Armando Cungu: Vllaznia, një “kaproll” mes “xhunglës” në Superiore

588
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” trajneri i skuadrës shkodrane, falënderon skuadrën për mbijetesën, por hedh dyshime për futbollistë e persona të veçantë 
Pasi e kishte “aksiliruar” veten nga ngarkesa e madhe e ndeshjes Vllaznia-Tirana 0-0, trajneri i skuadrës shkodrane, Armando Cungu, dukej më i qetë në bashkëbisedimin e tij me gazetën “Telegraf”. Duke rikujtuar atë imazh tepër sportive dhe emocionues, teksa ai në fundin e ndeshjes e hoqi këmishën dhe me të përshëndeste tifozët shkodranë, Cungu deklaron se kishte një ndjesi të dyfishtë për atë 90 minutësh të vështirë. “Natyrisht që ndjesia ndaj qytetarëve shkodranë ka qenë e madhe, jo vetëm në këtë finale me Tiranën. Shkodra jeton me futbollin dhe e meritonte që të ishte në elitën e futbollit shqiptar. Këtu futem edhe unë si qytetar shkodran, ndaj edhe ndjesitë e mia ishin të dyfishta në drejtimin e Vllaznisë gjatë sezonit që mbyllëm”, kështu deklaroi trajneri i Vllaznisë, Armando Cungu. 
Si ndjeheni sot që objektivi i mbijetesës u sigurua?
Së pari, do të thoja se ndjehem mirë që Vllaznia shpëtoi prej rënies nga kategoria, e së dyti, do të thosha se e gjitha kjo ndodhi jo për fajin e skuadrës. Njëherësh, më duhet të falënderoj ekipin tim, jo vetëm si trajner, por edhe si mik i atyre futbollistëve që dhanë shpirtin në këtë kampionat të vështirë, dhe aq më shumë në këtë sfidë të vështirë me Tiranën.

Gjatë gjithë ndeshjes keni qenë në lëvizje dhe i shqetësuar, e përjetuat keq këtë sfidë?
Normale, sepse nuk ishte e lehtë. Së pari na kanosej rënia nga kategoria, e së dyti, kjo bëhej edhe më e vështirë sepse përballë kishim Tiranën, skuadrën 24 herë Kampione në historinë e futbolli shqiptar. Një menaxhim emocional pritej, por do tu thosha se e kam kontrolluar me një qetësi teknike gjithë ndeshjen. Besoj se rezultati 0-0 e kishte edhe këtë, si pjesë të suksesit që u arrit.

Keni sakrifikuar edhe lojtarë të dëmtuar, ishte ky një mesazh për tifozerinë tuaj?
Ky është një mesazh ndaj qytetarisë shkodrane, se djem shkodranë kanë dhenë shpirtin në fushë në këtë ndeshje. Përpos atyre ish-futbollistëve që i kemi marrë si për sevap në skuadër, dhe që nuk e vlerësuan këtë nder që u bëmë, duke u larguar në finishin e garës, të tjerët meritojnë të falënderohen, madje edhe të shpërblehen për këtë sukses. 

Në fakt, jeni nga të paktët trajnerë “autoktonë” që drejtoni skuadër në Kategorinë në Superiore, e ndjenit edhe peshën e qytetarisë shkodrane?
Natyrisht që ndjesia ndaj qytetarëve shkodranë ka qenë e madhe, jo vetëm në këtë finale me Tiranën. Shkodra jeton me futbollin dhe e meritonte që të ishte në elitën e futbollit shqiptar. Këtu futem edhe unë si qytetar shkodran, ndaj edhe ndjesitë e mia ishin të dyfishta në drejtimin e Vllaznisë gjatë sezonit që mbyllëm.

Ishte kjo Vllazni që duhej të diskutonte mbijetesën në këtë sezon?
Jo vetëm që Vllaznia nuk ishte për mbijetesë në këtë sezon, por se ne mendonim se do të ishim në vendin e katërt, nga ku edhe do të prisnim përfaqësimin në Ligën e Europës. Ndaj po ju a përsëris, se kjo skuadër kurrsesi nuk e meritonte të ishte në këto situata, sidomos në atë 90- minutësh sfilitës me Tiranën, për të cilën ndjej një keqardhje shume të madhe. Por, kishte edhe arsye të tjera që na mbajtën në këtë situatë mbijetese, por që tani ngushëllohemi me faktin se, ky ishte verdikti, dhe atij duhet ti bindemi.

Cilat kanë qenë sipas jush arsyet që e sollën këtë gjendje te skuadra e Vllaznisë?
Në skuadrën tonë gjatë këtij sezoni, ka pasur individë të caktuar që janë tallur me fanellën e Vllaznisë. Ata me lojërat e tyre jashtë çdo pritshmërie e logjike sportive, bënë që skuadra të ndalej kur duhet të fitonte, madje të humbiste edhe ndeshje që në letër mendoheshin të fituara nga ana jonë.

Sa kanë ndikur te Vllaznia ato aleanca, për të cilat ju shpesh keni folur në daljet tuaja mediatike?
Ndërsa njerëz të ndryshëm e akuzonin Vllazninë për pazare, në të kundërt, ishte ajo që e pësoi prej tyre, dhe sot akuzuesve u them që tu vijë turp për çka kanë thënë. Unë e kam thënë edhe në mediat e tjera se, Vllaznia në këtë Kampionat ka qenë si një “kaproll në mes të xhunglës”, dhe që mbijetoi ishte qëndresa që u bëri të gjithëve.

Gjatë karrierës suaj, edhe si lojtar, por edhe si trajner, ishit përballur me situatë të tillë mbijetese?
Unë në karrierën time si futbollist, në 18 vite luajta në pesë skuadra, por nuk kisha të tilla situata. Edhe në katër skuadrat që kam punuar si trajner, nuk kam diskutuar mbijetesën, medje kujtoj si Kukësin, ashtu edhe Laçin, kemi bërë paraqitje të mira edhe në Evropë.

Gjithsesi, ka qenë kjo një skuadër e denjë për të qëndruar në Superiore?
Unë nuk dua që të tregohem egoist, por me bindjen time profesionale e them se kjo ka qenë një skuadër më e mirë nga sezonet e shkuara. E kemi marrë skuadrën në situata mbijetese në sezonin e kaluar dhe deri në mesin e fazës së katërt kemi qenë në luftë për vendin e katërt. Por atë ndeshje në Vlorë do ta quaja si të “mallkuar”, pasi çka ndodhi aty, u reflektua deri në mbylljen e këtij kampionati.

Kësisoj, e quani një sezon me synime të realizuara, apo vetëm mbijetesa mbetet “kryefjalë”?
Synimi ynë ka qenë vendi i katërt, dhe nëse do të luhej futboll normal, Vllaznia do të ishte në vendin e katër dhe me më shumë pikë nga rivalët. Mbijetesa mbeti :kryefjalë në fund, por që gjithsesi, edhe kështu duhet një refleksion i madh për vazhdimësinë. Më duhet ta ripërsërit edhe një herë, se Shkodra dhe shkodranët nuk meritojnë skuadër mbijetese.
1 herë
Skuadra e Tiranës nuk e kishte provuar asnjëherë rënien në kategoritë inferiore, duke qenë e pranishme në 79 Kampionatet Kombëtare të zhvilluara
Ndjeshmëria e Ali Memës
Kur lindi ai, Ali Mema, me1 shkurt 1943 me i madhi i Memave e ndër më të mëdhenjt e futbollit shqiptar, klubi bardheblu kishte 23 vite që ishte krijuar. Ndërkohë ishte shpallur gjashtë herë kampion: 1930, 1931, 1932, 1934, 1936, 1937 dhe kishte fituar të parën Kupë të Shqipërisë me 1939. Në moshën 17 vjeç vesh fanellën bardheblu. Ishte viti 1963 kur bëhet heroi i finales së Kupës me Besën në Kavajë 7 primo 1963, ku dallohet si portier në penalltitë përcaktuese, dhe Tirana fitoi të parin trofe të Pasluftës. Po atë vit vesh fanellën kuqezi të cilën e mban në 13 takime zyrtare. Me Tiranën fiton katër tituj kampion:1964-1965, 1965-1966, 1968, 1969-1970. Në qershor 1965, ekzakt 52 vite më parë falë golit të tij ndaj Flamurtarit, në “Selman Stërmasi” Tirana fiton titullin e parë kampion të Pasluftës, i shtati për nga radha. Futbollist i paepur, teknik, golshënues, shembullor me shokët e kundërshtarët, simbol i pathyeshmeris, grintes se pafund, i sedres ei sakrifices legjendari i bardhebluve tashme në dekadën e tetë të jetës nuk mund të besoj që Tirana e tij ka pësuar disfatën më të rëndë në historinë e saj, rënien në kategorinë e parë. Lotët që lagën barin e “Loro Boriçit”, nuk kanë reshtur ende në Tiranë.
Fituesit e Kampionateve
Tirana 24 herë
Dinamo 17 herë
Partizani 15 herë
Vllaznia 9 herë
Skënderbeu 6 herë
Elbasani 2 herë
Flamurtari 1 herë
Teuta 1 herë
Kukësi 1 herë
HISTORIA
Janë luajtur: 77 Kampionate
Nuk janë zhvilluar: Katër Kampionate
Mungesë titulli: Një kampionat
Rezultatet-Java e 36-të
Të shtunën, 27 maj 2017
Korabi-Flamurtari 0-3
Laçi-Teuta 2-1
Vllaznia-Tirana 0-0
Luftëtari-Kukësi 1-0
Skënderbeu-Partizani 2-2

RENDITJA
Skuadrat Nd P
1.Kukësi 36 75
2.Partizani 36 72
3.Skënderbeu 36 72
4.Luftëtari 36 44
5.Teuta 36 40
6.Laçi 36 40
7.Vllaznia 36 40
8.Flamurtari 36 40
9.Tirana 36 39
10.Korabi 36 13
“Paradoksi” i Kupës, Tirana kërkon “shpërblimin” e mbetur
Pas 36 javësh të lodhshme, të cilat kanë nisur më 7 shtator 2016, në ora 16:00 me ndeshjen Korabi-Laçi 0-0, dhe është mbyllur me ndeshjen Vllaznia-Tirana 0-0, e uli siparin e një sezoni kontrovers me rezultate të dyshimta, arbitrime deri në kufijtë e skandalit, por edhe me shumë akuza mes klubeve dhe FSHF-së. Tashmë mbeten ende pak verdikte për të ulur siparin e futbollit shqiptar, kur pritet finalja e Kupës së Shqipërisë, e në varësi të fituesit të saj, do të përcaktohet edhe pjesëmarrësi në Evropa League. Më 31 maj, Tirana do të luajë në “Elbasan Arena” në finalen e Kupës kundër Skënderbeut, por që korçarët, që së bashku me Partizanin e kanë siguruar tashmë turin paraeliminator në Evropa League. Gjithsesi, Skënderbeu do të synojnë të fitojë trofeun e dytë për nga rëndësia, pas dështimit për titullin, e në këtë llogari nuk janë vetëm këto dy ekipe. Luftëtari do të bëjë tifo për “Ujqërit e dëborës” në finale, pasi në rast suksesi të Skënderbeut, gjirokastritët si forcë e katërt e kampioantit do të luajnë në Evropë. Kontrast i dhimbshëm, ndërkohë, për 24 herë kampionët e vendit. Tirana, nëse fiton Kupën do të luajë në Evropa League, por llogaritë do t’i bëjë nga një kategori inferiore dhe jo nga elita e futbollit shqiptar.
Sigal