Arlind Nora: Ja kemi marrë dorën Kupës

831
Agron KAJA
INTERVISTA/ Flet Drejtori Teknik i Laçit, është optimist për përballjen e sotme në Kupën e Shqipërisë me skuadrën korçare
Nga një ish-futbollist, sot drejtor teknik në Superiore, ishte ideja juaj apo erdhi rastësisht?
Është e natyrshme një lëvizje e tillë, pasi unë jam shkëputur nga futbolli i luajtur për gati dy vite. Gjithsesi, ky pozicion është në idetë e mia, pasi mendoj se tashmë, karriera duhet të vazhdojë me futbollin, me të cilin jam i lidhur për të vazhduar gjithë jetën.
Si u mundësua ky bashkëpunim juaji me Laçin në këtë pozicion drejtuesi?
Unë kam luajtur me Laçin në sezonin 2009-2010 dhe i kam mbajtur lidhjet me të gjithë drejtuesit, të cilët gjej rastin ti falënderoj për besimin që më dhanë, sidomos Presidentin Pashk Laska. Nuk kam eksperiencë në këtë post, por e gjithë karriera ime në Superiore për gati 17 vite, mendoj se do të më shërbejë. Rëndësi ka që idetë e mia të vlejnë pozitivisht për skuadrën e Laçit, si në Kupë, e kryesisht në Kampionat.
Që jeni sot Drejtor Teknik tek Laçi, keni ndonjë nostalgji që nuk jeni në këtë pozicion tek ndonjë skuadër tjetër ku keni luajtur më parë si futbollist?
Në karrierën time 17 vjeçare, unë pata mundësinë të luaj në shtatë skuadra dhe për të gjitha kam respekt e nostalgji. Kudo që të isha te ato skuadra, vlerësimin do ta kisha të njëjtë sikundër këtu me Laçin.
Çfarë shikoni te skuadra e Laçit në këtë gjysmë sezoni, që edhe keni pranuar ofertën të jeni drejtor teknik?
Laçi tashmë është bërë skuadër e traditës në Kategorinë Superiore, dhe e ka krijuar portretin si skuadër dinjitoze. Nuk është pak të jesh në një skuadër 2 herë fituese e Kupës së Shqipërisë dhe pjesëmarrëse në Evropë në disa sezone, dhe këtë vazhdimësi kemi synim që ta mbajmë edhe në këtë sezon. Prandaj edhe përforcimet gjatë muajit janar kanë qenë cilësorë për synimet tona, të cilët duan minimalisht 2-3 javë që të përshtaten mirë me grupin tjetër në skuadër.
Sot Laçi do të presë Skënderbeun në ndeshjen e parë eliminatore të turit të 1/8, cili është synimi juaj? 
Jo vetëm se Laçi ka një histori pozitive në sezonet e fundit me fitim 2 herë të Kupës dhe 3 herë finalist, por edhe se mundësitë reale janë që ne ta synojmë këtë trofe janë. Prandaj dhe me Skënderbeun do të bëhet maksimumi që në Laç të arrijmë një rezultat pozitiv, për të na shërbyer në kualifikimin tonë edhe në ndeshjen e dytë. 
Duke qenë se Laçi në Kampionat renditet në vendet e fundit, cili është objektivi?
Kampionati në vazhdim është bërë i pa parashikueshëm me rezultatet që fikson. Fjalën e kam për të gjitha skuadrat, të cilat janë duke bërë një luftë të fortë sportive, pa u tërhequr nga diferencat që kanë mes tyre. Ne besojmë shumë tek ky grup që kemi aktualisht, dhe nuk do të jetë ky Laç si deri më tani në vendet e fundit të renditjes në Kampionat.
Gjatë muajit janar ju keni zhvilluar edhe merkato me futbollistë, si i vlerësoni të ardhurit e rinj në skuadër?
Realisht them se kemi bërë një merkato shumë pozitive, pasi kemi afruar futbollistë cilësorë. Vucaj, Sefgjini dhe Nika janë të njohur për vlerat e tyre, madje edhe në skuadrën e Laçit, ndërkohë që futbollisti i huaj Mensah, duket se po përshtatet mirë me grupin. Një futbollist cilësor është edhe ai që huazuam nga Skënderbeu, braziliani Serxhi.
Dhe si objektiv final i Laçit në këtë sezon, mbeten Kupa e mbijetesa në Superiore?
Duke qenë se Kupa është më afër, po e deklaroj se synimi është që të shkojmë deri në finale. Kjo nuk do të na prishë punë në ngarkesën tonë që të kërkojmë një renditje më të mirë në Kampionat.
Po për Kategorinë Superiore 2016-2017, në përgjithësi cili është këndvështrimi juaj?
Më sipër ju deklarova se duket një kampionat i pa parashikueshëm për rezultatet që fiksohen, dhe për këtë nënkuptoj se është një kampionat i fortë. Përballjet me të gjitha skuadrat janë të vështira, e këtu qëndron ndryshimi nga kampionatet e sezoneve të kaluara, ku kampionia apo skuadrat që zbrisnin nga kategoria, formatoheshin shumë javë para mbylljes së sezonit.
Somario
Kampionati në vazhdim është bërë i pa parashikueshëm me rezultatet që fikson. Fjalën e kam për të gjitha skuadrat, të cilat janë duke bërë një luftë të fortë sportive, pa u tërhequr nga diferencat që kanë mes tyre. Ne besojmë shumë tek ky grup që kemi aktualisht dhe nuk do të jetë ky Laç si deri më tani në vendet e fundit të renditjes në Kampionat
Arlind Nora
Datëlindja: 4 qershor 1980
Vendlindja: Gjirokastër
Skuadrat ku ka luajtur
Sezonet Skuadrat Nd Gola
1997-2002 Luftëtari 112 (12)
2003-2005 Lushnja 74 (23)
2005-2006 Elbasani 25 (1)
2006-2007 Luftëtari 24 (6)
2007 Vllaznia 16 (1)
2008-2009 Shkumbini 39 (10)
2009-2010 Laçi 30 (14)
2010 Shkumbini 14 (3)
2011 Besa 13 (5)
2011-2014 Luftëtari 64 (33)
2017-Drejtor Teknik, Laçi
Eliminoi Partizanin, Besëlidhja kërkon vazhdimësinë
Skuadra e Besëlidhjes është e vetmja inferior në Turin e 1/8 të finaleve të Kupës së 65-të të Shqipërisë, pasi në edicionin 2016-2017 merr pjesë në Kategorinë e Parë të futbollit shqiptar. Të shtatë skuadrat e tjera janë pjesë e Kategorisë Superiore, madje edhe fituese të këtij trofeu. Ndërsa sot, ajo do të ndeshet me Flamurtarin në Vlorë, ndeshje e cila vjen pas eliminimit që i bëri Erzenit, më pas arriti që të eliminonte Partizanin pretendent për këtë trofe kombëtar. Kështu, lezhjanëve iu hap oreksi për të pretenduar edhe për këtë objektiv, ndonëse si objektivi final është ngjitja në Kategorinë Superiore. Trajneri i lezhjanëve, Alban Bruka, tregon vlerësimin për këtë përballje me Flamurtarin, por sipas tij, të gjitha bateritë janë të përqendruara në kampionat. “Duke besuar në Besëlidhjen aktuale, ku e mbyllëm si fazën përgatitore, ashtu edhe merkaton e janarit me sukses të plotë, këtë e pasqyruam në të gjitha miqësoret që zhvilluam, dhe që të gjitha i fituam. Momentalisht jemi të përqendruar në ndeshjen e radhës që do ta luajmë sot në Vlorë për çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë, dhe duke e ditur se këtu kemi ardhur pasi eliminuar Partizanin 15 herë fitues i Kupës,1-0 në Lezhë dhe 1-1 në Tiranë, normalisht që do të luftojmë për ndonjë rezultat pozitiv. Të gjitha bateritë ne si skuadër i kemi të përqendruara në Kampionat, pasi për aty është investuar gjithçka, me synimin që të ngjitemi në Kategorinë Superiore”, theksoi fillimisht në deklarimin e tij trajneri i Besëlidhjes, i cili më pas vlerëson edhe përforcimet që janë bërë në këtë skuadër gjatë merkatos të muajit janar 2017. “Falë investimit të presidentit Gjok Noka, merkatua e janarit ishte mjaft e mirë, sepse janë ofruar 5 futbollistë kualitativë, ku për mua që të gjithë vlejnë, pasi kanë dhënë në skuadrat ku kanë luajtur më parë dhe po integrohen shumë mirë me grupin. Ndonëse gjysmën e dytë të sezonit do ta nisim me 6 pikë diferencë nga kreu, përsëri jemi optimistë, sepse i besoj grupit të futbollistëve. Për më tepër, Rregullorja e re e fazës së tretë i përgjysmon pikët, dhe kjo do ta lërë garën të hapur deri në ndeshjen e fundit”, deklaroi trajneri i Besëlidhjes, Alban Bruka. Merkatua e janarit te Besëlidhja ka sjellë futbollistë, dy shkodranët Semina e Karakaçi, e mesfushori portugez Alberto, por “goditja” më cilësore në këtë merkato është sulmuesi golashënues Spartak Ajazi, i ardhur nga Burreli.
Sigal