Arben Muskaj, goditja e radhës e Partizanit

634
Sigal

Mbrojtësi kosovar Besnik Krasniqi largohet me mirëkuptim nga 15 herë kampionët e Shqipërisë

 Partizani nuk ndalet në merkato, kur nga fillimi i Kampionatit të 77-të Kombëtar kanë mbetur edhe vetëm 12 ditë. Të kuqtë realizuan dje një tjetër goditje cilësore, duke afruar në gjirin e vet ish-futbollistin e kombëtares së 19-vjeçarëve të Shqipërisë, Arben Muskaj, blerja e 13-të gjatë merkatos verore. Mbrojtësi i djathtë vjen tek të kuqtë e kryeqytetit me formulën e huazimit nga klubi grek PAS Janina, atje ku luajti së bashku me Emiljano Vilën, një tjetër blerje e kuqe. Gjatë kësaj merkatoje vere Partizani ka rekrutuar 13 lojtarë, përkatësisht një portier, katër mbrojtës, gjashtë mesfushorë dhe dy sulmues: Dashamir Xhika (portier); Ardian Cuculi (mbrojtës); Ignat Dishilev (mbrojtës); Arbnor Fejzullahu (mbrojtës); Arben Muskaj (mbrojtës); Argjent Mustafa (mesfushor); Lorenc Trashi (mesfushor); Idriz Batha (mesfushor); Bujamin Shabani (mesfushor); Asion Daja (mesfushor); Emiljano Vila (mesfushor); Stefan Raciç (sulmues) dhe Rafael Maghales (sulmues). Muskaj do të qëndrojë nën urdhrat e trajnerit Shpëtim Duro për një sezon. Muskaj, i cili është thërritur nga trajneri i 21-vjecarëve Skënder Gega për miqësoren e pa zhvilluar ndaj Katarit, pritet të jetë një alternativë cilësore për krahun e djathtë të mbrojtjes aty ku si titullar është projektuar Fejzullahu. Mbrojtësi i Pas Janinës ka qenë pjesë e formacionit të skuadrës së drejtuar nga Foto Strakosha, në fushatën e eliminatoreve të Kampionatit Europian 2013, që u zhvillua në Vlorë në tetor të vitit 2012, duke u aktivizuar me kohë të plotë në të tria takimet: ndaj Italisë, Belgjikës dhe Bjellorusisë. Gjithashtu Muskaj është aktivizuar edhe me përfaqësuesen e 17-vjeçarëve të Shqipërisë duke shënuar një gol. Muskaj është një futbollist i lindur në Janinë, por një produkt i akademisë më të famshme në Greqi, Olimpiakos. Lajmi është bërë zyrtar nëpërmjet faqes së klubit të Partizanit në internet, teksa ky kalim pritet të jetë një tjetër vlerë e shtuar e kategorisë superiore, pasi përvec futbollistëve të afirmuar të kombëtares shqiptare tashmë po kërkojnë shansin e tyre edhe të rinjtë premtues. Për momentin Muskaj është futbollisti i dytë i përfaqësueseve të moshave që afrohet në Kategorinë superiore, teksa një ditë më parë firmosi për Tiranën qendërmbrojtësi i 17-vjecarëve të Xhemal Mustedanagiçit, David Domgjoni. Por, te Partizani nuk ka vetëm afrime, por dhe largime. Kështu, nga dita e djeshme Besnik Krasniqi nuk do të jetë më pjesë e Partizanit. Klubi dhe mbrojtësi kosovar arritën të zgjidhin sot në mirkuptim bashkëpunimin mes tyre. Mbrojtësi 24 vjeçar i cili erdhi nga Prishtina u aktivizua për një sezon me skuadrën e kuqe. Krasniqi dhë një kontribut jo të vogël te Partizani i edicionit të kaluar, pavarësisht se 15 herë kampionët e Shqipërisë nuk ia dolën të prisnin një biletë për në Ligën e Europës. Partizani do ta nisë kampionatin me dy transferta, në Laç e Fier, përpara se të ndeshet në kryeqytet në javën e tretë më kampionin e vendit, Skënderbeun. Derbi me Tiranën është në javën e 6-të, më 27 shtator në “Selman Stërmasi”. Takimet e fazës së parë, Partizani i mbyll me Elbasanin në Tiranë.  Me afrimet në merkaton e verës pritet të ndryshojë mbrojtja, me Rrahmanin që ruan vendin e titullarit dhe në krah të tij në qendër do të jetë bullgari Dishliev. Në të djathtë është ish-lojtari i Besës, Fejzullahu, ndërsa në të majtë Cuculi një njohje e Duros kur drejtonte Shkëndinë e Tetovës sezonin e kaluar. Përpara mbrojtjes janë dy emra të rinj, me Bathën që rikthehet tek të kuqtë duke marrë vendin në formacion si dhe Mustafa, një tjetër futbollist i ri në moshë i ardhur nga Besa. Ndërkohë nga sezoni i kaluar mbijetojnë Nexhipi dhe Mazrekaj, të cilëve i bashkohet Shabani në treshen e mesfushës. Majën e sulmit pritet ta udhëheqë mesfushori i kombëtares Shqiptare Emiljano Vila, i cili do të luajë rolin e sulmuesit të fshehtë. Me investimet e kryera në merkato, Partizani synon të fitojë titullin kampion që i mungon prej 22 vjetësh, që nga sezoni 1992-1993, me trajner Sulejman Starovën, i cili aktualisht mban detyrën Drejtorit të Përgjithshëm në klubin e kuq. Partizani kreu dy faza përgatitore jashtë Shqipërisë, në Maqedoni dhe në Bullgari, gjatë të cilave zhvilloi edhe dy ndeshje miqësore.

Kalendari i Partizanit

Faza e Parë

Java 1 (23.08.2014)

Laçi-Partizani

Java 2 (30.08.2014)

Apolonia-Partizani

Java 3 (10.09.2014)

Partizani-Skënderbeu

Java 4 (14.09.2014)

Kukësi-Partizani

Java 5 (20.09.2014)

Partizani-Teuta

Java 6 (27.09.2014)

Tirana-Partizani

Java 7 (04.10.2014)

Partizani-Flamurtari

Java 8 (18.10.2014)

Vllaznia-Partizani

Java 9 (25.10.2014)

Partizani-Elbasani

Për kosovarin u interesua Liverpuli në Angli, Roma në Itali dhe Monako në Francë

 Shaqiri vendos: “Nuk dua të largohem nga Bajerni”

  Xherdan Shaqiri nuk do të lëvizë nga Kampioni i Gjermanisë, Bajerni i Munihut. Është vetë lojtari kosovar i Kombëtares së Zvicrës, që e pohoi atë për mediat gjermane. Shaqiri, i cili shënoi tre gola në Botërorin e Brazilit dhe ka fituar dy tituj kampionë me Bajernin, përfshirë edhe një trofe të Ligës së Kampioneve (2013), përsëriti se ai ka projektuar një qëndrim afatgjatë në Bavari. 22-vjeçari me origjinë shqiptare përsëriti se nuk pret ndonjë ndryshim në karrierë, përkundrazi, do të vazhdojë të luajë për Bajernin edhe në të ardhmen, pavarësisht se mediat përmendën disa ekipe që interesoheshin për të: Liverpulin në Angli, Romën në Itali dhe Monakon që luan në kampionatin francez. Mungesat e hapësirave në formacionin e parë të Guardiolës janë bërë shkak për spekulimet e shumta rreth Shaqirit, të cilin me Bajernin e mban të lidhur kontrata deri në vitin 2016. Bavarezët nga njëra anë hezitojnë të futen në bisedime për shitjen e tij dhe po kështu edhe Xherdani është i vendosur që të luftojë për vendin në 11-she. Duke folur për një të përditshme gjermane, mesfushori i lindur në Gjilan tha se për sa kohë merkatoja është e hapur, gjithçka mund të ndodhë, ndonëse në vetvete beson se nuk do të largohet nga Bayerni. Pak ditë më parë, pak a shumë me të njëjtat fjalë u shpreh edhe Karl Heinz Rummenigge. Shefi ekzekutiv i bavarezëve pohoi se në dyert e Bayernit ka pasur disa klube që kanë trokitur për shërbimet e Shaqirit, por janë refuzuar pa asnjë hezitim.

 Borusia fiton Superkupën e Gjermanisë

 Borusia e Dortmundit fitoi Superkupën e Gjermanisë, pasi mposhti 2-0 Bajernin e Munihut. Trofeu i parë për “djemtë” e Klopit, që mposhtën në Berlin kampionin në fuqi të Gjermanisë. Borusia shënoi nga një gol në çdo pjesë loje, fillimisht me armenin Henrikh Mkhitarjan (23’) dhe më pas me francezin me origjinë nga Gaboni, Pier-Frenk Aubamejang (62’). Borusia e dominoi plotësisht takimin, ndërkohë që Bajerni u duk disi i lodhur në ndërtimin e lojës, duke mos qenë kështu i rrezikshëm para portës.

  Palermo, presidenti Xamparini zgjedh Ujkanin

 Që Samir Ujkani është një nga të preferuarit e presidentit të Palermoss, Mauricio Xamparini, kjo është një gjë e ditur prej kohësh. Që Stefano Sorrentino është tani me një këmbë në largim e sipër, edhe kjo dihet. Ish-portieri i Kievos është në mendimet e Juventusit, që megjithatë nuk ka vendosur ende nëse do ta marrë dhe të shesë Storarin te Sasuolo. Gjithsesi, tashmë kanë mbëritur disa deklarata të presidentit Xamlarini, i cili ka bërë të ditur se, 35 vitet e Sorrentinos nuk mund të konsiderohen si e ardhmja e Palermos dhe se nëse ai do të qëndrojë duhet të bëjë portierin e dytë pas Samir Ujkanit. Një situatë që, sigurisht do të diskutohet gjatë te Palermo. Në fakt, ka dhe një fakt që mund t’i ngatërrojë disi gjërat, pasi agjenti i Sorrentinos është i njëri dhe për Ujkanin, Alberto Fontana i skuderisë Pastorello. Sorrentino është praktikisht në portë, ndërkohë që Ujkanin është ende në promovim. Sesi do të gjendet një zgjidhje për të dy portierët kjo mbetet ende për t’u parë. Juventusi është duke reflektuar, Stefano Sorrentino është një ide por akoma ajo konkrete. Në fakt, sipas mediave italiane, është vështirë që Sorrentino të pranojë faktin që, të jetë një zëvendësues i Ujkanit pas një sezoni prej protagonisti dhe që ndihmoi ekipin të ngjitej në Serinë A.

 Dash FRASHËRI