt një marrëveshjeje, që në çdo rast do të varet nga largimi i mundshëm i Pero Pejiçit nga Skënderbeu.