Sigal

Java e ardhshme e Europa Ligë, do të jetë historike për futbollin shqiptar pasi ndodh për herë të parë që një trupë arbitrash nga Shqipëria, do të gjykojnë një ndeshje të grupeve të Ligës së Evropës. Bëhet fjalë për kryesorin Enea Jorgji, i cili do të bëhet i pari arbitër shqiptar që drejton një ndeshje të këtij niveli, në takimin mes AEK Larnaca dhe Ludogorets të enjten e ardhshme.

Pa diskutim ky një vlerësim për arbitrin e FIFA-s që provon një kulm të karrierës pasi ishte caktuar më parë për të drejtuar ndeshjen e turit të tretë të Europa League mes Sevilla-s dhe Zalgiris Kaunas. Enea Jorgji do të asistohet në këtë provë të re për të nga një grup i përbërë krejtësisht prej arbitrash shqiptarë. Më konkrentisht në stadiumin GSP në Nikosia të Qipros të enjten e ardhshme vijërojtësit do të jenë Denis Rexha dhe Redi Avdo, pas portave dy arbitra të tjerë të spikatur të kampionatit shqiptar Juxhin Xhaja dhe Kridens Meta, ndërsa gjyqtar i katërt do të jetë Ridigert Çokaj. Vendimi i UEFA-s për t’i besuar drejtimin e një ndeshjeje të nivelit të tillë një trupe shqiptare është pa dyshim njëkohësisht edhe vlerësim për punën e arbitrave tanë, që krijojnë një precedent të rëndësishëm për arbitrimin shqiptar në përgjithësi.

Edhe pse shpesh herë të zhvlerësuar në vend, kriteret e vlerësimit të UEFA-s janë rigoroze dhe vështirë se mund të kontestohet çka flet për një rritje të nivelit të arbitrimit në Shqipëri, ku edhe rastet e kontestuara këtë sezon në Kategorinë Superiore kanë qenë shumë të pakta.