Armand Duka: Arritjet gjatë katër mandateve, do t’i konsolidoj në mandatin e pestë, jam njeri i fjalës së mbajtur

609
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” Presidenti i FSHF-së, në analizën e tij për vitin 2017, ka progres në nivel klubi, krijimi i ligës Profesioniste dhe situata e rikandidimit të tij në këtë post 
Edhe pse jeni në emocionet e rikandidimit në postin e Presidentit të FSHF-së, e nisim nga një përshkrim i juaji për futbollin shqiptar gjatë vitit kalendarik 2017?
Përgjegjësi përpara komunitetit të futbollit, më shumë se emocione. Për të vijuar së bashku me futbollin atë që kemi nisur. Tani ky mandat nuk përfshihet veç në këtë vit kalendarik, sidoqoftë, nëse do ti referohemi vitit 2017, ka qenë një vit shumë produktiv. Që nga përfaqësimi me ekipin kombëtar, ku mbyllëm në vend të tretë eleminatoret e Botërorit, pas Spanjës e Italisë, për të vazhduar në arenën e përfaqësimit ndërkombëtar me suksesin e Skënderbeut, me një prezantim shumë të mirë. Në vitin 2017 do të veçoja gjithashtu projektin “TOPI YT” ku FSHF ka mbyllur fazën e shpërndarjes së topave në të gjithë vendin për të gjitha klubet që luajnë futboll, falas për të gjitha klubet e regjistruara. Nisëm vjet me vitin e parë të projektit. Po kështu, projektet “Grou” e “Grassroots” për futbollin e fëmijëve, ku mbetet në fokusin e punës tonë, si një prioritet strategjik. Nuk kanë munguar investimet në infrastrukturë, sikundër vijon ndërtimi i kantierit “Arena Kombëtare”, një vepër e madhe sportive kombëtare për vendin. Pa harruar kurrsesi edhe masivizimin, mbarëvajtjen e garës, por duke evidentuar edhe rritjen e përgatitjeve të kurseve për trajnerë, trajnerë portierësh, së fundmi edhe për Drejtorë Sportivë nga Sektori përkatës i Edukimit. Gjithashtu, gjatë vitit 2017, FSHF mori përsipër dhe organizoi tre turne ndërkombëtarë të UEFA-s, për eliminatoret e U-19, U-17 dhe U-19 për femra. Po kështu edhe gjatë këtij viti kemi marrë përsipër organizimin e turneve të tjerë. 

Viti që mbyllëm, ka qenë më i mirë në nivelin e klubeve, apo në atë të Kombëtares?
Përfaqësimi ndërkombëtar ka qenë si në fokusin e ekipit kombëtar me përfundimin pozitiv të eliminatoreve të Botërorit, ashtu edhe të ecurisë së shkëlqyer të Skënderbeut në kualifikimin e fazës së grupeve të Evropa Ligë. Por, nuk mund të harrojmë kurrsesi kualifikimin e ekipit kombëtar A të femrave në Elite Round të Eliminatoreve të Evropianit, ku dhe aktualisht po luan ndeshjet në grup, si edhe të kombëtares së futsal-it.mëdha.

Qëndrojmë te Kombëtarja, sa ka ndikuar ndryshimi i trajnerit në fundin e sezonit të Botërorit 2018?
Ndryshimin besoj e keni konstatuar. Viti 2017 përkoi me ndryshimin e trajnerit. Pas largimit të trajnerit De Biazi që më duhet ta falënderoj për gjithçka dha me këtë ekip, zgjodhëm Christian Panuçin, një emër të madh. E kam thënë shpesh që për këtë skuadër na duhej një impuls i ri, një figurë që me karizmën e tij të bënte ndryshe. Mbase rrezikuam duke zgjedhur Panuçin, një trajner me CV relativisht jo më fortë, por me një të shkuar të madhe si futbollit, por paraqitjet e deritanishme të kësaj skuadre më bindin dhe jam i kënaqur. Do tentojmë që me këtë skuadër do të provojmë shumë të përjetojmë një tjetër emocion fortë në fazë finale Evropiani. 

Sot De Biazi është i papunë, si ndjeheni ju një mik i tij?
Bota profesioniste e trajnerëve të futbollit dhe jo vetëm, e ka këtë. Nuk më tingëllon mirë fjala “pa punë”, sidoqoftë trajnerët e dinë fare mirë edhe pozicionin e tyre. I tillë është profesioni, por komunikimi me mister De Biazin nuk mungon, më shkruan dhe komunikojmë, kryesisht kur luhen ndeshjet e ekipit kombëtar. 

Ju si President i FSHF-së, jeni i kënaqur me renditjen në eliminatoret e Botërorit?
Po, mendoj se bëmë një paraqitje të mirë. Madje, madje, pse jo mund të na ketë munguar edhe ndonjë pikë (i referohem ndeshjes me Italinë në “Loro Boriçi”). Skuadra është kthyer sërish me këmbë në tokë. Në grup kishim Spanjën e Italinë dhe arritëm më të mirën e mundshme. Na munguan pikët e Izraelit në Elbasan, dhe ato i morëm në fushën e tyre, e pjesa tjetër me vendin e tretë më kënaq jo pak. Skuadra është kthyer sërish te shpirti i sakrificës, pas një euforie që e kishte kapur pas Evropianit. Tashmë skuadra po njeh rritje në produktin e asaj që jep. 

Cilët janë objektivat që Panuçi ka në Kombëtare, afatshkurtra dhe afatgjata?
Objektiva që tashmë janë të njohura: Kualifikimin e Shqipërisë në Euro 2020. Dhe mendoj që i kemi të gjitha mundësitë të kemi një tjetër arritje të tillë. Trajneri Panuçi mund të them se tashmë e njeh skuadrën shumë mirë, dhe kërkon shumë nga djemtë, pasi beson shumë në cilësitë e tyre. Jam i bindur që ai do të japë maksimumin, jo në kuptimin e angazhimit, por do ta ndihmojë ekipin për sa mund të ketë peshë specifike trajneri në një ekip. Panuçi është njeriu i duhur, në momentin e duhur për ta çuar ekipin Kombëtar përpara. Kualifikimi është targeti kryesor ku synojmë të arrijmë me ekipin kombëtar. 

Arbitra e sezonit të kaluar, me gabimet e tyre kanë qenë protagonistë apo njerëzorë për ç’ka kanë dhënë?
Gabimet ekzistojnë dhe nuk mund të them që nuk janë bërë. Vazhdimisht gjatë gjithë kohës, FSHF ka bërë maksimumin për përgatitjen e gjyqtarëve. Unë nuk mendoj kurrsesi që niveli i gjykimit është më i ulët sesa niveli i futbollit në vend. Edhe gjyqtarët gabojnë për shkakun se futbolli është lojë e gabimeve. A është gabim njerëzor, apo jo njerëzore kjo është e vështirë. Ndodhin kudo. Do të doja që çdo ndeshje e rëndësishme të mos kish asnjë gabim, por as robotët nuk e garantojnë një gjë të tillë, e jo më njerëzit. 

Mund ta quajmë si ngjarjen e vitit 2017 rënien e Tiranës në Kategorinë e Parë?
Duhet të kemi parasysh që, oshilacionet e ndonjë klubi nuk varen nga menaxhimi i FSHF-së, por varen nga vetë ata dhe nga rrethanat, konkurrenca, apo fati (shumë i rëndësishëm në futboll). Këtë specifikim mund të them edhe për rastin e Tiranës. Tashmë futbolli ka ndryshuar shumë. Holanda dhe Italia nuk janë në Botëror, dhe për këtë ju mendoni se duhet akuzuar FIFA? Sigurisht që FIFA i do ekipet e mëdha, por vendos fusha. Tashmë në Evropë jemi përballë realiteteve të reja, natyrisht që ndiej keqardhje, pasi si tifoz, dëshiroj që të shoh fanella dhe emra të mëdhenj në fushë. 

Mendoni se klubet e Superiores janë të organizuar në standardet e duhura, kur disa prej tyre janë me kapital shtetëror?
Natyrisht që mendoj se ka shumë ende për të përmirësuar, si në aspektin e organizimit të strukturës, ashtu edhe në aspektin ekonomik. Kjo mendoj është çështje (gjendjen Ligjore , Sh.a. apo Shoqatë), të cilën mund ta zgjidhin vetë Klubet, së bashku me Bashkitë e tyre. Unë do të dëshiroja që të gjitha Klubet e Superiores të kishin të njëjtin status, dhe pastaj mund të konkurronin në kushte më të barabarta mes tyre. Prej vitesh FSHF-ja kuron pjesën e licencimit të klubeve, duke qenë në mënyrë të vazhdueshme të komunikimit me to, në lidhje me standardet e domosdoshme të kërkuara. 

Disa drejtues në skuadra të Superiores kanë venë në dyshim integritetin e garës, ju si u përgjigjeni atyre?
Unë mendoj se kampionati ynë është shndërruar në një nga më të fortat në Evropë. Besoj se deri në edicionin e fundit, si edhe gjatë javëve të fundit askush nuk mund të përcaktonte se kush do të ishte fituesi, apo kush do të rrëzohej një kategori më poshtë. Përpos pjesës së besimit, dhe raporteve thuajse minimale të ardhura, edhe dhuna ka qenë një fenomen në rënie. Nëpër stadiume, faktori është fushë është zbehur. Tani kritikat do të jenë gjithnjë, por nuk mund të them që është vënë në dyshim integriteti i garës.

Në vitin e kaluar, FSHF-ja morri vendimin dhe i hoqi titullin Kampion Skënderbeut për sezonin 2015-2016, duhej marrë më parë, apo është një vendim pa prova konkrete?
Ka qenë Komisioni i Etikës i cili ka vendosur që t’i heqë titullin e Skënderbeut. Nuk quhet i mbyllur si proces, sepse nuk i ka përfunduar ende shkallët e gjykimit. Nëse mbaron, do të ndërmerret si diskutim nga komisionet se çfarë do të ndodhë. Vijoj të mendoj që, u dënua një klub pa prova konkrete, por sipas statutit të UEFA-s, edhe në këtë pikë mendoj se ka shumë diskutime. Edhe ne si komision etike kemi dënuar pa prova, por me perceptim, pasi të gjithë anëtarët e Asamblesë kanë votuar që Komisioni ynë i Etikës të votojë kështu. 

Në katër mandatet e shkuara, ju ka mbetur ndonjë peng që e keni synuar dhe nuk është arritur?
Së pari do kisha shumë dëshirë të të shihja një skuadër shqiptare në grupet e UEFA Champions League, e mendoj që i kemi të gjitha mundësitë, dhe jo vetëm për Skënderbeun. Dua shumë që emri i futbollit shqiptar të lakohet, jo vetëm në muajt e verës, por shumë e shumë më gjatë. Po kështu, kisha dëshirë që një futbollist yni të ishte klasifikuar si një top-player në një nga klubet, i cili në arenën ndërkombëtare të fitonte diçka të madhe, të fitonte diçka me klubet. Besoj që një diçka e tillë do të ndodhë shpesh, sepse kemi lojtarë me të vërtetë shumë të rëndësishëm në skuadrat e tyre, veçanërisht në Serinë A fqinje. 

Nga 12 janari 2018 dhe 6 ditë të shkurtit, jeni në fushatë për zgjedhjet e reja të Presidentit të FSHF-së, pse vendosët për rikandidimin tuaj të pestë në këtë post?
Fillimisht për këtë vendimmarrje kam marrë mbështetjen e shumë anëtarëve, dhe kjo ka qenë pikë prioritare për mua. E shpalla zyrtarisht kandidimin tim në datë 12 janar, tërësisht për të respektuar afatet statutore. Kam pritur edhe reagimin e komunitetit me të cilin kam punuar, e në këtë pikë arsyet kanë qenë të shumta: Masivizimi i futbollit, përmirësimi i ndjeshëm i infrastrukturës, forcimi i garës sportive përmes një superlige shumë kompetitive, mbështetja financiare e klubeve përmes marketimit më të mirë të kampionatit, rezultatet historike e triumfuese të Ekipit Kombëtar dhe klubeve shqiptare ne Evropë, këto janë disa premtimet e mbajtura të mandatit tim në krye të FSHF-së. Kështu, përtej modestisë, këto janë realitete e premtime të mbajtura, konsiderohen si arsye shumë të forta që komuniteti i futbollit të jetë bindur tashmë se unë jam një njeri i fjalës së mbajtur. 

I përmbaheni thënies suaj, se: “Mjaft thotë Zoti kur të ndërpret jetën”?
Ka qenë një shprehje që mendoj se ka dalë jashtë kontekstit të asaj që kam thënë, dhe më pas është interpretuar ndryshe. Unë kam cituar specifikisht që: “Në lidhje me jetën e gjithsecilit, vetëm Zoti mund të më thotë mjaft!”. Pjesa tjetër është keqinterpretuar. Vetëm anëtarësia vendos për vijimin apo jo të projekteve dhe skuadrës drejtuese të futbollit shqiptar.

Në garën për President të FSHF-së, ka hyrë edhe politikani Bashkim Fino, veç deklaratave të mëparshme, sot e mendoni atë një rival të fortë në datën 7 shkurt në Asamble?
E përgëzoj për iniciativën e tij, si një kandidat që vazhdon të jetë në politikë. E them këtë sepse ka hyrë tashmë në garën për kreun e FSHF-së pa hequr dorë nga mandati i deputetit. E megjithatë, nuk dua të mbetem në këtë pikë, unë bëj pjesë në atë kategori personash që i inkurajojnë të tjerët nga ambiciet që kanë, dhe nga ato që duan të bëjnë. Nuk druaj fare në këtë pikë nga askush, sepse kontributi dhe puna ime janë aty në sytë e gjithë komunitetit të futbollit dhe gjithë publikut shqiptar, bashkë me ato gjëra që ndoshta duhen përmirësuar e bërë më mirë. Familja e futbollit do ta vlerësojë këtë. 

Nëse ju do të rizgjidheni President i FSHF-së, çfarë do të ndryshoni nga sa më parë?
Bashkë kemi punuar deri tashmë, bashkë kemi realizuar dhe bashkë kemi gjëra për të bërë. Jo thjesht për këtë mandat, por me vizion të qartë strategjik drejt 2030-s. Personalisht i njoh shumë mirë problemet dhe hallet e futbollit dhe e di se çfarë duhet për të shkuar më përpara. Vizioni ynë është se çfarë duhet të bëjmë deri në 2030-ën, në një fokus afatgjatë strategjish. Mendoj se kemi nevojë për një inventar të madh në ekipet e futbollit. Nuk mund të bësh pa trajnerë, edukimin e të gjithë aktorëve që do të edukojnë fëmijët. Duhet shumë akoma më infrastrukturë. Ne kemi planifikuar në këto 4 vjet se sa duhet të bëjë Shqipëria dhe sa duhet të bëjë pasardhësit tanë deri në vitin 2030. Kemi një sërë projektesh që në bashkëpunim me FIFA-n dhe UEFA-n, që do ti çojmë përpara me sukses, të cilët lidhen me futbollin e fëmijëve. 

Në mbyllje, t’ju urojmë si ish-President, apo si President edhe pas 7 shkurtit 2018?
Për këtë duhet të presim 7 shkurtin, dhe të gjithë bashkë vendimin e anëtarëve tanë të futbollit, me të cilët do të vazhdojmë projektet dhe nismat tona të përbashkëta për progres të mëtejshëm të futbollit shqiptar. 
Gjatë gjithë drejtimit tim në krye të FSHF-së, në jo pak raste jam gjendur përballë politikës, dhe po aq herë kam treguar se nuk i trembem asaj, apo presionit që mund të vijë nga segmente të caktuara të lidhura me të. Tashmë s’kam arsye që të ndryshoj. Kurrsesi! 
Bashkë kemi punuar deri tashmë, bashkë kemi realizuar dhe bashkë kemi gjëra për të bërë. Jo thjesht për këtë mandat, por me vizion të qartë strategjik drejt 2030-s. Personalisht i njoh shumë mirë problemet dhe hallet e futbollit dhe e di se çfarë duhet për të shkuar më përpara
Mbështetja e kombëtareve të moshave, prioritet standard i FSHF-së
Kurimi dhe mbështetja e FSHF-së me ekipet kombëtare të moshave ka qenë dhe është një prioritet standard. Përpos arritjes së rezultatit mund t’ju them që edhe elementët në këto ekipe janë një alternativë më shumë në aspektin e furnizimit për ekipet kombëtare me lart U-21 dhe ekipin A. Sidoqoftë, edhe në pjesën e rezultatit në turneun eliminator të vitit të kaluar në Shqipëri me U-17 kemi bërë një paraqitje të kënaqshme me kundërshtarë si Spanja e Kroacia. Pritshmëritë shumë të mëdha janë edhe për një kualifikim të mundshëm në eliminatoret e ardhshme të kombëtares U-21. Paralelisht me pjesën sportive, në plan mbeten edhe seleksionimet e mundshme të të gjitha moshave, por tashmë edhe funksionimet e kombëtareve të ndërmjetme: U-16, U-18 dhe U-20. Do doja që skuadrat U-17 dhe U-19 të kishin të paktën nga një kualifikim më shumë për raundin tjetër. 
Liga Profesioniste, një proces që ka marrë udhë drejt funksionimit të saj 
Nuk është se po qëndron në vend. Madje, nën drejtimin e zëvendëspresidentit Libohova, janë bërë disa takime në nivel teknik për çështjen e Ligës. FSHF-ja dhe unë personalisht në vazhdimësi e kemi stimuluar ngritjen e kësaj strukture, por që kërkon domosdoshmërish edhe përcaktimin e modaliteteve teknike. Përfaqësuesit e klubeve janë mbledhur mes tyre dhe shumë shpejt do të shpallin konkluzionet. Tashmë ky është një proces që ka marrë udhë drejt funksionimit të tij, do ta përkrahim maksimalisht. 
Prioritetet në infrastrukturën sportive
Përfundimi brenda këtij viti i ndërtimit të Stadiumi Arena Kombëtare.
Realizimi i shtëpisë së re të futbollit shqiptar. 
Ndërtimi apo rikonstruksioni i të paktën dy stadiumeve për ekipet e Kategorisë Superiore.
Pajisja me sistem ndriçimi i të gjitha stadiumeve të Kategorisë Superiore.
Ndërtimi i të paktën 60 fushave stërvitore me mbjellje, në të gjithë vendin.
Ndërtimi i 4 fushave me përmasa 20×40 m për institucionet e riedukimit.
Ndërtimi i 4 fushave me përmasa 20×40 m për kategorinë e personave me aftësi të kufizuar.
Ndërtimin e mbi 30 fushave të minifutbollit për fëmijë në shkolla.
Ndërkaq, do ndalemi shumë dhe me strategji të veçanta te masivizimi, përfaqësimi ndërkombëtar, edukimi dhe licencimi, te futbolli i femrave, apo edhe te fëmijët. 
Superiorja kampionat i fortë, është minimizuar dukshëm mosbesimi i garës 
Mund të them me bindje se Superiorja është shndërruar në një nga kampionatet më të forta në Evropë. Sa i përket besimit të garës që përflitet shpesh, raportet që vijnë zyrtarisht nga UEFA për ndeshje potencialisht të dyshuara, janë ulur ndjeshëm. Kujtoj 4 vite më parë që kishim një duzinë me ndeshje dhe raporte që duheshin vlerësuar si të dyshuara. Mbetet si fenomen i vështirë për tu luftuar, por minimizimi është i dukshëm, dhe në aspektin sportiv, shifrat tregojnë që raporti i fitoreve jashtë me ato brenda po balancohet shumë. 
Sigal