Armand Duka: Ja si mund të administrohet stadiumi i ndeshjeve ndërkombëtare “Loro Boriçi”

470
Sigal

“Loro Boriçi”, zbardhet
propozimi i FSHF-së për Bashkinë e Shkodrës

Institucioni i
futbollit në vend ka kërkuar që të administrojë impiantin, duke marrë përsipër
të gjitha shpenzimet. “FSHF është e gatshme të marrë përsipër menaxhimin e
stadiumit ‘Loro Boriçi’”, thuhet në propozimin e Federatës. Në nenin
5 të kësaj projektkontrate janë të përcaktuara se si do të ndahen të ardhurat.
Për ndeshjet e Vllaznisë FSHF-ja kërkon 60% të të ardhurave, duke përllogaritur
edhe ndeshjet ndërkombëtare. Kjo është paradoksale duke qenë se Bashkia Shkodër
është pronare e stadiumit, si dhe është më se normale që të ketë më shumë të
ardhura nga ndeshjet ndërkombëtare ku përfitimet janë disa herë më të shumta
sesa ndeshjet e kampionatit shqiptar. Për sa u përket takimeve të ekipeve
kombëtare në këtë impiant, FSHF-ja kërkon që të ketë 100% të të ardhurave. Në
nenin 2 thuhet: “Objekt i kësaj kontrate është dhënia nga bashkia në menaxhim
të plotë të stadiumit ‘Loro Boriçi’ FSHF-së për organizimin e ndeshjeve
kombëtare e ndërkombëtare, aktiviteteve sportive, sociale e kulturore përmes
shfrytëzimit të kapaciteteve infrastrukturore, bazës materiale dhe burimet
njerëzore të disponueshme”. Kjo është një kërkesë e çuditshme, sepse e
përkthyer ndryshe do të thotë që FSHF-ja kërkon çdo ambient të brendshëm dhe të
jashtëm së bashku me palestrat e klubit shumësportësh në të cilat janë rreth 8
ekipe të ndryshme që janë stërvitur aty. Në rast se FSHF-ja merr menaxhimin e
stadiumit, atëherë palestrat që ende s’janë gati mund t’u lëshohen me qira
ekipeve të shumësportëshit, çka do të krijonte një problem, sepse dihet se këto
skuadra nuk kanë para për aktivitete e paga sportistësh e jo më për qira.
Kontrata mes FSHF-së dhe bashkisë kërkohet që të lidhet për një periudhë kohore
10- vjeçare. Kjo marrëveshje, sipas nenit 8 të propozuar, në rast se zgjidhet
pa mirëkuptim përpara afatit, atëherë kompetente për zgjidhjen mes palëve është
Gjykata e Rrethit Gjyqësor në Tiranë. Sërish një paradoks, duke qenë se
kontrata lidhet mes FSHF-së e Bashkisë në Shkodër dhe stadiumi është i këtij
qyteti. Janë disa pika këto që nëse Bashkia Shkodër i pranon, nuk janë aspak në
favorin e saj.

Dokumenti

Më 4 nëntor, Federata
Shqiptare e Futbollit ka nisur edhe me shkrim propozimin për institucionin
vendor në Shkodër. Media zbardh të gjithë dokumentacionin. Po ju përcjellim një
projekt-marrëveshje për menaxhimin e stadiumit ‘Loro Boriçi’ në Shkodër. Siç
jeni në dijeni, ky impiant sportiv është rikonstruktuar në parametra të
Kategorisë 4 sipas kërkesave të FIFA-s për ndeshjet ndërkombëtare të futbollit.
FSHF është e gatshme të marrë përsipër menaxhimin e këtij stadiumi duke pasur
të gjithë kapacitetet teknike dhe burimet njerë- zore për administrimin sa më
të mirë të tij. FSHF garanton se do të mbulojë pagimin e shpenzimeve për
lidhjen e energjisë elektrike, si dhe të gjitha shpenzimet e nevojshme të
mirëmbajtjes gjatë periudhës së propozuar. Kjo është e arsyeshme duke parë
eksperiencën pozitive të FSHF-së në administrimin e stadiumit ‘Elbasan Arena’,
si dhe mundësitë faktike për mirëmbajtjen e strukturave sportive sipas
standardeve të kërkuara nga FIFA e UEFA. Kuptohet se drafti bashkëlidhur është
një propozim fillestar për të cilin mbetemi të hapur të negociojmë detaje që
mund të rrisin interesin e përbashkët.

Neni 2

Objekt i kësaj kontrate
është dhënia nga bashkia në menaxhim të plotë të stadiumit ‘Loro Boriçi’,
FSHF-së për organizimin e ndeshjeve kombëtare e ndërkombëtare, aktiviteteve
sportive, sociale e kulturore përmes shfrytëzimit të kapaciteteve
infrastrukturore, bazës materiale dhe burimet njerëzore të disponueshme.

Neni 3

Kjo kontratë lidhet për
një periudhë kohore 10-vjeçare dhe hyn në fuqi në datën e nënshkrimit.

Neni 5

Të ardhurat nga
ndeshjet kombëtare apo ndërkombëtare të ekipeve kombëtare, meshkuj e femra
bashkë me moshat përfitohen 100% nga stadiumi, pra nga FSHF. Të ardhurat nga
ndeshjet kombëtare dhe ndërkombëtare të K.F Vllaznia do të ndahen 60% në favor
të stadiumit, pra FSHF-së dhe 40% ekipit Vllaznia, pra bashkisë Shkodër. Të
ardhurat nga ekipet e tjera, sërish 60% për FSHF dhe 40% për bashkinë. Nëse të
ardhurat nga aktivitetet nuk mjaftojnë për të mbuluar shpenzimet, ato do t’i
mbulohen bashkisë plotësisht nga FSHF.

Neni 8

Çdo mosmarrëveshje e
lindur mes palëve në lidhje me zbatimin e kushteve të kësaj kontrate do të
paraqitet nga diskutimet për zgjidhjen e mirëkuptim të tyre, në të kundërt
kompetente për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve do të jetë Gjykata Rrethit Gjyqësor
Tiranë”, janë disa nga pikat thelbësore të marrëveshjes së ofruar nga FSHF-ja.