Antonio Cassano, talenti që luftoi për të kontrolluar oreksin për seks dhe ushqim

769
Sigal

ANTONIO CASSANO u lind në varfëri në Bari, një ditë pasi Italia fitoi Kupën e Botës, në vitin 1982. Ai përdori talentin e tij në futboll për të shpëtuar nga një jetë që, me karakterin e tij, do të përqendrohej doemos në ndonjë krim të vogël.

Në vend të kësaj, ai fitoi një karrierë, që e pa të luante për gjigandët e futbollit europian, si Inter, Milan dhe Real Madrid. Ai, gjithashtu, luajti 39 ndeshje me kombëtaren e Italisë, duke shënuar 10 gola. Sidoqoftë, talenti barez është kujtuar më mirë për anën e tij jashtë fushës së lojës, se sa brenda saj…

Ai mund të kishte qenë një konkurrent…
Të gjithë mund të shihnin që Antonio Cassano kishte aftësi reale si futbollist. Kjo është arsyeja pse ai luajti për Romën dhe Real Madridin, si dhe për të dy gjigandët e Milanos. Por, kurrë nuk e bëri atë, që kishte planifikuar. Cassano vetë pretendoi: “Unë mund të kisha luajtur në një tjetër planet, por e kisha këtë problem, se nuk më pëlqente trajnimi dhe doja të haja shumë, në mënyrën time. Kësisoj, e shkatërrova veten. Po të kisha një kokë tjetër mbi shpatullat e mia, mund të luaja në panetin Mars. Do të isha si Lionel Messi, Neymar dhe disa të tjerë”.

Duke folur për Lionel Messin…
Kur Cassano dhe gruaja e tij, Carolina, kishin fëmijën e tyre të dytë në vitin 2013, nuk kishte dyshim se çfarë do të quhej ai: Lionel. Kur u pyet se përse, Cassano u përgjigj se ishte “në nder të lojtarit më të madh të të gjitha kohërave, idhullit tim”, duke konfirmuar zërat se ai ishte thjesht tifozi i madh i Lionel Messit në botë.

Pikëpamjet e tij nuk janë gjithmonë të pranueshme …
Gjatë një konference shtypi në “Euro 2012”, me Italinë, Cassano u pyet nëse mendonte se kishte ndonjë lojtar homoseksual në skuadrën axurri. “Unë shpresoj se nuk ka asnjë”, u përgjigj Cassano. Nuk vonoi dhe i erdhi një gjobë prej 13.000 eurosh nga UEFA.

Regjistri  tij disiplinor ishte atje lart, me më të keqen…
Nëse ishte duke e flakur fanellën e tij, apo kishte përleshje në dhomat e zhveshjes me trajnerin e tij (siç bëri tek Interi), telashet për Cassanon kanë qenë2 normalitet. “Anarkia është gjithmonë vetëm përreth Cassanos”, – tha trajneri i tij i vjetër, Fabio Capello. Vetë Cassano thotë: “Para shpërthimit, gjithmonë numëroja të paktën deri në një”.

Ai gjithmonë ka luftuar me peshën e tij…
Cassano dikur ka thënë se nuk mund të priste të tërhiqej, në mënyrë që të mund të hante, derisa të ishte i shëndoshë. Por, ai gjithmonë ka luftuar me “drurin”. Kur u transferua te Real Madridi, pesha e tij u bë një shqetësim i madh, teksa u gjobit për çdo gram që ishte mbipeshë dhe u dëbua përfundimisht nga ekipi i parë prej trajnerit Fabio Capello. Në pamundësi për ta shitur atë, përfundimisht e dërguan te Sampdoria, me Realin duke paguar pjesën më të madhe të pagës së tij, vetëm për “ta hequr qafe”.

Por ai mund të ndryshojë, nëse është e nevojshme…
Kur nënshkroi për Parma, në vitin 2013, Cassano bëri një betim, për të rënë në peshë dhe kapur formën optimale në mënyrë që siguronte një vend në kombëtaren italiane për Kupën e Botës në Brazil, viti 2014. Brenda një sezoni ai arriti të humbiste dhjetë kilogramë. Trajneri Cesare Prandelli e emëroi Cassanon në skuadrën e tij, në listën me 23 lojtarë, teksa ai bëri dy paraqitje si zëvendësues në “Brazil 2014”, kur Italia doli në fazën e grupeve.

Ai, gjithashtu, ka luftuar me femrat…
Teksa ishte në Madrid, Cassano arriti të kënaqej me të dyja dashuritë e jetës së tij: ushqimin dhe femrat. “Në Madrid kisha një mik, që ishte kamerier hoteli, – shpjegon Cassano në autobiografinë e tij, duke treguar gjithçka. – Detyra e tij ishte të më sillte tre ose katër pasta, pasi të kisha kryer marrëdhënie seksuale. Ai do t’i sillte pastat deri te shkallët, unë do ta përcjellja gruan tek ai dhe do të bënim një shkëmbim. Ai do të merrte vajzën dhe unë do të merrja pastat. Seksi dhe pastaj ushqimi, një natë e përkryer”. Në vitin 2008, Cassano pretendoi se kishte fjetur me mbi 600 femra, ndërsa Zoti e di se sa shumë pasta ka ngrënë.

Koka e tij ende nuk është e drejtë…
Cassano dikur e përshkroi veten si një “djalë problematik”, madje edhe sot i ka ende betejat e tij. Në korrik të vitit të kaluar, ai nënshkroi për Verona, por vetëm tetë ditë më vonë, njoftoi se po tërhiqej nga futbolli. Po atë ditë, megjithatë, ai ndryshoi mendje, duke shpjeguar se e kishte marrë këtë vendim në një moment dobësie. “Nuk kishte asnjë shkëndijë atje, – tha ai më vonë. – Është sikur po sheh një femër dhe ajo nuk ju tërheq, kështu që do të largoheni”.