Armand Duka flet për “Telegraf” për situatën në futbollin shqiptar dhe surprizat e eliminatorëve të Botërorit

551

 

Nga Agron KAJA

 

Jeni në mesin e mandatit të katërt në krye të FSHF-së, si
ndjeheni përpos çdo situate që keni kaluar vit pas viti?

 

Realisht kanë qenë vite të mbushura me ngjarje intensive, me punë dhe
përpjekje. Që gjërat të shkojnë drejt suksesit, nuk mjafton vetëm të projektosh
rrugën drejt tij. Çdo ditë (shpeshherë edhe natën), duhet të punosh, të luftosh
dhe të përpiqesh për të arritur objektivat. Futbolli vërtet është një lojë, por
organizmi dhe përpjekjet për zhvillimin e tij, kërkojnë një impenjim maksimal.
Dhe jo vetëm të një njeriu, por të një morie njerëzish, të stafeve të
organizuara dhe të mbushura me profesionistë, të cilët përpiqen për të bërë më
të mirën. Rruga drejt suksesit është e vështirë, ndërsa arritja e tij,
sigurisht të sjell një kënaqësi të veçantë, të mobilizon për të qenë gjithmonë
në nivele të tilla.

 


Cilat kanë qenë pikat më delikate ku keni patur më shumë
problematikë gjatë kësaj periudhe?

 


Problematika në futboll është e gjerë dhe e vazhdueshme. Në ekipe
kombëtare, kampionate kombëtare, gjykime ndeshjesh, kontestime, lojëra të
bukura e rezultate pozitive, lojëra të dobëta e rezultate negative, marrëdhënie
të acaruara me aktorë e partnerë apo të shkëlqyera, etj, etj, Por, FSHF-ja ka
menaxhuar mirë dhe i ka realizuar strategjitë  dhe objektivat e saj, duke ditur që t’i japë
vlerësimin e duhur çdo çështjeje apo problematike.


 

Por, ju duhet të keni edhe momente kur jeni ndjerë më
mirë në këtë post?

 

Ka shumë ngjarje e zhvillime që më kanë bërë të lumtur dhe krenar.
Rezultatet e ekipit kombëtar, ku do të përmendja si të veçanta si ndeshjet dhe fitoret
historike kundër Rusisë, Greqisë, Norvegjisë dhe Portugalisë. Zhvillimi i
shpejtë i futbollit vendas, përmirësimi i ndjeshëm i infrastrukturës dhe i  organizimit të futbollit në Shqipëri,
paraqitja çdo vit e më mirë e skuadrave tona në kupat e Evropës, janë disa prej
tyre. Edhe kontributi ynë për pranimin e Kosovës në institucionet
ndërkombëtare, sidomos në UEFA, mendoj se ishte një betejë shumë e vështirë.
Ndërkohë që, kualifikimi në “Euro 2016” dhe paraqitja fantastike që bëmë atje,
më ka lumturuar pa masë dhe do ta kujtoj gjatë si një prezantim dinjitoz në të
gjitha këndvështrimet sportive, organizative deri tek tifozeria, etj.

 

Në raport me fillimet tuaja në krye të FSHF-së, pas 14
viteve, si e përshkruani gjendjen e futbollit shqiptar në përgjithësi?

 

Padyshim që shumë gjëra kanë ndryshuar dhe jam i lumtur të vlerësoj se ato
kanë ndryshuar për mirë. FSHF-ja është shndërruar në një organizëm modern, i
organizuar dhe efikas dhe, jo më kot, ajo është tashmë një institucion që
“vjel” sukseset e një pune intensive e jashtëzakonisht të detajuar. Projekte,
ndryshime dhe ide të reja kanë shoqëruar veprimtarinë e këtyre viteve, duke
garantuar që këto risi do të vazhdojnë të na shoqërojnë edhe më pas. Tashmë e
konsiderojmë veten një skuadër të përgatitur dhe me eksperiencë, e cila është e
gatshme për tiu përballur me çdo sfidë.

 

Në Kombëtare, puna juaj ka patur më shumë sukses,
ekzistonin mundësitë që në këto standarde të jetë edhe pjesa tjetër e futbollit
tonë?

Mendoj se suksesi apo përparimi ka qenë i kënaqshëm edhe në futbollin
vendas, ku është dyfishuar numri i njerëzve që luajnë futboll. Aktualisht
organizohet futboll në gjithë territorin dhe në të gjitha moshat, ndërsa për
Kategorinë Superiore e them pa asnjë rezervë se tashmë kemi kampionat më të
mirë, më të organizuar dhe më me cilësi se në shumë vende të Rajonit apo të
ngjashme me Shqipërinë.

 

Gjatë kësaj periudhe, është përfolur për një “konflikt”
virtual tuajin me trajnerin e Kombëtares Xhani De Biazi, cila është situata
sipas jush?

 

Sipas statutit të FSHF-së, Presidenti emëron trajnerin e ekipit Kombëtar,
dhe nëse është i pa kënaqur me punën e tij, e shkarkon atë. Konfliktet mund të
ekzistojnë vetëm mes institucionesh paralele. Por unë jam shumë i kënaqur me
punën e Misterit dhe të stafit të tij.

 

Në këtë situatë që është Kombëtarja, sa shanse kualifikimi
na ofrohen në ndeshjet eliminatore të Botërorit 2018?

 

Në një grup të fortë siç është grupi ynë kualifikues, është e vështirë që
të flasësh me përqindje shansesh apo mundësish. Është e vërtetë që skuadra
duket më e rritur dhe më e pjekur, është gjithashtu e vërtetë se, për shkak të
rezultateve të mira të arritura në dy vitet e fundit, kërkesa dhe pretendimet
ndaj saj janë rritur shumë. Realisht mendoj se, po të japim maksimumin dhe të
evitojmë disa gabime, do të vazhdojmë të jemi një surprizë e këndshme e këtyre
eliminatoreve.

 

Kjo porosia e juaja duhet ndaj të gjithë kundërshtarëve
në grup, apo me skuadra të veçanta?

 

Ne duhet të përqendrohemi shumë për të mos toleruar kundër kundërshtarëve
tanë direktë si Izraeli, Maqedonia dhe Lihtenshteini. Përgjumja dhe ulja e
tempit që u vunë re në pjesën e dytë gjatë ndeshjes me Maqedoninë, duhet të na
shqetësojnë për të mos u përsëritur më. Për sa i takon Spanjës dhe Italisë,
është e tepërt të kujtoj se po flasim për dy ndër shkollat më të mëdha të
futbollit, të laureuara me suksese, si evropiane ashtu edhe botërore.
Megjithatë, ne kemi treguar edhe herë të tjera që kur luajmë mirë me të gjithë
kapacitetet tona, i vëmë në vështirësi edhe të mëdhenjtë. Për më tepër që
skuadra nuk është nën presion dhe karikimi i futbollistëve përballë yjeve të
futbollit botëror do të jetë në shkallën më të lartë. Në futboll diferencat
janë ulur. Për ne e rëndësishme është që të japim maksimumin e kapaciteteve
tona.

 

Në këtë fillim të sezonit të ri 2016-2017, çfarë ka ecur
mirë në punën tuaj në FSHF, dhe me çfarë problemesh jeni duke u përballur?

 

Një edicion i ri futbollistik ka gjithmonë problematikën e tij që është e
gjerë, por ne kemi punuar shumë për t’u përgatitur sa më mirë për të. Kategoria
Superiore, në javët e para të saj ka treguar cilësi të mirë dhe gara ka nisur e
bukur. Natyrisht që janë vënë re edhe probleme të vogla që kanë lidhje me
gjykimin, por këto dyzime do ta shoqërojnë garën. E rëndësishme është që në
fushën e lojës ka garë të ndershme.  Edicioni ka nisur edhe me disa risi, në
pikëpamjen estetike, të cilat nuk janë përdorur më parë. Të tilla janë
personalizimi i bluzave të të gjithë skuadrave të Kategorisë Superiore me logon
e këtij eventi apo tabelat elektronike të personalizuara si për Kategorinë
Superiore, ashtu edhe për Kategorinë e Parë.

 

Në muajt e fundit ka edhe një “rrokopujë” përsa i përket
përfshirjes së Skënderbeut në trukime ndeshjesh, ju si do ta  përshkruanit këtë situatë në këndvështrimin e
Presidentit të FSHF-së?

 

Padyshim që është një situatë e pakëndshme në shumë drejtime. Na dëmton
imazhin e futbollit tonë dhe akoma më e pakëndshme dhe të lë shije negative
fakti që shumë aktorë mediatikë apo palaço politike, kërkojnë ta përbaltin
gjithë futbollin duke e shumëtrumbetuar këtë ngjarje të shkëputur. Madje ka
shumë prej tyre që janë  më shumë të
interesuar që të ketë dënime kapitale për individë e klube, se sa për
eliminimin e këtij fenomeni negativ për sportin tonë. Organe më të larta se ne
janë shprehur juridikisht për këtë çështje edhe me vendime, kështu që rendja
për të përbaltur FSHF-në dhe nxitja që kjo fundit të marrë një vendim kundër
Skënderbeut, është e qëllimshme apo për interesa meskine.

 

Me kategoritë inferiore patët vonesa në fillimin e këtij
sezoni të ri, cilat kanë qenë shkaqet sipas jush?

 

Ne kemi punuar për ta përgatitur sa më mirë këtë sezon të ri dhe në mënyrë
të veçantë kemi këmbëngulur për sa i takon kërkesave të liçensimit dhe
shlyerjes së detyrimeve financiare nga ana e klubeve. Në Kategorinë së Parë,
shumë klube kishin probleme në këtë drejtim dhe kjo situatë solli edhe shtyrjen
e këtij kompeticioni, derisa u plotësuan të gjitha. Kampionati i Kategorisë së
Parë fillon ditën e shtunë (sot) dhe me këtë rast theksoj se ajo që FSHF-ja si
institucion kërkon nga klubet, është bashkëpunimi për të plotësuar sa më mirë
kriteret e liçencimit. Këtu nuk bëhet fjalë thjesht për të plotësuar disa
dokumente. FSHF-ja ka si qëllim të saj strategjik formalizimin, jo vetëm të
klubeve, por të gjithë futbollit shqiptar. Kjo është arsyeja për të cilën ne
kemi këmbëngulur dhe do të vazhdojmë të këmbëngulim fort në këtë drejtim.

 

Në këtë fundjavë futbolli do të ketë ngarkesë me ndeshje
të shumta, por duke u përqendruar në Superiore, çfarë mendoni se do të sjellin
ndeshjet e javës së katërt, kryesisht, sfida Partizani-Tirana që luhet të
dielën?

 

Shpresoj që të sjellin spektakël, gola dhe lojë të bukur. Sigurisht gara
sapo ka filluar dhe ato nuk do të jenë ndeshje përcaktuese për objektivat që
kanë skuadrat pjesëmarrëse në këtë kompeticion, por do të jenë të rëndësishme
për ecurinë momentale të ekipeve. Sa i takon një ndeshjeje derbi si ajo mes Partizanit dhe Tiranës, është gjithmonë një
ngjarje e veçantë për futbollin shqiptar. Këto vitet e fundit, rikthimi i
Partizanit në elitën e futbollit shqiptar e ka ndezur edhe më tepër atmosferën
e këtij ballafaqimi. Emocionet mbeten gjithmonë të veçanta, aq më tepër
atmosfera që krijojnë dy tifozeritë i jep një bukuri të rrallë kësaj ndeshjeje.
Parashikoj një ballafaqim të fortë dhe uroj të shohim një ndeshje të madhe.

 

Muaji tetor 2016 ofron edhe dy ndeshje delikate për
Kombëtaren tonë, çfarë rezultatesh mendoni me Litehshteinin dhe Spanjën?

 

Në situatën që jemi, pas fitores në ndeshjen e parë, fitorja në
Lihtenshtejn duket si një obligim për skuadrën. Në këtë pikë, duhet të jemi
shumë të kujdesshëm për t’u treguar cinikë në marrjen e rezultatit. Ne nuk kemi asgjë për të fshehur
në Lihtenshtejn. Thjesht duhet të japim maksimumin dhe të marrim tri pikët, që
do të na vendosnin në pozita shumë të mira në grup. Për t’ju përgjigjur pyetjes
tuaj der nëfund, po ju them se katër pikë në këto dy ndeshje do të më pëlqenin.

 

Ndërkohë që për ju si President i FSHF-së kanë mbetur më
pak se dy vite deri në mbyllje të mandatit të katërt, çfarë mendoni se do të
ndryshoni në këtë hapësirë kohe?

 

Unë mendoj se kemi ndryshuar mjaft me punën tonë deri më tani. Sigurisht, e
mira s’ka fund dhe asnjëherë njeriu nuk është i kënaqur me arritjet. Mendoj se
gjatë këtij dyvjeçari, për sa i takon ndryshimeve në infrastrukturë, i
rëndësishëm do të jetë ndërtimi i stadiumit të ri dhe disa ndërhyrje të tjera.
Do të vazhdojmë të këmbëngulim në zbulimin, përkrahjen dhe mbështetjen e
talenteve të futbollit shqiptar nëpër skuadrat tona kombëtare, si edhe
përmirësimin e mëtejshëm të punës së administratës në ndihmë të klubeve. Siç e
thashë edhe më sipër, jemi të vendosur në strategjinë tonë për formalizimin e
futbollit shqiptar dhe për të ndihmuar klubet që të krijojnë një strukturë sa
më të konsoliduar, duke ditur se ato janë një prej hallkave më të rëndësishme
në zhvillimin e futbollit.

 

Armand Duka jashtë futbollit

 

Nuk është se ndryshon shumë. Unë jam një njeri që punon shumë, përpiqet dhe
këmbëngul që gjërat t’i ndërtojë sa më mirë. Natyrisht që jam një bashkëshort
që kujdeset për familjen, një prind që, si gjithë të tjerët, merakoset për fëmijët
e tij, por edhe një familjar që është gjithmonë i afërt me njerëzit e tij. Nuk
do harroja të thosha se, jam edhe një shok dhe mik që respekton të gjitha
miqësitë e krijuara, jam një qytetar i vëmendshëm ndaj zhvillimeve në vendin
tonë, njëherësh edhe një kritik i fenomeneve negative e përkrahës i zhvillimit.
Pra, për ta përmbledhur, unë mendoj se jam një njeri i zakonshëm që lufton dhe
përpiqet çdo ditë për të ndërtuar gjëra sa më të mira, për veten, familjen dhe
vendin e tij.

 

Paragraf urimi për sezonin e ri

 

Ndërkohë që sezoni i ri futbollistik 2016-2017 ka nisur tash katër javë me
Kategorinë Superiore dhe sot nis Kategoria e Parë, dëshiroj të jetë një sezon
sa më i bukur në të gjitha kategoritë. Do të uroja që ky sezon të jetë me
rivalitet në të gjitha kategoritë. Shpresoj shumë që ai të dhurojë spektakël
dhe emocione, të cilat do ta ndezin garën dhe do të kënaqin tifozët në shkallët
e stadiumeve. Fryma e Fair Play-it duhet të mbizotërojë në të gjitha ndeshjet,
por mbi të gjitha, do të uroja që ky edicion të jetë sa më cilësor nga
pikëpamja teknike. Rritja e nivelit të lojës dhe afirmimi i elementëve të
talentuar, këto janë garanci që tregojnë se futbolli po ecën në rrugën e duhur.
Por, në këtë nisje që në fakt ka nisur mbarë, tre javë më parë, unë shpresoj
shumë dhe uroj që të vazhdojmë në këtë mënyrë”. 

 

SKEDA/ ARMAND DUKA

Datëlindja: 7 tetor 1962

Vendlindja: Durrës

Arsimimi: Në vitet
1981-1986 Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë (dega ekonomist për
industrinë)

Aktivitet
profesional:
Në vitet
1986-1990 punon në Parkun e Mallrave Burrel; në vitet 1990 -1991 punon në
parkun e mallrave Durrës; nga viti 1991 e në vazhdim në aktivitet privat

Lidhjet me
futbollin:
Nga viti 1992
në skuadrën e Teutës së Durrësit dhe tek Erzeni i Shijakut, deri në vitin 2016
drejton në dy mandate FSHF-në

Detyra në
sport:
President i
Federatës Shqiptare të Futbollit, 2002 e në vazhdim, Zv. President i
Kompeticioneve të Federatave Kombëtare në UEFA; Anëtar i Komitetit të
Federatave Kombëtare në FIFA

Gjendja Familjare: I martuar

Aktiviteti
privat
: Në vitin
1991, me hyrjen e vendit në ekonominë e tregut, fillon aktivitetin e tij privat
dhe në vitin 1993 krijon Kompaninë “AIBA” sh.a. një ndër më të
njohurat në vend.

Gjuhët e
folura:
Anglisht,
Italisht

Qytetar Nderi në Gjirokastër

 

 

KATËR MANDATE PRESIDENT I FSHF-së

Që nga 6 shkurti i vitit 2002 e deri më 28 shkurt 2014, Armand Duka ia ka
dalë katër herë të fitojë direkt në Asamblenë Zgjedhore të Federatës Shqiptare.
Në 6 shkurt të vitit 2002, ai mposhti kandidaturën e Mehdi Bushatit (punimet e
Asamblesë u zhvilluan në Pallatin e Kongreseve, mbi KQZ-në); në mars të vitit
2006 ai rivalizoi me dy kandidatë: menaxherin e futbollit Edmond Haxhiaj dhe
ish-anëtarin e Komitetit Ekzekutiv,  Salvador
Kaçaj (punimet e Asamblesë u zhvilluan në hotel “Tirana International”, ku
gjatë punimeve u fol për alarm bombe); në 10 mars 2010, Duka fitoi ndaj dy
kandidatëve: Refik Halilit në statusin e donatorit të Tiranës dhe ndaj Rudi
Vatës, ish-futbollist i Kombëtares (punimet e Asamblesë u zhvilluan në Hotel
“Adriatik” në Plazhin e Durrësit); në datën 28 shkurt 2014, në kandidimin e
katërt, për Armand Dukën nuk pati asnjë rival si kandidat për President në
FSHF, ishte i vetëm (punimet e Asamblesë u zhvilluan në në hotel “Tirana
International” në Tiranë).

 

 

Drejtuesit e FSHF në vite

1930 Luigj Shala

1932 Izedin Beshiri

1945-1970 Anton Mazreku

1970-1980 Zyber Konçi

1980-1990 Kristaq Miço

1990-1997 Eduard Dervishi

1997-2002 Miço Papadhopulli

2002 e në vazhdim Armand Duka

 

Trajnerët e Kombëtares me Dukën

1.Xhuzepe Dosena (italian)

Nga 12.07.2002 deri 16.12.2002

2.Hans Peter Brigel (gjerman)

Nga 29.03.2003 deri 30.05.2006

3.Oto Bariç (kroat)

Nga 01.07.2006 deri 01.06.2007

4.Ari Han (holandez)

Nga 01.01.2008 deri 15.04.2009

5.Josip Kuzhe (kroat)

Nga 25.05.2009 deri 20.10.2011

6.Xhani De Biazi (italian)

Nga 17.12.2011 e në vazhdim

 

 

Federata Shqiptare e Futbollit

Viti themelimit: 1930

Pranuar në FIFA: 1932

Pranuar në UEFA: 1954

President: Armand Duka

Trajner i Kombëtares: Xhani De Biazi

Kapiten i Kombëtares: Ansi Agolli

Stadiumi: “Loro Boriçi”

Kapaciteti: 16.000 vende

Viti i ndërtimit: 1953 “Vojo Kushi”

Viti 1990: Ndryshon në “Loro Boriçi”

Rikonstruksioni: Përfundoi në 2016

Sigal