Armand Duka rizgjidhet pa votim të fshehtë

519
Sigal

Bosi i FSHF-së merr 100% të votave, rizgjidhet për president për herë të katërt. Gafa me Himnin Kombëtar

Pa votim të fshehtë, por vetëm më kartonin jeshil të ngritur lart, Armand Duka u zgjodh për herë të katërt Presidenti i Federatës Shqiptare të futbollit, duke e çuar kështu “sundimin” e tij absolut edhe për vitet 2014-2018. Një rekord unik prej 100% të votave të 64 delegatëve me të drejtë vote, çka e zgjati në 16 vjet presidencën “Duka” të nisur në vitin 2002. Edhe pse ishte një proces thuaje perfekt, pa asnjë tension dhe shumë mirë i organizuar nga ana materiale, jo gjithçka shkoi mirë gjatë punimeve të Asamblesë. Kështu, edhe pse u propozua që të gjithë të pranishmit të ngriheshin më këmbë në nderim të Himnit Kombëtar, kjo gjë nuk ndodhi, pasi për shkak të një defekti teknik himni nuk u ekzekutua. Duke qenë kandidat i vetëm për president – kandidati tjetër Kujtim Gjuzi i propozuar nga Tërbuni nuk u pranua të regjistrohej – Komisioni i Votimit vendosi ta zhvillojë atë të hapur. Kjo ishte hera e parë, që, kishte vetëm një kandidat për Presidenti. Për Dukën kjo ishte hera e katërt që zgjidhet President i FSHF-së, pas atyre në vitin 2002, 2006 dhe 2010. Asamblenë e përshëndetën ministrja e Arsimit dhe Sporteve, Lindita Nikolli; Presidenti i KOKSH-it, Viron Bezhani dhe i dërguari i UEFA-s, rumuni Ioan Lupesku. Në fillim të punimeve, u mbajt edhe një minutë heshtje në nderim të figurave të njohura futbollistike të ndarë nga jeta gjatë kohëve të fundit. Delegatët miratuan raportin e aktiviteteve financiare të vitit 2013 dhe Projektbuxhetin për vitin 2014 (të paraqitura nga Sekretari i Përgjithshëm, Ilir Shulku); Raportin e Auditorit të Pavarur dhe Pasqyrat Financiare për vitin 2013 (nga përfaqësuesi i kompanisë “Deloite and Touche, Elvis Ziu); raportin e Komisionit të Etikës të paraqitur nga kreu i tij, avokat Fatmir Brahja si dhe propozimi për ndryshime në Statutin e FSHF-së, në lidhje me logon e re (të paraqitur nga anëtari i Komitetit Ekzekutiv, avokat Artan Hajdari). Më pas, një dreke e bollshme “festive” në katin e dytë të hotel “Tirana International”.

LUFTË TRUKIMEVE

Presidenti i vjetër dhe i ri, Armand Duka, pranoi se, Komisioni i Etikës i ngritur në vitin 2012 është përpjekur të zhvillojë një luftë të madhe me informalitetit, kundër trukimeve në futboll dhe fenomeneve të tjera negative. “Nga ky Komision janë mbledhur me dhjetëra fakte, relacione dhe deklarata, si dhe nuk kanë munguar masat ndëshkimore kundër këtyre trukimeve. Bashkëpunimi me organet e drejtësisë ndërkombëtare dhe shqiptare nuk ka munguar dhe do të vazhdojë më tej në intensifikimin e luftës ndaj fenomeneve negative në futboll”, – tha Duka. Sipas njëshit të futbollit, fenomenet negative kanë qenë në dy drejtime: dyshime për fiksim rezultati dhe duna në stadiume. “Dyshimet për fiksim të rezultateve sportive si fenomen ka ardhur kohët e fundit tek ne. Më parë shqetësim ka qenë tolerimi, për shkak të klasifikimit të skuadrave. Më vonë, me kuotimin e ndeshjeve shqiptare nëpër kompanitë e basteve filluan të mbërrijnë dhe informacionet e para dyshuese. Ky fenomen po shqetëson çdo ditë organizatorët e futbollit, duke filluar që nga FIFA dhe UEFA e deri poshtë në bazë. Ai po vë në vështirësi serioze lojën duke sjellë shqetësim dhe lëkundje të besueshmërisë. Vazhdimisht hetuesit tanë apo dhe Oficeri i Integritetit, që mbulon këtë sektor në FSHF operon nëpërmjet informacioneve të mbërritura nga UEFA. Askush që, cenon lojën e futbollit apo mbron këtë fenomen negativ nuk do t’i shpëtojë hetimit dhe dënimit për një gjë të tillë të jashtëligjshme”.

 Futbolli në shkolla

UEFA-Lupesku: “Në Shqipëri, projekti i parë pilot në Europë”

 I dërguari i UEFA-s, rumuni Ioan Lupesku (ish-lojtar i Kombëtares rumune, 74 ndeshje, 6 gola), solli përshëndetjet e Presidentit Mishel Platini, kujtoi faktin se për të ishte hera e pestë që vinte në Shqipëri dhe si futbollist kishte luajtur kundër vendit tonë. “Për herë të parë kam ardhur në Shqipëri përpara 30 vjetësh, kur kam luajtur kundër Tiranës. Kam luajtur në Rumani kundër (Shkëlqim) Muçës dhe (Sulejman) Demollarit, kanë qenë futbollistë shumë të mirë. UEFA është e lumtur që bashkëpunon me Shqipërinë dhe që ka një partner si Duka. Vitin e kaluar, UEFA organizoi në Durrës një turne ndërkombëtar për moshën U-16. UEFA në bashkëpunim edhe me FSHF-në e Qeverinë Shqiptarë do të zhvillojë projektin e parë pilot në Europë, përsa i përket futbollit në shkolla. E di që shorti ishte jo i lumtur për ju në kualifikueset e Kampionatit Europian, pasi ishte grupi më i vështirë, këtë e pashë por jam i bindur se i keni të gjitha mundësitë për të marrë rezultate të mira”.

Pas rizgjedhjes, Duka: “Obligim i madh”

 “Rezultati të obligon akoma më shumë, duke pasur një mbështetje kaq të fortë është një obligim akoma më i madh, për të bërë maksimalen dhe për të dhënë më të mirën e mundshme për përmirësimin e organizimit të institucionit dhe vlerave në përgjithësi të futbollit në Shqipëri. Stadiumi Kombëtar është projekti më i rëndësishëm i Federatës Shqiptare të Futbollit, pse jo dhe i Shqipërisë në përgjithësi. Unë besoj se, do të realizojmë afatet kohore, për të filluar punimet në fillim të vitit 2015 dhe për ta përfunduar atë në vitin 2017”, – tha Duka menjëherë pas rizgjedhjes.

Ministrja Nikolli: “Futbolli në shkolla”

 E pranishme në asamblenë e FSHF-së, ministrja Nikolli ka dhënë lajmin e mirë se shumë shpejt sporti dhe futbolli do të futet në programin mësimor parauniversitar: “Futbolli është sporti më popullor dhe krijon emocion të veçantë. Kombëtarja është simbol përfaqësimi, dhe jo vetëm një çështje krenarie. Dhuna nuk ka të bëjë me sportin. Qeveria kërkon qasje konkrete me sportin. Në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Futbollit dhe UEFA-n po hartojmë një strategji të futjes së futbollit si lëndë nëpër shkollat e Shqipërisë. Kjo masë do e risë edhe më shumë masivitetin e këtij sporti, do ta bëjë atë më të dashur për fëmijët dhe rininë, duke krijuar kështu edhe krijimin e ekipeve zinxhir të moshave”.

Fituesit dhe humbësit e Komitetit Ekzekutiv

 I vetmi kuriozitet ishte votimi i 16 kandidatëve për Komitetin Ekzekutiv, prej të cilëve do të zgjidheshin vetëm 9. Pas numërimit të votave, këtë “nder” e merituan: Lutfi Nuri, Muhedin Targaj, Artan Hajdari, Abdyl Kuriu, Bardhyl Minxhozi, Arben Dervish, Vasil Bici, Fatbardh Jera dhe Edvin Libohova. Këta së bashku edhe me Tahir Kastratin, që si President i Shoqatës së Arbitrave shqiptare, zgjidhet automatikisht ne Komitet, si dhe Presidenti Armand Duka do të përbëjnë Komitetin e ri Ekzekutiv të FSHF-së.

KANDIDATI PËR PRESIDENT

Armand Duka

100 për qind të votave të 64 delegatëve

VOTAT PËR KANDIDATËT PËR EKZEKUTIVIN

FITUESIT

Lutfi Nuri 52

Bardhyl Minxhozi 49

Arben Dervishaj 48

Artan Hajdari 46

Muhedin Targaj 44

Edvin Libohova 42

Vasil Bici 36

Fatbardh Jera 35

Abdyl Kuriu 34

HUMBËSIT

Skënder Hyka 33

Ramadan Shehu 29

Enkeleid Alibeaj 21

Artan Shyti 20

Sulejman Mema 19

Artan Sallaku 19

Bujar Kasmi 16

 JA KUSH VOTOI

 Numri i delegatëve ishte i caktuar që më parë për në këtë Asamble dhe përbëhet nga anëtarë që njihen tashmë edhe nga strukturat e FSHF-së. Ndërkohë, Tërbuni nuk mori pjesë në votim, për shkak të përplasjes mes ortakëve në Sh.A. e klubit në lidhje me emrin e propozuar si kandidat për president të FSHF-së. Kështu, votonin në Asamble:

1) Përfaqësuesit e klubeve të Kategorisë Superiore: Bylisi, Besa, Lushnja, Laçi, Kukësi, Flamurtari, Skënderbeu, Teuta, Tirana, Vllaznia, Kastrioti dhe Partizani.

2) Përfaqësuesit e Kategorisë së Parë: Ada, Apolonia, Dinamo, Elbasani, Kamza, Tomori, Mamurrasi, Burreli, Butrinti, Pogradeci, Shkumbini, Luftëtari, Veleçiku, Albpetroli dhe Himara.

3) Përfaqësuesit e klubeve në kategoritë inferiore: Besëlidhja, Iliria, Vora, Sukthi, Olimpiku, Shënkolli, Erzeni, Turbina, Korabi, Egnatia, Luzi, Domosdova, Naftëtari, Sopoti, Bilishti, Tepelena, Gramshi, Orikumi, Delvina, Përmeti, Memaliaj, Këlcyra, Gramozi, Skrapari, Pojani dhe Maliqi.

4) Shoqatat specifike të futbollit: Shoqata e Mjekësisë Sportive, Shoqata e Arbitrave, Shoqata e Trajnerëve dhe Shoqata e Minifutbollit.

5) Përfaqësuesit e 8 rajoneve të futbollit amator: Tiranë, Durrës, Shkodër, Elbasan, Fier, Korçë, Gjirokastër dhe Lezhë.

  KOKSH-i nderon Dukën

 Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, përmes Presidentit Viron Bezhani, nderoi me medaljen e mirënjohjes Presidentin e FSHF-së, Armand Duka, për kontributin e tij në zhvillimi e sportit. Duhet thënë se, FSHF-ja nuk mori pjesë në zgjedhjet e KOKSH-it, për shkak se futbollit nuk iu garantua një vend (pa votim) në Komitetin Ekzekutiv të KOKSH-it.

PREMTIMET E DUKËS

INFRASTRUKTURA

 – Ndërtimi i plotë i Stadiumit Kombëtar me kapacitet 22 mijë shikues deri në vitin 2018, konform me të gjitha standardet e FIFA-s dhe UEFA-s. Stadiumi do të investohet në bashkëpunim me Qeverinë Shqiptare dhe partnerin strategjik. Afati i realizimit të investimit: tetor 2014-qershor 2017.

 – Rikonstruksioni i plotë i Stadiumit “Ruzhdi Bizhuta”, për ta kthyer atë në standardet e FIFA-s dhe UEFA-s në bashkëpunim më Qeverinë Shqiptare. Afati i realizimit: shkurt 2014-shtator 2014. Vlera totale e investimit 1,8 milionë euro, nga këto 1 milionë euro do të jepen nga qeveria “Rama”.

 – Projekt për ndërtimin e 50 fushave stërvitore me bar natyral. Përfituesit e këtij projekti do të jenë të gjitha subjektet shtetërore, apo private që vënë në dispozicion terrenet për ndërtimin e fushave të reja.

EKIPET KOMBËTARE

 – Përmirësim i rezultateve dhe rrjedhimisht renditjes në FIFA dhe UEFA të Ekipit Kombëtar A, gjatë eliminatoreve Euro 2016 dhe Kupa e Botës 2018.

 – Të synojmë çdo vit kualifikimin në “Elite Round” me ekipet Kombëtare U-17 dhe U-19 për meshkuj. Të synojmë vendin e tretë në kualifikueset U-21.

 – Ndërtimi i ekipeve përfaqësueses U-15, U-16. U-18 dhe pjesëmarrja në aktivitete ndërkombëtare me këto ekipe krahas atyre U-17, U-19 dhe U-21.

 – Ngritja e ekipit Kombëtar U-17 për femra brenda vitit 2018. Ngushtimi i diferencës me kundërshtarët për ekipin Kombëtar U-19 për femra.