Apeli pranë UEFA-s mblidhet me 2 dhjetor, FSHF fillon përgatitjet

457
Sigal

FSHF ashtu siç kishte parashikuar, ka paraqitur formalisht kërkesën para UEFA-s për apelimin e vendimit të Komisionit të Disiplinës në lidhje me ngjarjet që ndodhen në ndeshjen mes Serbisë dhe Shqipërisë. Po dje, UEFA ka bërë të ditur edhe datën se kur do të shqyrtojë çështjen në fjalë, duke caktuar 2 dhjetorin, ditën që palët do të ballafaqohen edhe një herë për të shfaqur provat dhe argumentimet në mbrojtje të interesave të tyre. Federata Shqiptare, ashtu siç edhe paralajmëroi, ka filluar që të mbledhë të gjitha të dhënat e nevojshme që garantojnë mbrojtjen gjatë këtij procesi. Në fakt, ka vetëm një javë kohë FSHF që të paraqesë para UEFA-s pretendimet e veta. Disa ditë më përpara, UEFA solli për të dy palët, si për Shqipërinë, ashtu edhe për Serbinë, argumentimin e vendimit të marrë nga Komisioni, dhe nisur nga kjo, kërkesat në apel do të jenë vetëm për të rrëzuar vendimet e mëparshme dhe për të ngritur edhe një herë kërkesat e shkelura. Në rastin e Shqipërisë, ndeshja u humb në tavolinë për shkak të refuzimit për tu kthyer në fushën e lojës, që është një nga shkeljet më të rënda në një ndeshje futbolli. FSHF ka deklaruar që më përpara, se do të merren përsëri masa me anë të studiove më të mira ligjore që të nxirret e drejta nga ana e Shqipërisë, që fitorja 3-0 në tavolinë të jetë një fakt. Ndryshimi i vendimit të shkallës së parë gjyqësore të UEFA-s është një sfidë tjetër që e pret FSHF, por në rast se as në Apel nuk fitohet e drejta, rruga tjetër që do të ndjekë Federata është Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë siç është shprehur, edhe Presidenti Duka. Kërkesa e palës shqiptare në mbledhjen që do të mbahet me 2 dhjetor, është vetëm fitorja në tavolinë e ndeshjes, duke e mbështetur këtë kërkesë tek dhuna fizike dhe psikologjike e ushtruar ndaj lojtarëve para dhe gjatë ndeshjes. Juristët e institucionit shqiptar do të merren me përpilimin dhe hartimin edhe një herë, të të dhënave të nevojshme për tu paraqitur në gjykatë. Kujtojmë se Komisioni i Apelit ka një tjetër strukturë nga Komisioni i Disiplinës, pasi në ndryshim nga kjo e fundit lejon që palët të argumentojnë drejtpërdrejtë mbi faktet dhe lë hapësira për debat juridik mbi çështjet në fjalë.

Çfarë vendosi UEFA për Shqipërinë

Humbja e ndeshjes në tavolinë (3-0)

100 mijë euro gjobë

Çfarë vendosi UEFA për Serbinë

Fitorja e ndeshjes në tavolinë (3-0)

Penalizim me -3 pikë

100 mijë euro gjobë

Dënimi i fushës me 2 ndeshje pa tifozë

Argumentimi i vendimit të UEFA-s

Shqipëria humbi ndeshjen në tavolinë për shkak të refuzimit për t’u rikthyer në fushë pas sinjalizimit të arbitrit. U dënua me gjobë 100 mijë euro për shkak të fluturakes që u valëvit në minutën e 42 të ndeshjes, që sipas mendimit të UEFA-s solli edhe ndërprerjen e ndeshjes.

Serbia u humbi tre pikë në renditje pasi u cilësua nga UEFA që nuk mori masat e duhura për organizimin e ndeshjes, u futën tifozë në fushë, kishte sende të forta në fushë gjithashtu u cilësua me rrezik edhe prania e huliganit Bogdanov në brendi të stadiumit e për më tepër edhe në fushë.

Sot De Biazi dhe Cana dalin para mediave,

Vazhdon akoma përgatitja e Kombëtares për dy miqësoret që e presin në fundin e kësaj jave me Francën dhe në fillimin e javës tjetër me Italinë. Stërvitja e skuadrës vijon akoma të jetë në resortin “Tropikal”, në qetësi absolute ku mediat lejohen vetëm ne seancat e hapura stërvitore. Edhe dje, u zhvillua seanca e radhës stërvitore në ora 17:30, ku përsëri u punua me anën taktike se si do vendosej skuadra në fushë dhe u morën me realizimin e skemave dhe ekzekutimin e tyre. Në fakt dje, u bë një seancë stërvitore më e ngjeshur sesa ditën e hënë, pasi futbollistët ndodheshin edhe më të çlodhur nga ç’ ishin një ditë më parë, që kishin ardhur të gjithë nga udhëtimet. Trajneri De Biazi, ashtu siç ishte shprehur më përpara, ka vendosur që përgatitjet të zhvilloheshin në qetësi absolute, duke mos pasur ndërhyrje nga jashtë, sidomos nga mediat. Në fakt, është lënë për sot në ora 12:00 një konferencë për shtyp, ku të pranishëm do të jenë vetëm kapiteni Cana me trajnerin De Biazi, ku do t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve dhe trajneri mund të japë një ide më të qartë për gjendjen fizike të futbollistëve dhe formacionin që mendon të hedhë, të paktën në ndeshjen më të afërt, atë ndaj Francës. Edhe sot, stërvitja do të bëhet në të njëjtën orë si dje, 17:30, ndërkohë që nisja për në Rene do të bëhet nesër në ora 11:00. Llogaritet që udhëtimi të zgjasë 2 orë, dhe skuadra do të mbërrijë në destinacion, ku do të kryejë një seancë stërvitore në stadiumin ku do të luhet edhe ndeshja një ditë më pas. .

Programi i Kombëtares në ditët në vijim

Sot në ora 12:00: Konferencë për shtyp e trajnerit De Biazi dhe kapitenit Cana.

Seancë stërvitore e plotë në ora 17:30

Nesër në ora 11:00: Nisja me çarter drejtë Francës

Seancë stërvitore në ambientet e stadiumit “Stade de la Route” ku do të luhet edhe ndeshja

14.11.2014, të premten: Ndeshja me Francën në ora 20:45

15.11.2014, të shtunën: Fluturimi me çarter drejt Xhenovas, nga ku do të vijojë përgatitjet për ndeshjen me Italinë.