Armand Sadiku: Me De Biazin, u pasurua historia, për merkaton jam i kujdesshëm

636
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Flet ekskluzivisht për “Telegraf”, sulmuesi i Kombëtares sonë, autori i golit të vetëm shqiptar në Evropianin “Francë 2016”
Sezoni 2016-2017 ka rreth një muaj që është mbyllur, ju jeni duke pushuar apo edhe stërviteni?
Kam kaluar një sezon shumë të lodhshëm, me ndeshje kampionati, kupe dhe në Kombëtare, e tani e kam parë të arsyeshme të pushoj. Kam disa ditë që po qëndroj në qytetin tim, Elbasan, e në fundin e muajit qershor do të shkoj me pushime.

Për Armand Sadikun, pushimet do të bëhen në Shqipëri apo jashtë saj?
Kam menduar që të shkoj në një plazh jashtë Shqipërisë, edhe pse ende jam duke “eksploruar” ndonjë vend këtu, që nuk kam qenë herë të tjera. E rëndësishme është që të bëjmë edhe ca pushime, i kemi të domosdoshme, jo vetëm si njerëz, por edhe për të aksiliruar ngarkesën fizike gjithëvjetore.

Keni qenë i pranishëm edhe në ceremoninë e lamtumirës të ish-trajnerit të Kombëtares Xhani De Biazi, si u ndjetë në ato momente?
Ka qenë një ceremoni e madhe, të cilën e kam përjetuar me shumë emocion. Jo vetëm nga mënyra e organizimit, por se si e përjetonte ai atë situatë, për të cilën unë ndjeva shumë emocion. Nuk është e lehtë të ndahesh nga një Mister, këtë De Biazi e meritoi për sa kohë qëndroi në krye të Kombëtares sonë.

Çfarë ka lënë më shumë në kujtesën tuaj De Biazi?
Ka lënë shumë gjëra të mira, të një trajneri të madh, të një njeriu fisnik, me kulturë dhe i dashur me të gjithë. Me atë në bankinën e Kombëtares, ne si lojtarë, por edhe e gjithë Shqipëria, ka kaluar momentet më kulmore të historisë së futbollit tonë.

Është ky vlerësim, njëherësh edhe një kompensim për çka De Biazi bëri në trajtimin me ju në Kombëtare?
Ai ishte trajneri i parë që, sapo erdhi, më grumbulloi direkt në Kombëtare. Më pas, nën drejtimin e tij jam ndjerë shumë i vlerësuar, por edhe i lumtur që edhe në ndeshjen e fundit isha bashkë me të. Për mua do të mbetet një njeri shumë i rëndësishëm në karrierën me Kombëtaren.

Rastësisht apo qëllimisht, pse jeni ndodhur në Shqipëri edhe në kohën e Festës së Bajramit?
Nuk ka ndonjë sekret ta them se, është një festë që e festoj. Por kjo erdhi në një kohë që ky muaj pati shumë zhvillime në Kombëtare, që kulmuan me dorëheqjen e De Biazit, dhe më pas me veprimtarinë e lamtumirës për të. Duke qenë pushim, edhe unë i shfrytëzova këto dy momente.

Kur dilni në qytet apo në takime me miq e shokë në Elbasan, si ndjeheni?
Është qyteti im i lindjes, me të cilin jetoj në çdo moment, edhe kur jam jashtë Shqipërisë. Këtu kam familjen, prindërit, shokë e miq dhe më duket sikur nuk jam larguar asnjëherë prej tij. Kam shumë mall.

Ka një detaj sportiv, që ndoshta juve ju bën edhe më nostalgjik me ekipin e Elbasanit?
Nëse e keni fjalën për skuadrën e futbollit të Elbasanit, po. Më vjen shumë keq që skuadra e Elbasanit erdhi në këtë situatë kaq inferiore, nuk duhej të kishte ardhur deri këtu. Njëherësh, më vjen keq se në këtë skuadër luan edhe vëllai im, por tashmë keqardhja duhet të kthehet në shpresën e rikthimit sa më të shpejtë në elitën e futbollit shqiptar.

Nga legjionarët e merkatos të kësaj vere, keni qenë në epiqendër, ku do të jetë e ardhmja juaj për sezonin e ri?
Vetë merkatua e pranon të ketë fjalë apo “skupe” siç i thoni ju gazetarët. Edhe për mua, deri tani, kjo situatë është, por unë po tregohem i kujdesshëm, sepse më duhet një skuadër që të përfaqësohet në Evropë. Nuk jam nga ata futbollistë që primar të kem shpërblimin financiar. Jo, një karrierë e tillë do të ishte shumë e vogël dhe e dështuar për mua.

Nga Turqia, në Izrael apo në Zvicër, cilin kampionat do të preferonit ju më shumë?
Ka disa interesime nga disa klube në Evropë, sidomos pas dy golave që shënova ndaj Izraelit, dhe me ta jemi në bisedime. Nuk e di akoma të jap një përgjigje të saktë për të ardhmen. Do jetë Makabi Haifa? Këtë nuk mund ta them, edhe pse ka pasur interesim prej tyre. Por nuk është se gjërat kanë shkuar përpara, vetëm interesim dhe asgjë konkrete.
Me Paolo Tramexanin, raporti ynë është i afërt te Lugano. Ka shumë qejf të më ketë te Sioni, por të shohim, sepse varet nga klubi i Zyrihut, i cili nuk më lejon të jem lojtar të lirë. Ata kërkojnë diçka për kartonin, ndërsa unë pres një skuadër më të madhe
Armando Sadiku
Datëlindja: 27 maj 1991/ Vendlindja: Elbasan
Sporti që ushtron: Futboll/ Gjatësia: 185 cm
Roli në fushë: Sulmues/ Numri në fanelë: 10
Skuadra aktuale: Lugano (Zvicër)?
Skuadrat ku është aktivizuar: Në sezonin 2008-2009 Turbina, në sezonin 2009-2010 Gramozi, në sezonin 2010-2011 Elbasani, në sezonin 2011-2012 Locarno (Zvicër), në sezonin 2012-2013 Lugano (Zvicër), 2014 Zyrih, në sezonin 2015-2016 Zyrich (Zvicër), 2016 Vaduz (Zvicër) (huazuar), 2017 Lugano (Zvicër) (huazuar)
Me Kombëtaren: Në 2010-2011 me U19; në 2011-2012 me U21, nga viti 2012 me Kombëtaren A, luajtur 28 ndeshje, shënuar 9 gola
Sigal