Arben Fagu: Partizani do marrë më shumë pikë në play-off

98
Nga Agron KAJA

BASKETBOLL/ Fitoren e së shtunës ndaj Teutës rivale për vendin e dytë në renditjen e Grupit, trajneri i të kuqve e sheh me optimizëm 
Të shtunën janë mbyllur 20 javët e para të Kampionatit Kombëtar të Basketbollit për meshkuj të rritur, e tashmë skuadrat po përgatiten për takimet play-off. Në këtë javë, skuadra e Partizanit ka arritur një fitore të bukur e të vështirë, pasi ka mundur në Tiranë rivalen për vendin e dytë në Grupin A, skuadrën e Teutës. Për këtë fitore, trajneri Arben Fagu deklaroi dje për gazetën “Telegraf”, se ka qenë një ndeshje e mirë e skuadrës së tij, dhe një fitore shumë e bukur. “Në pjesën e parë, durrsakët ishin 20 pikë para nesh, dhe na u duk sikur e humbëm. Por gjithçka u përmbys në favorin tonë, ku do të thosha se më pas ne kemi zhvilluar një ndeshje shumë të bukur. Kjo ishte njëherësh edhe një fitore morali për vazhdimësinë e skuadrës sonë në këtë sezon”, theksoi fillimisht trajneri i Partizanit, i cili suksesin në këtë sfidë e shikon më shumë në veprimet mbrojtëse dhe në neutralizimin e dy pikave të forta të Teutës. “Mendoj se suksesi ynë erdhi nga mbrojtja, pasi neutralizuam pikat kryesore të Teutës, kryesisht malazezin Miranoviç. Në ndeshjen e kaluar me këtë skuadër, më shumë probleme na kishte hapur qendra, amerikani Klemons. Ne këtë ndeshje e kishim përgatitur për fitore, dhe besuam nga fillimi deri në fund për synimin tonë. Por edhe pse i jemi afruar Tiranës që kryeson renditjen e grupit, unë e pranoj se ajo është skuadra më e mirë sot për sot në basketbollin e meshkujve këtu në Shqipëri. Është e vetmja skuadër shqiptare që merr pjesë në Kupën Ballkanike në basketboll për meshkuj”. Për Fagun, synimi primar në vazhdimësinë e këtij sezoni është që Partizani të marrë sa më shumë pikë në Kampionat e të kualifikohet në finalet e Kupës së Shqipërisë. “Në fazën Play-off, Partizani do të luajë me seriozitet deri në ndeshjen e fundit, për të marrë sa më shumë pikë. Këtu do të synojmë të kalojmë gjysmëfinalen, e për këtë e gjithë skuadra ka besim se do t’ia arrijmë. Njëherësh, ne do të synojmë që të kualifikohemi në ndeshjet finale të Kupës së Shqipërisë, dhe këtu ndoshta shohim diçka më shumë se sa Kampionati”, kështu deklaroi dje Arben Fagu, trajneri i Partizanit në basketboll për meshkuj, të rritur.
PARTIZANI-TEUTA 79-71
(25-10; 21-18; 16-24; 17-19)
Partizani: Jani, Gjonaj, Daiu, Shestani, Hysa/ Pylla, Pregja. Trajner Arben Fagu
Teuta: Gorea, Miranoviç, Uruçi, Kopies, Klemons/ Çela, Zyka, Hoxha. Trajner Xhelal Kalaja
Gjyqtarë: G. Cici, E. Koçi, E. Gjoni 
BASKETBOLL MESHKUJ
Rezultatet-Java e 20-të
Të shtunën, 7 prill 2018 
Eagles-Kamza 0-20
Partizani-Teuta 79-71
Vllaznia-Tirana 94-96
Dje, e prapambetur
Tirana-Teuta

RENDITJA
Skuadrat Nd P
1. Tirana 19 36
2. Partizani 20 33
3. Teuta 19 32
4. Kamza B 20 28
5. Vllaznia 20 27
6. Eagles 20 13