Apolonia fiton “finalen” e mbijetesës, mban gjallë shpresën për Superligë

403
Sigal

Dje u luajt edhe ndeshja e fundit e Superiores, mes Elbasanit dhe Apolonisë, dy skuadrat që janë edhe të fundit në renditje dhe ishte një përballje për të vendosur edhe një herë, ose më saktë, për të luajtur shanset e fundit për qëndrimin në Superiore, diçka që është e vështirë për të dy ekipet, por me fitoren e djeshme Apolonia futet edhe një herë në lojë, duke kërcënuar disi edhe Teutën, që ndodhet para në renditje. Ndeshja e djeshme, edhe pse e fituar me rezultat minimal nga fierakët, foli shumë për të dy ekipet, ku si Elbasani dhe Apolonia kishin njëra-tjetrën si kundërshtare direkte dhe fitorja do të jepte një panoramë më të gjerë për skuadrën që ka më të vërtetë forcën për të qëndruar në elitë. Në fakt, deri më tani skuadra fierake ka treguar se është më e ekuilibruar sa i përket mënyrës së lojës, duke u shfaqur më ambicioze dhe më e vendosur kundër kundërshtarëve në të gjitha ndeshjet. Humbja e djeshme e nxjerr kështu pothuaj jashtë loje skuadrën e Elbasanit, duke qenë se nuk arritën që të merrnin pikë as ndaj kundërshtarit të drejtpërdrejtë, e tani ndodhen që të dyja ekipet me pikë të barabarta, ku kanë vetëm 6 më pak sesa Teuta, që edhe ajo e ndjen rrezikun e Apolonisë dhe formës së saj. Megjithatë mbetet për tu parë se çfarë do të sjellin zhvillimet e tjera për këto tre ekipe, pasi mes këtyre luhet më së shumti rënia nga kategoria, e deri më tani, e shpëtuara është Teuta, ka besim për Apoloninë ndërsa Elbasani shkon më shumë drejt fundit, pa arritur që të bëjë ndryshimet e duhura për të qenë pjesë edhe vitin e ardhshëm e Superligës.

Flasin trajnerët Dosti i Elbasanit dhe Mërgjyshi i Apolonisë

Trajnerët kanë përjetuar “emocione” të ndryshme gjatë ditës së djeshme, ku Dosti është shprehur se Elbasani me 80% të mundësisë është e i rënë nga kategoria, ndërsa nga ana tjetër, për Apoloninë ka lindur shpresë.

Dosti:Ekipi ishte i mbingarkuar, jo thjeshtë i karikuar. Më vjen keq për mosmarrëveshjen në rastine golit. Po shpenzojmë shumë raste. Ekipi doli nga detyrat pas pësimit të golit. Tani mund të them se me 70-80% jemi të rënë.”

Mërgjyshi: “Ishte një ndeshje shumë e luftuar, mund të cilësohet si një finale e mbijetesës. Me këtë fitore kemi rritur shanset për mbijetesë. Ishte një takim me shumë agresivitet, diçka normale për një ndeshje të tillë. Pas lojërave të mira po marrim edhe rezultatet”.

 

ELBASANI – APOLONIA 0-1
Golat: Fili 37′
Formacionet
Elbasani:
 Ruçi, Musta, Jaupi, Dosti, Toçi, Lamçja, Gava, Hila, Malindi, Sylaj, Jontsha; Trajner: Muharrem Dosti
Apolonia Cakoviç, Nako, Prifti, Atanda, Idrizaj, Gërxho, Hysenshahaj, Dimo, Fili, Uzuni, Rajkoviç; Trajner: Artan Mërgjyshi