Armand Duka zgjidhet për herë të pestë President i FSHF-së

781
Nga Agron KAJA
ASAMBLEJA/ FSHF-ja mbylli dje kuvendin e futbollit shqiptar, në normalitet dhe nën masa të larta sigurie, votat e delegatëve zgjodhën drejtuesit e rinj për mandatin katërvjeçar 
Dje në Hotel “Adriatik” në Durrës, mori fund dyshimi që u krijua gjatë fushatës për zgjedhjen e forumeve drejtuese të FSHF-së. Asambleja Zgjedhore tregoi se futbolli di të ndajë politikën e fushës së lojës me politikën e rrugës në dëmin e saj. Punimet e kësaj asambleje u zhvilluan nën masa të forta sigurie, ku me sy të lirë dalloje se hoteli ishte si në një “shtetrrethim”, duke dhënë nga larg një pamje jo të pranueshme për futbollin. Gjithsesi, ato ishin aty, duke u bërë pjesë e normalitetit të kësaj Asambleje, gjatë së cilës vetëm një zë i vogël dhe shumë i paqartë kërkoi të fliste ndryshe. Dhe ky ishte delegati i Lushnjes, Fatos Tushe, i cili “kollën” e kishte tek Shoqatat Rajonale të Futbollit, dy prej të cilave i quajti jo legjitime. Por ndërhyrja e Presidentit të FSHF-së, Armand Duka, me kulturë dhe me fakte, bëri që Tushe të heshtë, dhe asnjë tjetër nuk tha ndonjë fjalë ndryshe (veç Finos), nga ato që kishin deklaruar gjatë periudhës që u quajt fushatë elektorale. Atje ku ishte “Thembra e Akilit”, zgjedhjet për presidentin, u deshën dy raunde që të përcaktohej Njëshi i ri i futbollit shqiptar. Në raundin e parë Duka morri 39 vota, ndërsa Fino 22, duke menduar se në të dytin do të kishte diferenca ndryshe. Por, nga 65 delegatët votues, në këtë raund votuan 38 pro Dukës dhe 24 Pro Finos, duke i dhënë kështu mandatin e ri Armand Dukës, pasi sipas Statutit të FSHF-së, në raundin e dytë zgjidhej president ai që merrte 50%+1 të votave. Me sportivitetin e qytetarinë e tij, Duka shkoi menjëherë te Fino në fundin e sallës, duke i shtrënguar dorën, edhe pse ai vetë dukej se e kishte humbur realisht këtë betejë që e futi në shina politike, aspak sportive. Ndërsa kandidati i tretë për President në FSHF, librazhdasi ish-arbitër futbolli në Itali, Shpëtim Hala, çuditërisht nuk morri asnjë votë, madje as votën e Delvinës që e kishte propozuar si kandidat për këtë post. Gjithsesi, Hala bëri një fair-play në fund, duke deklaruar se nuk priste që ai të ishte president i ardhshëm. Kështu u mbyll kjo Asamble Zgjedhore, e pesta për Armand Dukën si President i FSHF-së, një mandat të cilin vetë presidenti i rizgjedhur e premtoi se do ta verë në shërbim të të gjitha atyre projekteve që nuk janë bërë mirë në mandatet e kaluara. Urime zoti Duka!
Nga 65 delegatët votues, në raundin e dytë të votimit, Pro Dukës votuan 38 delegatë, ndërsa Pro Finos 24, duke i dhënë kështu mandatin e ri Armand Dukës, pasi sipas Statutit të FSHF-së, në raundin e dytë zgjidhej president ai që merrte 50%+1 të votave
Batuta e Finos
Sapo hipi në podium, Bashkim Fino bëri të vetën: “Ore Duka, po nuk kishe lekë t’i rregulloje këto mikrofona mo, edhe këto janë të prishura!”
Batuta e Dukës
Pas fjalës së Finos, Duka e ftoi të uleshin së bashku në një tavolinë: “Ulu Bashkim pse shqetësohesh?”, ndërsa Fino iu përgjigj: “Ikë ore!”

ARMAND DUKA
Kjo Asamble më ka dhënë shumë mësime për futbollin
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka (para dhe pas votimit), dje ka pasur emocione për zgjedhjen e tij për një mandat të pestë në krye të FSHF-së. Në daljen e tij të parë zyrtare në këtë rizgjedhje, Duka ka premtuar se diskutimet dhe vendimet e Asamblesë do të jenë prioritet i punës së tij në mandatin e ri. “Jam i lumtur sot, jo vetëm se do jem president për një mandat katërvjeçar, por për mbështetjen që më keni dhënë ju të gjithë. Nga sot (dje), fillon një punë më e vështirë për mua, sepse ju garantoj që, çfarë u diskutua në këtë Asamble do të jetë pjesë e punës sime, për të çuar më përpara projektet e nisura”, kështu theksoi fillimisht në deklarimin e tij pas Armand Duka pas rizgjedhjes, duke premtuar që edhe ata të cilët u deklaruan kundër zgjedhjes së tij në këtë post, do ti konsiderojë si një zë ndryshe.
Zëvendëspresidenti i UEFA-s
Gregori Surkis: E përgëzoj Presidentin, zgjedhje e pa kontestuar
Dje, Zëvendëspresidenti i UEFA-s, Gregori Surkis, ka qenë thuajse i palëvizshëm nga salla ku zhvilloi punimet Asambleja Zgjedhore e FSHF-së. Madje ai ka folur para votimit dhe pas tij, kryesisht pas zgjedhjes së Presidentit të FSHF-së. “UEFA i ka të qarta situatat që kanë ndodhur në Shqipëri gjatë fushatës që bënë kandidatët për presidentë. E përgëzoj zotin Duka për këtë rizgjedhje të tij në krye të FSHF-së, dhe këtu u vërtetua se në futboll ka tolerancë në bashkimin me futbollin. Të gjithë duhet të jemi të ndjeshëm për futbollin, sepse është një dukuri që jep gëzim për gjithë qytetarët”, kështu e përshëndeti Surkis votimin e Presidentit të FSHF-së, duke mbyllur çdo shteg kontestimi apo edhe polemika të tjera.
BASHKIM FINO
Votën jua kërkoj për platformën që po ju propozoj
Kandidati për President në FSHF, Bashkim Fino, foli para Asamblesë Zgjedhore vetëm para votimit për Presidentin e ri të FSHF-së, dhe në deklarimin e tij, me tone të prera dhe paksa fyese, alternativat i kishte zëvendësuar me investigime për punën e Armand Dukës. “Edhe për mikrofonin nuk ke lekë të rregullosh”, kështu e nisi sulmin Fino dje në diskutimin e tij në Asamble, duke folur më pas edhe teorikisht për lojën e futbollit, dhe për pastërtinë që ai kishte menduar të sillte në këtë sport, nëse do të zgjidhej president në FSHF. “Duka kërkon votën për ato gjëra që ka bërë keq në 16 vite, unë e kërkoj votën tuaj për futbollin e pastër e të shëndoshë, pa ilaçe. Futbolli shqiptar është i sëmurë, nuk ka ndjekshmëri, e këtë e rregulloj me potencialin tim”, kështu theksoi në deklaratën e tij Bashkim Fino, para kryerjes së votimit.
Sigal