Apolonia-Vllaznia hap javën e 14-ë, të tjerat përgatiten për kreun.

513
Sigal

Apolonia dhe Vllaznia hapin Superligën, në një takim që është i vlefshëm për javën e 14-të të kampionatit. Sot janë vetëm këto dy skuadra që do të luajnë, ndërsa takimet e tjera do të pasojnë në dy ditët në vijim. Duke u ndalur vetëm tek kjo ndeshje, qëllimet janë të njëjta për të dyja, me fierakët që kanë “detyrimin” të fitojnë për të shmangur një rënie edhe më poshtë në renditje, duke pasur parasysh që edhe ndodhen në vendin e parafundit me 8 pikë, ndërsa Vllaznia pas fitores ndaj Flamurtarit në Shkodër, numëron plot 11 pikë. Deri më tani, ka pasur shumë raste që Apolonia me të drejtë është quajtur skuadër fushe, pasi jo rrallë herë ia ka dalë të marrë rezultate pozitive ndaj kundërshtareve, qofshin edhe skuadra më në formë. Nga ana tjetër kemi Vllazninë, që duket se po rikthehet tek niveli i fillim sezonit, e për të mbajtur të gjallë këtë bindje duhet që të korrë edhe një fitore tjetër, e kësaj here në Fier. Fitorja që pati ndaj Flamurtarit ishte një sinjal se kjo skuadër mund të rikthehet përsëri tek fitoret e njëpasnjëshme. Ndryshe është situata tek Apolonia, që javën që shkoi  e mbylli takimin ndaj Skënderbeut me 6 gola të pësuar dhe asnjë të shënuar, duke u bërë kështu skuadra që ka pësuar më shumë gola dhe si kundërpërgjigje negative e nivelit të dobët në mbrojtje vjen edhe sulmi, që është edhe ky më i dobëti në kampionat duke shënuar vetëm 4 të tillë. Ndeshjet e ditës së nesërme do të jenë për skuadrat që rivalizojnë drejtpërdrejtë për titull, duke filluar që nga ndeshja kryesore Kukësi-Skënderbeu dhe Tirana-Laçi që luhen në një orë, për të përfunduar tek Teuta-Partizani që luhet në 17:00 po nesër. Interes të veçantë paraqet sigurisht takimi mes Kukësit dhe Skënderbeut, ku të besuarit e Shaqirit e kanë të detyrueshme fitoren, sidomos edhe pas asaj humbje që pësuan ndaj Partizanit. Fitorja në fakt vjen si premtim i futbollistëve kuksianë për tifozët e tyre, pas zhgënjimit të pësuar në fushën e “demave të kuq”. Nga ana tjetër, Skënderbeu duket skuadra më e frikshme për momentin, me një ecuri pothuaj perfekte ku ka pesë ndeshje radhazi që nuk e njeh humbjen, duke mos pësuar asnjë gol, por edhe duke shënuar shumë në portën kundërshtare. Takimi mes Tiranës dhe Laçit përball dy skuadra që aktualisht janë në formë, e si kryesuese në fuqi sigurisht që kuotohet Tirana si fituese, por nuk ngelet pas as Laçi që e tregoi forcën edhe në ndeshjen ndaj Teutës, ku e mundi me shumë lehtësi dhe pa mund 3-0. Aktualisht laçianët ndodhen në vendin e pestë, në kuotën e 19 pikëve, renditje kjo që ju jep siguri edhe nëse e humbin ndeshjen e nesërme. Ndeshja e fundit e ditës së diel është mes Teutës dhe Partizanit, ku sigurisht “demat” shkojnë në Durrës për të marrë maksimumin e mundshëm kundër një Teute në ndryshim e sipër, me ardhjen e trajnerit të ri në krye të skuadrës. Takimi i nesërm sigurisht që mund të rezervojë edhe një rezultat surprizë pasi ndryshimet e tilla në një skuadër mund të bëhen shkas edhe për përgjigje shumë të mira në fushën e lojë. Ndërkohë, ndeshja përmbyllëse e javës së 14-ë është mes Flamurtarit dhe Elbasanit, të hënën, takim ky që vë përballë dy skuadra që vijnë pas humbjeve në javën e 13-ë, ku vlonjatët humbën rastin ndaj Vllaznisë ndërsa Elbasanit i mungoi fati ndaj Tiranës.

Ndeshja Kukësi-Skënderbeu, hyrja për tifozët do të jetë falas

 Prania e tifozëve është vendimtare në futboll, e këtë gjë e ka kuptuar edhe klubi i Kukësit që bashkarisht kanë vendosur, me në krye Presidentin Gjici, që të lejojnë hyrjen falas për të gjithë tifozët, duke dashur kështu një prani sa më të madhe të tyre por edhe një mbështetje më të fortë në stadium. Arsyeja kryesore për këtë, vjen edhe si pasojë e rezultatit zhgënjyes që mori Kukësi në ndeshjen ndaj Partizanit, duke nxitur edhe reagimin shumë negativ të tifozëve në drejtim të klubit dhe lojtarëve.

Kryeministri Rama inauguron ambientet e stadiumit “Flamurtari”

 Dje Kryeministri Rama ishte i pranishëm në Vlorë për të inauguruar ambientet e reja në stadiumin “Flamurtari”. Këto punime në këtë stadium janë ndalur më së shumti në rregullimin e tribunës, duke bërë në fakt një punë shumë të mirë. Gjithë ky investim ka qenë privat, duke kënaqur shumë nga tifozët e Vlorës që e kanë dëshiruar një investim të tillë. Duke marrë shkas nga kjo, Rama ka premtuar se do të nisin punimet edhe për stadiumin e ri të Vlorës. Ky premtim vjen pas fjalës se “Loro Boriçi” në Shkodër do të rikonstruktohet dhe do të jetë stadiumi pritës i ndeshjes Shqipëri-Serbi. Duket se pak e nga pak, cilësia e stadiumeve në Shqipëri po rritet, dhe kjo bën që edhe vetë futbolli të ngrihet në një nivel më të lartë nga ç’ është tani për tani.

Duro: Në Durrës me mungesa, por duam vetëm rezultat pozitiv

 Trajneri i Partizanit, Duro, në një intervistë të dhënë dje në ambientet e klubit, foli për ndeshjen e ditës së nesërme ndaj Teutës, ku në skuadër nuk do të jenë të pranishëm disa nga futbollistët kryesor si për arsye dëmtimesh edhe për arsye kartonësh.: “Kemi pasur disa probleme këtë kohë për arsye dëmtimesh por edhe kartonash.Në këtë përballje nuk do mund të kemi të disponueshëm 3 lojtarë mjaft cilësorë të cilët do ti emërtoja si “tre musketjerët” e skuadrës. Na pret një ndeshje e vështirë përballë Teutës, por do të bëjmë maksimumin për të arritur rezultat pozitiv nga kjo sfidë. Kam deklaruar edhe më parë që ky kampionat është i gjatë dhe me rivalitet ku çdo ndeshje do impenjimin maksimal. Rivaliteti duket qartë për kreun e klasifikimit.

Tifozeria jonë ka qenë e shkëlqyer në çdo përballje që kemi pasur dhe dua që edhe në transfertën me Teutën të jetë korrekte siç e ka treguar gjithmonë, larg situatave që janë në disfavor të ekipit të tyre të zemrës”.

Ferronikeli shpallet kampion në kupën “Pavarësia”

Tradita tashmë shumë vjeçare e zhvillimit të kupës “Pavarësia” në Vlorë, vazhdon vit pas viti, dhe dje në kuadër edhe të kësaj date të shënuar për Shqipërinë dhe shqiptarët, u zhvillua për të gjashtin vit radhazi ky kompeticion që pa të ngrinte trofeun simbolik skuadra e Kosovës, Ferronikeli. Skuadrat gjysmë finaliste ishin të “zotët” e shtëpisë Flamurtari, Shkënidja e Tetovës, Ferronikeli  i Drenasit dhe Llamkos Kosova. Në ndeshjet e para u ndeshen mes tyre Shkëndija me Flamurtarin, nga ku fitoi skuadra tetovare dhe Ferronikeli me Llamkosin, ndeshje e fituar me penallti nga Ferronikeli (3-1). Në finale u shpall fituese skuadra e Drenasit me rezultatin e ngushtë 1-0. të gjitha ndeshjet u luajtën në stadiumin e Vlorës me nga 45 minuta secila