Arian Fetishaj: Konkurrenca në not është e lartë, fiton ai që punon më mirë me ekipet zinxhir

840
Noti po njeh një rritje shumë të madhe kohët e fundit në Shqipëri e kjo falë shumë arsyeve, por një nga këto është padyshim edhe puna shumë e mirë që bëjnë trajnerët në çdo shkollë noti, e në këtë mes “mësuesish” futet padyshim edhe Arian Fetishaj, trajneri i shkollës së Tiranës në not. Në intervistën dhënë për “Telegraf”, zoti Fetishaj tregon mbi punën që po bëhet në shkollën e tyre, ecurinë që patën në kampionatin kombëtar të notit për fëmijë dhe pritshmëritë sa i përket kampionatit të të rriturve ku treguesit janë të qartë për një paraqitje sa më të mirë. 
Kampionati Kombëtar për Fëmijë, i organizuar së fundmi, si shkoi për Tiranën?
-Për Tiranën, Kampionati Kombëtar për Fëmijë shkoi sipas pritshmërive në rezultate nga sportistët e këtij klubi. Nuk mund të them që, si skuadër, dalluam në renditjen e përgjithshme, pasi kjo skuadër për fëmijë ka qenë titullare ndër vite, sidomos për meshkuj, e sa i përket vajzave kemi rritje si përfaqësim, ku dy sportistë të kësaj skuadre u renditen si notaret më të mira të aktivitetit për kategoritë përkatëse, Alesia Neziri dhe Juga Selimi dhe një rekord kombëtar në stafetën 4×50 stil i lirë. Mos harrojmë që po punohet mirë edhe me skuadrat si Te Stela, Nobis, Teuta ku konkurrenca është e lartë dhe fiton ai që ka punuar mirë me sistemin zinxhir në grup mosha. Kjo nuk do të thotë që nuk kemi punuar mirë si shkollë noti brenda kësaj skuadre, por jetojmë në ekonomi tregu dhe diku oferta më të mira në pagesat e fëmijëve në kurse, diku ndihen më afër dhe komod se në impiantet e tjera sportive, përsa i përket kushteve infrastrukturore të pishinës nuk mund të themi që kanë qenë optimale, për moshat 6-7 vjeç kërkohet një temperaturë uji 27 gradë, gjë që bën, në hark kohor, të marrësh edhe rezultatet në masivitet dhe në cilësinë sportive, në kategoritë e fëmijëve. Edhe pse kemi besim te administrimi i pishinës, pasi kushtet janë përmirësuar ndjeshëm, pra nuk ka vend për panik as për infrastrukturën e pishinës, po ashtu edhe në rolin drejtues të instruktorëve e trajnerëve që drejtojnë këtë ekip.
Cilat janë synimet e shkollës tuaj në kampionatin Kombëtar për të rritur që do të zhvillohet së afërmi (04-05 prill) dhe me sa notarë do të paraqiteni në këtë turne?
Në datë 4-5 prill do të paraqitemi në Kampionatin Kombëtar të Notit (të rinj dhe të rritur) me sportistë që kapin normat e këtyre kategorive, pjesëmarrja do të jetë sipas rregullave teknike të vendosura nga FSHN për çdo disiplinë dhe skuadër. Ne, në këtë aktivitet kërkojmë më të mirën e mundshme pasi është punuar shumë dhe sportistët kanë pretendime pasi ndodhen edhe para aktiviteteve ndërkombëtare. Kemi skuadra dhe sportistë me rritje të ndjeshme në rezultate dhe nuk ka vend për të parashikuar kush e fiton titullin kampion si skuadër por edhe si sportisti më i mirë, prandaj le t’ia lëmë gjithçka datës 4-5 prill ku pjesëmarrja do të jetë masive, ashtu siç e kemi ngritur këtë skuadër, pra me masivitet dhe cilësi.
Çfarë programesh ndiqni ju si akademi që të sillni të rinjtë në mesin tuaj?
-Mendoj se për momentin nuk funksionojmë si Akademi Noti, Akademia ka stad shumë më të lartë nga ajo që bëjmë ne si Shkollë Noti. Për momentin kemi iniciativa nga trajnerë, instruktorë, koordinatorë skuadrash, të cilët, me specializimet e tyre, me eksperiencën e tyre, shkollimin e tyre në fushën e sportit dhe si ish sportistë të këtij sporti, po vënë në lëvizje një kulturë të re frekuentimi të këtij sporti, ku transmeton mirëqenie të mendjes dhe trupit. Megjithatë është një hap shumë i rëndësishëm për këtë sport, pasi iniciativat për ngritjen e këtij sporti kane qenë pasionante, private në profesion dhe investime në impiante (pishina). Një koordinim i mirë i specialistëve mund të sjellë një akademi në të ardhmen, ku të kemi manualet shkencore të këtij sporti dhe t’i transmetohet të rinjve në mënyrë më profesionale, profesionin e bukur të instruktorit të notit. Kam pasur një eksperiencë të tillë mësimdhënie me shumë sportistë, por mendoj se ka akoma shumë për të bërë.
A ka në shkollën tuaj pra, notarë që kanë premisa se një ditë do të thyejnë edhe rekorde ndërkombëtare?
Të flasësh për rekorde ndërkombëtare është pak shpejt, një sportist ka rrugë të gjatë për të bërë drejt niveleve botërore, duhet shumë punë dhe përsëri ka një pikëpyetje sa dëshirë ka një sportist për të arritur në të tilla nivele.
Për ju, si trajner, është më e lehtë të trajnoni notarët e vegjël apo të rriturit?
Me fëmijët e vegjël duhet më shumë kreativitet nga instruktori, dashuri transmetimi didaktik, shumë lojëra, me pak fjalë, një fëmijë në mes të fëmijëve, me një rol lidershipi, kreativ e social. Kjo është mënyra më e mirë që të dyja palët të mësojnë diçka më shumë nga çfarë kërkon elementi UJË, në pluskim, koordinim dhe spostimin në notim, (më ndodh shpesh që shkëmbehem me kolegët e mi për të bërë një seancë me të vegjlit, pasi më çlodh më shumë sesa me të rriturit). Ndërsa notarët e rritur kërkojnë më shumë autoritet, argumentim, pse jo të bëhesh edhe pak adoleshent në momente të caktuara, për t’i bërë të kuptojnë se kjo që bëni nuk është sakrificë, por një detyrim për të kuruar adoleshencën, për tu rritur personalitetin me objektiva dhe të kuptoni që objektivat nuk janë afatshkurtra por afatgjata dhe me qëndrueshmëri në rezultate, ku shpejt do t’i gjeni dhe kur të dilni në jetë, ku forca në garë dhe respekti të demonstrohet me sportivitet.
Sa i përket notit dhe trajnimit, që kur ju merreni me këtë fushë, a vëreni ndryshime pozitive, duke krijuar kështu një gjeneratë të re dhe të artë notarësh? 
Te trajnosh nuk është thjeshtë të zbatosh disa ligje fizike në shkencën hidrodinamike, por të formosh një pazëll gjithëpërfshirës në personalitetin, karakterin, fizionominë fiziologjike, e shumë faktorë të tjerë të jashtëm e të brendshëm në karrierën sportive të sportistit. E gjitha kjo kodifikohet dhe zbërthehet në programet stërvitore, ku edhe shikohet progresi në disiplinat e caktuara, nëse ka mirëkuptim në marrëdhënien trajner-sportist, atëherë edhe progresi është i dukshëm, në rast të kundërt, dështimi është në të dyja palët. Sporti i notit ka bërë shumë progres në masivitet, por edhe në rezultate, akoma më shumë progres do të ketë nëse në gjirin e saj afrohen instruktorë të rinj, të specializuar në këtë fushë, nëse dëgjohen më shumë specialistët e sportit të notit, nëse bashkëpunimi ndërmjet trajnerëve është sensibilizues për këtë sport. Të ketë mirëkuptim me subjektet private që kanë impiantet sportive për notim, ku standardet e një pishine janë shumë të rëndësishme, nëse kërkojmë që ato të jenë edhe më rentabël, në administrim dhe frekuentim.
Faleminderit!
Skuadra e Tiranës drejtohet nga: 
Arian Fetishaj
Sajmir Neziri
Andi Mara
Gloris Nesturi 
Sigal